Pas dorëheqjes nga Nisma, ish-ministri flet për Periskopin – a po shkon te PEK’u i Milaim Zekës

Periskopi.com Lajme

Pasi dorëheqjes së ish-ministrit Bajram Hasani nga Nisma Socialdemokrate, kanë vazhduar edhe anëtarët e tjerë të  largohen nga kjo parti, raporton Periskopi.

Hasani në një prononcim për Periskopin ka folur në lidhje me këto largime dhe me vazhdimin e aktivitetit të tij politikë.

Biznesmeni, Fatmir Daku dhe ish-komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Ridvan Xhemajli përmes një shkrimi në facebook treguan se nga sot e tutje kanë pushuar aktivitetin e tyre në këtë parti.

Ata kishin postuar një fotografi bashkë me ish-ministrin Hasani ku e përmendën largimin e këtij të fundit si arsye që i ka shtyrë edhe ata të japin dorëheqje.

Emri i tij u përmend si arsye e largimit  por Hasani tha se nuk ka ndikuar në vendimet e anëtarëve të partisë, megjithëse ai ishte i njoftuar edhe më herët për këto vendime.

“E vërteta është se ne jemi miq. Dorëheqjet nuk kanë qenë të planifikuara. Ndonëse janë miqtë e mi unë nuk mund ta detyrojë ndokënd që të jap dorëheqje. Gjithçka ka qenë në vullnetin e tyre. Gjithsecili më ka njoftuar paraprakisht për dorëheqjet. Unë ndjehem mirë që miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi në shenjë përkrahje më kanë qëndruar pranë në ditët e mira dhe ato të këqijat”,  tha Bajrami për Periskopin.

Përveç kësaj, Bajrami tha se ka ende anëtarë të Nismës Socialdemokrate të cilët e kanë diskutuar largimin nga partia.

“Gjithsecili është i lirë të vendosë për qëndrimin apo jo. Kam dëgjuar se edhe shumë të tjerë kanë pakënaqësi dhe janë të shqetësuar pas dorëheqjes sime dhe të tjerëve, por çdo gjë është në vullnetin e tyre”, u shpreh Hasani.

Ish-ministri Bajrami megjithëse dha dorëheqje nga partia e Fatmir Limajt, nuk do të largohet nga skena politike.

Largimi i tij nga Nisma Socialdemokrate ka ardhur vetëm pak ditë para se të formohej Partia Euroatlantike e Kosovës, nga deputeti Milaim Zeka.

Për Periskopin Hasani tregoi nëse do të jetë pjesë e kësaj partie, duke qenë se me Zekën janë edhe miq, madje ai e kishte përkrahur shpesh herë edhe publikisht.

“Do të vazhdojë të jem në skenën politike. Muajve të fundit kam pasur oferta nga shumë subjekte politike, por nuk kam vendosur ende. Jam në fazën e konsultimeve edhe me bashkëpunëtorët e mi dhe do të jem diku ku e idetë e mia përshtaten me planprogramin e tyre. Do t’i bashkohem dikujt që ka guxim për të marrë vendime të mëdha.  Milaim Zeka është njëri prej miqve dhe njerëzve që më ka mbështetur dhe inkurajuar në vazhdimësi gjatë punës sime. Ndajmë bindje të njëjta në tema të caktuara, por ende nuk kam vendosur se ku do ta vazhdoj rrugëtimin tim”, u shpreh ai duke shtuar se edhe pse bashkëpunëtorët e tij janë të lirë të vendosin, në bazë të gatishmërisë së tyre për ta ndjekur atë, beson se do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre politikë të gjithë së bashku. /Periskopi