Kryetari i Partisë Ekologjike: Qytetarët më shumë thithin pluhur se ajër

Periskopi.com Lajme

Rënia e temperaturave ka rikthyer edhe rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Kosovë. Shpërfillja e çështjes së ndotjes së ajrit nga institucionet vihet në pah edhe këtë vit nga statistikat alarmuese të kualitetit të ajrit.

Ato shfaqin nivel shumë shqetësues të ndotjes, veçanërisht në zona urbane si Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi e Mitrovica. Indeksi i cilësisë së ajrit, i matur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, gjatë kësaj jave, ishte në nivelin “i pashëndetshëm”, shkruan Koha Ditore.

Vendosja në kryeqytet e katër monitorëve, ku qytetarët mund ta shohin nivelin e ndotjes së ajrit, ka nxitur reagime javën e kaluar. Këta monitorë të instaluar në katër lokacione të ndryshme janë pjesë e projektit të bashkëpunimit teknik të JICA-s, “Projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, në vlerë 4 milionë euro.

Qytetarët kanë mirëpritur monitorët, por kanë kërkuar edhe masa konkrete për uljen e ndotjes.

“Më mirë do të ishte të krijoheshin hapësira të gjelbra, të ketë kujdes nga gazrat që lëshojnë kerret e nga Obiliqi, por i qesin do sene vetëm sa për të mashtruar popullin, sepse kjo asgjë nuk do të thotë. Vetëm e sheh ndotjen, e pluhuri e bën punën e vet”, ka thënë një qytetar i Prishtinës për KTV-në.

Edhe ekspertët e çështjeve mjedisore kanë vlerësuar se koncentrimi i madh i aktiviteteve vetëm në monitorim dhe raportim pa aktivitet reagimi nuk jep efekt.

Themelimi i task-forcave nga ana e Qeverisë për trajtimin e çështjes së ajrit të ndotur, sipas tyre, nuk prodhuan rezultate të prekshme përveç zhurmës mediale, arsyetimit të dështimeve dhe shpenzimit buxhetor.

Një pjesë të barrës së fajit për mosveprim në këtë drejtim ua hedhin edhe inspektorëve mjedisorë dhe gjykatave të cilat, sipas tyre, janë shumë inerte dhe të pafuqishme sidomos ndaj ndotësve të mëdhenj, siç janë: KEK-u, “Ferronikeli”, “SharrCemi”, etj.

Shkaku i mosveprimit, qytetarë të shumtë të vendit pësojnë nga ajri i kontaminuar.

Kontribuuesit kryesorë të ndotjes, sipas Arif Krasniqit, kryetar të Partisë Ekologjike, janë termoelektranat në Kastriot, veturat e shumta që qarkullojnë në kryeqytet të cilat kanë vjetërsi bukur të madhe, si dhe ngrohja e objekteve arsimore dhe shtëpitë, të cilat të vetmin burim ngrohjeje kanë drutë dhe thëngjillin e cilësisë bukur të dobët. Ai ka thënë se qytetarët më shumë thithin pluhur se ajër në organizmin e tyre.