Ndihmëstrajneri i Kosovës tregon se a do ftohen për ndeshjet e nëntorit Muriqi, Rashica dhe Rrahmani?

Periskopi.com Sporti

Nëntori pritet të jetë shumë i nxehtë për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll e cila zhvillon dy ndeshje kualifikuese me të cilat edhe e mbyll kampanjën në Ligën e Kombeve, derisa para tyre me 11 nëntor do të luajë një ndeshje miqësore-vëllazërore me Shqipërinë.

Sllovenia dhe Moldavia janë kundërshtarët e Kosovës në ndeshjen e Ligës së Kombeve, të cilat po priten me kërshëri për të parë nëse lojtarët e kanë tejkaluar presionin dhe dëshpërimin e madh që solli tetori kur u eliminuan në gjysmëfinale nga Maqedonia e Veriut dhe humbi në “Fadil Vokrri” nga Sllovenia për të barazuar më pas ndaj Greqisë në Athinë.

Ndihmëstrajneri i Kosovës Muharrem Sahiti, në një bisedë për “Zeri.info” ka thënë se të dielën Kosova e shpallë listën e ekipit derisa ka konfirmuar se në ekip rikthehen yjet si Vedat Muriqi, Amir Rahmani e Milot Rashica të cilët munguan në ndeshjet e tetorit.Image

“Të dielën shpallim listën. Ajo është e qartë por duhet të presim deri të dielën kur zhvillohet ndeshja e fundit në ligat evropiane për të parë gjendjen e lojtarëve nëse do të kemi ndonjë lëndim apo jo. Po shihet se ngarkesa e tyre është e madhe pasi kanë ndeshje vikend dhe mesjavë kështu që duhet ta presim ditën e diel për të parë nëse do të kemi ndonjë lëndim apo jo e shpresoj që jo”, ka thënë Sahiti për “Zeri.info”, duke konfirmuar se në listë do të jenë edhe yjet që munduan në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Po Rashica, Muriqi e Rrahmani janë në listë. Pra deri në këtë moment kur po flasim ata janë në listë por po e përsërisë duhet të presim deri në ndeshjet e fundit nëse po ndryshon diçka”, ka përfunduar Sahiti.