Aktakuzë kundër 20 personave për import të armëve

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër 20 personave, 11 prej tyre për vepër penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, ndërsa për 9 persona për vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të pandehurit AF., A.S., P.F., A.F., P.F., G.F., M.Sh., I.R., R.M., N.M., dhe P.M. gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018-24.07.2019, në Ferizaj, Prishtinë dhe në vende tjera në Kosovë, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import të kundërligjshëm të armëve.

Të pandehurit me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme, duke vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët, në mënyrë të paautorizuar kanë importuar armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, ku të pandehurit e lartcekur varësisht nga roli i tyre kanë kontribuar në këtë aktivitet kriminal.

Me këto veprime njëmbëdhjetë të pandehurit, AF., A.S., P.F., A.F., P.F., G.F., M.Sh., I.R., R.M., N.M., dhe P.M., kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1 të KPPK-së, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 të KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit B.A., F.U., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J. dhe S.K., nga data e pa caktuar e deri më 24.07.2019, në shtëpitë e tyre secili veç e veç kanë mbajtur pa autorizim, në pronësi, kontroll ose posedim, armë në shkelje te nenit 366 paragrafi 1 dhe 2 të KPK-së.

Të njëjtit kanë mbajtur armë dhe municion të llojeve të ndryshme, me ç‘rast të njëjtat i janë konfiskuar gjatë ditës së kontrollit nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime të nëntë të pandehurit B.A., F.U., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J. dhe S.K., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së.

 

 

Lënda e Astrit Deharit kalon në Prokurorinë Speciale

Periskopi.com Lajme

Hetimet për rastin e rrethanave të vdekjes së ish-anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, që nga sot do t’i zhvillojë Prokuroria Speciale e Kosovës. Lënda është marrë nga Prokuroria e Prizrenit dhe hetimet për të njëjtën do të vazhdojnë nga Prishtina.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale.”, thuhet ne njoftimin e Prokurorisë.

Me anë të këtij vendimi, bartës i kësaj lëndë do të jetë u.d Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe do të mbështetët nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, mbikëqyrja e këtyre prokurorëve në trajtimin dhe progresin e veprimeve të ndërmarra në këtë çështjeje paraprake penale do të bëhet nga prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkoj që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti.

Rreth 100 persona të intervistuar nga Prokuroria Speciale

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tash, sipas të dhënave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka intervistuar rreth 100 persona, ndërkaq që ekspertët e çështjeve juridike penale ndërkombëtare, vlerësojnë që kjo prokurori është duke punuar me dinamikë të shtuar.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumica e të intervistuarve deri më tash, gjatë luftës kanë qenë civilë, ndërkaq numri i ish -pjesëtarëve të UÇK-së të intervistuar, të cilët i janë paraqitur kësaj organizate, është më i vogël.

“Ata që na janë lajmëruar neve, deri më tash, janë afër 100 persona që janë ftuar në Gjykatën Speciale, prej të cilëve ka në cilësinë e dëshmitarëve, por ka edhe në cilësinë e të dyshuarve. Deri më tash, neve që na janë lajmëruar, janë 7 persona që kanë qenë pjesë e luftës”, thotë Gucati.

Ai shton se nuk ka të dhëna të sakta lidhur me numrin e personave që janë ftuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarëve dhe të atyre që janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen ndryshe si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është funksionalizuar në tërësi në korrik të vitit 2017, por vetëm në dhjetor të vitit 2018, Prokuroria e Speciale ka nisur të intervistojë personat e parë të ftuar.

Deri më tash, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me numrin e saktë të personave të intervistuar, në çfarë cilësie janë intervistuar, si dhe kur mund të pritet aktakuza e parë.

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë se dinamika e intervistimeve në 9 muajt e fundit është shtuar dhe tashmë pritet që Gjykata Speciale të ngritë akuzat e para.

“Është e qartë se dinamika është intensifikuar, që do të thotë se kjo gjykatë, tani së shpejti, do të ngritë edhe akuza ndaj atyre për të cilët pretendohet se kanë prova, fakte dhe argumente. Kjo është lidhur me punën e deritanishme, ndërkaq, e dyta, këta që kanë ftesa, është mirë që të mos i refuzojnë ato”, thekson Salihu.

Ai lavdëron Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, e cila u ka bërë ftesë të gjithë të ftuarve për intervistim nga Prokuroria Speciale, që të mos i refuzojnë ftesat.

Kryetari i kësaj organizate, Gucati, thotë se deri më tash, janë dy persona, të cilët kanë refuzuar t’u përgjigjen ftesave të tilla. Sipas tij, Remzi Shala nga komuna e Suharekës, pati refuzuar një ftesë të tillë, ndërkaq, personin e dytë kanë arritur ta bindin që t’i përgjigjet kësaj ftese.

“Remziu (Shala) nga Suhareka ka qenë, ka pasur pseudonimin ‘Molla e Kuqe’ dhe ai pati refuzuar ftesën. I dyti që ka refuzuar, është Bashkim Gashi. Por, Bashkimin e kemi ftuar në organizatë, ku nënkryetari Nasim Haradinaj ka biseduar me të shumë gjatë dhe e ka bindur që është mirë që për hir të opinionit dhe për hir të luftës që t’i lajmërohet drejtësisë, që të mos thuhet se disa se ne jemi kundër drejtësisë. Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por jemi kundër Gjykatës që është e njëanshme dhe këtë e kemi thënë gjithmonë. Nuk jemi kundër drejtësisë, kështu që Bashkimi ka pranuar të lajmërohet në gjykatë”, bën të ditur Gucati.

Megjithatë, profesor Salihu thotë se në rast se refuzohet ftesa e Prokurorisë Speciale për intervistim, qoftë në cilësinë e dëshmitarit, cilësinë e të dyshuarit apo edhe të akuzuarit, Gjykata Speciale ka autorizimin që t’i thotë Policisë së Kosovës që t’i sjellë ata.

“Në rast se Policia e Kosovës nuk e kryen këtë punë, atëherë këtë do ta kryejnë pjesëtarët e Policisë së EULEX-it. Nëse edhe EULEX-i nuk e kryen, atëherë do të angazhohen pjesëtarët e KFOR-it. Kështu që, gjithsesi duhet të ekzekutohet urdhri apo ftesa e Gjykatës Speciale. Asgjë nuk i kanë lënë rastit. Kjo duhet të përfundohet ashtu si është paraparë me ligj dhe ashtu edhe duhet të veprohet. Mund të merret si rrethanë rënduese për personin e caktuar në qoftë se nuk përgjigjet, ikë ose fshihet. Ai gjithsesi do të bjerë në dorë të Gjykatës Speciale dhe kjo rrethanë do të merret si rrethanë rënduese”, shpjegon Salihu.

Ndërkaq, në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, gjenden edhe emrat e disa prej personave të cilët janë intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Ehat Miftari nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky institut ka bërë analizën e të gjitha listave të kandidatëve të propozuar për deputet nga partitë politike, në të cilat ka të përfshirë edhe persona që kanë probleme me ligjin në Kosovë, por edhe të ftuar nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë.

“Nga ajo që kemi vërejtur si Institut i Kosovës për Drejtësi, së paku 3 kandidatë për deputet, në listat zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarve, gjithmonë duke u bazuar në atë që e kanë thënë vetë personat, të cilët janë intervistuar. Në cilësinë e dëshmitarëve janë ftuar 4 persona”, thekson Miftari.

Prokuroria Speciale, nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më tash, ka intervistuar disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, të cilët pas luftës kanë qenë dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja dhe së fundi edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.

Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.

Në atë raport flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Në shtator hapet konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Periskopi.com Lajme

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur sot konkursin për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës të së Kosovës, dhe konkursin për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kjo u bë pas miratimit të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës të Kosovës.

Kryetari i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, tha se të dy konkurset do të jenë të hapura 15 ditë, nga dita prej kur njoftimi të del në gazetën shtetërore, e që pritet të ndodhë në shtator.

“Unanimisht shpallet konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Prokurorisë të Kosovës. Shpallja publike do të vlejë që nga dita kur të shpallet publikisht, që nënkupton jo nga dita e sotme, por kur të përgatitet konkursi dhe kur të del në gazetën zyrtare. Dhe, do të jetë 15 ditë nga ajo ditë”, tha Hyseni.

Sa i përket Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës të Kosovës, Hyseni tha se është hartuar konform standardeve.

“I kemi pranuar të gjitha rekomandimet që kanë qenë të pranueshme, që e kanë rritur avancimin e rregullores të mëparshme që e kemi pasur, ka rritur transparencën, garantojnë meritokracinë dhe ka ndryshime substanciale”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi bëri të ditur se procesi i emërimit të prokurorëve do të sigurojë edhe një procedurë të pavarur të KPK-së.

“Hartimi i rregullores është bërë në bashkëpunim të plotë dhe të drejtpërdrejtë të Ambasadës amerikane, mirëpo rol të rëndësishëm kanë dhënë edhe partnerët tjerë në Ambasadën britanike, BE, UNDP si dhe organizatat joqeveritare vendore siç është IKD dhe GSPJ. Sipas kësaj rregullore, procesi i emërimit të kryeprokurorëve, do të bazohet në rregulla objektive dhe transparente… Anëtarët e KPK-së do të luajnë rol aktiv përgjatë proceseve, së pari përmes miratimit të kësaj rregullore në përputhje me standardet, dhe së dyti përmes procesit transparent dhe të paanshëm të përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë bazuar në meritat e tyre”, tha Gashi.

Në këtë mbledhje, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi u shpreh se duhet të ketë incizim të bisedës me kandidatët. Sipas tij, nuk ka kritere për intervistimin e kandidatit, ndërsa incizimi nuk duhet të shërbejë për nevoja të procedurës.

“S’kemi kritere për intervistimin e kandidatit. Tek e drejta diskrepcionale për intervistë, nuk ka. Kështu që kjo nuk mund të shfrytëzohet në procedurë gjyqësore, sepse nuk po hetohet për intervistë, dhe incizimi nuk ka nevojë të shërbejë për nevojat e procedurës nëse nuk kemi padi, sepse nuk po hetohet për procesin e intervistimit”, tha Lumezi.

Ndërsa Bahri Hyseni, ndër tjerash, bëri të ditur se kanë marrë dy kërkesa për masa disiplinore ndaj dy prokurorëve.

Për këtë, me anë të shortit, u zgjodhën edhe anëtarët e panelit hetimor për rastin AD.nr.17/19,  e që janë  Valdet Gashi, Ismet Rrahmani , Nijazi Rexha.

Ndërsa drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, Valon Jupa, bëri të ditur gjendjen e kallëzimeve penale për tremujorin e parë të këtij viti për armët, drogat, krim të organizuar, korrupsion, shpëlarje të parasë, trafikim me njerëz, krime ekonomike dhe nxitje të urrejtjes. Ai tha se gjithsej janë 3 mijë e 347 raste të pa proceduara, në fund të periudhës raportuese.

 

Prokuroria Speciale ende po i heton gratë e kthyera nga Siria

Periskopi.com Lajme

Rreth 110 persona në muajin prill ishin kthyer në Kosovë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme ekstremiste në Siri e Irak.

Në mesin e tyre ishin kthyer edhe katër të dyshuar, për pjesëmarrje në këto luftëra.

Menjëherë pas kthimit të tyre, gjykata kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak për 10 gratë e kthyera nga Siria, shkruan lajmi.net.

Gjykata e kishte marrë këtë vendim duke u bazuar në dyshimin se të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak.

Që nga kjo kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ende është duke e hetuar rastin e grave të riatdhesuara nga Siria.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Ju njoftoj se rasti i grave të riatdhesuara nga Siria, është ende në fazën e hetimeve nga ana e prokurorëve të PSRK-së”, ka treguar Lutfiu.

Ai ka bërë të ditur se të gjitha gratë e kthyera nga Siria janë duke u hetuar për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 i KPRK-së, përkatësisht nga neni 3 paragrafi 3, “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme  paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, nga 110 të kthyerit, 32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

Aktakuzë për krime lufte ndaj një serbi

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.Dj., nga Peja, me vendbanim aktual në Beograd, për veprat penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë” të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës,  që ndiqet sipas nenit 152 paragrafi 1  të Kodit Penal të Kosovës, dhe nenit  142 të Kodit Penal të RSFJ-së, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar” që ndiqen sipas nenit 153 paragrafi 1 nënparagrafi 2.1, 2.2, 2.5, 2.8, 2.13, dhe  2.15, dhe nenit 3 të KPK-së.

I pandehuri Z.Dj., gjatë muajit  mars – prill  të vitit 1999, në  lagjen Kristal  të Pejës, duke  bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të nacionalitetit serbë, të veshur  me uniforma  policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor/shëndetit, aplikim i masave të frikësimit ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitje e një qyteti ose e një vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejtë në konflikt, në atë mënyrë që duke bashkëvepruar me personat, deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen “Kristal”  të Pejës, kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht si dhe i kanë vrarë.

Me ketë i pandehuri Z.Dj., ka kryer veprat penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë” të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës,  që ndiqet sipas nenit 152 paragrafi 1  të Kodit Penal të Kosovës, dhe nenit  142 të Kodit Penal të RSFJ-së, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar” që ndiqen sipas nenit 153 paragrafi 1 nënparagari 2.1, 2.2, 2.5, 2.8, 2.13, dhe  2.15, dhe nenit 3 të KPK-së.

 

Aktakuzë kundër 9 personave për vepra të ndryshme penale

Periskopi.com Uncategorized

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 9 personave për veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, “shpërlarje e parasë.

Të pandehurit B.J, Sh.H, F.H, P.H, B.B dhe Sh.I, nga 16 maj 2018 e deri më 07 tetor 2018, në vazhdimësi, me dashje,  pa autorizim, kanë transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis (marihuanë), ashtu që, sipas marrëveshjes paraprake, duke i ndarë rolet, paraprakisht janë furnizuar nga Republika e Shqipërisë, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për njëri-tjetrin. Me ketë, në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge.

I pandehuri B.B, nga data e pacaktuar deri më 7 tetor 2018, në shtëpinë e tij, në kundërshtim me Ligjin mbi Armët, në mënyrë të pa-autorizuar ka mbajtur në posedim armë, revole të tipit Zastava M-57, e kalibrit 7.62 mm, me nr. H-99359, me një karikatorë dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një revole e kalibrit 6.35 mm, me nr. serik 493788, me një karikatorë dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm, si dhe, 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të  kalibrit 12 mm, të cilat janë sekuestruar nga policia. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, i pandehuri A.A, më 29.09.2018,  në shtëpinë e tij, me qëllim të shpërndarjes së substancës narkotike të llojit marihuanë, ka pranuar nga i pandehuri Sh.H, substancë narkotike, në peshë prej 7.6 gram, të cilën substancë e ka vendosur dhe sistemuar në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e  shahut ta dërgoi në qendrën korrektuese në Dubravë, tek një person tjetër, i cili është në vuajtje të dënimit. Me këto veprime ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I pandehuri Sh.H, nga 18.10.2016 e deri më 29.06.2018, në vazhdimësi, ka bartur përfitimin e kundërligjshëm tek i pandehuri A.M., me qëllim të fshehjes, të maskimit të natyrës apo të burimit të pasurisë, në vlerë prej 36,875.00 euro, si dhe, në marrëveshje me të pandehurin Sh.B., ka bartur përfitimin e kundërligjshëm, në shumë prej 7,000 €. Po ashtu, i pandehuri Sh.H, përmes të pandehurve të tjerë, ka përdorur të ardhurat nga aktivitetet e dyshuara, ashtu që nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik, ka përfituar mjete financiare në vlerë të përgjithshme prej 75.500 euro. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Shpërlarje e parasë”.

I pandehuri Sh.B., ka pranuar në xhirollogarinë e tij bartjen e shumës prej 7.000 euro nga i pandehuri Sh.H., dhe këtë  me qëllim të fshehjes, të maskimit të natyrës apo të burimit së pasurisë së fituar nga aktivitetet e dyshuara nga  veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik, si dhe automjetin BMË 120 D, viti i prodhimit 2008. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Shpërlarje  e parasë”.

I pandehuri A.M., ka pranuar në xhirollogarinë e tij bartjen e shumës prej 36,875.00 euro nga i pandehuri Sh.H., me qëllim të fshehjes, të maskimit të natyrës apo të burimit të pasurisë, të fituar nga aktivitetet e dyshuara nga veprimtaria e kundërligjshme, konkretisht trafikimi me narkotik. Me këtë ka kryer veprën penale “Shpërlarje  e parasë”.

I pandehuri B.B., nga 12.09.2016 ka në pronësi automjetin IMT 539, viti i prodhimit 2009  si dhe që nga data 12.09.2017 ka në përdorim automjetin Audi A4 2.7 TDI, viti i prodhimit 2008, e regjistruar ne emër të motrës së tij, e nga të gjeturat hetimore nuk ka prova se të njëjtat janë blerë si rezultat nga ndonjë aktivitet i rregullt ekonomik ose burim tjetër i ligjshëm i njohur, por nga të ardhurat e aktiviteteve të dyshuara – veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotik. Me këtë ka kryer veprën penale “Shpërlarje  e parasë”.

 

Zgjerohen hetimet pas arrestimeve në veri, te disa persona u gjetën armë pa leje

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se gjatë bastisjes më 28 maj, tek disa të dyshuar janë gjetur armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm.

Për këtë Prokurori i rastit ka zgjeruar hetimet për personat tek të cilët janë gjetur armë dhe municion të cilët i kanë poseduar pa leje të organit kompetentë.

Çka bëri vaki gjatë kësaj jave në Kosovë?

Periskopi.com Lajme

Njësia kohore e quajtur ‘javë’ nisi të hënën siç ndodh zakonisht. “Java e re, nafaka e re!” – ishte fjalia që u pluskua në sheshin Nëna Terezë nga qytetarët e një vendi që po i mbyllte lojërat e nafakës [fatit].

Kazinot raportohet se kanë ikur e janë vendosur në Bllacë, aty ku kishin ikur e kishin gjetur strehë edhe qytetarët e Kosovës në luftën e fundit. Po shihnim historinë derisa përsëriste veten në një stil komik.

Sidoqoftë, gjendja shpirtërore e qytetarëve të vendit ishte mjaft shqetësuese, ose ndoshta post-traumatike, dhe për ta konstatuar këtë nuk duhet kurrfarë psikografie e thellë. Flora Brovina, deputetja ndoshta më e respektuar e PDK-së, katër ditë më herët kishte paraqitur një imazh për ta ilustruar aktin e përdhunimit seksual të forcave serbe ndaj grave shqiptare. Fotografia doli se ishte pjesë e një videoje pornografike.

Por, siç mund ta vëreni më lart, e kemi nënvijëzuar shënjuesin e kohës në referencë me 20 majin. Domethënë, fotoskandali ndodhi katër ditë më herët në një vend ku çdo skandal, sado i madh qoftë, sado tronditës, mbahet mend vetëm tri ditë. Dita e katërt është dita e nafakës së re. E gjitha që mbetet është një imazh i rravguar për të cilin nuk e din se çka të mendosh.

Ta zëmë, kush i mban mend gjithë ato teke të kryeministrit Haradinaj që prodhuan skandale të njëpasnjëshme? Pak-kush. Ose, kush e mban mend ‘rrëshqitjen’ e Abelard Tahirit kur deklaroi që “do të punojmë për forcimin e sundimit të… krimit të organizuar dhe korrupsionit”? Pak-kush.

Dhe pikërisht të hënën, në një ditë me mot të luhatshëm, u mbajt vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës që mësynte miratimin e rezolutës për Tribunalin Special Ndërkombëtar që do të hetonte dhe gjykonte krimet e forcave serbe gjatë luftës së fundit. Dhe kjo përsëritje e aktit e prishi amnezinë kolektive dhe na e kujtoi sërish pornografinë. Bëri që të riniste humori, kukamat dhe sharjet. Edhe partitë opozitare vendosën t’i ndërtonin memorial këtij skandali, por nuk po iu kujtohej qëndrimi që kishin mbajtur katër ditë më herët. Periskopi i kushtoi një editorial këtij zhvillimi. Kësisoj, bë një tallje e përbashkët me viktimat e luftës dhe familjarët e tyre, disa prej të cilëve po rrinin e po këqyrnin kuvendin nga pjesa e vëzhguesve.

Kjo ishte ngjarja e parë e javës që i vendosi vulën e përsëritshmërisë edhe ngjarjeve tjera.

Përplasja e ashpër mes presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berishës, ishte ngjarja e dytë domethënëse. Ajo u shtri për disa ditë, nga e enjtja në të shtunën e ndoshta do të vazhdojë edhe nesër. I pari i tha të dytit argat ndërsa edhe i dyti i tha të parit argat [i Serbisë, Millosheviqit e më-the-e-të-thashë]. Fjalori i gjuhës shqipe i jep kësaj fjale kuptimin e punëtorëve të krahut në bujqësi e ndërtimtari. Domethënë, duke e përdorur në formë pezhorative, dy presidentët po shanin e fyenin një prej shtresave edhe ashtu më të shtypura të shoqërisë. Pse për shembull nuk shahen duke i thënë njëri-tjetrit “shërbyes i Serbisë”? Ndoshta sepse fjala ‘shërbyes’ është disi më e dinjitetshme.

Marrëdhëniet e mira që kishin dikur Thaçi e Berisha u kurorëzuan me këtë ‘përqafim plot dashuri’ kur po hapej Tuneli i Kalimashit

 

Dhe në fund kishim skandalin e fajdeve. Një video-incizim i vitit të largët 2013 u aktualizua së fundi nga Kohavizioni dhe e bëri namin. U arrestuan disa njerëz që dyshohet se u morën me fajde e mashtrim. Por, gjithë kësaj i bëri jehonë përmendja e emrit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

“Kadri Veselit ia kam dhanë 200 mijë Euro!” shihet e dëgjohet një burrë i moçëm e i thinjur derisa i thotë një tjetri. Po i njëjti me një të folur qaramane deklaroi se në fakt dikush tjetër e kishte përdorur emrin e Kadri Veselit për ta mashtruar atë vetë.

Nga e gjithë kjo misteri më i madh është mos-publikimi i deritashëm i këtyre provave duke qenë se kishin qenë në dispozicion të Prokurisë Speciale. Është e mundur që një gjë e tillë të jetë pjesë e një skenari tjetër politik dhe jo tragu i rrugës për drejtësi. Veseli u deklarua se do të jepte dorëheqje nëse do të evidentohej përfshirja e tij në atë rast.

Lajmi i fundit i rëndësishëm i javës është bllokimi i trafikut në magjistralen Fushë Kosovë-Prishtinë dhe anasjelltas. Taksi 1-shat ilegalë ankoheshin se për të shkuar prej Bill Clintonit e deri te Qafa iu kishte një orë kohë. E një orë është goxha shumë në një rrugë që zakonisht e përshkon për 5 minuta. Çka kishte ndodhur? Epo, ishte dyshuar për dy bomba te Prokuroria Speciale dhe te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, mirëpo s’u gjet asgjë.

Na mbetet të themi për javën tjetër “Java e ra, nafaka e re!”

Prokuroria Speciale: Kërcënuesi përmendi Gjykatën Speciale, nuk ishte direkt për ne

Periskopi.com Lajme

Një kërcënim me bombë u adresua sot ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, gjë që alarmoi Policinë e vendit për të zhvilluar kontrolle të detajuara brenda këtyre dy objekteve të gjendura në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu në një deklaratë për Periskopin ka treguar për mënyrën e kërcënimit që u është adresuar atyre.

Lutfiu tregon se kërcënimi ka qenë indirekt, pasi siç thotë ai, i dyshuari kishte përmendur Gjykatën Speciale.

‘’Mund ta konfirmoj se nuk kemi pranuar një kërcënim direkt. Por, kur është pranuar telefonata kërcënuese në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) aty është përmendur edhe Gjykata Speciale, dhe duke e pasur parasysh që në Kosovë nuk ka Gjykatë Speciale atëherë ka lënë të kuptohet që është fjala për Prokurorinë Speciale”, ka thënë Lutfiu.

Ndërsa i pyetur nga Periskopi, edhe prokurori Special, Sylë Hoxha ka thënë se personeli janë evakouar nga ndërtesa menjëherë.

‘’Po janë evakouar gjithë punëtorët, në mesin e tyre jam edhe une. Më shumë informacione s’mund të japë’, ka thënë Hoxha.

Ndërsa  Policia e Kosovës kishte thënë se kërcënimi me bombë i është bërë sot Këshillit Gjyqësor në Prishtinë dhe Prokurorisë Speciale.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë ka thënë për Periskopin se në dy objekte  në rrugën ‘Luan Haradinaj’ ka dyshime për mjete shpërthyese.

‘’Rreth orës 10 :30 kemi pranuar informatën se ne dy  objekte ne rrugën Luan Haradinaj në Prishtinë, ndodhen  mjete  te dyshuara shpërthyese.

Menjëherë pas marrjes së informatës në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat aktualisht janë duke u marr me rastin.Për detaje te tjera ju njoftojmë me kohë’’, ka thënë ajo.

Policia e Kosovës dhe njësitet e deminimit, me ndihmën e qenve kanë zhvilluar kontrolle brenda këtyre dy objekteve. I gjithë personeli ishte evakouar nga dy ndërtesat në fjalë./PERISKOPI/

 

 

Flora Brovina del nga prokuroria pas tre orësh intervistim

Periskopi.com Uncategorized

Pas tre orë intervistim, deputetja e PDK-së Flora Brovina ka dalur nga objekti i Prokurorisë Speciale.

Ajo u largua me veturë zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa nuk e ka thënë asnjë fjalë për mediet.

Dje Brovina paraqiti para medieve një fotografi, përshkimi i së cilës, sipas deputetes, shfaqte tre ushtarë serbë teksa dhunonin seksualisht një grua kosovare.

Kjo fotografi po dyshohet se është e rreme pasi ajo ishte marrë nga një film pornografik në Iran.

Megjithëatë, Brovina ka mohuar kategorikisht se fotografia është manipulim, sipas saj, ajo ka thënë se e njeh viktimën dhe fotografia e ‘luftës’ ishte bërë me pëlqimin e familjarëve të viktimës.

Në Prokurorinë Speciale dorëzohen dosje të reja për krimet e luftës në Gjakovë

Periskopi.com Lajme

Publikimi i fotografive dje nga deputetja, Flora Brovina në Kuvendin e Kosovës, u përcollë me shumë kritika të ashpra.

Deputetja e PDK-së publikoi një fotografi ku sipas saj shihej një grup kriminelësh serbë teksa dhunonin një grua kosovare me familjarët përreth të cilët detyroheshin ta shihnin këtë krim.

Ky veprim i Brovinës u konsiderua jo i drejt dhe u tha se Kuvendi nuk është vendi ku duhej të publikohesh imazhe të tilla.

Me vonë u ngjallën dyshimet për vërtetësinë e këtyre fotografive, ku u tha se fotografitë janë marrë nga një film pornografik.

Madje për këtëdeputetja Brovina është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale.

E rrugën e duhur për të dokumentuar krimet serbe në Kosovë e kanë zgjedhur Zyra për Mbledhjen dhe dokumentimin e Krimeve teë Luftës në Komunën e Gjakovës.

Kjo zyrë sot ka dorëzuar në Prokurorinë special të Kosovës, dosje të reja që dokumentojnë krimet e kryera nga Serbia në Komunën e Gjakovës

Kjo organizatë edhe në të kaluarën ka dorëzuar dëshmi të tilla, përfshirë fotografi dhe deklarata të dëshmitarëve të krimeve serbe.

 

 

Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde e bixhoz

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve për shkak se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Fajde” nga neni 343 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjithashtu u ngrit aktakuzë për veprën penale “Krim i Organizuar” nga neni 283” paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Të njëjtit kanë kryer edhe veprat penale bazë “Detyrim” nga neni 340 paragrafi 1 të KPRK-së, si dhe, veprën penale “Organizimi i Skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, e paraparë dhe e sanksionuar në nenin 300 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës me numër Nr. 04/L-082, thuhet në komunikatën për media.

Ky është njoftimi i plotë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve për shkak se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Fajde” nga neni 343 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Krim i Organizuar” nga neni 283” paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Po ashtu, të njëjtit kanë kryer edhe veprat penale bazë “Detyrim” nga neni 340 paragrafi 1 të KPRK-së, si dhe, veprën penale “Organizimi i Skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, e paraparë dhe e sanksionuar në nenin 300 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës me numër Nr. 04/L-082.

Prokuroria Speciale del me sqarim lidhur me deklaratat e Trajkoviqit për rastin Ivanoviq

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se shkrimet dhe pohimet e presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kohë më parë e kishin akuzuar, Rada Trajkoviqin, se dëshmia e saj në Kosovë, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, që nga 23 nëntori 2018, i ka lënë dy serbë në paraburgim.

Po ashtu, edhe i ashtuquajturi shef i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, ka publikuar një dokument kinse është origjinal dhe autentik, gjë që nuk është e vërtetë, ku tregon se çfarë ka thënë në hetime Rada Trajkoviq.

Me qëllim të informimit sa më të drejtë, të saktë të opinionit ju njoftojmë se Rada Trjakoviq, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dëshmitare për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, me c’rast janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve të tjerë, por në asnjë mënyrë dëshmia e Rada Trajkoviqit, nuk ka qenë vendimtare për arrestimin dhe paraburgosjen e dy të pandehurve siç i kanë thënë politikanët e Serbisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar për zbardhjen në tërësi të rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, si dhe, në asnjë mënyrë nuk ndikohet nga politikanët në Serbi apo kudo tjetër që flasin në emër të rastit Ivanoviq.

Andaj, apelojmë që të gjithë politikanët të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të ndikojnë në rrjedhën normale të procedurës, apo edhe në rrezikimin e dëshmitarëve.

Ky është vendimi i Gjykatës lidhur me kërkesën për ndalimin e pensioneve për veteranët e rrejshëm

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në vendimin e kësaj gjykate thuhet se është refuzua kërkesa e Prokurorit Special, për lëshimin e masës së përkohshmepër sigurimin e kërkesëspasurore juridike, me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirqënies Sociale  – Departamenti për Familjet e Dëshmoreve, Ivalideve të Luftës dhe Viktimave Civile, të pezullojë pagesën e pensioneve për 19.500 përfitusit – veteran luftetar , deri në përfundimin e procedurës penale.

Ka hetime, por jo edhe të akuzuar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq

Periskopi.com Lajme

Dhjetëra shkelje të evidentuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet e institucioneve të sigurisë gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq, nuk kanë mjaftuar ende që të ngritet ndonjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Është bërë gati një vit që kur Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, dhe një mjek, mirëpo ende nuk ka asnjë person të akuzuar për ngjarjen që ngjalli reagime edhe ndërkombëtare.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, thonë se hetimet kanë filluar edhe para se Komisioni Hetimor Parlamentar, të dorëzonte të gjeturat lidhur me shkeljet që janë bërë gjatë dëbimit të këtyre personave nga Kosova.

Prokurori Sylë Hoxha, që njëherësh është edhe zëdhënës i këtij institucioni, tha për Radion Evropa e Lirë, se raporti i punuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, do jetë pjesë e lëndës.

“Ata e kanë dorëzuar, ne e kemi pranuar në Prokurori. Ai raport është pjesë përbërëse e shkresave të lëndës, por ne rastin e kemi filluar më herët në grumbullim të provave”, tha Hoxha.

Gjykata Kushtetuese ia kthen mbrapsht një vendim Prokurorisë Speciale në Hagë

Periskopi.com Lajme

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka suspenduar përkohësisht një urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për dorëzimin e dokumenteve, të dhënave dhe informacioneve të specifikuara nga Mahir Hasani.

Firma e avokaturës, S&Q, ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim sot për të suspenduar urdhrin e Prokurorit të Specializuar.

“S&Q shënon fitoren e parë në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Hagë duke suspenduar përkohësisht një urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftimin e S&Q.

“Sot, më 7 shkurt 2019, në ora 12:00, në bazë të kërkesës së avokatit Dr. Artan Qerkini nga rradhët e S&Q në të mirë të klientit z. Mahir Hasani për masë të përkohshme, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetutese suspendoi Urdhërin e Prokurorit të Specializuar ndaj z. Hasani për dorëzim të dokumenteve, të dhënave, shënimeve dhe informacioneve të specifikuara në Urdhërin e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftim.

Nis një grevë e re shkaku i Ligjit për Paga

Periskopi.com Lajme

Sindikata e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dje ka hyrë në grevë, për shkak se nuk u janë përmbushur kërkesat e tyre. Sindikata, thotë se trajtimi i stafit administrativ të PSK’së nuk është i drejtë, është diskriminues dhe bie ndesh me parimet bazë të marrëdhënies kontraktuale.

Gjatë një takimi të mbajtur më 01 shkurt të Sindikatës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe manaxhmeni i KPK-së, stafi mbështetës i PSRK kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me Ligjin për Pagat.

“Referuar Ligjit në fjalë, shihet se trajtimi i stafit mbështetës  të Prokurorisë Speciale dhe nuk është i drejtë, është diskriminues dhe bie ndesh me parimet baze te marrëdhënies kontraktua le, parimin e mos-diskriminimit, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare në lidhje me të drejtën për pagë të barabartë dhe të dinjitetshme”, thonë Sindikata.

Përveç tjerash, trajtimi i stafit të Prokurorisë Speciale me këtë Ligj thuhet është denigrues dhe demotivues për funksionim normal të punës andaj nëse koeficienti për PSRK mbetet ashtu siç është në Ligj, do të vihet në pikëpyetje të madhe një funksionimi efektiv dhe normal i kësaj Prokurorie.

“Siç mund të shihet nga miratimi i Ligjit për paga, pothuajse të gjithë stafit mbështetës të Prokurorisë Speciale u janë zbritur pagat bazë deri në 50%, si dhe janë larguar të gjitha shtesat aktuale, duke përfshirë shtesën për përkrahje të prokurorisë Speciale për stimulim të luftimit të Korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër paga e paraparë në projektligjin e ri të propozuar për paga, do të rrezikoj ekzistencën sociale të stafit mbështetës në PSRK”, thonë Sindikata e Prokurorisë Speciale.

“Prandaj stafi mbështetës i PSRK-së kërkon që pagat e tyre të jenë ekuivalente me pagat e stafit mbështetës të Kuvendit të Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e punës në Prokurorinë Speciale, rrezikshmërinë dhe duke u bazuar në faktin se Gjyqësori është ekuivalent me legjislativin dhe ekzekutivin si pushtete të ndara, ashtu siç është përcaktuar ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Të mos zbriten pagat e stafit mbështetës si dhe të përfshihen të gjitha shtesat aktuale në Ligjin e ri të pagave si pagë bazë.

Po ashtu, të tërhiqet ligji në fjalë, duke rishqyrtuar atë dhe përmirësuar konform kërkesave tona dhe parimeve baze të mos-diskriminimit, pagës së njëjtë për punën e njëjtë, duke u bazuar në rendësin e pozitës dhe vendeve të punës.

Ne besojmë në qëndrime tuaja korrekte se misioni i drejtësisë është i pa prekshëm dhe as kush nuk ka te drejte te ndërhyje duke cenuar funksionalizimin tone si organ i pavarur. Mbesim me shpresë qe reagimi i jone do te gjej mirëkuptimin tuaj, njehë rit do te parandalohet degradimi i sistemit prokurorial përmes ligjit te pagave, ose pozitat tona do te marrin vendin e merituar sipas koeficienteve ekuivalent me pozitat e pushteteve te tjera ne R. Kosovës.

Pa dëshirën tone, ne jemi te detyruar që me vullnetin tone organizativ se në rast kërkesa jonë nuk realizohet, do t`i përdorim mjetet tona sindikale dhe  atë “GREVEN” si mjetin me të rendë për realizmin e të drejtave tona duke filluar data 04.02.2019 ditë e Hanë, deri në  plotësimin e kërkesave tona të drejta.

Me respekt,

Këshilli Grevistë i Sindikatës së PSRK-së”, është reagimi i tyre.

EULEX’i ia lë në duar Prokurorisë Speciale afër një mijë lëndë gjyqësore

Periskopi.com Lajme

Në qershor të vitit të kaluar misioni i EULEX-it përfundoi mandatin në Kosovë.

Ky mision po vazhdon të qëndrojë ende në vendin tonë mirëpo nuk ka kompetenca ekzekutive. Ai është mekanizëm mbikëqyrës dhe këshillues për institucionet të cilat e zbatojnë ligjin.

Ndërsa lëndët me të cilat ishte duke u marrë ky mision (krime të luftës, korrupsion i nivelit të lartë.,etj), ia ka transferuar Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kalimi i të gjitha kompetencave nga EULEX-i tek autoritetet vendore është thënë nga këta të fundit se nuk përbën ndonjë sfidë, pasi këto institucione tashmë janë të gatshme të funksionojnë të pavarura dhe pa ndikime politike.

Ndërkohë nga Prokuroria Speciale e kanë konfirmuar për lajmiN se kanë filluar të merren me të gjitha lëndët e transferuara.

“Po është duke u marrë dhe me këto raste merren të gjithë prokurorët e kësaj prokurorie”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i PSRK-së.

Tutje, ai ka bërë të ditur se nga EULEX-i janë përcjell në Prokurorinë Speciale gjithsej 974 raste-dosje.

Misioni i EULEX-it kishte ardhur në Kosovë në vitin 2008, ai ishte krijuar për t’i ndihmuar institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë.
Ndërsa më 4 qershor të vitit 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dorëzoi tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën e përmbylli mandatin e misionit të EULEX-it.

Edhe Prokuroria Speciale paralajmëron grevë për pagat

Periskopi.com Lajme

Sindikata e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur sot një takim, në të cilin është kundërshtuar Draftligji për Pagat.

Në një komunikatë për media, Prokuroria ka vlerësuar se ky ligj është diskriminues për stafin si dhe bie ndesh me parimet e marrëdhënies kontraktueale.

”Prandaj stafi mbështetës i PSRK-së kërkon që pagat e tyre të jenë ekuivalente me pagat e stafit mbështetës të Kuvendit të Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e punës në Prokurorinë Speciale, rrezikshmërinë dhe duke u bazuar në faktin se Gjyqësori është ekuivalent me legjislativin dhe ekzekutivin si pushtete të ndara, ashtu siç është përcaktuar ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”

 

Më poshtë njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

Në takimin e mbajtur më datë 01.02.2019 të Sindikatës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës –PSRK, si dhe me manaxhmentin e KPK-se, Ne stafi mbështetës i PSRK, shprehim shqetësimet tona serioze lidhur me Draft  Ligjin për Pagat. Referuar Draft Ligjit në fjalë, shihet se trajtimi i stafit mbështetës  të Prokurorisë Speciale dhe nuk është i drejtë, është diskriminues dhe bie ndesh me parimet baze te marrëdhënies kontraktuale, parimin e mos-diskriminimit, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare në lidhje me të drejtën për pagë të barabartë dhe të dinjitetshme.

Përveç tjerash, trajtimi i stafit të Prokurorisë Speciale me këtë Draft Ligj është denigrues dhe demotivues për funksionim normal të punës andaj nëse koeficienti për PSRK mbetet ashtu siç është në Draft Ligj, do të vihet në pikëpyetje të madhe një funksionimi efektiv dhe normal i kësaj Prokurorie.

Siç mund të shihet nga propozimi i fundit i draft Ligjit për paga, pothuajse të gjithë stafit mbështetës të Prokurorisë Speciale u janë zbritur pagat bazë deri në 50%, si dhe janë larguar të gjitha shtesat aktuale, duke përfshirë shtesën për përkrahje të prokurorisë Speciale për stimulim të luftimit të Korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër paga e paraparë në projektligjin e ri të propozuar për paga, do të rrezikoj ekzistencën sociale të stafit mbështetës në PSRK.

Prandaj stafi mbështetës i PSRK-së kërkon që pagat e tyre të jenë ekuivalente me pagat e stafit mbështetës të Kuvendit të Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e punës në Prokurorinë Speciale, rrezikshmërinë dhe duke u bazuar në faktin se Gjyqësori është ekuivalent me legjislativin dhe ekzekutivin si pushtete të ndara, ashtu siç është përcaktuar ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Të mos zbriten pagat e stafit mbështetës si dhe të përfshihen të gjitha shtesat aktuale në Ligjin e ri të pagave si pagë bazë.

Po ashtu, të tërhiqet ligji në fjalë nga procedimi për votim në Parlamentin e Kosovës, duke rishqyrtuar atë dhe përmirësuar konform kërkesave tona dhe parimeve baze të mos-diskriminimit, pagës së njëjtë për punën e njëjtë, duke u bazuar në rendësin e pozitës dhe vendeve të punës.

Ne besojmë ne qëndrime tuaja korrekte se misioni i drejtësisë është i pa prekshëm dhe as kush nuk ka te drejte te ndërhyje duke cenuar funksionalizimin tone si organ i pavarur. Mbesim me shpresë qe reagimi i jone do te gjej mirëkuptimin tuaj, njehërit do te parandalohet degradimi i sistemit prokurorial përmes ligjit te pagave, ose pozitat tona do te marrin vendin e merituar sipas koeficienteve ekuivalent me pozitat e pushteteve te tjera ne R. Kosovës.

Pa dëshirën tone, ne jemi te detyruar që me vullnetin tone organizativ se në rast kërkesa jonë nuk realizohet, do t`i përdorim mjetet tona sindikale dhe  atë “GREVEN” si mjetin me të rendë për realizmin e të drejtave tona duke filluar data 04.02.2019 ditë e Hanë, deri në  plotësimin e kërkesave tona të drejta.