Macron dorëzohet përballë “jelekverdhëve”

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do t’i drejtohet popullit gjatë natës së sotme mes protestave më masive të realizuara gjatë katër javëve të fundit.

Protestat shpërthyen kundër rritjes së taksave të karburantit, me synim uljen e ndotjes në vend nga përdorimi i makinave elektrike.

Në konferencën e pasdites, Macron pritet të bëjë të tjera lëshime.

Të hënën në mëngjes, ndërsa Macron u takua me sindikatat dhe krerët e biznesit, në protestë u hodhën edhe studentët.

Mësimi është ndërprerë në 120 shkolla në të gjithë vendin – përfshirë 40 shkolla të bllokuara plotësisht nga studentët – tha një zëdhënëse për Ministrinë e Arsimit.

Javën e kaluar qeveria franceze u tërhoq nga rritja e tatimit për karburantin, por jelekëverdhët nuk i ndalën protestat e dhunshme. Dëmi ekonomik, sipas ministrit të Brendshëm Bruno Le Mer, është katastrofik dhe do të ketë ndikim negativ afatgjatë në buxhet dhe turizëm.

Kriza e Macron në Francë, një rrezik për mbarë Evropën

Natalie Nougayrède Op-Ed

Nga Natalie Nougayrède

Për hir të Evropës, Emanuel Makron ka nevojë për ndihmën, dhe jo neverinë apo urrejtjen tonë. Një president i ri, reformist në Francë, që premtoi një “rilindje evropiane”, e sheh tanimë veten duke u përpëlitur në krye të një vendi, që po bëhet sërish dhe me shpejtësi “e sëmura e Evropës”.

Momenti me domethënës i protestave, ishte kur protestuesit shpërfytyruan fytyrën e përmendorës së Marianës, simbolit të republikës në Harkun e Triumfit në Paris. Vetëm 3 javë më parë, udhëheqësit botërorë u mblodhën atje me Makronin, për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore.

Nga “pasionet e trishta” të francezëve, për të cilat Makron kishte paralajmëruar shumë herë, do të preket një kontinent i tërë, dhe jo vetëm karriera politike e një njeriu. Forcat ekstremiste në mbarë Evropën, janë shprehur të entuziamuara gjatë përplasjes së Makron me “Jelekët e Verdhë”.

Nga mbështetësit e Brexit (majtas dhe djathtas), tek e djathta ekstreme italiane e Mateo Salvini, për të mos përmendur propagandën e Putinit, shija është e pagabueshme. Rebelimi dhe kaosi po lulëzojnë në demokracitë liberale. Çmimi që mëtojnë ekstremistët, është fitimi i zgjedhjeve për në Parlamentin Evropian majin e vitit që vjen.

Ngjarjet në Francë janë ogurzeza, dhe rëndësia e tyre shtrihet shumë më tepër se sa kufijtë e një vendi. Jo shumë kohë më parë, Makron e quajti me kreari veten armikun e Salvinit dhe Viktor Orbanit të Hungarisë, dy liderë që përmes politikave të pazareve, synojnë të ndalojnë hyrjen e emigrantëve në vendet e tyre, mbyllin gojën kundërshtarëve politikë dhe sabotojnë sundimin e ligjit.

Makron është dobësuar, është tërhequr në mbrojtje, dhe është përherë e më i izoluar. Skenat dramatike në Francë 2 javë të fundit mund të duken për disa, si një ringjallje e kryengritjes së majit 1968. Por një paralele më e rëndësishme, mund të jetë 6 shkurti 1934.

Atë ditë, bandat e nacionalistëve ekstremistë marshuan në kryeqytetin francez, dhe u përleshën me policinë, në një trazirë që shkaktoi 15 të vdekur. Ngjarjet e asaj dite, shërbyen si një mit themelues për atë brez të së djathtës në Francë.

Sigurisht, Makron ka bërë gabime. Shumica e protestuesve kanë ankesa të vërteta, ndonëse të shprehura në mënyrë kaotike. Ata e konsiderojnë veten “njerëzit e padukshëm”, që trajtohen me përbuzje nga elitat pariziane, dhe se tani janë bërë shumë të dukshëm me xhaketat e tyre fluoreshente. Opinioni publik është pas tyre.

Një nga anëtaret më elokuente të lëvizjes është Ingrid Levavazyr, një infermiere e re, nënë e divorcuar me 2 fëmijëve nga Normandia. Javën e kaluar, ajo foli me tone prekëse në televizion, mbi përpjekjet e saj për të arritur qëllimin e protestës, dhe për ndjenjën e saj të thellë të padrejtësisë:”Disa njerëz ankohen se ne i bllokojmë rrugët, por ata nuk ankohen kur ato bllokohen nga trafiku, aapo kur janë duke shkuar me pushime në resortet turistike të skive, apo jo?”-pyeti ajo me butësi.

Por kriza e Francës ka nënrryma më të këqija, të mishëruara nga një zëdhënës tjetër i jelekë-verdhëve, Kristof Shelençon. Një kovaç nga rajoni jugor i Vaukluz, Shelençon është një anti-mysliman i hapur, dhe ka bërë thirrje për instalimin e një qeverie të udhëhequr nga ushtria, pasi sipas tij “një komandant i vërtetë, një gjeneral, një dorë e fortë, është ajo që na nevojitet”.

Partitë e të djathtës, si Aksioni Francez, po përpiqen të rikuperojnë terren, dhe të rrikthehen në skenën kombëtare. Njoftimi më i fundit nga qeveria, se rritja e taksave do të pezullohet, është ndoshta shumë pak, dhe shumë i vonuar. Frikërat e francezëve janë të trefishta.

Ekziston frika e humbjes së pushtetit dhe prestigjit; frika e ndikimit ekonomik të globalizimit, dhe frika e humbjes së një “identiteti kombëtar”. Vendi vuan ndërkohë nga ndarjet e thella brenda vendit, të cilat vështirë se mund t’i mbyllë një president në vetëm 18 muaj.

Grupime të tëra sociale, ndjehen të neveritur me njëri-tjetrin:të rinjtë kundrejt të moshuarve, të papunët përkundrejt të punësuarve, ruralët kundrejt urbanëve, të pakualifikuarit përkundrejt të mirë-arsimuarve. Ndarje të tilla ekzistojnë në shumë vende, por në Francë ato marrin një dimension ekzistencial, për shkak të idealit të barazisë, historikisht të lidhur me republikën. Shumë francezë, ndjejnë se realiteti nuk pasqyron atë që ata kanë të drejtë të kenë. Kur Makron garoi për president në vitin 2017, ai premtoi një “revolucion” (ky ishte edhe titulli i librit të tij të fushatës), për të adresuar një nevojë të përhapur për një ripërtëritje të brendshme, dhe një rivendosje të prestigjit francez, jo më pak në skenën evropiane .

Tani presidenti duket i paralizuar në shtëpi, dhe andrallat e ij të fundit, mund të mbizotërojnë së shpejti mbi planet e tij për Evropën. Ashtu si një Merkel e dobësuar nuk bëri shumë për të ndihmuar Makron në rifillimin e një projekti mbi Evropën, një Makron i dobësuar tani do të sigurojë “ushqim” të ri për ekstremistët dhe populistët anembanë kontinentit.

Lë Penët, Orbanët dhe Salvinët, po presin në cep të rrugës. Nëse nuk gjejmë dot një zgjidhje, zgjedhjet për në Parlamentin Evropian në Francë, rrezikojnë të shndërrohen në një referendum kundër Makronit. Pra, presidenti francez e ka humbur shkëlqimin e tij, si një kampion i liberalëve dhe pro- evropianëve.

Por ta shohësh këtë si një lajm i mirë për Evropën dhe për demokracinë në përgjithësi, është tejet e rrezikshme. Është njëlloj si të dëshirosh përmbysjen e trenit, në mënyrë që të zëvendësohen disa vagona të tij. Dhimbjet sociale në Francë janë reale, dhe duhet të adresohen.

Por forcat që po përfitojnë nga revolta dhe dhuna në rrugë, janë ato që do të na hedhin në humnerë. Shihni kërcënimet me vdekje ndaj jelekë-verdhëve, që thanë se janë gati të negociojnë me qeverinë. Disa vjet më parë një Itali e lodhur dhe e tensionuar, kishte ditët e saj të protestave të dhunshme (mesazhi ishte:Shkofshi në djall, për establishmetin), nga e cila lëvizja populiste Pesë Yjet u rrit si një forcë politike.

Po çfarë ka ndodhur që atëherë? Këtë vit, Italia ra në kthetrat e të djathtës ekstreme. Protestat aktuale në Francë, do të çojnë në një skenar të ngjashëm, nëse njerëzit me mendje të kthjellët, nuk e ndihmojnë disi Makronin në rindërtimin e një minimumi të besimit nga opinion publik. Nuk mund të ketë asnjë projekt evropian demokratik apo drejtësi sociale, pa një Evropë dhe Francë demokratike. Fytyra e Marianës, duhet të restaurohet.

“The Guardian” – Bota.al

 

Protestuesit francezë gjunjëzojnë Macronin, hiqet taksa e naftës

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Francës më më fund do ta heq taksën që ka rritur çmimet e naftës.

Kjo vjen si pasojë e protestave të dhunshme disajavore të francezëve kundër rritjes së çmimit të naftës, shkruan Periskopi.

Qeveria e Francës tashmë e ka anuluar një takim me protestuesit e quajtur “Xhaketat e Verdha” që ishte paraparë për të martën, ka raportuar France24.

Si pasojë e protestave, të vdekur kanë mbetur 4 persona, ndërsa janë arrestuar dhe lënduar qindra të tjerë. /Periskopi/

 

 

Vuçiq u jep serbëve dy lajme të këqija: Macron s’po vjen, shqiptarët s’duan të dëgjojnë për taksën

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë një konference i ka dhënë dy lajme të këqija për Serbinë.

Vuçiqi ka thënë se vizita e presidentit të Francës në Serbi, Emanuel Macron është anuluar dhe se zyrtarët e institucioneve të Kosovës kanë thënë se nuk do ta heqin taksën derisa Serbia ta njohë Kosovën.

“Autoritetet shqiptare nuk duan të dëgjojnë për heqjen e tarifave, pas takimit me komisonerin Johannes Hahn ata kanë thënë se taksa do të vazhdojë derisa Serbia ta njohë Kosovën”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton lajmi.

Lajm tjetër të keq, Vuçiqi e ka vlerësuar edhe paralajmërimin për formimin e ushtrisë së Kosovës më 14 dhjetor.

“Ata duan të formojnë një ushtri kundër Kushtetutës. Kjo është një lëvizje e papërgjegjshme e Prishtinës dhe sjellë rrezik të madh në Ballkan”, ka thënë Vuçiqi.

Më tutje, Vuçiqi ka theksuar se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe se kjo nuk është mënyra më e mirë për të negociuar.

“Sa i takon krijimit të ushtrisë unë do të bisedojë me zyrtarë të Rusisë dhe Kinës dhe të shohë nëse do të mund të mbahet një seancë e Këshillit të Sigurimit për këtë çështje”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka thënë se nuk do ta lejojë askënd që ta poshtërojë Serbinë.

Kujtojmë se gjatë vizitës së tij në Kosovë, komisoneri Johannes Hahn, ka kërkuar heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërsa nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj deklaroi se taksa nuk do të hiqet dersia Serbia ta njoh Kosovën si shtet.

 

Macron në hall, nuk po ndalen demonstratat

Periskopi.com Lajme

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka kërkuar kryeministrit francez, Edouard Philippe, të takohet me krerët e partive politike dhe përfaqësuesit e të ashtuquajturve “xhaketa të verdha”, në përpjekje për të zbutur tensionet që shpërthyen në protesta të dhunshme gjatë fundjavës.

Rreth 36,000 vetë morën pjesë në protesta në të gjithë vendin të shtunën, por edhe pse pjesëmarrja ishte më e ulët se dy fundjavat e mëparshme, protestuesit u përleshën me policinë, duke ngritur dhe djegur barrikadat e po ashtu edhe duke djegur vetura.

Trazirat janë transformuar nga mosmarrëveshjet në lidhje me rritjen e çmimeve të gazit dhe eko-taksave në një demonstrim më të gjerë kundër Macron, qeverisë së tij dhe tensioneve midis elitës metropolitane dhe të varfërve ruralë, raporton CNN.

Duke folur në një radio në Francë, zëdhënësi i qeverisë franceze, Benjamin Griveaux, tha se qeveria po shqyrtonte “të gjitha opsionet” për të parandaluar “shpërthime serioze të dhunës”, duke përfshirë shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme.

Në këto protesta pothuajse u arrestuan 400 persona, ndërsa të vdekur kanë mbetur katër persona që kur demonstrimet filluan më shumë se dy javë më parë, tha policia të dielën.

Media franceze: Cili është qëllimi i vizitës së Macronit në Serbi

Periskopi.com Lajme

Pallati i Elyseé sot edhe zyrtarisht ka paralajmëruar vizitën e kryetarit të Francës, Emmanuel Macron, në Serbi më 5 e 6 dhjetor, transmeton Koha.net.

Disa gazeta shkruajnë se qëllimi i vizitës është fuqizimi i marrëdhënieve ndërmjet Parisit e Beogradit.

Kështu gazeta “20 minutes”, siç përcjell b92, thekson se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë përkeqësuar më 1 nëntor të këtij viti në ceremoninë për shënimin 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore për shkak të lëshimeve në protokoll (edhe për shkak të vënies së Flamurit të Kosovës në Kishën Notre Dame, sqarim i Koha.net) dhe shtohet se pas kësaj shumë serbë e “kanë kundërshtuar vizitën e Macronit në Beograd”.

Shumë serbë, shkruan kjo gazetë, pas kësaj ngjarjeje kanë theksuar se vendi i tyre, në raport me banorët, në Luftën e Parë Botërore ka pasur më së shumti viktima duke luftuar para së gjitha krah për krah me francezët në Fontin Lindor.

Në tekst theksohet se edhe refuzimi i Francës në vitin 2017 që ta dorëzojë në Beograd Ramush Haradinajn të akuzuar nga jurisprudenca serbe për “krime të luftës” në vitet 1998 – 1999, “te serbët tashmë kishte zgjuar ndjenja antifranceze, sado që në masë të vogël”.

Shtohet se shumë serbë nuk ia kanë falur Francës pse ka marrë pjesë në fushatën ajrore perëndimore në vitin 1999 që i dha fund luftës në Kosovë dhe largimi i forcave serbe nga Kosova.

“Ky operacion me në krye NATO-n mbetet nënçmim i madh për shumë serbë. Kjo ftohje në marrëdhënie është përthyer edhe në dobësimin e lidhjeve ekonomike”, vlerëson gazeta st.

Përkujtohet se kjo është vizita e parë e një kryetari francez që nga qëndrimi i Jacque Chirac në Serbi në vitin 2001, disa muaj pas rrëzimit të Slobodan Milosheviqit.

Gazeta La Croix, po ashtu, paralajmëron vizitën e Macronit në Serbi gjatë së cilës pritet të bisedohet edhe për mospajtimet e Kosovës e të Serbisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Një artikull të veçantë rreth kësaj vizite e ka publikuar edhe agjencia franceze e lajmeve AFP.

Macron viziton Gjermaninë në ditën për viktimat e luftës

Periskopi.com Lajme

Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës në Memorialin e Viktimave të Luftës dhe Diktaturës në Berlin.

Një javë pas 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, Macron mbajti një fjalim edhe në parlamentin gjerman.

Në fjalimin e tij në Bundestag Macron tha se Gjermania dhe Franca kishin kapërcyer 200 vjet “luftëra të pamëshirshme” për të bërë një “paqe të qëndrueshme” dhe për “të çimentuar një bashkëpunim në të gjitha fushat . ”

Ai është planifikuar të zhvillojë bisedime me Merkel-in për çështjet evropiane dhe ndërkombëtare, më vonë të dielën.

Macron: Franca dhe Gjermania të udhëheqin një Evropë më të bashkuar

Periskopi.com Lajme

Presidenti francez, Emmanuel Macron sot kërkoi që Gjermania dhe Franca të bëjnë përpjekje më të mëdha si aleatë në përpjekjen për të udhëhequr një Evropë më të bashkuar, duke përfshirë edhe tejkalimin e skepticizmit në lidhje me çështje të tilla si eurozona dhe buxheti.

Në një fjalim në Dhomën e Ulët të Parlamentit gjerman me rastin e nderimit për viktimat e luftës, Macron tha se përgjegjësia më e madhe e Francës dhe Gjermanisë ishte që të mblidhnin forcat që janë për BE.

Macron shtoi se të dyja vendet duhet të ndajnë procesin e vendimmarrjes dhe të udhëheqin politika për çështje të jashtme, politikat e migracionit dhe zhvillimit, të rrisin buxhetet dhe të ndërtojnë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, raporton Reuters.

Ai bëri thirrje gjithashtu për hapa konkretë që duhet ndërmerren me rastin e rritjes së partive nacionaliste në disa shtete anëtare.

Macron, i cili më vonë u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel, në një fjalim vuri në dukje se bota është në “udhëkryq”, ku lëvizjet nacionaliste që “nuk kanë kujtesë” iu kundërvihen forcave moderne dhe progresive.

“Europa, dhe brenda saj aleanca e Francës dhe Gjermanisë, kanë për obligim të mos lejojnë që bota të kalojë në kaos”, përfundoi Macron.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/macron-franca-dhe-gjermania-te-udheheqin-nje-europe-me-te-bashkuar-9-596686/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Protesta të mëdha kundër Macron, vdes një person

Periskopi.com Lajme

Mosbindja civile dhe bllokimi i rrugëve në Francë ka shënuar viktimën e parë. Një motoçiklist goditi aksidentalisht dhe vrau një protestues të shtunën. Në mbarë Francën ka nisur një fushatë kombëtare e bllokimit të rrugëve për shkak të rritjes së taksave të karburantit

Protestuesit po përpiqen të bllokojnë autostradat, si dhe të pushtojnë depot e karburantit me një lëvizje popullore që e kanë quajtur “xhaketat e verdha”. Ky reagim vjen pas rritjes së taksave të karburantit nga presidenti Emmanuel Macron.

Sipas ministrit të Brendshëm, Christophe Castaner, gjatë bllokimit të një rrugë në rajonin juglindor të Savuasë, një drejtuese mjeti u befasua kur pa protestuesit që bllokonin rrugën dhe i dha gaz motorit, veprim që rezultoi fatal për një grua.

Deri tani, sipas ministrit të Brendshëm Castaner gjashtëmbëdhjetë protestues kanë pësuar lëndime të lehta. Autoritetet presin që në rrugët kombëtare të Francës dalin rreth 50,000 protestues.

 

Moment qesharak, e moshuara ngatërron Merkelin me gruan e Macronit

Periskopi.com Fun

Gjatë festimeve të 100-vjetorit të paqes pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore përveç takimeve të liderëve politikë botërorë, kishte edhe skena që dilnin jashtë protokollit.

Ndërkohë që presidenti i Francës, Emanuel Macron, takon një grua 100-vjeçare e lindur në të njëjtin vit kur kishte mbaruar Lufta e Parë ajo shprehet se kjo është fantastike.

“Është fantastike, – thotë gruaja e moshuar, – që t’i jap dorën presidentit të Republikës. Mos më bëni të qaj”, i thotë ajo.

Ndërkohë gjatë fotos ajo duke dashur të kuptojë se me kë ishte afër e pyet kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel nëse ajo ishte zonja Macron por Merkel i përgjigjet në mënyrë shumë të sjellshme se ishte kancelarja e Gjermanisë.

Macron: Demonët e së kaluarës dhe ideologjitë e reja po kërcënojnë paqen

Periskopi.com Lajme

Udhëheqës nga mbarë bota u bashkuan të dielën Paris në ceremonitë përkujtimore për 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Pasi u pritën fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron në pallatin Elise, krerët e shteteve iu drejtuan Harkut të Triumfit.

Në fjalimin e tij, kreu francez, Emmanuel Macron, u kërkoi udhëheqësve të botës të bashkohen për një “luftë të përbashkët për paqe”.

“Demonët e së kaluarës dhe ideologjitë e reja po kërcënojnë paqen. Historia ndodhet në çastin kur kërcënohet të rikthehet në rrjedhën e saj tragjike duke kompromentuar trashëgiminë e paqes që u vulos me gjakun e paraardhësve tanë. Ne e dimë çmimin e paqes, ne e njohim peshën e saj dhe ne e dimë se çfarë kërkon ajo”, theksoi ai.

Midis udhëheqësve që morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua poshtë Harku e Triumfit, ishin edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin, të cilët shtrënguan duart pak para fillimit të ceremonisë.

Herët në mëngjes para ceremonisë përkujtimore Parisi dhe zonat ku do të festohet është blinduar për të siguruar jetën e pjesëmarrësve dhe për të parandaluar ndonjë sulm terrorist. Xhandarmëria në vend ka mobilizuar mbi 10 mijë forca dhe mbi 2 mijë e 300 zjarrfikës për të ruajtur rendin dhe figurat e larta që do t’i bashkohen kremtimit zyrtar.

Një nga betejat më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, Lufta e Madhe shkaktoi ndërmjet viteve 1914 dhe 1918 rreth 17 milionë viktima në radhët e ushtarëve dhe civilëve.

Ajo përfundoi 100 vite më parë me firmosjen e armëpushimit në komunën franceze të Kompjenit mes aleatëve të Francës dhe Fuqive të Mëdha të kryesuara nga Gjermania.

Parisi mund ta vulosë marrëveshjen Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq pritet që në fund të kësaj jave (më 11 nëntor) të takohen në Paris të Francës. Në këtë takim pos të tjerash pritet të diskutohet edhe për korrigjim të kufirit me Serbinë.

Kështu vlerësojnë monitoruesit e procesit të dialogut, të cilët thonë se kreu i shtetit kosovar ende nuk është tërhequr nga ideja e tij për korrigjim të kufijve. Të pyetur nga gazeta “Zëri” lidhur me këtë çështje nga Presidenca nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Megjithëkëtë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi para pak ditësh ka mohuar se në këtë ngjarje, e cila do të organizohet për nder të përvjetorit të 100-të të armëpushimit për përfundimin e Luftës së Parë Botërore, do të diskutohet për çështjen e dialogut.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e partive opozitare konsiderojnë se kreu i shtetit është duke e shkelur Kushtetutën me idetë e ngritura për kufijtë, ndërkaq zyrtarë të partive në pushtet vlerësojnë se harmonizimi i një rezolute për dialogun është më se i nevojshëm në rrethanat aktuale.

 

Liderët më të fuqishëm kapen dorë për dore

Periskopi.com Lajme

Të gjitha palët që janë përfshirë në konfliktin e Sirisë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti turk, Tayyip Erdogan, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, janë takuar në një samit të mbajtur të shtunën për Sirinë.

Por fotografia e rrallë me të gjithë liderët që mbajnë duart e njëri-tjetrit po qarkullon me të madhe nëpër platformat sociale, shkruan “Euronews”.

“Dhe nëse gjykohet fotografia, atëherë kjo flet shumë”, vlerëson mediumi evropian. “Përderisa Putini dhe Erdogani duket se po kënaqen, Macroni duket stoik dhe Merkeli me një qeshje të lehtë”.

Serbët, shpresat te takimi i Parisit: Katër liderët botërorë do ta zgjidhin nyjen e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Gazeta beogradase “Blic” shkruan se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundimisht do të mund të përafrohen më 11 nëntor në Paris, ku presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, do të mund të flasin me katër liderët më të fuqishëm në botë.

Në mënyrë simbolike, në kremten e njëqindvjetorit të nënshkrimit të armëpushimit në Luftën e Parë Botërore, fillimin e rrugës së pajtimit të qëndrueshëm mund ta gjejnë serbët dhe shqiptarët, historia e konfliktit e të cilëve është më e gjatë se një shekull, shkruan gazeta serbe.

Sipas gazetës në fjalë, në takimin e madh në Paris, në të cilin do të mblidhen më shumë se 60 krerë shtetesh, Vuçiq me siguri do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, ndoshta edhe me Hashim Thaçin, si dhe me presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, përcjell Telegrafi.

“Macron është më së tepërmi i interesuar të përfundojnë me sukses negociatat midis Kosovës dhe Serbisë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Ai dëshiron ta bëjë këtë sepse ka shumë probleme në Francë, kështu që ka nevojë për një sukses të madh ndërkombëtar. Ndërsa kancelares Merkel do t’i përshtatej më shumë që marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës të arrihej pas pranverës dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian”, citon gazeta serbe një burim të afërt me qarqet diplomatike.

Takimin e Thaçit dhe Vuçiqit me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron më 11 nëntor e ka paralajmëruar edhe Televizioni Klan i Prishtinës, i cili ka spekuluar se ekziston një mundësi e madhe që të nesërmen ata të dy të bisedojnë edhe me Trumpin dhe Putinin, të cilët do të marrin pjesë në këtë ngjarje në Paris.

Në anën tjetër, zyrtarët e Serbisë dhe të Kosovës refuzojnë të pranojnë publikisht rëndësinë e ceremonisë së Parisit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, thotë se fakti që Vuçiq dhe Thaçi do të jenë në të njëjtën ngjarje, nuk do të thotë se ata do të takohen.

“Nuk besoj se atje do të bisedohet për çështjen e Kosovës”, ka thënë Daçiq, përcjell Telegrafi.

Thaçi gjithashtu tha se gjatë vizitës dhe takimeve që do të mbahen në Paris, nuk do të flitet për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa drejtori i Qendrës për Rajonalizim, Aleksandar Popov konsideron se nuk është e pamundur që Vuçiq e Thaçi të takohen me presidentin Macron dhe kancelaren Merkel në kryeqytetin francez, për çështjen e Kosovës.

“Pasi bëhet fjalë për një takim të madh në të cilin do të marrin pjesë liderë të shumtë shtetërorë, shtrohet pyetja se sa do të ketë hapësirë ​​për pjesë pune, për çka është shumë më realiste që ai takim të jetë në margjinat e ceremonisë. Macron dhe Merkel si një bosht i Bashkimit Evropian duhet të paraqesin qëndrimin e gjeneral se çfarë do të ndodhë me negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, theksoi Popov.

​Macron dhe Trump bisedojnë për samitin mbi Sirinë

Periskopi.com Lajme

Emmanuel Macron dhe Donald Trump biseduan sot në telefon për të koordinuar pozicionin e tyre në samitin Turqi-Rusi-Francë-Gjermani mbi Sirinë, që do të zhvillohet të shtunën në Stamboll.

“Presidenti i Republikës paraqiti sfidat e këtij takimi që synon të forcojë armëpushimin në rajonin e Idlebit dhe të thellojë bisedimet në lidhje me procesin politik për të rregulluar konfliktin në Siri”, theksoi presidenca franceze në një komunikatë, shkruan ATSH.

“SHBA-ja dhe Franca ndajnë të njëjtat objektiva mbi sigurinë, situatën humanitare dhe poritike në Siri dhe presidenti amerikan i kërkoi presidentit të republikës që të mbajë këtë pozicion të përbashkët në samitin e Stambollit”, thotë Elize.

Merkel dhe Macron relaksohen me nga një birrë

Periskopi.com Lajme

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron u takuan dje në sheshin qendror të Brukselit, pas përfundimit të bisedimeve të samitit dje në mbrëmje, me kryeministrin belg, Charles Michel dhe homologun e tij të Luksemburgut Xavier Bettel, sipas shtypit belg

Të katërt përfunduan në një bar, në mesnatë, në mesin e turistëve dhe në relaks të plotë.

Ishte shumë mire, morëm patate të skuqura dhe nga një birrë pasi, edhe pse jemi politikanë, në fund të ditës jemi edhe njerëz”, tha kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.

Bettel tha se pagoi faturën, në shenjë festimi për zgjedhjeve të së dielës në Luksemburg.

Macron bën thirrje për një largim më të organizuar të migrantëve

Periskopi.com Lajme

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një proces më të efektshëm të largimit të azilkërkuesve që janë refuzuar, njoftoi agjencia franceze e lajmeve, AFP.

Deklarata e Macron vjen pas një takimi të zhvilluar sot me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, në Vjenë, ndërsa të dy liderët janë duke u përgatitur për një samit të veçantë të BE-së, në qytetin austriak të Salzburgut në fundjavë, lidhur me çështjen e migrimit që ka shkaktuar shumë përçarje.

Macron dhe qeveria e tij e qendrës duan të godasin të ashtuquajturët, migrantët ekonomik që shkojnë në Europë për të kërkuar punësim dhe mirëqenie, si dhe të përmirësojë kushtet për azilkërkuesit dhe refugjatët politikë në Francë, sipas agjencisë franceze të lajmeve.

Çfarë kanë studiuar Trump, Merkel, Putin, Macron e Erdogan?

Periskopi.com Lajme

Kur bëhet fjalë për punën tepër sfiduese të drejtimit të një kombi, arsimimi universitar mund të ndihmojë në ngritjen e një udhëheqësi drejt suksesit. Shumica dërrmuese e krerëve të qeverisë kanë një lloj arsimi pas-sekondar – 83% në fakt, por fushat e tyre të studimit ndryshojnë shumë.

Disa udhëheqës, si Alain Berset i Zvicrës, kanë studiuar në mënyrë specifike shkenca politike apo juridik në universitet. Udhëheqës të tjerë, si presidenti i Paraguajit, Horacio Cartes, morën një rrugë të gjatë drejt niveleve të larta, duke studiuar mekanikën e aviacionit në Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat e mëposhtme, nga SavingSpot, japin një vështrim informativ në atë se cfarë kanë studiuar liderët botërorë, transmeton IndeksOnline:

Donald Trump: Presidenti i Amerikës mban një diplomë Bachelor të Shkencave në Ekonomi nga Universiteti i Pensilvanisë “Ëharton School of Business”.

Justin Trudeau: Kryeministri i Kanadasë mban dy diploma: Bachelor i Arteve në Letërsi nga Universiteti McGill dhe Bachelor i Arsimit nga Universiteti British Columbia.

Enrique Peña Nieto: Presidenti i Meksikës ka një diplomë të juridikut nga Universidad Panamerica dhe një MBA nga Instituti i Teknologjisë Monterrey.

Angela Merkel: Kancelarja gjermane ka një sfond arsimor të rëndë. Merkel u arsimua në Universitetin Karl Marx, në Leipzig, ku studioi fizikë nga viti 1973 deri në vitin 1978. Ajo u nderua me doktoraturë për tezën e saj në kiminë kuantike në vitin 1986 dhe u njoh për aftësitë e saj në rusisht dhe matematikë.

Emmanuel Macron: Presidenti francez studioi filozofi në Universitetin e Paris-Ouest Nanterre La Défense. Po ashtu, Macron mori një diplomë master në çështjet publike në Institutin e Studimeve Politike të Parisit.

Recep Tayyip Erdogan: Erdogan studioi Administrim Biznesi në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Ekonomike Aksaraj, tani e njohur si Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Administrative të Universitetit Marmara – ndonëse disa burime turke kontestojnë se ai ka marrë pjesë ose ka diplomuar.

Stefan Löfven: Kryeministri i Suedisë mori një rrugë më të pazakont drejt qeverisë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në Forcën Ajrore Suedeze, Löfven u bë një saldator dhe më pas një përfaqësues i sindikatës. Përfundimisht, Löfven u bë kryetari i parë i IF Metall, një sindikatë e sapoformuar që përfaqësonte mbi 300,000 punëtorë.

Vladimir Putin: Para se të bashkohej me KGB në vitin 1975, Putin studioi juridikun në Universitetin Shtetëror të Leningradit (tani Universiteti Shtetëror i Shën Petersburg).

Xi Jinping: Xi studioi inxhinieri kimike në Universitetin prestigjoz të Pekinit Tsinghua.

Presidenti francez parashikon tri sfida për Evropën

Periskopi.com Lajme

Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh sot nga Lisbona se parashikonte një Evropë të ndërtuar në tre rrathë në 10 deri në 15 vitet e ardhshme, me Francën të cilës i është kërkuar të jetë pjesë e shteteve më të integruara, ”zemra e reaktorit”.

I pyetur në lidhje me vizionin e tij për Evropën, kreu i shtetit francez vlerësoi se arkitektura e kontinentit do të zgjerohej në vitet e ardhshme.”Unë shoh një rreth të gjerë që është ndoshta përtej të 27-ë, diçka e ngjashme midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit aktual të Evropës, i cili do të formojë një Evropë të zgjeruar, më pak të integruar se BE-ja por shumë kërkuese në lidhje me vlerat e saj” theksoi ai. Evropa do të rendisë si brenda saj, si me anë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të ngushtë, Turqinë dhe Rusinë, pasi nëse duam paqe duhen stabilizuar këto dy fuqi.

Rrethi i dytë do të jetë pa dyshim diçka midis Bashkimit aktual Evropian dhe zonës euro, sipas Macron, që do të përfaqësojë një treg të vetëm të fortë, një politikë të sovranitetit, tregtare, të kërkimit, të inovacionit dhe një liri të plotë të lëvizjes brenda tij.Rrethi i tretë do të jetë ”zemra e reaktorit” me një monedhë të përbashkët, një treg pune shumë të integruar dhe një konvergjencë të vërtetë sociale.

​Bie popullariteti i Macronit

Periskopi.com Lajme

Popullariteti i presidentit francez, Emmanuel Macron, për shkak të çështjes Benalla ka arritur nivelin më të ulët që prej muajit shtator 2017, pa përfituar asgjë nga efekti i Kupës së Botës në Futboll.

Sipas sondazhit të  publikuar sot nga “Ipsos”, të realizuar për “Le Point”, dy ditë pas zbulimit të kësaj çështjeje nga e përditshmja “Le Monde”, Emmanuel Macron ka humbur katër pikë të duke arritur në 32%, nivel që nuk ishte arritur që prej shtatorit 2017, pas një periudhe të shënuar nga një reformë delikate për të drejtën e punës, shkruan ATSH.

Ai arriti në të njëjtën kohë 60% të mendimeve në disfavor të tij (+1 pikë), një rekord i uljes së popullaritetit, sipas komunikatës nga instituti i sondazhit, 10 ditë pas fitores të ekipit të Francës në Botërorin 2018, që mendohej se do të ishte në favor të tij.