Gjykata Speciale çon ftesën e dytë për “Mollën e Kuqe”, askush s’e di ku është arratis ai

Periskopi.com Lajme

Janë bërë disa muaj që kur Gjykata Speciale ia ka dërguar ftesën e parë për intervistim ish-ushtarit të UÇK’së, Remzi Shala, i njohur si “Komandant Molla e Kuqe”. Por që nga ajo kohë, ai vazhdon të jetë në arrati. Sot u raportua se Gjykata Speciale ia ka dërguar edhe ftesën e dytë Shalës. Për këtë, Periskopi ka kontaktuar avokatin e Shalës, Natal Bullakajn…

Janë bërë katër muaj qëkur Gjykata Speciale ia dërgojë ftesën e parë për intervistim ish-ushtarit të UÇK’së, Remzi Shalës.

Por, ai vendosi të arratiset dhe mos t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese ashtu siç bën të gjithë bashkëluftëtarët e tij që u ftuan nga kjo Gjykatë.

Kështu, më 12 dhjetor 2018, Shala u largua nga Kosova.

Dhe, që nga ajo kohë askush nuk e di vendndodhjen e tij. As avokati mbrojtës, e as familjarët.

Sot, Lajmi raportoi se Gjykata Speciale rreth dy javë më parë i ka dërguar Shalës edhe ftesën e dytë.

Sërish, ai u ftua veç për intervistim në Hagë.

Por, sërish refuzoi të përgjigjet, derisa vazhdon të jetë në arrati.

Familjarët e tij për Lajmin ka thënë se Komandant “Molla e Kuqe” nuk ka ndërruar mendje, as pas ftesës së dytë.

“I kemi kërkuar të paraqitet mirëpo ai nuk ka ndërruar mendje. Para rreth dy javësh ka ardhur edhe një ftesë nga Prokuroria e Specializuar, mirëpo ai prapë se prapë nuk do të paraqitet”, kanë thënë të afërmit e Remzi Shalës.

Për këtë çështje, Periskopi kontaktoi avokatin mbrojtës të Shalës, Natal Bullakaj.

Ai i tha Periskopit se nuk ka informacion as për ftesën e dytë për klientin e tij, e as për vendndodhjen e tij.

Së fundmi, thotë të ketë rralluar edhe komunikimin me familjarët e Shalës.

“Që nga ftesa e parë që ia kam dorëzuar e deri më tani, asnjë informatë nuk e kam. Dhe me familjen kam pasur fare pak kontakt. Kohëve të fundit s’kam pasur kontakt me dikë prej familjes së tij. Nuk kam takime me familjarët e tij. Nuk e di. Kur do që ai paraqitet me fton mua, unë do të paraqitem. Prej medieve kam dëgjuar edhe unë për këtë ftesën e dytë, se s’kam diçka informacion më shumë”, ka thënë Bullakaj për Periskopin.

Periskopi po ashtu ka kontaktuar të afërm të tjerë të Shalës, por të njëjtit kanë refuzuar të përgjigjen për këtë çështje.

Ndonëse nuk i dihet vendndodhja, për Remzi Shalën është lëshuar urdhër-arrest nga Gjykata e Prizrenit, pasi që i njëjti kishte munguar në seancën e 9 janarit lidhur me gjykimin për vrasjen e Haxhi Përteshit në vitin 1998.

E, zyrtarë të Gjykatës Speciale kanë paralajmëruar pasoja për të gjithë ata, që sipas tyre, po i ikin drejtësisë.

Përveç Shalës, të gjtihë ish-ushtarët e UÇK’së janë paraqitur për intervistim në Hagë. Disa prej tyre thanë se u ftuan nga Specialja në cilësinë e dëshmitarë të dyshuar.

Deri më tani, Gjykata Speciale ka thirrur për intervistim edhe komandantë të UÇK’së, si Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e Sylejman Selimi./PERISKOPI

 

 

Avokati: Askush nuk e di vendndodhjen e ish-komandantit të UÇK-së të ftuar nga Gjykata Speciale

Periskopi.com Lajme

Avokati Natal Bullakaj ka folur lidhur me klientin e tij, Remzi Shalën, i cili në Gjykatën e Prizrenit po gjykohet për krime lufte, të cilat pretendohet se i ka kryer gjatë kohës kur ai ishte luftëtar i UÇK-së.

Avokati Bullakaj tha se me ish-komandantin e UÇK-së, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, nuk ka pasur asnjë kontakt që nga arratisja e tij në muajin dhjetor.

Avokati tha se nuk e di që nga ajo kohë vendndodhjen e Shalës.

Lidhur me rastin gjyqësor në të cilin e mbron, Bullakaj tha se më 8 janar, ditë kur ishte paraparë të mbahej seancë gjyqësore, kishte biseduar me familjarë të Remzi Shalës.

“Të njëjtit më kanë thënë që nuk kemi aspak informata se ku mund të gjendet Remziu”, tha avokati për kallxo.com

As bashkëluftëtarët e Remzi Shalës nuk po e dinë ku është strehuar ai.

Natal Bullakaj tha se për shkak të mosparaqitjes së Shalës ai do të heqë dorë nga mbrojtja e tij.

“Arratisja nuk i shërben drejtësisë. Fillimisht më ka dëmtuar mua si avokat i tij, pasi që sa kohë mund dhe punë mori procesi gjyqësor në Prizren, e në përfundim të procesit ai u arratis dhe e  ka dëmtuar procesin. Gjithashtu arratisja e tij e dëmton procesin edhe ndaj bashkëluftëtarëve dhe pengon që UÇK t’i mbrojë vlerat. Ne jemi të interesuar që të mbrohen edhe vlerat e luftës  së UÇK-së”, tha avokati.

I akuzuar për rrëmbimin e Haxhi Përteshit në Duhël të Suharekës gjatë kohës së luftës, Remzi Shala po gjykohej në Gjykatën e Prizrenit.

Në fillim të dhjetorit 2018, ai ka marrë ftesë për t’u intervistuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

Por, ish-komandanti i UÇK-së ka njoftuar publikisht se nuk do t’i përgjigjej thirrjes për në Hagë.

Lidhur me këtë çështje, avokati Natal Bullakaj tha se nuk është i autorizuar për ta mbrojtur Remzi Shalën në Gjykatën Speciale, prandaj edhe nuk ka kontaktuar me Dhomat e Specializuara, as edhe për arratisjen e klientit të tij.

Rreth mosparaqitjes së Remzi Shalës në Gjykatën e Prizrenit, gjyqtarja Raima Elezi, që po e gjykon rastin, ka lëshuar urdhër-arrest për sjellje nga Policia.

Sipas avokatit, nëse Policia nuk e gjen të akuzuarin, atëherë Gjykata do të lëshojë urdhër arrest të hapur dhe kudo që të gjendet do të arrestohet dhe me gjasë do t’i caktohet ndonjë masë e sigurisë derisa të marrë fund gjykimi.

Remzi Shala në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” në fund të janarit të vitit 2017 mohoi se ishte i përfshirë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.