A duhet t’ju besojmë?

Ridvan Emini Op-Ed

Politika nëpërmjet derivacioneve të saj të quajtur parti politike, i qaset qytetarit në formën më të butë të mundshme, duke i ofruar ‘diçka’ në mënyrë që të marrë besimin e tyre. Kuptimet e këtij termi edhe pse përkojnë me shumë përdorime, nënkuptimet që marrin s’do mend se ndryshojnë  duke qenë të papërfillshme. Nëse thuhet ‘besoj se këta qeverisin më mirë’ dhe po ashtu nëse thuhet se ‘shpresoj se këta qeverisni më mirë’, në këtë kuptim, mund të thuhet se termi ‘besim’ në një kuptim mbart në vete një konotacion shumë më të fuqishëm se sa termi ‘shpresë’. Nëse këtë e përkthejmë në diskursin e partive politike, të cilat e kanë filluar fushatën parazgjedhore mbi këto dy koncepte, shohim se njohuritë e tyre nuk e kalojnë rrafshin e ‘njohurive sipërfaqësore’.

Gjatë fushatave zgjedhore apo edhe atyre parazgjedhore, subjektet apo partitë politike mbështeten për të ndërmarrë një veprim konkret për aq sa ai veprim i tyre është në përputhje të plotë me pritshmërinë e qytetarëve. Në mënyrë që kjo të ndodhë, subjektet politike duhet të ndërmarrin hapa që të krijohet kjo rrethanë e favorshme për të krijuar besimin. Këtu shumica e subjekteve politike e kanë bërë huqjen tashmë, sepse ato janë të varura më shumë tek koncepti i ‘shpresës’. Këtë e kanë bërë edhe kauzë të tyre politike, ndërsa nuk kanë arritur të shpërfaqin besimin në raport me qytetarin, pra, kjo vë në pah se edhe vet subjekteve politike u mungon besimi në kauzën e tyre, andaj edhe kanë marrë për bazë konceptin e shpresës. Kurse koncepti i ‘lidhjes’ i përdorur në fushatë parazgjedhore e ka edhe kuptimin e ‘ofrimit’ të subjektit politik për të krijuar mundësinë e krijimit të qeverisë pas procesit zgjedhor.

Fatumi i dikurshëm apo risku, do të jetë ai i cili do t’i përcjell subjektet politike përballë ofrimit të ‘diçkaje’ në këmbim të besimit të qytetarëve, pra, në këmbim të votës. Po ashtu, partitë politike të cilat do të arrijnë të marrin besimin e qytetarëve dhe që do të dinë ta përkthejnë atë në ‘marrje’ të pushtetit, pa dyshim se do të përcillen edhe nga një risk tjetër, ai i përmbylljes së temës së madhe, pra ta përmbyllin procesin e dialogut me Serbinë me njohje reciproke. Nuk është shpresa, por besimi ai i cili presupozon vetëdijen për rrethanat e riskut, ndërsa vetëbesimi nuk e gëzon këtë. Sikurse besimi, po ashtu edhe vetëbesimi, i referohen pritshmërive, ndërsa këto pritshmëri dinë të jenë zhgënjyese, por edhe shkatërruese.

Militantët partiak zakonisht kanë shumë vetëbesim, ndërsa qytetarët të cilët nuk janë të përfshirë direkt në politikëbërjen e partive politike apo nuk janë të përfshirë në aktivitetet e tyre, mund të kenë besim tek ndonjëri subjekt politik më shumë se sa tek tjetri, krejt kjo vije jo si rezultat i preferencave, por, si rezultat i reflektimeve të tyre në raport me atë se çfarë ofrojnë ato subjekte. Në këtë kontekst qytetarët mund të kenë besim në pritshmëritë e tyre të cilat nuk do të jenë zhgënjyese për ta.

Të paktën atë se çfarë mund të bëjnë qytetarët në këtë drejtim është, që të zvogëlohet rreziku i pritshmërive të tyre. Kjo do të thotë të ‘investohet’ me anë të votës në ato subjekte politike të cilat ofrojnë ‘besim’ në kauzën e tyre, e jo shpresë, sepse kjo nuk qon askund përveç në rrënim të pritshmërive të tyre.

Optimizmi është opium për masat

Ridvan Emini Op-Ed

Marrëveshjet ndërmjet palëve në tavolinat ku bëhen negociatat shpeshherë dinë të jenë të lehta, por shpeshherë dinë të jenë edhe të rënda, madje edhe të komplikohen deri në atë shkallë sa që i humbë kuptimi krejtësisht tendencës për arritjen e marrëveshjes. Debatet e pafundme rreth nxjerrjes së një rezultati nuk janë asgjë tjetër përveç teprime të cilat sjellin një lodhje krejtësisht të panevojshme dhe të mërzitshme, përveç rasteve kur ato bëhen me qëllime të caktuara.

Ishim të befasuar nga shpejtësia e koalicionit të krijuar në mes të AAK-së dhe PSD-së, koalicion ky i cili e hapi rrugën e krijimeve të koalicioneve të reja. Koalicioni pasues ishte ai në mes të NISMA-së dhe AKR-së. Më vonë u kuptua se PSD kishte ‘tradhtuar’ AKR-në meqë kishte bërë koalicion me AAK-në duke pasur një ‘marrëveshje’ paraprake me AKR-në, ndërsa asnjëherë nuk iu prezantua opinionit ajo marrëveshje, pra mbeti vetëm në nivelin e ‘thashethemeve’. Pra, mund të thuhet se kjo është thuajse krejtësisht relevante meqë të gjitha këto parti janë rreshtuar dhe kanë marrë udhë në drejtimet e tyre.

Nga ana tjetër kemi llafet e LVV-së, të cilat dolën të parat në publik për një koalicion të mundshëm me LDK-në. Filluan takimet në nivele të ndryshme që nga niveli i kryetarëve, po ashtu edhe të atyre të nënkryetarëve dhe në nivel të ekspertëve. Krejt këto filluan kur qeveria Haradinaj ishte në këmbë dhe këto dy parti ishin në opozitë. Këto takime vazhduan sërish edhe pas vetërrëzimit të qeverisë Haradinaj. Opinioni i gjerë mendonte se ka përafrime për krijimin e një koalicioni parazgjedhor në mes të LDK-së dhe LVV-së, sepse kështu u shprehnin përfaqësuesit e të dyja subjekteve politike. Por, në fakt nuk duket se ka përafrime sepse dallimet janë vënë në pah tashmë.

Shpallja e datës së zgjedhjeve bëri që këto dy parti të lëvizin drejt takimeve të menjëhershme për ta gjetur një kompromis. Nga takimet doli një dallim i madh mes tyre, se të dy subjektet nuk heqin dorë nga pozita e kryeministrit. Ishte LVV ajo e cila ‘përcaktonte’ se cilat pozita i rrinë më mirë LDK-së e cilat jo. Këto deklarime publike s’do mend se irrituan zyrtarët e LDK-së. Nga ana tjetër udhëheqësit e LVV-së ende këmbëngulin në ato deklarime, për më tepër gjithnjë duke dhënë ‘zgjidhje’ në dëm të partnerit të mundshëm të koalicionit.

Prerja cezariane për lindjen e koalicionit LDK-VV

Edhe pse takimet u shpeshtuan, rezultatet mbetën të njëjta, pra nuk ka koalicion në mes tyre ende, edhe kur jemi tashmë pak orë para përfundimit të afatit kohor për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore. Gjasat për të mos lindur ky koalicion duket se janë të mëdha, andaj edhe nëse ka lindje cezariane të koalicionit, fryti do të jetë i pa-jetë. Kjo si rezultat i ‘përafrimeve’ të mëdha në dialogun e stërzgjatur në mes tyre.

Kryeneçësia e LVV-së shumë lehtë mund të pamundësoj një koalicion parazgjedhor me LDK-në. Kjo kryeneçësi mund të lidhet edhe me mosgatishmërinë e tyre për të marrë në duar dhe në përgjegjësin e tyre procesin i cilin i pret po sa të përfundojnë zgjedhjet, pra procesin e negociatave përfundimtare me Serbinë. Taksa dhe dialogu janë një patate e nxehtë, andaj ata mund të jenë të zhurmshëm, por jo të gatshëm për të marrë në duar dhe në përgjegjësi një proces të tillë. Asnjëherë, LVV nuk ka pas gatishmëri të marrë në përgjegjësi procese apo të bashkohet rreth proceseve të mëdha për vendin.

Për fund, për përpjekjen e koalicionit LDK-LVV, na mbetet me lehtësi konstatimi i shkrimtarit çek Milan Kundera që ‘optimizmi është opium për masat’.

Sfida speciale: Hong Kongu/Grenlanda

Ridvan Emini Op-Ed

Zhbërja e “një Kinë me dy sisteme”

Nxitja për zhvillim më të hovshëm ekonomik ka shtyrë shtete kryesisht të Evropës për tu zgjeruar, me posedime të ndryshme territorial gjithandej botës. Shumë vite më vonë janë SHBA-të ato që bëjnë një zhvillim të tillë, por, nuk janë vetëm premisat ekonomike ato për administrimin e territoreve special, por janë edhe interesit politike, ushtarake si dhe ato të sigurisë. Ekzistimi i këtyre territoreve e ka bërë botën shumë më diverse dhe si të tilla ka ndikuar po ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shumë territore speciale mund të mos kenë ndonjë status aktual të stabilizuar, andaj ato në të shumtën e rasteve janë edhe subjekt i ndryshimeve duke avancuar apo degraduar pozitën e tyre.

Territoret speciale si Hong Kongu apo edhe Grenlanda janë krijuar si rezultat i periudhës së stërzgjatur historike të kolonizimit dhe dekolonizimit. Kjo nuk do të thotë se këto territore në pafundësi të trajtohen si koloni apo të ngjashme, sepse banorët e atyre territoreve pa dyshim se kanë një vullnet politik. Shkathtësitë diplomatike ishin ato të cilat krijuan marrëveshje të atilla që  krijuan pikërisht këto territore speciale, por jo vetëm ato, sepse ishte edhe forca politike e ushtarake ajo që solli në disa raste krijimin e atyre zonave apo territoreve të caktuara.

Njëri nga regjionet administrative speciale të Kinës, Hong Kongu tash e disa muaj është duke u përballur me protesta masive nga studentët por jo vetëm nga ta, ata po përkrahen edhe nga mësimdhënësit e tyre dhe mijëra qytetarë. Protestat pro demokracisë pa dyshim se janë shoqëruar me përleshje mes protestuesve dhe policisë. Qeveria në Pekin ka shprehur gatishmërinë që t’i shuaj ato protesta me një automatizëm duke intervenuar me forcat e saja ushtarake.

Ishte pikërisht projektligji i cili lejonte të dyshuarit të përballen me gjyq në territorin Kinës ai i cili nxiti tërë ato protesta, pa dyshim se ai projektligj u pezullua, ndërsa kërkesa e protestuesve ka avancuar tutje duke kërkuar dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lam si dhe shpërbërjen e legjislaturës aktuale dhe po ashtu, një hetim të plotë rreth përdorimit të forcës së shfrenuar nga ana e policisë kundrejt protestuesve. Epiqendra e grumbullimit të forcave ushtarake kineze është bërë qyteti i Senzhenit i cili ndodhet në periferi të Hong Kongut e që realisht mes këtyre dy vendeve ndodhet kufiri administrativ. Pavarësisht se a do të intervenoj apo jo Kina në Hong Kong, ajo është duke e dërguar mesazhin edhe tek qytetarët e Hong Kongut por edhe tek faktorët ndërkombëtar se ky territor pavarësisht specifikave që ka si rezultat i pranim-dorëzimit të tij, nga ana e Britanisë së Madhe, tashmë konsiderohet si pjesë e Kinës, dhe se regjimi kinez herët a vonë do të shtrijë ndikimin e vet edhe në këtë territor.

Ajo që do të mund të prodhonte ndërhyrja eventuale e Kinës në Hong Kong është përfundimi i asaj që njihet si “Një Kinë me dy sisteme”, po ashtu edhe pesha ekonomike të cilën e ka Hong Kongu në marrëdhëniet ndërkombëtare do të zhbëhej thuajse tërësisht apo do të vihej në limitet e saja. Po ashtu, edhe të gjithë ata të cilët Kina përkatësisht Partia Komuniste i ka pasur kundërshtar politik, rrjedhimisht armiq të saj e që janë “fshehur” në Hong Kong do të arrestoheshin apo edhe do të ekzekutoheshin. Bota Perëndimore veçanërisht SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian, do të jenë të paafta të ndërmarrin diçka konkrete në këtë drejtim sepse të gjitha veprimet e mundshme do të mbesin vetëm në nivel të deklaratave, konferencave apo të sanksioneve ekonomike e ushtarake karshi Kinës së madhe. Ndërsa, Hong Kongu do të bëhej një vend nëse mund të themi i aneksuar ashtu sikurse Krimea e aneksuar nga ana e Rusisë. Për të mos ardhur deri te kjo, një paralajmërim të ‘butë’ e ka dhënë edhe president Donald Trump, duke e sugjeruar presidentin kinez Xi Jinping që të takohet me protestuesit dhe të gjejnë një zgjidhje.

Evropa ishullore në kontinentin e Amerikës Veriore

Pak ditë më parë u riaktualizua ideja e blerjes së Grenlandës nga ana e SHBA-ve, ide kjo qysh nga viti 1946 ose thënë ndryshe ide e krijuar mes viteve 1941-1946 kur Grenlanda ishte vënë nën kontrollin ushtarak të SHBA-ve. Sikurse tani edhe asokohe oferta për blerjen e ishullit nga SHBA ishte refuzuar nga qeveria daneze. Riaktualizimi i idesë së blerjes së Grenlandës vije në prag të një momentumi politik i cili pritet të ndodh në vitin 2021. Qeveria daneze me tu riaktualizua ideja e blerjes së ishullit, kishte thënë se kjo ide është një çmenduri, si rezultat i kësaj deklarate, presidentit Donald Trump anuloi vizitën në Kopenhagën, vizitë kjo e paraparë të ndodh në fillim të shtatorit. Ky veprimi i presidentit Trump tregon seriozitetin e synimeve amerikane ndaj ishullit.

E drejta ndërkombëtare banorët e Grenlandës i njeh si popull në veti, andaj ambicia politike për pavarësi nga Danimarka shprehet thuajse nga të gjitha partitë politike. Një Grenlandë potencialisht e pavarur do të ishte shteti i trembëdhjetë në botë për nga sipërfaqja gjeografike. Konsideroj se pavarësia e Grenlandës nuk do të mbetet vetëm çështje mes Mbretërisë daneze dhe grenlandezve, sepse aty pa dyshim do të ketë ndikim konotacioni i përgjithshëm (botëror) në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pse mund të ketë implikime nga faktorë ndërkombëtarë? Është pikërisht pozita gjeografike dhe rezervat e mëdha të akullit që posedon Grenlanda dhe si e tillë ka ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimet klimatike për tërë globin. Gjithashtu, pozita gjeopolitike e ishullit ka një rëndësi të madhe andaj një Grenlandë eventualisht e pavarur me një popullsi të vogël e me ndikim kaq të madh pa dyshim se do të jetë një shënjestër nga superfuqitë e mëdha.

Pra, interesimi i SHBA-ve për blerje të ishullit është interesim me karakter politik, ushtarak dhe gjeostrategjik. Këtë më së miri e dëshmon edhe vetë baza amerikane e vendosur në Tule që nga viti 1950. Andaj, nëse nuk gjendet ndonjë marrëveshje eventuale mes SHBA-ve dhe Mbretërisë Daneze për ishullin tani, pa dyshim se pas vitit 2021 do të ketë mundësi që të realizohet një marrëveshje mes grenlandezve dhe SHBA-ve. Kësaj radhe qeveria amerikane duket se është më e vendosur se kurrë në kërkesën e vet për një marrëveshje për ishullin sepse baza ushtarake në Tule duket se duhet të zgjerohet që t’i bëjë ballë sfidave të sigurisë globale.

(Ridvan Emini është studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë)