Kryeministri shqiptar në Maqedoni: Ali Ahmeti tregon emrin e kandidatit mbipartiak

Periskopi.com Lajme

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, që nisi fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut, në konventën promovuese në Prespë shpalosi emrin e shumëpritur të kandidatit për kryeministër të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ish-deputetin dhe nënkryetarin e qeverisë dhe bashkë-përpilues të Marrëveshjes së Ohrit, Naser Ziberi.

“Pas konsultimeve intensive me shoqërinë civile, botën akademike, ekspert dhe opinion krijues, por edhe me miq e dashamirë, arritëm deri tek emri unifikues dhe meritor për të qenë i pari shqiptar që garon për të thyer edhe kornizën e fundit njëetnike në Maqedoninë e veriut, atë të kryeministrit të vendit dhe ky është Naser Ziberi, i cili i ka të gjitha virtytet për të prirë ekzekutivin e vendit drejt barazisë së plotë.” tha Ahmeti.

Ndërsa kandidati për kryeministër në fjalën e tij u shpreh u bindur që ka ardhur koha për barazi të plotë të shqiptarëve me të tjerët në Maqedoninë e Veriut.

“Më befasoi thirrja e z. Ali Ahmeti me ftesë për takim në zyrën e tij. Më njoftoi që ishte konsultuar me shumë njerëz të respektuar të shoqërisë civile dhe akademike dhe se emri im ishte ndër të propozuarit si kandidat mbipartiak. Sinqerisht, u befasova dhe natyrisht u ndjeva i vlerësuar. Për të qenë plotësisht i sinqertë, mendova vetë me vete se kjo   jo vetëm që do të ndryshonte jetën time, por ishte gjithashtu një përgjegjësi mjaft e madhe. Një vendim jo i thjeshtë për t’u marrë dhe jo shumë kohë për ta menduar. Por,  çeliku kalitet në zjarr dhe individi vlerësohet për nga vendimet që i merr për të mirën shoqërore përballë rehatisë individuale, andaj dhe thash: Po!” tha ai.