Qeveria nuk i ndëshkoi zëvendësministrat për mosseriozitetin e tyre

Periskopi.com Lajme

Vizita në restorante, pjesëmarrje në takime, në darka festive të fundvitit, tregime për kullosat e Kosovës, biseda në radio, dhe fotografi nga takimet dhe daljet në televizione, janë disa nga përmbajtjet e raporteve që zëvendësministrat kanë dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Raporte të tilla tremujore ata dorëzuan dy herë tek kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, shkruan sot Koha Ditore.

Por edhe pse kishte paralajmëruar ndëshkim për mosseriozitetin e tyre, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Madje nga raportimi në Qeveri, atyre iu kërkua që raportimi i këtyre zyrtarëve shtetërorë t’i kalojë direkt ministrit të secilës ministri.

Kjo praktikë, sipas zyrtarëve qeveritarë, ishte bërë me qëllim të një përcjelljeje më të mirë të punëve të tyre.

Koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, e pranon se jo të gjitha raportet e zëvendësministrave kanë qenë përmbajtjesore, por, sipas tij, “Qeveria Haradinaj për herë të parë ka instaluar kulturën e llogaridhënies me shkrim të zëvendësministrave”.

Megjithatë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shpeshherë kanë kundërshtuar numrin e madh të zëvendësministrave dhe barrën që ata i kanë krijuar shtetit, vlerësojnë se raportet e tyre kanë shpërfaqur mospunën dhe mosdijen e tyre për qeverisje.