Dhunë për të nxjerrë nga ‘ferri’ luanin synxirë

Periskopi.com Lajme

Daily Mail ndoshta duhet të kthejë sërish sytë nga Shqipëria. Tabloidi britanik zbuloi i pari, atë që në Shqipëri ishte fshehur më së miri.

Edhe pse shumë qytetarë mund të ishin bërë dëshmitarë, askush nuk foli mbi trajtimin mizor të disa kafshëve në koopshtin zoologjik privat në qytetin e Fierit, “Safari Park”, i vizitueshëm nga shumë udhëtarë që marrin rrugën drejt jugut. Por këtë të dielë është shënuar një tjetër episod i pakëndshëm.

Policia dhe veterinerët janë detyruar të hapin me forcë portën e mbyllur të kopshtit provat, për të marrë nga aty dhe për t’i transportuar në kopshtin zoologjik të Tiranës. Itinerari i 13 kafshëve, mes të cilave tre luanë, është me tej transferimi në Holandë dhe prej andej në Afrikë.

Drejtori i përgjithshëm i policisë pyjore, Anduel Xhalia tha se ndërhyrja do bëhet sot (28 tetor) pasi ka kaluar çdo afat për dorëzimin e dokumentacionit.

“Nuk e dimë se në çfarë gjendje janë kafshët, të ushqyera apo jo, ndaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme,”-tha ai.

Ndërsa avokati i kopshtit zoologjik ‘Safari park’, Elvis Sulejmani u shpreh se nuk ka asnjë vendim gjykate për marrjen e kafshëve.

“I kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe dokumentacionin për vazhdimin e aktivitetit. Kafshët nuk mund të merren forcërisht.”, tha ai.

Ai u shpreh se afati për dorëzimin e dokumentacionit mbaron të hënën.

“Afati për dorëzimin e dokumentacionit mbaron të hënën në orën 16:00. Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat sipas procesverbalit të datës 17 tetor. Inspektorët e Mjedisit janë në dijeni të këtij fakti dhe vijnë qëllimisht ditën e dielë për të marrë kafshët forcërisht dhe në shkelje të ligjit.”, shtoi avokati.

Reagimi i institucioneve erdhi pas publikimit nga Daily Mail të fotove të luanit me sy të nxirë e të infektuar, që bënë xhiron e botës. Pas raportimit të lajmit, më 17 tetor me urdhër të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Inspektorati i Mjedisit u paraqit pranë parkut zoologjik privat për verifikim, i cili u pagëzua me emrin, “Kopshti zoologjik i ferrit.”