Ambasadori Scott për takimin Pompeo-Vuçiq: Konfirmim i angazhimit të Amerikës

Periskopi.com Lajme

Takimi midis sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të ende të angazhuara bashkë me të gjithë liderët e Ballkanit të mbështesin sigurinë, stabilitetin dhe paqen rajonale.

Kështu e ka komentuar takimin e djeshëm Pompeo – Vuçiq,  ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, raporton Tanjug.

Nga ana e tij, zyrtari i lartë amerikan, Mike Pompeo ka deklaruar pas këtij takimi se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Një takim dreke produktiv me presidentin Vuçiq, rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe pranimit të Serbisë në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën, do të forcojë stabilitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”, ka shkruar ai në rrjetet sociale pas takimit.

Ndërkaq, kreu i shtetit serb ka deklaruar se e kanë mbështetjen e Amerikës për heqjen e taksës së vendosur nga autoritetet kosovare në nëntor të vitit të shkuar.