Veç 10 raste të fruthit u regjistruan këtë vit

Periskopi.com Lajme

Përderisa vendet e rajoni po ballafaqohen me epideminë e fruthit, Kosova qëndron mirë, kjo falë përqindjes së lartë të vaksinimit. Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2019, në Kosovë janë shënuar vetëm 10 raste të reja me fruth.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së, Hamdi Ramadani.

Ai thotë se gjatë vitit 2017 dhe 2018 janë regjistruar 1700 raste, e që shumica prej tyre kanë qenë si pasojë e mos vaksinimit.

Rënia e numrit të të prekurve nga kjo epidemi, sipas Ramadanit, ndërlidhet me procesin e imunizimit, apo vaksinimit.

“Nga sëmundja e fruthit në vitin 2017 dhe 2018 kemi pas epidemi të madhe, me plotë raste diku 1700 raste, kurse 40 përqind e tyre edhe janë ndalë. Të gjitha ato raste të cilat kanë ardhur dominuese kanë qenë të pa imunizuara –vaksinuara. Nga janari deri më sot në klinikën tonë janë regjistruar 10 raste me sëmundjen e fruthit edhe këto raste të gjitha janë të pa vaksinuara,  kryesisht graviton mosha prej 1 deri 2 vjeç. Në janar kemi pas 4 të sëmur nga Malisheva, Fushë Kosova dhe Lipjani, pastaj në shkurt një rast nga Prishtina në mars, 1 rast dhe tash në muajin maj kemi tri raste”, ka përfunduar Ramadani.

Infektologu Ramadani thotë se këtë vit nuk do të ketë rrezik nga kjo epidemi.

“Nuk besojmë se do të jetë epidemi madhe, sa i përket sëmundjes së fruthit ne nuk presim dhe nuk besojmë se do të shfaqet sëmundje me përmasa të mëdha kjo shifër 10 nga janari deri më sot është me të vërtet e vogël dhe nuk paraqet ndonjë shqetësim”, thotë ai.

Kushtet në këtë klinikë janë optimale, andaj Ramadani thotë se janë të përgatitur për ndonjë epidemi eventuale, si në aspektin e inventarit, ashtu edhe të medikamenteve përkatëse.

“Ne e kemi një inventarë të mirë dhe infrastrukturë të mirë kështu që mendoj që edhe pacientët që kanë ardhur edhe vitet e kaluara por edhe tash kanë komoditet të punës dhe së dyti ne kemi ekipin me përvojë dhe të përgatitur. Sa i përket sëmundjes së fruthit kemi medikamente të nevojshme sepse tek kjo sëmundje janë dy parime baze terapeutike është e para simptomatike dhe ndërlikimet”, përfundoi ai.

Fruthi është një sëmundje virale infektive që nganjëherë mund të çojë në komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksionet në mushkëri dhe tru.

Sëmundja thuhet se mund të parandalohet krejtësisht nëse merren vaksinat e duhura në kohë.

 

Kosova po bën përgatitjet për anëtarësim në Interpol

Periskopi.com Lajme

Institucionet e Kosovës janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për anëtarësim në Interpol. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës kanë shprehur optimizëm se në vjeshtën e këtij viti Kosova do të mund të bëhet anëtare e kësaj organizate botërore të policisë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova tashmë është pjesë e agjendës në takimin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme që zhvillohet nga 18 deri më 21 nëntor 2018 në Dubai.

“Aktivitetet e institucioneve të Kosovës janë duke u koordinuar nga grupi punues ndërintistucional. Angazhimet dhe përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara në nivelin nacional dhe me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare ka qenë dhe është një proces i pakthyeshëm dhe i pandalshëm, ashtu siç është dëshmuar me anëtarësimet e deritanishme të vendit tonë në më shumë se gjashtëdhjetë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes të organizatave ndërkombëtare dhe shteteve anëtare në përgjithësi dhe i Republikës së Kosovës në veçanti.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë duhet të shihet nga të gjithë si një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm që do t’i kontribuojë rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë zëvendësministri.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka shprehur optimizëm se sivjet aplikimi do të jetë i suksesshëm.

Ai ka treguar se kësaj here ka një koordinim të aktiviteteve nga të gjitha institucionet për këtë çështje.

“Synimi i të gjithëve është që sa më shpejt të pranohemi në Interpol dhe më vonë në Evropol. Besoj se i kemi gjasat mjaft të mira kësaj here, ani pse nuk do të jetë lehtë. Kjo rrugë ka shumë sfida. Ju me siguri jeni në dijeni për fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare. Personalisht mendoj se anëtarësimi i Kosovës në Interpol më shumë i konvenon Interpolit, meqenëse për momentin jemi vetëm konsumues të sigurisë. Po të ishim anëtarë edhe ne do të kontribuonim me informatat tona në luftimin e të gjitha dukurive negative: si atyre të migrimit ilegal, të dokumentacionit, të gjurmëve të gishtit dhe të njerëzve që janë në listat e kuqe”, është shprehur Qalaj, duke shtuar se tani Kosova e ka edhe mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare në këtë çështje.

“Normalisht se jemi optimistë, sepse është punuar mjaft shumë në këtë drejtim. Kemi edhe një mbështetje nga faktori ndërkombëtar, pra nga partnerët tanë. Ende na duhet shumë punë, por besoj shumë se do të kemi sukses”, ka thënë Qalaj.

Vitin e kaluar Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Interpol. Çështja e pranimit të saj ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin. Por, nga pasiguria se do t’i siguronte votat e mjaftueshme për pranim, kishte tërhequr kandidaturën.

 

Albin Kurti tregon për përgatitjet që duhet të bëhen para dialogut me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpjeguar rrezikun që po i kanoset Kosovës nëpërmjet vazhdimit të dialogut siç e quan ai të gabuar e të nxituar me Serbinë.

Ai potencuar se çfarë duhet të jenë përgatitjet e domosdoshme paraprake.

“Shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017 si dhe i rezultateve të tij; Përcaktimi i synimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; Formulimi i parimeve dhe kushteve të dialogut të ri; Forimi i ekipit tonë negociator me strategji dhe udhëheqës”, ka thënë ai në mbledhjen e rregullt me qendrat e Levizjes Vetëvendosje.

Mbledhjen e hapi sekretarja jonë organizative, Vlora Haxhimehmedi, e cila foli rreth organizimit të Lëvizjes në pika dhe në qendër.

“Tashmë, kemi trembëdhjetë qendra ku ka mbaruar procesi zgjedhor për kryetar qendre dhe sot, ky proces për kryetar të Qendrës, po zhvillohet në Prishtinë dhe Gjilan. Gjatë gjithë këtij procesi janë krijuar pika të reja gjithandej Kosovës dhe vetëm në muajt maj dhe qershor, në Lëvizjen Vetënendoje kemi pranuar plotë 1,247 anëtarësime të reja”, tha ajo.

Ndëesa, sipas Kurtit me një Qeveri të pakicës, me plane të cilat kanë qëllim copëtimin e shtetit tonë, me zhvatje të pasurive e plaçkitje të buxhetit, të rrethuar me pseudoopozitarë, shtrirja e Lëvizjes në popull është e natyrshme.

“Përveç e natyrshme, ne duhet të tregojmë se nuk jemi si këto qeverisjet e deritanishme. Ne duhet të jemi afër me anëtarët dhe duhet ta duam popullin pa kushte. Të jemi të mirë e të drejtë me anëtarësinë e me qytetarët, më patriotë e më të dijshëm se të gjithë kundërshtarët. Të punojmë me veten pa pushim dhe të bëjmë punë më shumë se kurdo. Vetëm me punë e ndershmëri jemi në nivel të detyrave dhe të përgjegjshëm ndaj së ardhmes. Lëvizja do të qeveris gjithnjë e më shumë në muajt e vitet në vijim. Lëvizja është qeverisja e ardhshme, e ardhmërisë që e shpresojnë të gjithë, pa krim e korrupsion, me zhvillim e punësim, me solidaritet e begati”, ka thënë ai.