Asamblistja kundërshton hedhjen e fishekzjarreve në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Këshilltarja komunale në Kuvendin e Prishtinës, Netja Bejta ka reaguar lidhur me paralajmërimin se sonte në Kampusin Universitar do të hedhen fishekzjarre pas një koncerti që do të mbahet aty.

Ajo kërkon përgjegjësi nga Komuna e Prishtinës dhe policia nëse kanë dhënë leje për hedhjen e tyre.

Tutje, Bejta ka kërkuar nga Policia e Kosovës që një leje të tillë ta revokojë dhe të merren masa që të mos lejohet hedhja e këtyre fishekzjarreve.

 

Ja reagimi i plotë i saj:

Reagim lidhur me paralajmrimin për hedhjen e fishekzjarreve në Kampusin Universitar!

Unë si Këshilltare Komunale në Kuvendin e Prishtinës , shpreh shqetësimin tim rreth paralajmrimit për hedhjen e fishekzjarreve në kuadër të një koncerti që do të mbahet sot brenda hapësirave të Kampusit Universitar.

Kërkoj përgjegjësi nga Komuna dhe Policia e Kosovës nëse kanë dhënë leje për hedhjen e këtyre fishekzjarreve në një hapësirë të gjelbëruar dhe të banueshme.
Ky veprim është i rrezikshëm dhe i dëmshëm për kryeqytetin, i cili veçse ka probleme të theksuara me ndotjen.

Për më tepër kujtoj këto Institucione përgjegjëse se një leje e tillë bie ndesh me tetë Rekomandimet e votuara më 1 shkurt të këtij viti në Kuvendin Komunal të Prishtinës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Komunën e Prishtinës dhe me Rezolutën e votuar po ashtu me 1 shkurt 2018 në Kuvendin e Kosovës e cila kërkon që ambienti të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Kërkoj nga Policia e Kosovës që një leje të tillë ta revokojë dhe të merren masa që të mos lejohet hedhja e këtyre fishekzjarreve.