SBASHK’u i shpërfill orët e humbura të nxënësve, ia therë në det

Periskopi.com Lajme

Me gjithë përplasjet se a do të zëvendësohen orët apo jo, anëtarët e SBASHK-ut kanë vendosur që për pak ditë të shkojnë për pushime në bregdetin shqiptar.

Këtë verë 400 anëtarë të SBASHK-ut do të pushojnë në bregdet.

Grupi i parë nis pushimet më 26 qershor, për të vazhduar grupet tjera sipas agjendës së përcaktuar nga Komisioni për përgatitjen e pushimeve.

“Duke vlerësuar e çmuar lart përkushtimin e punëtorëve të arsimit të Kosovës në edukimin e arsimimin e brezave, SBASHK-u vazhdon me traditën e mirë të njohjes së këtij kontributi duke dërguar çdo verë një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të vet për pushime në bregdetin shqiptar”.

“Në verën 2019 Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, pasi ka analizuar në përpikëri mundësitë buxhetore, ka vendosur që në çdo 60 anëtarë të dërgojë një pushues në bregdetin shqiptar. Përzgjedhjen e pushuesve e kanë bërë shoqatat sindikale në çerdhe, shkolla fillore e të mesme, në njësitë akademike të universiteteve dhe të institucioneve të kulturës”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Të 400 pushuesit janë të ndarë në 4 grupe me qëllim që organizimi të jetë sa më i mirë i pushimeve dhe aktiviteteve sindikale atje. Grupi i parë me pushuesit nga Podujeva, Prishtina, Skenderaj, UP-ja, Qendra e studentëve, Fushë Kosova, Obiliqi dhe institucionet e kulturës e nisin këtë traditë të mirë të mërkurën, më 26 qershor, për të vazhduar ky aktivitet me pushuesit nga komunat tjera sipas agjendës së përcaktuar nga Komisioni për përgatitjen e pushimeve.

Pushuesit gjatë qëndrimit në bregdetin shqiptar, përveç pushimit të merituar, do të zhvillojnë edhe aktivitete sindikale përmes tryezave dhe debateve për arritjet, sfidat dhe idetë e reja për angazhimin sindikal në vijim.

Jasharaj thotë se nëse Apeli nuk vendos të mos kompensohen orët e humbura, do t’i drejtohen Brukselit

Periskopi.com Lajme

Derisa Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës ka zgjedhur të mos përfill vendimin e Gjykatës Themelore për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës 3 javore, përfaqësues të kësaj Sindikate kanë dorëzuar sot lëndën në Gjykatën e Apelit.

Të pakënaqur me vendimin e të parës, sindikalistët i kanë vënë shpresat tek Apeli.

Me këtë rast, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj  thotë se nga kjo gjykatë  presin që të marrë vendimin e duhur, duke mos u mohuar mësimdhënësve dhe sindikatave të drejtën e tyre për grevë.

Jasharaj thotë se derisa Gjykata e Apelit nuk do të dalë me një vendim përmes së cilit hedh poshtë vendimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, SBAShK nuk do ta zmbrapset për asnjë moment.

Teksa shprehet i bindur se çfarëdo vendimi i marrë aty nuk do të zmbraps sindikatën, e cila në rast nevoje do t’i drejtohet edhe selisë së Unionit të Sindikatave të Evropës, që ndodhet në Bruksel.

Në një intervistë për KosovaPress, Jasharaj e quan të ndikuar emocionalisht dhe politikisht vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka marrë vendim për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës.

“Ne do të vazhdojmë me betejën me gjykatat, uroj që gjykata të vendosë drejt, nëse jo, ne do të veprojmë gjersa të harxhohet instanca e fundit dhe në materialin që po e përgatisim ne, do ta njoftojmë edhe Brukselin ku është edhe selia e Unionit të sindikatave të Evropës, që ata ta analizojnë me ekspertët e tyre, që do të kërkojnë mbështetjen e tyre, madje në ndonjë gjykatë të tyre. Sepse po e them, nuk është çështja tek orët, sepse orët po dihet se nuk po mbahen, edhe atje ku janë mbajtur janë mbajtur sa për t’u thënë, por është një betejë e sindikatës tonë edhe për sindikatat tjera për të mbrojtur forcën e grevës”, tha Jasharaj.

Ndonëse në një intervistë dhënë më parë për KosovaPress kishte deklaruar se do të zbatojnë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Jasharaj kësaj radhe tregon se pse nuk përfillën vendimin e kësaj të fundit. Teksa shton se sikur kjo Gjykatë të sillte një vendim të bazuar në ligje, do të pranonin vendimin e kësaj të fundit për kompensim të orëve.

Thotë se në mungesë profesionalizmi në fushën e drejtësisë, nuk e ka ditur se si shkojnë shkallët e sistemit të drejtësisë.

“Pasi që kemi bërë analizën e materialit që e ka kthyer (Gjykata Themelore), jemi shumë të pakënaqur… Ne kemi kërkuar nga Gjykata të thotë se vendimi i ministrit është apo jo i bazuar në ligj. Dhe, ne e dimë që nuk ëhstë i bazuar në ligj, por është i bazuar në disa udhëzime. Ajo që na bëri të vazhdojmë betejën me gjykatat, është se Gjykata Themelore në Prishtinë thirret në udhëzimin administrativ të kohës së UNMIK-ut, 44/2005, i cili ka të bëjë me ligjin e atëhershëm të inspektorëve dhe të arsimit në kohën e UNMIK-ut, ligj i cili është zhvlerësuar nga institucionet e Republikës të Kosovës me ligjin për inspektorët dhe me ligjin për arsimin parauniversitar”, tha Jasharaj.

Madje, ai thotë se vendimi i Themelores ishte i bazuar në emocione dhe nën ndikimin e seancës së jashtëzakonshme që ishte mbajtur lidhur me zëvendësimin e orëve.

“Konsiderojmë që ka qenë edhe vendim me emocione, madje pse jo si kryetar besoj se ka ndikuar edhe debati që u zhvillua në Parlamentin e Kosovës, ëprorët, një debat mjaft i ulët në disa momente, mjaft fyes. Dhe, unë konsideroj se te gjykatësja ka ndikuar edhe seanca e Kuvendit dhe emocionet, ngase në shkresën e gjykatëses thuhet se: ‘është mirë që të mbahen orët për hir të nxënësve, për hir të interesit’”, u shpreh ai.

Jasharajt thotë se praktika e kompensimit të orëve duhet ndërprerë, pasi që humbet kuptimi i grevave. Pasi, sipas tij, sikur të mos mbrohet greva e mësimdhënësve, do të ketë efekt negativ edhe për sindikatat tjera.

Teksa përsërit se nëse do të ketë barazim të koeficientit për mësimdhënësit e ciklit të ulët me ata të ciklit të klasave 6-9, për hir të solidaritetit me ta do të kompensojnë orët e humbura gjatë grevës.

E krejt kjo, thotë se nuk nënkupton prioritizim të mësimdhënësve përballë nxënësve

 

SBASHK’u ofron kompensim “me kusht” për orët e humbura

Periskopi.com Lajme

Më 26 shkurt, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MASHT), kishte marrë vendim për kompensim të orëve të humbura mësimore, gjatë grevës trejavore të mësimdhënësve, nga gjysma e dytë të janarit deri në fund të javës së parë të muajit shkurt.

Në vendimin e MASHT-it, thuhej se “ditët e humbura të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar do të zëvendësohen, fillimisht, me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror në prill të këtij viti, pesë ditë të shtuna dhe pesë ditë do të zgjatet përfundimi i këtij vitit shkollor”.

Por, ky vendim i Ministrisë së Arsimit nuk u respektua nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK), e cila i bindi mësimdhënësit që të mos i kompensojnë orët e humbura, as gjatë pushimit pranveror e as të shtunave.

Kjo sindikatë mbetet prapa qëndrimit të saj fillestar, se nuk do të ketë kompensim të orëve.

Megjithatë, ajo ka vënë një kusht për kompensim të orëve të humbura, vetëm për një javë, në rast se Kuvendi i Kosovës mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme dhe përmes një ndryshim-plotësimi të Ligjit për Pagat, barazon koeficientin e mësimdhënësve të ciklit klasor një deri në pesë, të pedagogëve, të psikologëve dhe të sekretarëve me atë të mësimdhënësve të ciklit klasor gjashtë deri në nëntë.

Sipas kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, asnjë ligj e as konventë ndërkombëtare nuk i obligon ata të kompensojnë orët e humbura gjatë grevës, dhe se “përjashtimin për zëvendësim të orëve të humbura, për një javë” do ta bënin vetëm për hir të kolegëve që janë dëmtuar nga koeficienti.

“Këshilli Drejtues (i SBASHK-ut) duke e përcjellë zërin e punëtorëve të arsimit të Kosovës, deklaroi se nëse Parlamenti mblidhet në një takim të jashtëzakonshëm dhe e voton përmirësimin e koeficienteve, në shenjë të solidaritetit me kolegët tanë, ne do të pranojmë që ta zgjasim vitin shkollor për një javë”.

“Por nuk ndodhi kjo, mbetet qëndrimi i njëjtë se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura në grevë, sepse as Ligji mbi grevat e as konventat ndërkombëtare nuk kërkojnë që orët e humbura në grevë të kompensohen, sepse po të ndodhte kjo do t’i humbte çdo vlerë grevës dhe në të ardhmen nuk do të kishte arsye pse të mbaheshin grevat kur do të dihej se orët do të zëvendësohen”, thotë Jasharaj.

Sipas Jasharajt, edhe nëse do të përmbusheshin kërkesat e tyre, zëvendësimi i orëve do të bëhej vetëm për një javë. Në të kundërtën, sipas tij, nuk do të kompensohet as një ditë.

“Edhe në rast se përmbushen kërkesat, ky është qëndrim i mësimdhënësve të Kosovës dhe po them këtë javë do ta zëvendësonim në shenjë solidariteti dhe respekti për kolegët e dëmtuar. Dhe po u përmirësua koeficienti, për hirë të asaj ne do ta zëvendësonim një javë, sepse po them, Ligji për grevat nuk na obligon që t’i zëvendësojmë orët e humbura në grevë”, shton ai, shkruan REL.

Kritik ndaj qëndrimit të SBASHK-ut është Këshilli i Prindërve, të cilët kërkojnë zbatim të vendimit të Ministrisë së Arsimit për kompensim të orëve, pasi sipas tyre, në këtë rast dëmtohen vetëm fëmijët.

Meqë zëvendësimi i orëve të humbura nuk është bërë deri tash, një zgjatje e vitit shkollor do të nënkuptonte që një pjesë e nxënësve të vijonte procesin mësimore edhe në temperaturat më të larta në fillim-verë.

Por, sipas Ymret Reshitajt nga Këshilli i Prindërve, as kushtet klimatike nuk do të paraqisnin problem, nëse mësimdhënësit do të ishin të përkushtuar e serioz në kryerjen e detyrave të tyre.

“Krejt është tek përkushtimi, nëse mësimdhënësit janë të përkushtuar që atë zëvendësim ta bëjnë në mënyrë serioze edhe nxënësit janë interesuar për ato njësi mësimore, gjithçka është mirë, përndryshe nuk shoh problematikë që koha (ngritja e temperaturave) ta bëjë kompensimin e orëve jo-efektiv. Ajo që duhet të kritikohet është mos-gatishmëria e SBASHK-ut që të shtunave kur ka pasur mundësi, si dhe gjatë pushimit pranveror të zëvendësohen orët. Kemi të bëjmë me një mos-gatishmëri te SBASHK-ut për ta kryer një obligim shtetëror. Kjo është shqetësuese, jo klima”, thekson Reshitaj.

Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të ri lidhur me këtë çështje.

Ndërsa, profesori universitar dhe njohësi i fushës së arsimit, Rrahman Paçarizi, vlerëson se “vetë ndërlidhja e kompensimit të orëve me rritje të koeficientit të pagës, është absurd” dhe, sipas tij, “dëshmon se SBASHK-ut më së paku i intereson përmbushja te planprogrameve, kurrikulave dhe detyrave kundrejt nxënësve”.

“Unë e kuptoj tendencën, synimin, e secilit grup social apo grup punëtorë për përmirësim të mirëqenies, mirëpo këto çështje në asnjë mënyrë nuk guxojnë të ndërlidhen mes vete. Tashmë me Ligjin e ri të pagave, është rritur koeficienti dhe pritet implementimi i tij brenda afateve ligjore”.

“Prandaj, mendoj se kushtëzimi i mëtejshëm për kompensimin e orëve të humbura është absurd, është dëmshëm e sidomos kjo dëshmon se SBASHK-u nuk është i interesuar për punët që duhet t’i kryejë, që i ka obligim t’i kryejë, kur kemi parasysh edhe rezultatet turpëruese me të cilat ka dalë Kosova nga testi i PISA-s dy vjet më parë,” vlerëson Paçarizi.

Presioni i shtuar dhe aktiv mbi Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, sipas Paçarizit është zgjidhja e vetme në këtë situatë.

“Fatkeqësisht, edhe SBASHK-u, ashtu sikur edhe struktura të tjera në Kosovë, janë të politizuara skajshmërisht dhe kryejnë më shumë punë për politikën, sesa punë për të cilat paguhen, punë për të cilat kërkojnë të paguhen më shumë. Në këtë kuptim, mendoj se zgjidhja e vetme ka mbet një presion i shtuar dhe aktiv, nga nxënësit dhe nga prindërit, që arsimtarët t’i kryejnë punët për të cilat edhe paguhen,” thekson ai.

SBASHK-u dhe mësimdhënësit deri tani, nuk e kanë zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për kompensim të orëve, as gjatë pushimit pranveror e as të shtunave.

Fillimi dhe përfundimi i secilit viti shkollor, rregullohet më udhëzim adminstrativ nga Ministria e Arsimit, dhe me Udhëzimin Administrativ 11/2018, për kalendarin e vitit shkollor 2018/19, procesi mësimor, përfundon sipas këtij kategorizimi:
(1). Për nxënësit të cilët mbarojnë shkollën e mesme të lartë, klasën e dymbëdhjetë (maturantët), mësimi përfundon më 16 maj 2019,
(2) Më 6 qershor 2019, përfundon mësimi për nxënësit e klasave nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë, si dhe,
(3) Më 21 qershor 2019, për nxënësit e klasave një deri në tetë dhe fëmijët para-fillorë.

Megjithatë, vendimi i 26 shkurtit i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, pos zëvendësimit gjatë pushimit pranveror dhe pesë të shtunave, parasheh edhe zgjatje të procesit mësimor edhe për një javë, nga këto data.

Pas shumë përplasjesh merret vendim për orët e humbura

Periskopi.com Lajme

Edhe pse Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për kompensim të orëve të humbura, ajo para pak ditësh e tërhoqi vendimin e saj.

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Vjollca Shala, ka thënë se do ta zëvendësojnë vetëm një javë të mësimit të humbur, e kjo, siç ka thënë ajo, do të bëhet kur të plotësohen kërkesat e tyre.

Sipas saj, njëra nga kërkesat e SBASHK-ut është edhe që të ndryshohet Ligji për Paga dhe të bëhen rritja e koeficientit për mësimdhënësit e ciklit fillor.

Edhe pse Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për kompensim të orëve të humbura, ajo para pak ditësh e tërhoqi vendimin e saj.Tashmë për kompensim të orëve të humbura SBASHK-u ka dalë me kërkesa të reja, të cilat i ka përkrahur edhe Ministria.

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Vjollca Shala, ka thënë për “Zërin” se do të zëvendësojnë vetëm një javë të mësimit të humbur e kjo, siç ka thënë ajo, do të bëhet kur të plotësohen kërkesat e tyre.

Komisioni për arsim diskuton për kompensimin e orëve të humbura

Periskopi.com Lajme

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi sot do të mbajë mbledhje.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Diskutim lidhur me kompensimin e orëve të humbura nga greva e mësimdhënësve;
të ftuar: përfaqësues të MASHT, SBASHK dhe Këshillit të Prindërve.

Ndryshe kujtojmë se SBASHK-u ka deklaruar se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura gjatë grevës që u mbajt në fillim të këtij viti.

Për dallim nga SBASHK-u, Ministria e Arsimit në muajin mars kishte marrë vendim që këto orë te kompensohen, mirëpo ky vendim nuk u zbatua.

Rrahman Jasharajt i lind një ide, i qet në ‘pazar’ orët e humbura

Periskopi.com Lajme

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kërkuar barazim të koeficientit të pagave për mësimdhënësit e ciklit fillor 1-5 me ata të ciklit 6-9 si një mundësi për të zëvendësuar orët mësimore të humbura.

Këtë qëndrim kryetari i SBASHK-ut, Rrahmaj Jasharaj ia paraqiti ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një takim që kanë pasur sot.

Jasharaj ka ftuar Bytyqin që të bindë deputetët që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që të merret ky vendim.

“Ministri Bytyqi bashkërisht me deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate dhe deputetët e partive të tjera të ftojnë një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të përmirësimit të koeficientit për mësimdhënësit e ciklit fillor 1 deri 5 në Ligjin e pagave dhe të barazohet me koeficientin e mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët 6 deri 9 pasi Ligji i pagave është në fuqi dhe ka dalë në Gazetën Zyrtare, ndërsa zbatimi i tij fillon në fund vit dhe në këtë rast SBAShK do të merr për obligim të bisedojë me mësimdhënësit që në fund vitin shkollor 2018/2019 të zëvendësojnë një javë në shenjë të vullnetit të mirë për mësimdhënësit e ciklit fillor 1-5”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, sipas njoftimit të SBAShK-ut, Jasharaj paraqiti qëndrimin e Këshillit Drejtues të cilët janë të vendosur ta presin vendimin përfundimtar të gjykatës pasi janë të mendimit që verdikti përfundimtar do të jetë në favor të tyre.

 

Kompensimi i orëve të humbura, Bytyqi dhe Jasharaj flasin për Periskopin

Periskopi.com Lajme

Vendimi për kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës trejavëshe po vazhdon të përplasë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT) me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, i ka thënë Periskopit se Gjykata i ka dhënë të drejtë vendimit të Ministrisë që ai udhëheq lidhur me kompensimin e orëve të humbura.

“Vendimi jonë është i bazuar në ligj, ku Ministria e Arsimit ka të drejtë të vendosë për vitin kalendarik dhe mbi këtë bazë është marrë vendimi, për të cilin edhe Gjykata e ka kthy përgjigjen, nuk munden me pezullu vendimin sepse gjykata ka vendosë që vendimi ka qenë i ligjshëm”, ka thënë Bytyqi shkurt për Periskopin.

Për këtë vendim të Gjykatës, Bytyqi i është referuar vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të para disa ditës, ku është refuzuar padia që SBASHK-u ia ka bërë MASHT-it lidhur me këtë çështje.

Për kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, një vendim i tillë vazhdon të jetë joligjor dhe i papranueshëm.

“Po këmbëngulim për dy fakte, fakti i parë është se është vendim i Këshillit Drejtues që është zëri i mësimdhënësve të Kosovës dhe fakti tjetër është që vendimi i ministrit Bytyqi nuk ka asnjë mbështetje ligjore në ndonjë ligj ekzistued dhe po thirremi konkretisht në Ligjin e Grevave, i cili nuk i kompenson pjesëmarrësit në grevë të kompensojnë orët e humbura”, ka thënë Jashari për Periskopin.

Mirëpo, përkundër përplasjeve SBASHK – MASHT që po vazhdojnë lidhur me kompensimin e orëve, Jasharaj i ka thënë Periskopit se SBASHK do të pranojë çfarëdo vendimi të gjykatës./Periskopi/

Ministria i dha afat deri të premten, SBASHK’u nuk tërhiqet: S’ka zëvendësim të orëve

Periskopi.com Lajme

Përkundër afatit të dhënë nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, që SBASHK-u të reflektojë për të kompensuar orët e humbura gjatë grevës, kjo sindikatë vazhdon të refuzojë një gjë të tillë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka thënë për KP se nuk do ta ndërrojnë qëndrimin e tyre derisa Gjykata Themelore në Prishtinë të marrë vendimin për padinë që i kanë bërë ministrit Bytyqi.

“SBASHK-u ka qëndrim që moti nga Këshilli Drejtues që orët e humbura në grevë nuk kompensohen derisa Gjykata Themelore në Prishtinë të vendosë lidhur me padinë që i kemi bërë ministrit Bytyqi. As pranveror, as ditëve tjera”, ka thënë ai.

Jashari thotë se një gjë të tillë nuk ua obligon as ligji. “Ligji i grevave nuk na obligon për t’i mbajtur orët dhe konsiderojmë se kësaj here orët nuk do të kompensohen”, ka shtuar ai.

Ministri Shyqyri Bytyqi ka marr vendim që 15 ditët mësimore të humbura gjatë grevës në arsim të kompensohen, do të punohet 5 të shtune, 5 ditë të kompensohen me pushimin pranveror dhe për 5 ditë të shtyhet përfundimi i vitit mësimor.

MASHT: Presim SBASHK-un deri të premtën, vendimi për zëvendësimin e orëve mbetet në fuqi 

Periskopi.com Lajme

Në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, është diskutuar për orët e humbura të mësimit gjatë grevës së organizuar nga SBAShK-u dhe për mënyrat e mundshme se si të zëvendësohen ato.

Këshilltari politik i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi ka thënë se Ligji i grevave nuk thotë se kompensimi i orëve është i ndaluar.

Gashi ka thënë se vendimi i MASHT për zëvendësimin e orëve ka qenë në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit.

Ai ka thënë se Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit janë përgjegjëse për zhvillimin arsimit në Kosovë dhe sipas tij për këtë shkak nuk ka qenë e arsyeshme që në këto takime të ftohen edhe përfaqësuesit e SBASHK-ut.

“Nuk kemi hartuar politika për arsimin para universitar që të përfshijmë edhe ekspertizën e SHBASHK-ut”, tha ai.

Këshilltari politik i Ministrit të Arsimit ka thënë se vendimi i MASHT-it për zëvendësimin e orëve mësimore, sipas planit 5+5+5, është në fuqi dhe ai mbetet për t’u zbatuar.

“Ne presim gjatë kësaj jave reflektim nga ana e SBASHK-ut për të mos u dëmtuar nxënësit dhe për të zëvendësuar orët e humbura. Komunat dhe shkollat e kanë një lloj lirie që të vendosin cilat të shtuna do t’i zëvendësojnë orët e humbura mësimore”, tha  Gashi. /Telegrafi/

Jasharaj i SBAShK-ut flet për zëvendësimin e orëve, paralajmëron grevë tjetër

Periskopi.com Lajme

Mbajtja e grevave nuk do të kishte kuptim sikur orët e humbura do të kompensoheshin, ka thënë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se gjatë grevës kanë treguar se zëvendësim të orëve të humbura mësimore nuk do të ketë.

Sipas tij Ministria e Arsimit ka gënjyer se gjykata ka vendosur të hedh poshtë padinë e SBASHK-ut.

“Është pezulluar kërkesa që të mos jetë në fuqi kërkesa e ministrit, por të vendoset në gjykatë. Ashtu si do të vendos gjykata ne do të pranojnë. Pra gjykata ka pranuar padinë tonë dhe pritet të procedohet tutje”, ka thënë ai në emisionin “Përballje” të rtv Dukagjinit.

Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se të gjithë ministrat tjerë të arsimit kanë ftuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në takimet e përbashkëta me DKA-të, ndërsa ministri Bytyqi në tri mbledhje të mbajtura me drejtorët komunalë nuk i ka ftuar ata në takim.

“Pse të mos jemi ne në takimet e MASHT-it me DKA-të? Pa ardhur Bytyqi, asnjë mbledhje me DKA-të nuk është mbajtur pa neve”, tha ai.

Jasharaj ka thënë se ka presione të mëdha ndaj mësimdhënësve madje edhe ndaj nxënësve për të dalë të shtunën në mësim.

“Del drejtori i Gjakovës dhe u thotë arsimtarëve: ‘Gjykata e hodhi poshtë ankesën e SBASHK-ut, dilni të shtunën në mësim’! Apo një arsimtar i një partie u thotë nxënësve: ‘Nëse nuk dilni në mësim të shtunën nuk do të shkoni në ekskursion’. Ku bën bre kështu? Ne orët me zor nuk i mbajmë”.

“Ka ende shkolla që punojnë me shkumësa dhe shpuza. Greva do të ketë përsëri”, tha Jasharaj.

MASHT: Nuk ka dispozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës

Periskopi.com Lajme

Pas vendimit të ministrit të arsimit, Shyqiri Bytyqi për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, ka reaguar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, me ç’rast kanë paralajmëruar padi ndaj këtij vendimi.

Sipas tyre, Ministria e Arsimit nuk është konsultuar me ta para se ta merrte këtë vendim.

Ndërkaq, këshilltari i ministrit Bytyqi, Valmir Gashi, i kontaktuar nga Periskopi, ka thënë se nuk ka asnjë dispozitë ligjore që t’ua ndalojë zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Lidhur me vendimin në fjalë, ju njoftojmë se forma e planifikuar për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës së organizuar nga SBAShK-u është bërë në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit. Nuk ka asnjë dizpozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, madje vendimi është marrë në përputhje të plotë me udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/19”, ka thënë Gashi në një përgjigje për Periskopi-n.

Ai ka thënë se greva u ka shkaktuar dëm nxënësve, dhe me anë të këtij  vendimi po synojnë ta rikuperojnë atë dëm.

“Vendimi i Ministrit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës ka qëllim tejet pozitiv, është në përputhje me interesin e nxënësve, në mënyrë që të rikuperohet dëmi që u është shkaktuar atyre nga greva”, ka thënë Gashi.

Periskopi ka pyetur nëse MASHT është konsultuar me SBASHK-un para se ta marrë këtë vendim, por ai nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje.

SBASHK-u po e konsideron të njëanshëm këtë vendim, dhe sot, ka paralajmëruar padi ndaj këtij vendimi, e po ashtu, u ka bërë thirrje DKA-ve që të mos e zbatojnë derisa gjykata të dalë me një vendim ndaj këtij rasti. /Periskopi/

Valmir Gashi, këshilltar i ministrit Shyqiri Bytyqi

 

Zyrtare: SBASHK do të ngrisë padi ndaj vendimit për zëvendësimin e orëve të humbura

Periskopi.com Lajme

Pas vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për zëvndësimin e orëve të humbura, ka reaguar Sindikata  e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilët kanë paralajmëruar padi ndaj këtij vendimi.

Vendimin e MASHT-it ata e kanë quajtur të njëanshëm dhe si të tillë kanë thënë se nuk e njohin.

“Vendim i njëanshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë. SBASHK-u nuk e njeh si të ligjshëm Vendimin e Ministrit Shyqiri Bytyqi, lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës së punëtorëve arsimor nga fakti se ky vendim është i njëanshëm e pa as edhe një konsultë paraprake me SBASHK-un, e aq më tepër kur dje kishim takim me Ministrin Bytyqi, në prani te Drejtores së përgjithshme te Internacionales Botërore të Arsimit për regjionin e Evropën dhe nuk është thënë asgjë lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftimin e tyre.

SBASHK  ka paralajmëruar padi ndaj vendimit në fjalë dhe u ka bërë thirrje DKA-ve që të mos  e zbatojnë këtë vendim deri sa të dalë një vendim i Gjykatës.

“SBASHK me t’u publikuar në faqen zyrtare të MASHT ky vendim do të ngris padi në gjykatë ndaj këtij vendimi, i cili bie ndesh me Ligjin mbi grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë duke kërkuar nga gjykata masën e përkohshme,për suspendimin e përkohshëm të këtij vendimi deri në shqyrtimin përfundimtar dhe vendimin meritor të gjykatës”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut. /Periskopi/

Orët e humbura të grevës do të zëvendësohen

Periskopi.com Lajme

Ende nuk është vendosur se kur do të zëvendësohen orët mësimore të humbura për shkak të grevës tri javore të mësimdhënësve. Megjithëse thuhet që këto orë do të zëvendësohen, ende nuk dihet se kur pritet të merret vendimi.

Përderisa nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se një nga mënyrat që mund të përzgjidhet për zëvendësimin e orëve është vazhdimi i mësimit për tri javë nga dita kur është paraparë përfundimi i mësimit, nga SBAShK-u thonë se janë mësimdhënësit ata që do të vendosin kur do të ndodhë ky zëvendësim.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi, ka treguar disa nga mënyrat që janë paraparë të ndodhë zëvendësimi pas takimit që kanë pasur me drejtoritë komunale të Arsimit.

“Vendimi nuk është marr ende, mirëpo ne ditë më parë e kemi zhvilluar një takim bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ku janë diskutuar edhe tema të tjera, mirëpo ndër temat kryesore kanë qenë edhe çështja e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës. Kemi marrë sugjerimet nga drejtoritë komunale dhe janë diskutuar të gjitha mënyrat më të mira se  kur është koha më e përshtatshme për të zëvendësuar këto orë. Ministria është akoma në pritje të raporteve finale nga të gjitha Komunat në nivel vendi, në mënyrë që mbi bazën e këtyre raporteve të nxjerr edhe vendimin….Disa nga sugjerimet të cilat edhe kanë marrë një dakordësi më të madhe në atë takim ka qenë që pushimi pranveror, do të thotë ekziston mundësia që pushimi pranveror të ketë proces mësimor, të mos jetë pra pushim. Gjithashtu, një pjesë edhe gjatë vikendit, por kjo të fillojë pak m ë vonë jo gjatë këtij muaji dhe për orët që mbeten në fund të vitit shkollor”, ka thënë ai.

Ndonëse tri javë mësimdhënësit nuk kanë mbajtur mësimin, ata janë paguar për muajin janar. Për këtë çështje refuzojnë të flasin nga Ministria e Arsimit, duke thënë se kjo është çështje e komunave.

Se orët do të zëvendësohen e thonë edhe nga sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, por që potencojnë se janë mësimdhënësit ata që do të vendosin se kur do të ndodh një gjë e tillë.

Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, për KosovaPress ka thënë se edhe pse ligji për grevat lejon që ditët e grevës të mos zëvendësohen, sipas saj mësimdhënësit kanë deklaruar se janë të gatshëm të zëvendësojnë orët e humbura.

“Ende nuk është arritur një vendim i tillë, ngase vendimi për kompensim të orëve e marrin mësimdhënësit dhe ata do të jenë të cilët do të vendosin se si do ta bëjnë kompensimin e orëve, a do ta bëjnë në fund të vitit, a do ta bëjnë ditëve të shtuna apo kështu me radhë. Do të thotë mbetet tek mësimdhënësit që të vendosin edhe për kompensimin e orëve, po edhe ta gjejnë formën apo mundësinë më të mirë për kompensimin e atyre orëve”, është shprehur ajo.

Edhe sa i përket pagesës që mësimdhënësit kanë marrë për muajin janar, Shala thotë se është e rregulluar me ligjin për grevat.

“Mësimdhënësit paguhen ngase ligji mbi grevën e lejon mbajtjen e grevës dhe në kuadër të ligjit mbi grevat është aty një nen ku thuhet se punëtorët ose punonjësit të cilët janë në grevë, e që në rastin konkret mësimdhënësit kanë qenë në vendet e tyre të punës nuk iu bëhet kurrfarë ndalese sa i përket të ardhurave materiale”, ka thënë ajo.

Ani pse ministria e Arsimit dhe SBAShK-u thonë se orët do të zëvendësohen, nga Instituti “Edguard” thonë se edhe nëse ky zëvendësim nuk ndodh nuk është se do të humbet diçka.

Rinor Qehaja nga ky institut, ka thënë se sa herë ka pasur zëvendësime të tilla jo gjithherë cilësia e mësimdhënies në këto orë ka qenë e duhura.

“Përkundër asaj që nuk ka një obligueshmëri ligjore që këto orë të zëvendësohen, rikujtojmë se edhe nëse ndodh diçka e tillë vështirë se do të arrihet ajo cilësia e një procesi të mirëfilltë të mësimdhënies. Pra, është praktikë edhe nga e kaluara që sa herë ka pasur zëvendësime të tilla jo gjithherë cilësia e mësimdhënies në këto orë ka qenë e duhura. Për këtë arsye në vlerësimin tonë me ose pa zëvendësim të po këtyre orëve nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim substancial në proces të mësimdhënies”, është shprehur ai.

 

Si do të kompensohen tri javët e humbura në shkolla? Flasin nga SBASHK’u

Periskopi.com Lajme

Pas plot tre javësh grevë, sot në vendin tonë ka filluar mësimi në të gjitha shkollat, fillore dhe të mesme.

Sidoqoftë, pavarësisht vendimit për ndërprerjen e grevës, SBASHK’u ende nuk e di se a do të kompensohen orët e humbura apo jo.

Nënkryetarja e SBASHK’ut, Vjollca Shala, ka thënë se ky është një vendim që u takon mësimdhënësve.

‘Meqenëse sot është dita e parë e fillimit të periodës së dytë në ndërkohë të mblidhen mësimdhënësit se si do të veprohet më tutje. Akoma nuk është marrë jë vendim i tillë se çfarë do të ndodhë me orët e humbura’, ka thënë ajo.

Një deklaratë të ngjashme e ka bërë ditë më edhe kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, i cili ka deklaruar se mësimdhënësit, janë ata që do të vendosin se a do të kompensohen orët e humbura.

Kujtojmë se pas grevës tre javëshe me kërkesën për rritje të koeficientit, SBASHK ka arritur marrëveshje me kryeparlamentarin Kadri Veseli, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj