Kthehen zjarret në Australi, digjen mijëra hektarë pyje

Periskopi.com Lajme

Më shumë se 35 mijë hektarë pyje janë djegur të shtunën jo shumë larg kryeqytetit australian, Canberra, ndërsa zyrtarët u detyruan ta mbyllnin një autostradë të rëndësishme për shkak të rrezikut nga flakët.

Banorët e disa zonave përreth kryeqytetit u paralajmëruan nga autoritetet se tashmë është shumë vonë për t’u larguar dhe se duhet të përpiqen të kërkojnë strehim në këtë zonë, shkruan “BBC”.

Gjashtë zjarre afër rajonit New South Wales janë duke u përhapur në mënyrë të pakontrolluar, njoftuan zyrtarët, ndërsa meteorologët paralajmëruan mot të nxehtë dhe me erë gjatë fundjavës, duke e shtuar edhe më shumë rrezikun e përhapjes së flakëve.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, nga zjarret në vendin e largët kanë vdekur së paku 33 persona, janë shkatërruar mijëra shtëpi dhe janë djegur më shumë se 11 milionë hektarë sipërfaqe tokësore.

“Problemi që e kemi me zjarret është se ato vetë po i përcaktojnë kushtet e motit dhe bashkë me erën po forcohet intensiteti i flakëve”, tha komisionerja e shërbimeve emergjente, Georgeina Whelan.

Rreth 60 vatra të zjarrit po vazhdojnë të jenë aktive në rajonin New South Wales, ndërsa gjashtë prej tyre janë jashtë kontrollit.

 

Kapen prerësit ilegalë të pyjeve

Periskopi.com Lajme

Tetë persona janë ndaluar për prerje ilegale të pyejeve vetëm në rajonin e Ferizajt.

​Policia e rajonit të Ferizajt në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e pyjeve 2020” , ka ndaluar në dy ditët e fundit tetë persona lidhur me prerjen e pyjeve dhe transportimit ilegal të drunjve.

Me këtë rast janë konfiskuar edhe tetë mjete të ndryshme transporti si dhe  një sasi e drunjtëve, duke u transportuar në mënyrë ilegale, pa fletë përcjellje dhe të pa vulosura.

Lidhur me rastin janë informuar inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë – Agjencioni  Pyjor i Kosovës  të cilët kanë shqiptuar 8 fletëparaqitje për transportim ilegal të drunjve, si dhe kanë bërë konfiskimin e masës drunore.

Gjatë kontrollimit të dokumentacionit, ka rezultuar se të gjitha mjeteve transportuese iu kishte skaduar afati i regjistrimit dhe ndaj ngasësve janë shqiptuar tetë fletëparaqitje për kundërvajtje.

Vazhdon djegia e pyjeve

Periskopi.com Lajme

Katër raste të djegieve të pyjeve kanë ndodhur vetëm gjatë 24 orëve të fundit në qytete të ndryshme të Kosovës, duke dëmtuar kështu disa hektar pyje.

Sipas Policisë, është raportuar se në fshatin Mramor të Prishtinë, të dyshuar të panjohur i kanë vënë zjarrin pyllit.

Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet policor, zjarrfikësit dhe inspektorët komunal sipas ankuesit janë djegur afro 0.50 h mal. Nuk raportohet për të lënduar.

Djegie të pyjeve ka ndodhur edhe në fshatin Ribar i Madh të Lipjanit, ku raportohet se në rrethana të panjohura është përfshi nga zjarri një pjesë e pyllit pronë shoqërore.

Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa ekipi i zjarrfikësve është marrë me shuarjen e  zjarrit.

Ndërsa, në fshatin Turjakë të Pejës, është raportuar se nga të dyshuar të panjohur iu ka djegur një pjesë e pyllit.

Zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar as të arrestuar.

Kurse, në fshatin Burnik të Ferizajt, në rrethana të panjohura është përfshi nga zjarri një pjesë e pyllit pronë shoqërore.

Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa ekipi i zjarrfikësve është marrë me shuarjen e zjarrit.

Gjithashtu ka qenë një rast i djegies së barit dhe shkurreve në Zveçan, ku janë përfshi nga zjarri 1.5 hektar.

Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin.

Brenda 10-15 viteve Kosova do të ketë 50 përqind të sipërfaqes së saj me pyje

Periskopi.com Lajme

Kosova deri më tani ka 45 përqind të sipërfaqes së saj të mbuluar me pyje dhe brenda 10 deri në 15 vite kjo sipërfaqe mund të arrihet në 50 përqind.

Kështu është thënë nga zyrtarë të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, gjatë aksionit për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura ne fshatin Llashticë të Komunës së Gjilanit.

Në ketë aksion ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se Kosova ka nevojë për pyllëzime dhe për një ambient më të mirë.

“Është shumë inkurajuese mbjellja e këtyre fidanëve të pishave për vetë faktin e ndikimit të tyre që e kanë në ambientin tonë, jetën tonë të përditshme. Kosova në raport me vendet e Bashkimit Evropian ka një situatë të mirë me pyje, por ajo çka na shqetëson të gjithëve është shikoni pjesa e ambientit, është diçka e cila është e papranueshme për vetë identitetin tonë hedhja e mbeturinave inerte dhe organike vend e pavend. Një apel, të paktën, po më vjen rëndë ta them po hedhja e mbeturinave inerte të mos bëhet në një hektar çdo 100 metër. Të paktën të mundohen ta hedhin edhe pse është e papranueshme edhe kjo hedhje e cila po ndodh, po jo ta shkatërrojnë të gjithë ambientin. Duhet të bëjmë edhe më shumë, por duhet të bëjnë edhe institucionet edhe qytetarët ta ruajmë jetën tonë”, tha Veseli

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, ka thënë se  këtë vit kanë planifikuar që t’i pyllëzojnë mbi 300 hektarë sipërfaqe të reja.

“Agjencia e Pyjeve të Kosovës këtë vit ka planifikuar mbi 300 hektarë sipërfaqe të reja t’i pyllëzojë. Ndërsa, këtu ku jemi ndodhemi në një sipërfaqe e cila është pyllëzuar vitet e mëparshme, do të thotë tri vite radhazi. Janë 20 hektarë që janë pyllëzuar në vitin 2012, ndërsa vitin e kaluar edhe 20 hektarë të tjerë. Tash kemi përpara vetës edhe 2 hektarë në mënyrë që të kompletohet kjo sipërfaqe me fidanë të reja. Përndryshe, Agjencia e Pyjeve të Kosovës për çdo vit ka një plan vjetor të pyllëzojë 400 deri në 500 hektarë brenda vitit dhe me siguri se vitet e ardhshme këto sipërfaqe do të shtohen edhe më shumë… Tani për tani jemi 45 përqind të sipërfaqeve të përgjithshme në Kosovë janë të mbuluara me pyje, ndërsa shumë afër jemi të arrijmë qëllimin prej 50 përqind që Kosovë t’i ketë mbulueshmëri pyjore. Kjo mund të arrihet me siguri brenda 10 deri në 15 vite”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, së bashku më zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës kanë mbjellë  fidanë të pishave në Llashticë të Gjilani.