Protestat për gurthyesin, kompania: Nuk po dëmtojmë varrezat dhe shpellën

Periskopi.com Lajme

Pas protestës së radhës së banorëve në fshatin Kusar të Gjakovës ku po kërkohet të ndalet gurthyesit në këtë zonë, ka reaguar edhe kompania që dëshiron të ndërtojë gurthyesin.

Kompania “Alko-H&S” ka thënë se është e pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të filluar aktivitetin.

“Bazuar ne ligjet dhe legjislacionin në fuqi, duke respektuar te gjitha standardet dhe kriteret përkatëse, kompania jonë ka aplikuar për ndërtimin e gurthyesit tek organet kompetente, konform ligjit dhe është pajisur me te gjithë dokumentacionin e nevojshëm për te filluar aktivitetin gjegjës”, thuhet në reagim.

Po ashtu, kjo kompani thotë se deri ma tash janë respektuar te gjitha procedurat legjislative dhe kriteret ne fuqi dhe për këtë janë dëshmitë e inspektorëve komunalë dhe qendrorë.

“Për zbatimin e tyre kohe pas kohe kanë qenë në punishte për te verifikuar , edhe inspektorë nga niveli lokal dhe qendror, të cilët me procesverbalet e tyre nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje. Aspak nuk qëndrojnë dizinformatat se me aktivitetin tonë po dëmtohen varrezat dhe shpella”, përfundon reagimi.