Kurti jep afatet për heqjen e taksës – pa koordinim me LDK-në

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të merret vendimi zyrtar për heqjen e pjesshme të taksës, të vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Por në rast se pala serbe nuk i përfill kushtet e vëna nga Kosova pas heqjes së taksës, shefi i ekzekutivit ka paralajmëruar vënien e masave reciproke ndaj Serbisë. Ndonëse Kurti ka thënë se është koordinuar me LDK-në për këtë plan, zyrtarët e këtij subjekti kanë mohuar një gjë të tillë, shkruan sot gazeta Zëri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se javën e ardhshme Qeveria do të marrë vendim që prej datës 15 mars ta heqë pjesërisht tarifën ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake. Me këtë rast Kurti ka ftuar Serbinë të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Nëse Serbia reflekton në këtë drejtim, siç ka bërë të ditur shefi i ekzekutivit, tarifa pastaj nga 1 prilli do të largohet në tërësi. Në konferencën e jashtëzakonshme, të mbajtur mbrëmjen e djeshme, Kurti ka kërkuar nga BE-ja që ta vlerësojë vendimin e Kosovës dhe të ofrojë heqjen e vizave para Samitit të Zagrebit. Ndërkaq, në rast se Serbia nuk e pushon fushatën armiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë Qeveria e Kosovës nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të reciprocitetit. Kurse në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e pjesshme të tarifës, atëherë Qeveria e Kosovës nga 15 qershori do ta rikthejë taksën për importet nga Serbia, teksa do të vazhdojë implementimi i filluar më 1 prill i reciprocitetit. Por ky plan i prezantuar nga Kurti nuk është mbështetur nga partneri qeverisës, LDK-ja. Zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë se kryeministri ka prezantuar pikat për heqjen e taksës me kushte pa u koordinuar paraprakisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Si u koordinua Kadri Veseli me NATO-n për bombardimet në vitin ’99? (VIDEO)

Periskopi.com Lajme

Kadri Veseli, në hapjen e fushatës së PDK në Mitrovicë, shpalosi një rrëfim emocional nga koha e luftës në Kosovë, duke e shkëputur një moment nga viti 1999, kur popullata shqiptare ishte e rrethuar nga forcat serbe dhe qindra të plagosur ishin të pashpresë.

Por, pas një koordinimi të tij me NATO-n, prirë nga SHBA-ja, kishin pasuar bombardimet, për t’i shpëtuar të gjithë, të plagosurit, gratë dhe fëmijët.

Bëhet fjalë për ngjarjen në Baicë të Drenasit, e cila kishte ndodhur në prill të vitit 1999.

“Në prill të vitit 1999, në Baicë të Drenasit, kishim një numër të madh të të plagosurve rëndë, civilë e luftëtarë, të cilët po mundoheshim t’i zhvendosnim në bjeshkët e Kosmaqit. Ishim të rrethuar nga të gjitha anët prej forcave serbe. Ishte një situatë tejet e vështirë. Doktor Fadil Beka, që kujdesej për të plagosurit, ishte në prag të dëshpërimit, sepse nuk kishte çfarë të bënte më tepër. E pashë në sy dhe i thashë: ‘Nuk jemi vetëm’. Me një telefon satelitor që kisha, isha në përpjekje për t’u koordinuar me aleatët, që të pasonin sulmet. Nuk kaloi shumë dhe aeroplanët e lirisë erdhën, nisën të bombardonin, dhe shpëtimi erdhi për të gjithë aty: për të plagosurit, për fëmijët, për të gjithë”, ka rrëfyer Veseli.

Ai e kishte treguar këtë moment, për të thënë më pas se për t’u rikthyer në rrugën e suksesit, në rrjedhën e fitores, Kosova duhet të kthehet në nivelin e koordinimit të vitit 1999.

“Ju them të besoni në Kosovën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku, si dikur”, ka shtuar Veseli.

Në fakt, këtë ngjarje të vitit 1999 e kishte treguar kohë më parë, në hollësi, Doktor Fadil Beka, i cili ishte përkujdesur për të plagosurit.

Ai ka thënë se po të mos ishte Kadri Veseli në atë moment, të gjithë do të rrezikoheshin dhe koordinimi i Veselit me NATO-n ka qenë vendimtar për t’i shpëtuar ata.

Më poshtë, mund ta ndiqni këtë rrëfim emocional.