Haradinaj: S’ka kompromis më të dhimbshëm se fakti i njohjes reciproke me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencën për media e cila po mbahet aktualisht në hapësirat e Qeverisë së Kosovës, është shprehur edhe në lidhje me kompromiset që duhet të bëhen për të stabilizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas tij, kompromisi i dhimbshëm do të jetë vetëm fakti i njohjes, që sipas tij nënkupton një lloj falje.

“Kompromis ma të dhimbshëm, se fakti i njohjes me Serbinë që nënkupton një lloj falje nuk ka. Pra, kur njihemi është një kompromis i dhimbshëm, jo se falen krimet ne aspektin ligjor por është një lloj falje, pra është një lloj kalimi nga një dhimbje e nga ajo vuajtje qe ka kalu populli jone.” është shprehur ai.

Po ashtu, tema e demarkacioni me Serbinë sipas Kryeministrit Haradinaj nuk është ende në tavolinë por që Kosova është e përgatitur për këtë proces.

“Demarkacioni, te premten tjetër është takimi i nivelit te larte ku do te flasim për rastet e shenjestruara, te cilat edhe veç janë kry që kanë qenë kusht për liberalizimin vizave, që i ka pranu komisioni dhe po flasim për rastet e grumbulluara. Me këtë dua të them që fokusimi ynë nuk do të hiqet, dhe në asnjë variant nuk do ta rrezikojmë liberalizimin e vizave. Pra, nuk do të përzijmë temat. Kurse, sa i përket Serbisë komisioni ekziston nga zoti Bulliqi, kurse kurdo që kjo temë është në tavolinë në jemi të gatshëm” ka përfunduar Haradinaj.