LDK-ja lëshon postin e kryeministrit, kërkon këto dy pozita për koalicion me VV-në

Periskopi.com Lajme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është pajtuar  që pozita e Kryeministrit t’i takon partisë fituese të këtyre zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj Albin Kurtit, shkruan Periskopi.

Burime të Periskopit brenda LDK’së kanë konfirmuar se LDK është pajtuar që pozita e Kryeministrit t’i takon VV’së dhe të arrihet koalicioni me këtë parti.

Por, LDK tani ka dy kushte për koalicion me Vetëvendosjen, ajo dëshiron postin e Zëvendëskryeministrit  dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Këto burime kanë treguar se ky do të jetë kushti kryesor që nuk do të lejojnë që të mos përmbushet dhe nëse VV dëshiron një koalicion me këtë parti.

Kujtojmë se LDK dhe VV janë duke u përballuar me një presion të jashtëzakonshëm nga ndërkombëtarët për formimin sa më shpejtë të Qeverisë së re dhe fillimin e dialogut me Serbinë në mënyrë që marrëveshja mes dy vendeve të arrihet gjatë vitit të ardhshëm.

Lufta për kolltukun e LDK-së

Periskopi.com Lajme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë të shtunë mban Kuvendin Zgjedhor, përderisa emrat e pesë kandidatëve po lakohen se janë në garë për t’u ulur në kolltukun e partisë më të madhe parlamentare në vend.

Emrat e pesë kandidatëve po lakohen se janë në garë për kreun e LDK-së dhe kandidaturat pritet t’i bëjnë publike në Kuvendin Zgjedhor, i cili do të mbahet këtë të shtunë.

Ndonëse ende zyrtarisht nuk dihet se cilët janë kandidatët për kryetar të LDK-së mësohet se Isa Mustafa po synon ta marrë edhe për një mandat drejtimin e partisë. Për të marrë përgjegjësinë e liderit të LDK-së është shprehur i gatshëm edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Po ashtu në opinion po lakohet edhe emri i kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit, i kreut të Podujevës Agim Veliut, si dhe i deputetes Vjosa Osmani.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, emri i të cilit është lakuar shpeshherë si kandidat potencial për të parin e LDK-së, për “Zërin” ka thënë se vetëm në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së do ta bëjë të ditur nëse synon ta marrë postin e kreut të partisë, shkruan sot gazeta “Zëri”

“Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka shkuar shumë mirë. Kandidaturat ende nuk janë shpallur, ato do të paraqiten në Kuvend dhe unë ambiciet e mia do t’i shpreh po aty, në Kuvend”, ka thënë Veliu.

Në rast të moskandidimit të tij, Veliu nuk tregoi nëse ka një kandidat të cilin do ta përkrahë për të parin e LDK-së. Ai theksoi se çdo gjë do të bëhet publike më 3 gusht...

Nexhat Daci tregon se kush duhet ta udhëheq LDK-në

Periskopi.com Lajme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hyrë në fazën e fundit të procesit të gjatë zgjedhor.

Kryesia e partisë tashmë ka vendosur që Kuvendi Zgjedhor të mbahet më 3 gusht.

Një proces shumë i ngarkuar zgjedhor e ka përcjellë LDK-në kësaj herë. Rrahjet, akuzat e kundërakuzat ndërmjet kandidatëve e delegatëve e kanë bërë procesin të mundimshëm.

Mirëpo, deri më tash asnjë nga emrat e përmendur për kryetar të LDK-së nuk e kanë shpallur zyrtarisht kandidaturën për të parin e partisë.

Emrat që më së shumti janë përmendur gjaë kësaj kohe për ta marrë timonin e partisë janë kryetari aktual, Isa Mustafa, nënkryetari i partisë dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, si dhe deputetja Vjosa Osmani.

Në ndërkohë, janë përfolur edhe dy-tre emra tjerë, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është deklaruar deri më tash, shkruan Ballkani.info.

Derisa procesi po shkon drejt fundit, delegatët që do të votojnë kryetarin e ri (të vjetër) të LDK-së duket se janë në hall se kë ta votojnë kësaj here.

Nisur nga kjo, një disponim ekziston që në krye të partisë të vije një lider i ri, në mënyrë që partia më e madhe aktualisht në vend sa i përket numrit të deputetëve, të sjellë frymë të re.

E në këtë mes hyn kandidatura e Lutfi Hazirit, një eksponent shumëvjeçar i partisë.

Haziri, i cili katër herë i ka fituar zgjedhjet për kryetar dhe tri herë për deputetë, duke mos humbur asnjëherë, po përmendet si emri më kredibil për drejtuar në mandatin e ri LDK-në.

Të kujtojmë se ish kryetari i LDK-së dhe njëri nga udhëhëheqësit e parë të kësaj partie, kryeakademiku, Nexhat Daci, pati dalë kohë më parë hapur në mbështetje të Lutfi Hazirit.

Ai pati thënë se i vetëm që mund ta ringjallë LDK-në është Lutfi Haziri.

Sipas tij vetëm Haziri është ai që mund ta instalojë suksesshëm frymën rugoviane.

Ai në një intervistë ka thënë se nuk është hera e parë që e përmend emrin e Hazirit, dhe për këtë thotë se ka argumente.

Ndërkaq, pritet të shihet se si do të rrjedhin gjërat deri më 3 gusht, pasi që Lutfi Haziri më herët pati deklaruar se është për një marrëveshje paraprake rreth emrit të kandidatit për kryetar.

‘Autogolat’ e LDK-së

Periskopi.com Lajme

Pikërisht në kohën kur disa sondazhe e kanë radhitur si partinë më të votuar në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është duke u përballur me përplasje të thella mes anëtarëve. Kuvendet zgjedhore në disa degë dhe nëndegë të LDK-së janë shoqëruar me grushte, me shqelma e me goditje me karrige mes anëtarëve

Me një frymë të tillë është shoqëruar edhe kuvendi zgjedhor në lagjen “Mat”, i cili është pjesë e Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë.

Si rrjedhojë e kësaj, gjatë ditës së djeshme Kryesia e LDK-së ka marrë vendim t’i përjashtojë nga gara e kësaj dege Arban Abrashin e Hazir Borovcin, emrat e të cilëve janë përmendur për kryetarë të mundshëm të degës përkatëse, shkruan më tutje Gazeta ‘Zëri”.

Pavarësisht këtij vendimi dhe pavarësisht deklarimeve që të përjashtuarit nga gara u takojnë dy grupeve kundërshtare, Abrashi ka thënë se askush në LDK nuk është kundër tij, porse përplasjet e tilla kanë ndodhur nga anëtarë të partive të tjera politike.

Ndërkohë Borovci, duke mos treguar nëse do ta pranojë vendimin në fjalë, ka bërë të ditur se sot do të takohet me Kryesinë e Degës