Çmohet lartë personaliteti dhe kontributi i Lekë Zherkës

Periskopi.com Lajme

Për nder të jetës dhe veprës së tij, sot është mbajtur mbledhje komemorative për ish-gazetarin Lekë Zherka.

Drejtoresha e Radio Televizionit 21, Afërdita Saraqini-Kelmendi mes lotëve ka çmuar personalitetin e tij, duke thënë se ajo sot ka humbur kolegun e saj shumë vjeçar.

“Leka njëri i qetë, i qeshur dhe me humor të lehtë. Leka mik, vëlla, bashkëshort, mbi të gjitha çmonte të njerëzishmen. Leka në Radio Kosovë më pastaj në KTV dhe së fundmi në RTV 21, kemi qenë koleg edhe në Radio Televizionin e Prishtinës, në kohën e vështirë të gazetarisë. Bashkërisht punuam dhe ndikuam në sjelljen mbi median e lirë. Si gjithmonë Leka modest, ai nuk bëri të madhe angazhimin e tij të madh. Si koleg ne kemi shijuar çiltërsinë e tij prej njeriu. E kam të vështirë ta them fjalën lamtumirëse. Unë humba kolegun shumë vjeçar, njeriun që e çmova dhe deshta. Lekë nuk ke lënë borxhe në këtë jetë. Edhe kur të lënduan t’i sërisht u sjelle ndjeshëm”, tha ajo.

Ish-kolegu i tij, Alban Fehmiu tha se ka nderin të flas për Lekë Zherkun.

“Kisha fatin që Lekë Zherkun ta kisha shok, koleg dhe drejtor, me të cilin kemi ndarë të mirat dhe të këqijat, sfida dhe sukseset. Kur filluam punën, ne kompaninë që ishte në buzë kolapsi, ai arriti brenda 1 viti ta rikthejë buzëqeshjen dhe motivin të gjithëve. Mos të qahmë se e humbëm Lekën tonë, por të gëzohemi pse e patëm”, tha ai.

Djali Lekës, Bardhi në emër të familjarëve i falenderoi të gjithë për atë se çfarë kanë bërë për Lekën.

Varrimi i ish-gazetarit Lekë Zherka do te bëhet sot në orën 13:00.

Haradinaj dhe Veseli shprehin ngushëllime për vdekjen e Lekë Zherkës

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka shprehur ngushëllime familjës dhe miqve të gazetarit Lekë Zherka, duke thënë se Leka, bashkë me shumë kolegë të tjerë, vendosi bazat e para të gazetarisë profesioniste në Kosovë.

“Me pikëllim pranova lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur Lekë Zherka. Leka, bashkë me shumë kolegë të tjerë, vendosi bazat e para të gazetarisë profesioniste në Kosovë dhe edukoi shumë gjenerata në këtë frymë, në mediumet ku punonte. Ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe miqve. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, Lekë, ka shkruar ai në Facebook.

Kurse, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka shkruar në Facebook, se Lekë Zherka ishte njëri prej njerëzve që i dha shumë gazetarisë në Kosovë.

“Profesionist i mirëfilltë, shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë. Me punën e tij ai kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e shumë mediave në Kosovë, në edukimin e kuadrove duke ndjekur gjithmonë standardet më të larta të gazetarisë. Ngushëllime familjes dhe miqve për vdekjen e hershme të tij”, ka shkruar ai.

 

Limaj: Vdekja e Lekës është humbje edhe për vendin

Periskopi.com Lajme

 Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka ngushëlluar me rastin e vdekjes së gazetarit dhe drejtuesit të disa mediave, Lekë Zherka.

Limaj shkroi se vdekja e hershme e Zherkës është padyshim humbje e madhe jo vetëm për median ku punonte dhe familjarët e tij, por edhe për vendin.

“Pikëllues lajmi për vdekjen e Lekë Zherkës, gazetar me përvojë të gjatë dhe drejtues i medieve të ndryshme në vend. Vdekja e hershme e Lekës është padyshim humbje e madhe jo vetëm për median ku punonte dhe familjarët e tij, por edhe për vendin. Në këto çaste pikëllimi për familjen Zherka bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Zherka, miqve të tij dhe gjithë komunitetit të gazetarëve në Kosovë!”, shkroi Limaj.

​AGK: Vdekja e Zherkës është një humbje e madhe për gazetarinë

Periskopi.com Lajme

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me dhimbje të thellë ka marrë lajmin për vdekjen e gazetarit të mirënjohur Lekë Zherka.

Zherka ka ndërruar jetë në moshën 56 vjeçare.

“Karrierën e kishte filluar në Radio Televizionin e Prishtinës në vitin 1985. Ishte  drejtor shumëvjeçar në televizionin Kohavision (KTV). Deri në ditët e fundit të jetës së tij karrierën profesionale  e vazhdoi në Radiotelevizionin 21. AGK vlerëson lartë kontributin dhe dedikimin që Zherka pati ndaj profesionit tonë dhe konsideron se vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë. Zherka  do të mbahet mend si gazetar që i ka shërbyer me devotshmëri profesionit. AGK i shpreh ngushëllime familjarëve të Zherkës, miqve bashkëpunëtoreve dhe të gjithë kolegëve gazetarë”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Me rastin e vdekjes të Lekë Zherkës nesër në orën11:00 do të mbahet mbledhje komemorative në Sheshin 21, ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e qytetit në Prishtinë, në orën 13:00.

Thaçi shpreh ngushëllime për vdekjen e Lekë Zherkës

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Zherka dhe gjithë komunitetit të gazetarëve për vdekjen e parakohshme të gazetarit dhe drejtuesit të shumë mediave në Kosovë, Lekë Zherka.

Thaçi ka shkruar në Facebook se Zherka dha një kontribut shumë të madh në zhvillimin e mediave dhe gazetarisë profesionale.

“Më pikëllim mora lajmin për vdekjen e parakohshme të gazetarit dhe drejtuesit të shumë mediave në Kosovë, Lekë Zherka. Ai dha një kontribut shumë të madh në zhvillimin e mediave dhe gazetarisë profesionale. Në këto momente të vështira, bashkëndjejmë me familjen Zherka dhe komunitetin e gazetarëve”, ka shkruar ai.

Ndërron jetë gazetari Lekë Zherka

Periskopi.com Lajme

Sot në moshën 56 vjeçare ka ndërruar jetë Lekë Zherka, gazetar dhe drejtor shumë vjeçar i mediumeve më të mëdha kosovare.

Lekë Zherka karrierën e filloi në Radio Televizionin e Prishtinës në vitin 1985. Pas luftës ai ishte drejtor i Radio Kosovës, pastaj drejtor shumëvjeçar në televizionin Kohavision (KTV) ndërkaq karrierën e tij profesionale deri në ditët e sotme e vazhdoi  në Radiotelevizionin 21 (RTV21).

Me rastin e vdekjes të Lekë Zherkës do të mbahet mbledhja komemorative në Sheshin 21 në Radiotelevizion 21, duke filluar nga ora 11.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të dielën në Varrezat e Qytetit në Prishtinë duke filluar nga ora 13.