Gattuso nuk i përmban dot lotët pas fitores së Napolit: ‘Fitoren ia dedikoj motrës së vdekur’

Periskopi.com Sporti

Rino Gattuso shpërtheu nga emocionet për arritjen e finales së Kupës së Italisë dhe nuk i përmbajti dot lotët në konferencën për shtyp.

“Dua të falenderoj gjithë botën e futbollit që më qendroi pranë – shpjegoi tekniku me lot në sy -. Ia dedikoj prindërve të mi e motrës sime me të cilën isha shumë i lidhur. Falenderoj lojtarët e mi”. Në lidhje me ndeshjen, ai i ka dalë në mbrojtje Ospinës, për golin e pësuar: “I dhuruam golin e parë, e pësuam si pulat. Nuk është faji i Ospina, por i pozicionimit të linjës së parë. Bëmë një ndeshje të mirë, por në pjesën e parë nuk zhvilluam lojën në mënyrën e duhur”.

Në lidhje me rinovimin: “Unë dua të jetoj të gjithë atë që po bëj në qetësi. Nuk jam një njeri që mendon vetëm për paratë. Më pëlqen të punoj me persona që më ndjekin e më vlerësojnë. Në këtë moment kam gjetur një shoqëri që më jep mundësinë të stërvis lojtarë shumë të mirë e dua të vazhdoj këtu. Pastaj një, dy, tre vjet nuk e di. Nëse nuk kam motiv, ju më njihni, kontratat nuk vlejnë fare, sepse kështu jam gatuar”.

Të mërkurën është finalja me Juven, kundër të cilës Gattuso ka humbur kur ishte me Milan. “Përballemi me një skuadër të mësuar të fitojë, formuar nga kampionë të mëdhenj, me një mentalitet fitues. Mund ta luajmë, por nevojitet një ndeshje e madhe për të fituar”.