Për tre muaj sekuestrohen rreth 100 asete në vlerë 4 milionë euro

Periskopi.com Lajme

Përkundër sekuestrimit të rreth 100 aseteve në vlerë prej rreth 4 milionë euro, vazhdon të mbetet sfiduese çështja e konfiskimit me vendime përfundimtare të gjykatave.

Kështu bëri të ditur drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku është prezantuar raporti tremujor (prill-qershor 2019) për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe është vazhduar me ngrirje dhe sekuestrim të pasurisë, ndonëse e pranoi se mbetet sfidë konfiskimi.

Sipas tij, është pozitive që ngrirjet dhe sekuestrimet të pasurisë kanë ndodhur për vepra të ndryshme penale, porse mbeten shqetësuese vendimet e papërfunduara të gjykatave që kanë të bëjnë me konfiskimin e thjeshtë.

Lidhur me veprat penale, Krasniqi tha se kërkojnë që të unifikohen procedurat e veprimit në rastet e kontrabandimit të mallrave dhe shpëlarjes së parave etj.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se për këtë mund të ketë një udhëzim të detyrueshëm nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nëse nuk ka unifikim në zbatimin e procedurave. Sipas tij, është duke u zvogëluar numri i rasteve që kanë të bëjnë me krime ekonomike.

E me këtë u pajtua edhe kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, për çka tha se nuk duhet të ekzistojë si rekomandim. Sa i përket çështjes së konfiskimit, Hyeseni tha se mbetet ende problem, teksa shtroi se sekuestrimi ka rezultate të mira ku të gjitha prokuroritë kanë vepruar. Krahas sekuestrimit që po arrihet me sukses, ai tha se po mungon konfiskimi, për çka shtoi se duhet të ketë një mekanizëm brenda gjykatave. Kështu, raporti pa rekomandime u votua me 8 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër.

Prokurorja Laura Pula ka prezantuar raportin janar – qershor 2019 të Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik. Për 6 mujorin e parë, në nivel vendi, Pula tha se kanë pranuar 21 kallëzime penale për korrupsion më pak se paraprakisht.

Sa i përket krimeve ekonomike, ajo bëri të ditur se i kanë trashëguar 402 lëndë nga viti 2018, ndërsa kanë marrë 193 raste të reja, prej të cilave tha se i kanë proceduar 213, ndërsa kanë mbetur edhe 384 raste. Ajo tha se kanë kryer 110.36 për qind të rasteve të krimeve ekonomike në nivel vendi, ndërsa me persona, ajo tha se janë proceduar  95.90 për qind të rasteve.

I pakënaqur me perfomancën e prokurorëve ishte zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli, i cili vlerësoi se numri i lëndëve të kryera është shumë i vogël.

Ai tha se korrupsioni është i njëjtë gjithandej, porse prokurorë në qytete të ndryshme nuk po i kryejnë lëndët. Ndërsa kryeprokurori Lumezi tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë i trajton rastet më të ndërlikuara, porse kjo nuk arsyeton numrin e vogël të lëndëve të zgjidhura.

Ndonëse u votuan të dy raportet, kryesuesi Hyseni kërkoi që në mbledhjen e radhës të sillet një raport, ku janë të paraqitura lëndët që prokuroritë janë të ngarkuara t’i kryejnë.

Sekuestrohen 1.6 ton drogë në Greqi që kishte destinacion Kinën

Periskopi.com Lajme

Njësia e Krimit Financiar ne Greqi ka zbuluar sasinë më të madhe të drogës që është konfiskuar ndonjëherë në vend në bashkëpunim me policinë greke dhe autoritetet portuale.

Sasia e kapur prej 1,6 ton, me më shumë se 10 milionë pilula droge të njohura me emrin captagon, ka qenë e fshehur në kontenierë që vinin nga Latakia e Sirisë dhe pas një ndalese në portin e Pireut kishin destinacion Kinën.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturat pilulat e xhihadistëve, të cilat përmbajnë substancën captagon, një derivat i amphetamines.

Ato janë përdorur në vitet e fundit nga militantët xhihadistë pasi këto hapje i shndërronin ata, në makineri vrasëse të paskrupullta.

Përdorimi i tyre shkakton rritjen e ndjesisë së fuqisë së muskujve, të dëshirës seksuale, stimulim të euforisë dhe agresionit dhe mungesë të nevojës për gjumë dhe ushqim. Pilulat janë gjetur ne 20 paleta prej druri te fshehura ne tre kontejnerë ndërsa pitet të hapen edhe dy kontejnerë të tjerë me 40 paleta të tjera.

Siç vlerësohet nga organet greke, pilulat do të përfundonin përsëri tek militantet e Shtetit Islamik. Në pesë vitet e fundit në Greqi janë zbuluar disa herë sasi të mëdha me pilulat e xhihadisteve, ndërsa para dy vitesh u gjet në afërsi të Pireut edhe punishtja që i prodhonte./Top Channel