Edhe pas deklaratës së amerikanëve, Qeveria në detyrë vazhdon ta përmend rrezikun e shkëmbimit të territoreve

Periskopi.com Lajme

Qeveria në detyrë e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së zyrtarëve amerikanë, në të cilët thuhet se s’ka plan sekret për shkëmbim territoresh.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, ZKM’ja thotë se kjo paraqet një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë, por se për ta mbeten kërcënim “thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit)”.

“Kjo paraqet një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë. Por, për ne thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit, razgraničenje, etj.) vazhdojnë të jenë kërcënim, dhe që nga gushti i vitit 2018, ato janë përsëritur nga dy presidentët të cilët kanë vendosur lidhje të shkurtër me njëri-tjetrin pa ndërmjetësim ndërkombëtar, thuhet në komunikatë.

Sa i përket tarifës, thuhet se me heqjen e tarifës për lëndën e parë është bërë një hap i rëndësishëm, derisa për dialogun thuhet se duhet të udhëhiqet nga Qeveria.

“Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga Qeveria, përkatësisht Kryeministri i Republikës së Kosovës, sipas parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dialogu duhet të rifillojë i përgatitur mirë, të ketë qëllim njohjen e ndërsjelltë si dy shtete sovrane dhe me integritet territorial, për marrëveshje të qëndrueshme si garant për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe paqe e siguri në rajon”, thuhet në komunikatë.

Analisti amerikan: Shtëpia e Bardhë beson se Grenell do ta bindë Gjermaninë për shkëmbim territoresh

Periskopi.com Intervista

Analisti amerikan, Edward Joseph, thotë se me emërimin e Richard Grenellit të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Shtëpia e Bardhë beson se mund ta bindë Gjermaninë që të mbështesë idenë e përfolur më herët për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell, së bashku me të dërguarin tjetër amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, qëndrojnë të mërkurën në Kosovë. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Joseph flet edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilin e cilëson si goditje ndaj presidentit Hashim Thaçi, për sfidat e menjëhershme të qeverisë së re e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, si e shihni përfshirjen gjithnjë e më të intensifikuar të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi?

Edward Joseph: Është edhe pozitive, edhe shqetësuese. Pozitive, sepse secila administratë amerikane që tregon interesim intensiv në Ballkan, është një gjë e mirë. Janë bërë disa vite që SHBA-ja e ka distancuar veten nga Ballkani dhe e ka zbritur (atë rajon) nga prioritetet e saj. Por, kjo çështje (dialogu) qartazi kërkon angazhim të nivelit të lartë, në mënyrë që edhe Kosova, edhe Serbia të bëjnë përparim. Në të njëjtën kohë është e çuditshme dhe shqetësuese. Përse ambasadori (Richard) Grenell është emëruar (në pozitën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi) kur Matthew Palmer është zgjedhur së voni në pozitën e të dërguarit të posaçëm (për Ballkanin)? Palmer natyrisht ka përvojë të gjatë në rajon, ndërsa ambasadori Grenell ka punuar në Kombet e Bashkuara, ka njohuri për rajonin, por jo në të njëjtin nivel. Është një gjë e mirë që Shtëpia e Bardhë, në kohën e shumë krizave të tjera, është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por, në anën tjetër, është e çuditshme dhe mbetet të shihet se çfarë do të thotë për politikën amerikane në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk është një gjë e zakonshme që të ketë dy të dërguar?

Edward Joseph: Është e pazakonshme, sidomos kur keni një emisar të sapoemëruar dhe pastaj emëroni edhe një tjetër. Krijon vërtet konfuzion. Por, në anën tjetër, nuk është krejt keq. Grenell është ambasador në Gjermani dhe, megjithëse ka pasur mosmarrëveshje atje, ai është i vetëdijshëm për shqetësimin e Gjermanisë në lidhje me politikën që ka ngritur ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, e cila duket se është në favor të shkëmbimit të territoreve (midis Kosovës dhe Serbisë). Është e mundshme që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë. Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues.

Radio Evropa e Lirë: Cili është disponimi në SHBA?

Edward Joseph: Disponimi në SHBA nuk është i lidhur me çështjet në Ballkan. Nëse shikojmë në aspektin ndërkombëtar, SHBA-ja është e përqendruar tash për tash në tërheqjen e trupave nga Siria, në mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Iranin dhe, mes tjerash, në konfliktin tregtar me Kinën. Nuk ka disponim në SHBA për Ballkanin. Ata që e ndjekin këtë çështje janë të shqetësuar dhe në konfuzion me emërimin e ambasadorit Grenell. Ata që mendojnë se emërimi i tij mund të reflektojë qasjen e Boltonit drejt ndarjes së Kosovës – që natyrisht se do të krijonte shumë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje dhe brenda vetë Kosovës… për ne që mendojmë kështu, (emërimi i tij) nuk na jep shumë siguri.

Radio Evropa e Lirë: Po si e sheh zgjidhjen SHBA-ja për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi?

Edward Joseph: Kjo është një pyetje politike, së cilës nuk ia dimë përgjigjen, por duhet t’i lexojmë sinjalet. Kur John Bolton ka qenë këshilltar për siguri kombëtare, unë mendoj se ka pasur mbështetje për idenë – të favorizuar edhe nga (shefja e politikës së jashtme të BE-së) Federica Mogherini – për shkëmbim territoresh, për një lloj ndarjeje të Kosovës, me sa duket në veri, në lumin Ibër, ku katër komunat veriore do t’i kalonin Serbisë dhe një pjesë e padefinuar e jugut të Serbisë, që është Lugina e Preshevës, do t’i kalonte Kosovës. Duket se këtë e kanë diskutuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për disa muaj. Mogherini e ka mbështetur këtë, por të gjithë e dimë se (kancelarja gjermane) Angela Merkel e ka kundërshtuar fuqishëm, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të rajonit që do të ndikoheshin drejtpërdrejt. Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka përsëritur vazhdimisht kundërshtimet ndaj kësaj ideje. Në një rast, ai e ka cilësuar atë si idenë më të pamend që ka dëgjuar. Mali i Zi është shprehur i shqetësuar për këtë ide, Bosnja po ashtu, e mos të flas për shumë paqartësitë rreth mënyrës se si do të zbatohej ajo në Kosovë. Me gjasë do të kishte lëvizje masive të popullsisë serbe që jeton në jug të Ibrit. Ajo vë në pyetje edhe lokacionet fetare serbe në Deçan, Graçanicë… Të gjitha këto kanë mbetur pa përgjigjet e atyre si Mogherini dhe zyrtarët amerikanë të kohës së Boltonit. Ata nuk e kanë shpjeguar se si do të adresohej kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Të dërguarin e tij për dialogun Kosovë-Serbi pritet ta emërojë edhe Bashkimi Evropian. A nuk do të bëhet, ta quaj, pak tollovi?

Edward Joseph: Ata do të duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka dyshim për këtë, sepse SHBA-ja vetëm nuk mund t’i drejtojë palët drejt një marrëveshjeje. E përsëris, kjo mund të jetë një arsye për emërimin e ambasadorit Grenell, sepse kundërshtimet e Merkelit kanë qenë të dëmshme për qasjen e Mogherinit dhe të Boltonit dhe të Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.

“Zgjedhjet e dobësuan pozicionin e Thaçit në bisedime”

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë për dialogun me Serbinë?

Edward Joseph: Në njërën anë është goditje e qartë ndaj presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi. Nuk ka dyshim për këtë. Ideja se ai mund të ketë mandat nga votuesit e Kosovës për të ndjekur rrugën e tij – së bashku me presidentin e Serbisë (Aleksandar) Vuçiq – për ndarjen e Kosovës, qartazi nuk ekziston. Në anën tjetër, mund të ndodhë që Albin Kurti i Vetëvendosjes bëhet kryeministër. Edhe qasja e tij është e përzier, sepse ai, me vite, ka këmbëngulur në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai nuk do që Kosova të jetë një shtet i pavarur, por të bashkohet me Shqipërinë. Kjo do të bëhej e mundur me shkëmbim territoresh. Kurti po ashtu ka thënë se është kundër dorëzimit të ndonjë territori te serbët. E ka thënë këtë disa herë, por duhet të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Ku do të çonte një gjë e tillë?

Edward Joseph: Nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendoj unë, apo të tjerët që kanë punuar me vite në Ballkan. Me rëndësi është ajo që e mendojnë ata që do të prekeshin nga këto vendime (të mundshme për shkëmbim territoresh). Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vazhdimisht ka paralajmëruar për pasojat e vendimeve të tilla. Ato do të vinin në pyetje edhe vetë kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Pastaj, çfarë në lidhje me Malin e Zi, me pakicën e tij shqiptare? Nëse komuniteti ndërkombëtar do ta pranonte precedentin e ndarjes etnike territoriale, atëherë përse Millorad Dodik nuk do të vazhdonte me fushatën – ndoshta edhe në mënyrë më të rrezikshme – për ndarjen e Republika Sërpskës?

Radio Evropa e Lirë: Pra, si e shihni ju rrjedhën e mëtejshme të dialogut me Serbinë? Deri më tash kjo ka qenë një çështje më tepër midis dy presidentëve…

Edward Joseph: Pozicioni i Thaçit është dobësuar tani. Ai nuk mund t’i udhëheqë më negociatat, në mënyrë të besueshme, si individ, pa konsultime me kryeministrin. Nëse përpiqet ta bëjë këtë, nuk do të ketë kredibilitet në Kosovë. Çdo marrëveshje që mund ta arrijë, do të jetë përçarëse dhe do të jetë pyetje serioze nëse kosovarët do ta pranojnë. Nëse Albin Kurti është kryeministër, nuk kam dyshim se ai do të jetë tërësisht i përfshirë në këto bisedime, së bashku me presidentin Thaçi, i cili, e përsëris, është dobësuar nga zgjedhjet, sepse partia e tij ka kaluar shumë dobët.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jospeh, a prisni që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të bëjnë koalicion për bashkëqeverisje?

Edward Joseph: Ato janë shumë të ndryshme. Por, një gjë të tillë e kemi parë në shumë vende me demokraci parlamentare, edhe pse këtu në Shtetet e Bashkuara nuk kemi. Në shumë vende të tjera, në politikë bëhen partnerë të çuditshëm. Andaj, gjithçka është e mundur. Aritmetika ekziston. Çështja kryesore natyrisht është se kush do të jetë kryeministër. Por, nëse pajtohen për koalicion, do të thotë se e kuptojnë mirë rëndësinë e kësaj çështjeje, ashtu si edhe të trajtimit të korrupsionit dhe të çështjeve ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Sapo përmendet çështjen e korrupsionit, të ekonomisë…Janë bërë shumë premtime për luftimin e korrupsionit e të papunësisë. A mund t’i realizojnë ato partitë fituese?

Edward Joseph: Albin Kurti duhet t’i realizojë, sepse, nëse nuk i realizon, ai nuk ka besueshmëri. Këto janë çështje mbi të cilat e ka ndërtuar emrin e Vetëvendosjes. Kjo nuk është thjesht një parti tjetër e Kosovës, është një parti që e ka bërë luftën kundër korrupsionit çështje thelbësore. Jo LDK-ja, por Vetëvendosja, nën udhëheqjen e Albin Kurtit. Andaj, Vetëvendosja duhet ta realizojë këtë (zotim), në të kundërtën do të përballet me pasoja serioze në zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat e menjëhershme të partive fituese?

Edward Joseph: Sfidë e menjëhershme është formimi i qeverisë natyrisht dhe veprimi i shpejtë për të fituar besimin e popullsisë. Qeveria (e re) në Kosovë duhet të dëshmojë shpejt se është vërtet e ndryshme nga paraardhëset e saj dhe se është vërtet e angazhuar për çrrënjosjen e korrupsionit dhe të politikës së shfrytëzimit të pushtetit qeveritar për të emëruar miq dhe të afërm në pozita të larta. Duhet të veprojë shpejt dhe t’iu dëshmojë votuesve se kjo është një qeveri ndryshe, që e dëgjon popullin dhe u përgjigjet shqetësimeve të tij për korrupsionin. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, së bashku me presidentin Thaçi, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për kundërshtimin që i bën Beogradi pavarësisë së Kosovës/REL.

Derisa këshilltarët e tij mbajnë takime të fshehta për Asociacionin, Haradinaj diskuton për shkëmbim territoresh me Lajçakun

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm është takuar me ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë Miroslav Lajçak.

Ka thënë se me të ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, gjithashtu, thotë ta ketë falënderuar për qëndrimin e tij kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë.

“Mëngjes pune me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë njëherësh edhe kryesues i OSBE-së, Miroslav Lajćak, me të cilin diskutuam për marrëdhëniet bilaterale e politike mes dyja vendeve, bashkëpunimin me Misionin e OSBE-së në Kosovë si dhe forcimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, veçanërisht në rrugën e përbashkët euro-atlantike. E falënderova Ministrin Lajćak për qëndrimin e tij të qartë kundër shkëmbimit të territoreve dhe theksova se njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Sllovakia, është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e stabilitetin e gjithë rajonit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkohë dje u raportua për një takim të fshehtë që këshilltarët e Haradinajt e kanë mbajtur me Marko Gjuriqin dhe përfaqësues të BE’se për çështjen e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

S’votohet rezoluta që e ndalon angazhimin e Thaçit për shkëmbim territoresh

Periskopi.com Lajme

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta votojë rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun me Serbinë.

Si pasojë e mungesës së  votave nuk u votua as propozim-rezoluta nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Editorial: Moment ideal për t’i dhënë fund problemit shqiptaro –serb

Periskopi Editoriale

Çka e bën këtë vit “moment ideal për t’i dhënë fund problemit shqiptaro –serb” dhe a e kuptojnë vendimmarrësit në Beograd dhe Prishtinë seriozitetin dhe rëndësinë e problemit?

Dje, Delegacioni i Departamentit Amerikan të Shtetit ishte në Beograd, ndërsa sot erdhi në Prishtinë. Qëllimi i tyre është i qartë: t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë rivalitetit më të rrezikshëm në këtë kënd të Evropës – atij mes shqiptarëve dhe serbëve. Nëse për një moment e zbërthejmë elegancën e gjuhës diplomatike, nuk do shumë mend se mesazhi që ata përpiqen t’ua përcjellin liderëve të Beogradit dhe Prishtinës, thënë brutalisht, mund të përmblidhet në tri fjali:

Veriu i Kosovës sot është për Kosovën si Kosova që ishte dikur për Serbinë. Një pjesë e territorit, e banuar kryekëput me serbë që nuk dëshiron të jetë pjesë e Kosovës, mbi të cilin autoritetet e Prishtinës nuk kanë kontroll dhe e mira prej të mirave kishte me qenë që sa më parë të gjendet një zgjidhje;

Shqipëria Etnike dhe Serbia Etnike [Mos t’i quajmë të mëdha] nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, dhe

Koha për t’i dhanë fund këtij kapitulli të historisë suaj është tani. Por, koha nuk është e pakufizuar: andaj, juve liderëve politikë ndoshta edhe nuk ju ngutet, mirëpo amerikanëve dhe popujve tuaj po. Edhe atë, shumë.

Pse mu tani?

Çka e bën këtë vit “moment ideal për t’i dhënë fund problemit shqiptaro –serb” dhe a e kuptojnë vendimmarrësit në Beograd dhe Prishtinë seriozitetin dhe rëndësinë e problemit?

Shikuar historikisht, serbët kanë qenë gjithnjë pala me apetit agresiv të madh dhe kanë dëshmuar gatishmëri për sakrifica të mëdha që përkufizohen me jo-racionalitet [Lufta e Parë Botërore] për të ndërtuar shtet sa më të madh dhe sa më të fuqishëm.

Gjithashtu, ata kanë shfrytëzuar me mjeshtri shkatërrimin e rendeve të mëdha shtetërore ose ideologjike që kanë sunduar këto anë, si: Perandoria Osmane, ajo Habsburge  dhe rajhu i tretë. Dhe, pas çdo tërheqje të të mëdhenjve, ata kanë dalë me më tepër territor dhe ndikim – sidomos në dëm të shqiptarëve. Kjo, deri në shkatërrimit e rendit të fundit të madh – Luftës së Ftoftë.

Të pavendosur se kah t’ia mbajnë, të udhëhequr jashtëzakonisht keq dhe të përçarë në vija ideologjike – 20 vite pas rënies së Murit të Berlinit, gjatë të cilit përjetuan tkurrje territoriale dhe ekonomike, demoralizim dhe izolim ndërkombëtar – serbët janë duke rrëshqitur rrezikshëm drejt statusit të irelevancës, madje edhe në suaza regjionale.

Lajmi i mirë për Serbinë është që elita e tyre politike duket se e ‘ka kuptuar filmin’ më në fund.

Sot, në Beograd, politikanët shumë më pak i dëgjojnë akademikët senilë dhe vazet e priftërinjve dhe shumë më tepër fishkëllimën e zorrëve të qytetarëve.

Kur në Beograd thonë zëshëm dhe publikisht se “Nuk kemi çare pa e zgjidh problemin me shqiptarët” dhe “pa e zgjidhur çështjen me Kosovën nuk mund të hyjmë në Evropë” është dëshmi se sipas të gjitha gjasave në Beograd ka arritur zëri i arsyes.

Kjo valë e re në rezonimin dhe qasjen në politikën zyrtare në Beograd, tashmë po shihet dhe po dëgjohet qartazi në çdo deklarim publik, andaj nuk ka mbetur pa u vrenjtur edhe nga Uashingtoni.

Administrata amerikane për dallim prej evropianëve nuk i lëshon mundësitë e krijuara dhe si pasojë ‘Pax amerikana’ po përsëritet në Evropë, kushedi për të satën herë. Për ne shqiptarët që zakonisht kemi përfituar prej iniciativave amerikane pasi kemi qenë viktima, kësaj radhe duket se është pak më ndryshe: kësaj radhe serbët i kanë tanket nëpër garazhe dhe nuk kanë përpiluar rezolutë me kushte obligative ende pa filluar bisedimet.

Lista serbe e dëshirave

Përkundër dallimeve semantike, shumica në Beograd  tani kërkon që t’i jepet fund telashit më të madh – atij me shqiptarët. E këtu fillon semantika: atë që në Prishtinë disa po e quajnë “ndarje të Kosovës”, ndërsa në Beograd i thonë “razgranicenje sa allbancima”.

Për serbët, përkufizimi mes dy popujve është përkufizim mes dy popujve. Në këtë rast, përkufizim i serbëve dhe shqiptarëve në nivel shtetëror, dhe jo vizatim i kufirit të shtetit të Kosovës. Deri vonë kjo ka qenë pengesa kryesore për zhvillimin e çfarëdo dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Për serbët deri vonë, çështjet e mëdha siç është kufiri mes dy popujve do duhej të bisedoheshin vetëm me ata që i konsideronin të denjë: ajo ishte dhe është ende Tirana. Disa herë, zyrtarët serbë publikisht kanë deklaruar mes rreshtash se prapa dyerve të mbyllura të takimeve kanë insistuar se “nuk kanë asgjë kundër Shqipërisë Etnike”, por shumë më vështirë e kanë të kapërdijnë faktin për ekzistimin e dy shteteve shqiptare.

Sidoqoftë [është koha të thuhet publikisht kjo gjë], hapi më i madh drejt pranimit të Prishtinës si partner në fazën e bisedimeve në Bruksel u arrit gjatë vizitave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës në Beograd dhe aktiviteteve vijuese të diplomacisë shqiptare. Siç thonë diplomatët perëndimorë “shembull i rrallë dhe shumë shpresëdhënës, në suaza të Ballkanit, i iniciativave të suksesshme, pa ndërmjetësimin e fuqive”.

Nëpër kuloare ende qarkullon një dromcë e pakonfirmuar nga bisedat mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit, ku ky i fundit i thotë Edit: “kam drojën se ata [kosovarët] as ty nuk kanë me të dëgjuar për çdo gjë”. Dhe thuhet se pas refuzimit për heqjen e taksës, Vuçiq ia kishte përkujtuar dikujt bisedën me Edi Ramën.

PRISHTINA

Kësaj vale të re nga Beogradi, Prishtina deri më tani i është përgjigjur me emocione mikse. Përkundër përshtypjes së krijuar, taksa 100 për qind për produktet serbe nuk është problemi më i madh, e as që renditet shumë lartë në listën e problemeve [për shkak se kur amerikanët të vendosin që ajo të hiqet me të vërtet, ajo do të hiqet dhe ditën e pezullimit të saj besoj që do ta mësojmë sot]. Andaj, është mirë që sa i përket çështjes së kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë – apo si po i thonë në Prishtinë kufirit shqiptaro – serb – është mirë t’i sqarohen opinionit disa gjëra.

Ku ta fillojmë këtë pjesë?

Në Kosovë, duke filluar prej gjysmës së vitit të shkuar – kryesisht për nevoja të politikës së brendshme ditore – është fryrë dhe demonizuar përtej mase togfjalëshi “ndarje e Kosovës”. Politikanë praktikantë, të ndihmuar edhe  nga burokratët evropianë, herë me patetikë patriotike e herë me parashikime apokaliptike për pasojat e ‘ndarjes’ , përpiqen të shtrembërojnë realitetin se bëhet fjalë për këmbim territoresh ose si thonë shumë diplomatë “për përditësim të një kufiri që është vendosur me luftë”.

Evropianët – gjithnjë duke harruar se kufijtë e stërkequr ballkanik janë pikësëpari pasojë e budallallëqeve dhe politikës së tyre klienteliste karshi ballkanasve – ende nuk pandehin që të pranojnë që ballkanasit vetë t’i saktësojnë kufijtë e tyre, nëse bëhet pa dhunë e pa presion.

Por, kjo ‘ndarja’ nuk është ndarje, por shkëmbim. E duke marrë parasysh volumin e shkëmbimit, ma tepër i shkon fjala saktësim i kufirit. Pra, nëse palët dakordohen, Kosova do të jap, por edhe do të marrë territor. Do të jap territor prej të cilit nuk vjel taksa, territor në të cilin fjala ‘sundim i ligjit’ është vetëm ide, territor nga i cili dëmet nga kontrabanda askush nuk është në gjendje t’i llogarisë, territori nga i cili nuk paguhen as faturat e rrymës – apo thënë në saktë, faturat e të cilëve i paguan pjesa tjetër e qytetarëve – dhe territor nga i cili delegohen përfaqësues që paguhen nga buxheti i Kosovës, por që nuk kanë kurrfarë përgjegjësie ndaj Kushtetutës së Kosovës [Cit. Këto janë vetëm një përzgjedhjeve e vogël e problemeve të Veriut të Mitrovicës].

Pra, pjesa e territorit të Kosovës, e cila është në tavolinë për “Update” është e Kosovës vetëm në letër. Bëhet fjalë për anën e majtë të Lumit Ibër dhe askush në Kosovë, prej kryeministrit e teposhtë nuk e ka madje as idenë ma të vogël se çfarë dobie ka nga kjo pjesë Kosova, përveç telasheve të vazhdueshme, si dhe kur dhe si mundet që kjo pjesë së paku të duket si territor i integruar. E njëjta vlen edhe për këta të Brukselit, të cilëve duhet përkujtuar se për 20 vite rresht janë sorollatë me OSBE-ja dhe EULEX-a këndej pari pa arritur që të lëvizin një gur të vetëm prej vendit. Andaj, rendi është që tani të heshtin pak.

Kur bëhet fjalë për Liqenin e Ujmanit, puna qëndron ndryshe, kjo pasi Liqeni përmban asete pa të cilat Kosova nuk i duhet askujt. I gjithë thëngjilli i Kosovës nuk vlen as pesë pare, nëse uji nga Liqeni nuk shfrytëzohet në procesin e prodhimit të energjisë elektrike. Kosova nuk ka burim tjetër për këtë destinim, andaj mbetja e Liqenit nën kontrollin e Kosovës është çështje ekzistenciale.

Njohësit e këtij lloji të kontestit thonë se përveç kthimit të kontrollit fizik mbi sipërfaqen e Liqenit, zgjidhja afatgjate duhet të bëhet me marrëveshje trepalëshe për shfrytëzim dhe mbrojtje e jo për pronësi, në mes të Kosovës, e cila ka 90% të Liqenit, Serbisë me 10% dhe Malit të Zi  nga i cili vjen e tërë sasia e ujit. Malazezët na kanë pak borxh andej kah malet, dhe nga kjo perspektivë, Demarkacioni duket si investim jo edhe aq i keq.

Çka fiton Kosova me këtë përditësim, gabimisht të quajtur ndarje?

Padyshim se bisedimet për detajet e vijës kufitare nuk do të jenë të lehta rreth asaj se cilat pjesë të Serbisë do të hyjnë brenda Kosovës, por duke e njohur qëndrimin fetishist që kanë ballkanasit ndaj tokës, së pari si sasi e pastaj si kualitet, askush asnjëherë nuk ka përmendur proporcion ndër 1:1.

Pra, Kosova do të fitojë dhjetëra mijë tatimpagues dhe komuna që do të krijojnë të hyra për buxhetin, në këmbim për një shportë pa fund në aspektin financiar. Dikush me talent të vogël për llogaritje mund t’i llogarisë shumë lehtë sa euro më tepër në vit do të fitojë çdo qytetar i Kosovës. Më pas, Kosovës, por edhe Serbisë do t’u hiqet aura e vendeve me rrezikshmëri dhe potencial për destabilizim dhe më e rëndësishmja: politikanët vendorë më në fund ndoshta do të fillojnë të merren me problemet e përditshme të qytetarëve, me spitale dhe shkolla, me ndërtim të shtetit të mirëqenies dhe të drejtësisë, si zëvendësim për shtetin që me orar të plotë të punës merret me rrezikun nga Serbia dhe aleati i saj, Rusia.

Sidoqoftë, taksa dhe saktësimi i kufirit nuk u radhitën si çështjet më të rëndësishme të zgjidhjes së relacionit Serbi-Kosovë-Shqipëri, sepse pas përcaktimit të kënaqshëm të mexhave mes dy popujve dhe para nënshkrimit të ndonjë dokumenti historik, përfaqësuesit e Tiranës, Beogradit dhe Prishtinës duhet të bien në ujdi për arkitekturën politike që do t’i rregullojë çështjet mes dy popujve dhe në këtë pikë lista e të interesuarve rritet shumë. Prej vendeve fqinje, e deri te BE- ja, Rusia dhe natyrisht SHBA-ja, të gjithë duan ta dinë  se “What next”?

 

 

 

Hoti: Me thanë Serbia s’na njeh pa definim kufijsh, është kamuflim i negociatave për shkëmbim territoresh

Periskopi.com Lajme

Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se deklarimi se Serbia nuk do ta njeh Kosovën pa e definuar kufirin që i ndan dy shtetet nuk qëndron dhe është vetëm kamuflim për të hyrë në negociata për shkëmbim territoresh.

Hoti në Facebook ka shkruar se Mali i Zi na ka njohur pa e demarkuar kufirin, bazuar në parimin e paprekshmërisë të kufijve siç kanë ekzistuar deri më 1989.

Postimi i plotë i Hotit: 

1. Deklarimi se Serbia nuk do ta njeh Kosoven pa e definuar kufirin qe i ndan dy shtetet nuk qendron dhe eshte vetem kamuflim per te hyre ne negociata per shkembim territoresh. Mali i Zi na ka njohur pa e demarkuar kufirin, bazuar ne parimim e paprekshmerise te kufijve sic kane ekzistuar deri me 1989. Na kane njohur 116 vende ende pa e demarkuar kufirin me te gjithe fqinjet tane. KFOR e ka mbrojtuar kufirin e Kosoves me Serbine nga viti 1999, duke e ditur sakte ku eshte, e edhe Serbia e ka ditur sakte pasi eshte detyruar te terhiqet pertej zones se sigurise prej pese kilometrave nga kufiri me Kosoven.

2. Temat qe mendohet te perfshihen ne dialog prekin rregullimin kushtetues te Kosoves dhe nuk jane ceshtje qe bisedohen me vende fqinje. Pse duhet te bisedohet me Serbine per zhvillimin ekonomik te Kosoves apo per infrastrukturen? Ceshtjet qe lidhen me trashegimine kulturore e religjioze te serbeve ne Kosove, si dhe me arsimin e shendetesine ne komunat me shumice serbe, jane te rregulluara me Planin e Ahtisarit dhe jane pjese e ligjeve te Kosoves. Per me teper, perfaqesuesit politik serb kane te drejte vetoje ne ndryshimet qe mund te ndodhin ne keto ligje.

Haradinaj shkruan për Washington Post: Nuk pranoj kurrë shkëmbim territoresh

Periskopi.com Lajme

Gazeta e madhe amerikane, Washington Post e ka botuar sot një editorial të kryeministrit Ramush Haradinaj, në të cilin ai e kundërshton fuqishëm idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i mbështetur nga Rusia, e ka bërë një ofertë të neveritshme: Serbia do ta njohë Kosovën nëse ne japim një pjesë të territorit. Serbia dëshiron të krijojë një shtet ‘të pastër’ etnik, duke ua marrë njerëzve nënshtetësinë dhe duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre. Ky është një çmim shumë i lartë për ta paguar. Ne nuk do ta shkelim Kushtetutën tonë, nuk do të heqim dorë nga sovraniteti ynë dhe nuk do ta shkatërrojmë integritetin tonë territorial vetëm që Serbia ta njohë një fakt që tashmë ekziston. Ne gjithashtu nuk do të vendosim precedent të rrezikshëm që do ta destabilizonte Ballkanin dhe ato shtete që luftojnë për integritetin e tyre territorial, si Izraeli, Ukraina dhe India”, ka shkruar Haradinaj, raporton KTV.

Tutje, Haradinaj shkruan se shkëmbimi i territoreve kundërshtohet nga 77 % e qytetarëve të Kosovës.

“Si kryeministër i vendit kurrë nuk do ta pranojë një tregti të tillë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se e përkrah një marrëveshje me Serbinë, që do të çonte në njohjen e Kosovës dhe pranimin e saj në OKB.

Tanin: Debati për shkëmbim të territoreve ka krijuar shqetësim

Periskopi.com Lajme

Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, theksoi sot nevojën për të siguruar që njerëzit në mbarë shoqërinë kosovare të jenë plotësisht të angazhuar në ndërtimin e paqes afatgjate dhe të qëndrueshme. 

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Tanin, gjatë fjalimit të tij në mbledhjën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, foli mbi zhvillimet e fundit politike, përfshirë këtu edhe mundësitë e reja për debat të nisura nga shqyrtimi i kornizës së re për shkëmbim të territoreve të propozuar nga Beogradi dhe Prishtina.

Duke folur për kornizën e re që u propozua në Forumin Evropian Alpbach në Austri në muajin gusht pas negociatave paraprake, Tanin tha se ky dimension i ri ka krijuar shqetësim por edhe shtysë të re.

“Pavarësisht sfidave themelore dhe drojës, diskutimi ka hapur mundësinë për debat dhe shqyrtim”.

Megjithatë, Tanin insistoi që parimet themelore të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian – përfshirë themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe – janë kyçe për arritjen e progresit në terren.

Derisa premtimi për integrim të mëtejmë në familjen evropiane mbetet shtysë e fuqishme për liderët që të arrijnë marrëveshje, siç ishte rekomandimi i Komisionit Evropian për lejimin e udhëtimit pa viza për banorët e Kosovës, PSSP Tanin tha se veprimet kundërshtuese megjithatë kanë potencial për ta penguar procesin.

“Veprimet e njëanshme, qoftë për çështje të mëdha apo të vogla, e bartin mundësinë konstante të ndezjes së situatës në terren”.

Rreth miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës për rritjen e fuqisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës,  Tanin tha: “Kjo çështje duhet të trajtohet me kujdesin më të madh të mundur për t’u siguruar që hapat e ndërmarrë të jenë rezultat i një procesi plotësisht përfshirës dhe tërësisht përfaqësues politik, në përputhje me kornizat relevante ligjore”.

Tanin ritheksoi përkushtimin e UNMIK-ut për prioritetizimin e ndërtimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të besimit në Kosovë, duke këshilluar punën e vazhdueshme të misionit për zbatimin e rekomandimeve kyçe që dolën nga Forumi i OKB-së për Ndërtimin e Mirëbesimit në muajin maj.

Tanin i tha Këshillit se paqja e qëndrueshme dhe afatgjate mund të ndërtohet vetëm me përfshirjen e të gjitha shoqërive dhe përfaqësuesve.

“Përkushtimet nga nivelet më të larta që mund të arrihen përmes negociatave politike, pavarësisht intensitetit të përkrahjes ndërkombëtare dhe regjionale, kanë pak gjasa të kenë rezultat nëse nuk mbështeten nga mirëkuptimi dhe mirëbesimi i plotë i komuniteteve dhe individëve të mbarë shoqërisë”.

​Përkrahësi i idesë për shkëmbim territoresh humb ulësen në Kongresin amerikan

Periskopi.com Lajme

Kongresisti republikan nga Kalifornia Dana Rohrabacher, prorus dhe proserb, ka humbur ulësen në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e djeshme.

Sipas njoftimeve, kundërshtari i tij Harley Rouda, përfaqësues i Partisë Demokratike, ka fituar me 50.7 për qind të votave.

Rohrabacher, përkrahës i presidentit Donald Trump, është i njohur për deklaratat proruse e proserbe.

Ish-kongresisti ka qenë nga përkrahësit e hershëm të shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi si zgjidhje.

Para një jave, bashkë me 7 kongresistë të tjerë ai i ka shkruar sekretarit të Jashtëm të SHBA-së Mike Pompeo një letër, përmes së cilës i kërkohej administratës amerikane të përkrahë zgjidhjen e propozuar serbe për këmbim territoresh.

Kongresisti i ri nga Kalifornia, Harley Rouda, ka qenë përkrahës i republikanëve deri para dy vitesh.

Ndryshe, Rohrabacher ka qenë kongresist në tri dekadat e fundit.

Bahtiri: Edhe baba me u çu prej varrit, se nuk e jap asnjë pëllëmbë të Kosovës – më parë hyj në varr të tij

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, në një intervistë për Periskopin ka thënë se do të vazhdojë të jetë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe se nuk do të pranonte që të prekej asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës.

Bahtiri ka thënë se qëndrimin e tij kundër kësaj ideje ia ka thënë edhe presidentit Thaçi në katër sy, dhe se nuk do të ndryshonte qëndrim edhe po t’i çohej baba nga varri.

“Ia kam thënë Thaçit edhe në katër sy që jam kundër dhe do t’ia them sa herë të është nevoja, sepse ideja për negocimin e kufijve të Kosovës ka qenë qe 20 vite e serbëve. Ideja e tyre ka qenë çdo herë që për Kosovën të flasin Serbia e Shqipëria, duke harruar se Kosova tashmë i ka institucionet e veta dhe është shtet që njihet ndërkombëtarisht. Një ta dini se e kam dashur babanë shumë, e kam pasur një baba shumë të fuqishëm, i fjalës dhe besës. Por, edhe ai me u ngjall prej varrit edhe me më thanë që duhesh të ndërrosh mendim, unë i them babë po hi në varr tanin e këtë nuk e bëj sepse nuk dua  të preket asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës. Nuk dua t’ua lë barrë një gjë të tillë pasardhësve të mijë”, ka thënë Bahtiri për Periskopin.

Sipas tij, kjo ide e presidentit Thaçi ka shkaktuar shumë probleme dhe përçarje mes spektrit politik në Kosovë.

“Asnjëherë nuk guxojmë ta hedhim në tavolinë ndryshimin e territoreve. Agim Bahtiri do të jetë kundër gjithherë ndaj një marrëveshje të tillë. Ky territor u fitua me gjak të dëshmorëve, njerëzve që dhanë jetën për vend. Nuk kemi të drejtë të shkelim mbi gjak të tyre. Nuk kam kurrgjë personale me askënd, kam raporte të mira me të gjithë. Këtë nuk do t’ia lejoj vetes, do të jem i fuqishëm në këtë drejtim, unë kam kaluar edhe kufijtë e partisë shpeshherë. Serbët këtë e duan vetëm si negociatë por si do të jetë përfundimi nuk e di askush. E di fuqinë e serbëve që janë kompakt në qëndrimet e tyre. Miqtë e Kosovës ose nuk janë në pozita të larta, ose kanë vdekur krejt. Kjo teori duhet me ra”, deklaroi tutje Bahtiri.

Ai ka thënë se Thaçi duhet të ndalet me këtë proces, dhe udhëheqësit politik në Kosovë të bëhen burra  e të arrijnë një marrëveshje për platformën dhe delegacionin e Kosovës në këto bisedime./PERISKOPI

Haradinaj kundër ndarjes: Nuk dua eksperimente në shtetin që krijuam me gjak

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk beson në një luftë të re në rajonin tonë.

Në një bisedë për “Vecernji List” të Kroacisë, Haradinaj ka theksuar se është kundër idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Presidenti Hashim Thaçi dhe unë kemi një qëllim të përbashkët – të ruajmë integritetin, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, kufijtë territorialë dhe paqen në vendin tonë. Kam thënë qartë se nuk jam për ndarje të territorit dhe nuk dua asnjë eksperiment me shtetin tonë të krijuar me gjak. Është e rrezikshme të flasësh për kufij dhe për ndryshim territoresh në rajonin tonë. Jam krejtësisht kundër kësaj ideje për të luajtur me kufij. Mendoj se ndryshimi i kufijve do të vinte në pikëpyetje pavarësinë dhe integritetin tonë territorial. Me Serbinë mund të bisedojmë vetëm për njohjen reciproke, por kurrë për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh”, ka thënë Haradinaj në këtë intervistë.

“Për ne, kompromis është vet fakti që po bisedojmë me serbët dhe po e lëmë pas kohën e dhimbshme të luftës në të cilën ndaj kosovarëve janë kryer krime – na kanë vrarë, na kanë dhunuar gratë tona, na kanë shkatërruar pasuritë tona… Pas gjithë kësaj, është kompromis nga ana jonë që të ndërtojmë marrëdhënie politike, të bisedojmë dhe të njihemi reciprokisht. Jemi të gatshëm për një pakt paqeje me Serbinë sepse duhet të kemi atë vizion që në të ardhmen të ketë paq mes popujve tanë në këto troje ballkanike”, shtoi Haradinaj, duke shtuar se nuk shqetësohet me provokimet që vijnë nga Beogradi, transmeton Koha.net.

“Pavarësisht provokimeve të vazhdueshme që vijnë nga Beogradi, nuk besoj se do të vijë deri tek ndonjë përleshje apo lufte sepse ne e bëjmë punën tonë dhe e ndërtojmë shtetin tonë dhe institucionet e saja. Qëllimi ynë është të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët dhe asnjëherë nuk do të nxisim përleshje a luftë. Prioritet yni është arritja e një marrëveshjeje paqeje me Serbinë. Të gjitha problemet me Malin e Zi, me Maqedoninë e Shqipërinë i kemi zgjidhur, e qëllimi ynë është që këtë ta arrijmë edhe me Serbinë, pas së cilës do të mund të përgatitemi për anëtarësim në BE. Përveç në BE, synim yni është anëtarësimi edhe në NATO. Gjithçka bëjmë, e bëjmë në interes të shtetit dhe popullit tonë dhe nuk do të lejojmë që të rrezikohet integriteti dhe sovraniteti ynë. Ndërsa provokimet që Aleksandar Vuçiqi dhe ministrat e tij atje i bëjnë, siç bënë pas vizitës së presidentit Thaçi në Ujman, nuk na interesojnë dhe nuk dëshirojmë të humbim kohë për këto. Më mirë është që presidenti serb të merret realisht me afrimin me BE-në, e jo të mashtrojë popullin e tij e vazhdimisht të fitojë poenë politikë me ngritjen e tensioneve në Kosovë”, shton kreu i ekzekutivit kosovar, transmeton Koha.net.

Kryeministri Haradinaj ka thënë po ashtu se Kosova nuk do ta japë as Trepçën e as Ujmanin, pasi, siç thotë ai, “ato janë gurët e çmuar të Kosovës dhe kurrë nuk do të heqim dorë nga to”.

“Janë resurset tona dhe nuk ia lejojmë askujt që të na i merr ato, ashtu siç do të vepronte edhe çdo shtet tjetër i pavarur në botë. Gjithçka që është brenda kufijve të Kosovës është e Kosovës. Dhe ne nuk do të kërkojmë diçka në Kroaci, Serbi a Maqedoni”, theksoi ai.

Sipas Haradinajt, formimi i Ushtrisë së Kosovës është një proces normal që zgjat tash e 20 vjet, nga viti 1999, dhe tha se nuk e kupton pse serbët “ngritin tensione për çdo imtësi”.

“Ne i kemi forcat tona. Ushtria jonë tani është e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe nga NATO-ja. Është forcë multietnike në radhët e së cilës ka edhe serbë. Secili shtet duhet ta ketë ushtrinë e vet. Nuk shoh pse panikohen në Serbi. Do të jetë ushtri mbrojtëse, e jo forcë pushtuese e Kosovës. Qëllimi dhe mandati i saj do të jetë mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, e jo okupimi dhe marrja e territoreve të shteteve tjera”, sqaroi Haradinaj për “Vecernji” qëllimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës foli edhe për sulmet që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pati ndaj tij pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm të Kosovës në lidhje me dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, të cilët shteti turk i cilësoi si anëtarë të organizatës FETO, organizatë që Turqia e konsideron terroriste.

“Sa i përket sulmit se unë nuk jam mysliman i vërtet dhe pi alkool – i porosis ata se unë mbi të gjitha jam shqiptar. Identiteti im nuk është religjioni. Shqiptarët janë popull i vjetër i cili ka jetuar edhe të krishterë. Unë askujt nuk i kam borxh përpos vetes time për atë se çka jam dhe si ndihem. Kam qenë në xhami, por jo si besimtar. Shkoj në xhami për t’i vizituar imamët për Bajram, por jo si besimtar, por si përfaqësues politik”, tha Haradinaj në këtë intervistë, duke shtuar se “shqiptarët kanë qenë besimtarë vetëm gjatë Perandorisë Osmane kur religjionin e kanë pasur të imponuar”.

Kreu i ekzekutivit kosovar është shprehur i kënaqur që krerët e shtetit kroat janë të qartë në qëndrime për sa i përket zgjidhjes së problemeve mes Kosovës e Serbisë.

Tutje, ai ka treguar se shpesh dëgjohet edhe me gjeneralin kroat, Ante Gotovina, të cilin e cilëson si mik shumë të mirë e me të cilin thotë të kenë kaluar shumëçka.

 

Basha thotë se pesë banda kriminale kërkojnë shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu sikurse edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, Basha renditet në anën e kundërshtarëve të kësaj ideje.

Kryedemokrati shkon më tej duke thënë se ideja për shkëmbim territoresh mbështetet nga pesë banda kriminale që veprojnë në veri dhe në jug të lumit Ibër.

“Propozimi për shkëmbimin e territoreve është lëgjitimim i aventurierëve dhe legjitimim i pesë bandave të krimit të organizuar në veri dhe në jug të lumit Ibër”, u shpreh Basha.

Cilat janë këto banda kriminale që mbështesin shkëmbimin e territoreve? Kreu i demokratëve nuk përmendi asgjë konkrete, por shtoi se pretendimet për mosfunksionimin e territorit të Kosvës janë vetëm një alibi.

“Në qoftë se ka vullnet politik për të çmontuar këto pesë banda të krimit të organizuar në jug dhe në veri të lumit Ibër, atëherë alibia e fundit për mosfuksionim të territorit të Kosovës bie”, tha Lulzim Basha.

Kryedemokrati këto deklarata i bëri konferencën ballkanike të grave të organizuar nga LDGSH dhe Forumi i Gruas në PPE.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në ndryshimin e gjendjes në Shqipëri.

Krydemokrati ka vazhduar të denoncojë gjendjen në të cilën ndodhet vendi, sipas të cilit, kontrollin e ka marrë krimi përmes bashkëpunimit me politikën. Dhe për këtë akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë.

“Krimi kontrollon qytetet, lagjet e qyteteve. Është krimi që kontrollon territorin dhe ekonominë, qeveria nuk e ka më kontrollin e territorit dhe ekonomisë”, tha Basha në konferencën ballkanike të organizuar nga LDGSH në bashkëpunim me Forumin e Gruas në PPE.

Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha nuk foli me emra konkretë, por tha se askush nuk u beson më fjalëve të zyrtarëve të caktuar të Bashkimit Europian që vazhdojnë të përkrahin Kryeministrin dhe reformat e qeverisë përmes shprehjeve të përsëritura.

“Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Kusht kryesor është ndarja e Shqipërisë nga krimi. Askush nuk ka nevojë në këtë vend dhe askush nuk i merr seriozisht ata që janë bashkëpërgjegjës në këtë situatë, ata që kanë lejuar Edi Ramën të përqëndrojnë në një dorë gjithë pushtetet. Askush nuk i ha më frazat për thellim dhe intensifikim të reformave, sepse institucionet i ka kapur krimi. T’i bëjmë thirrje atyre që flasin në emër të Europës, mos na gënjejnë më. Mos të flasin me patetate në gojë, por ta thonë qartë. Europa nuk i toleron politikanët e lidhur me krimin. E kanë thënë qartë drejtues të lartë të politikës gjermane, është koha ta thonë të gjithë”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.

Kryemadhi: Ndarja e Kosovës është ide e gatuar nga Rama e Vuçiqi

Periskopi.com Lajme

Për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ideja për ndarjen e Kosovës dhe dhënien e një pjese Serbisë, nuk është ide e Hashim Thaçit.

Kryemadhi ka thënë për syri.net se kjo është një ide e gatuar në Tiranë nga Edi Rama dhe në Beograd nga Aleksandar Vuçiq.

“Është një ide e përgatitur nga Edi Rama, por e thënë nga Hashim Thaçi”, është shprehur Kryemadhi për projektin për ndarjen e Kosovës dhe dhënien e disa zonave Serbisë.

New York Times: Ideja për ndarjen e Kosovës kthen fantazmat e vjetra në Ballkan

Periskopi.com Lajme

Emrat serbë të qyteteve në Kosovën e dominuar nga shqiptarët janë të fshirë nga shenjat nëpër rrugë.

Kështu shkruan “New York Times” në një artikull të fundit me titullin “Bisedat për ndarjet etnike të Kosovës ringjallin fantazmat e vjetra të Ballkanit”.

Artikulli nis të flasë për Graçanicën dhe rrugët e saja të mbushura me monumentet e ushtarëve krahas rrugëve, të mbushura me lule. Rrallë shihet një flamur i Kosovës, por zakonisht shfaqen ngjyrat e flamujve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Image

Të gjitha rrugët në këtë hapësirë të vogël, zonë të kontestuar, ua kujtojnë shoferëve se sa të ndarë dhe të ngatërruara janë etnitë në Kosovë, 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, fqinji verior.

Tani ka bisedime të shumta për të bërë këto ndarje zyrtare dhe për të ndarë zyrtarisht Kosovën, krahas linjave etnike. Është ide e liderëve të Kosovës dhe Serbisë që shpresojnë t’i japin fund përballjes 20 vjet pas luftës – dhe është hap drejt integrimit në Bashkimin Evropian për të dyja vendet, shkruan “New York Times”, transmeton Koha.net.

Për befasinë e shumicës, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka sinjalizuar se është e hapur për këtë koncept, edhe pse një kufi i ri mes dy shteteve, krahas linjave etnike do të shkatërronte politikat amerikane të përkrahjes për Kosovën multietnike.

Ideja për ndarje, shoqëruar me fjalët për shkëmbim, mund të nisin tensione etnike në një rajon ku në një seri luftërash u vranë më shumë se 100 mijë njerëz dhe u shpërngulën miliona në vitet e 90-ta.

“Kjo ide do ta kthente Ballkanin në një fuçi baruti”, ka paralajmëruar Sava Janjiq, igumeni i Kishës Ortodokse Serbe, transmeton Koha.net.

Në Kosovë, sipas “NYT”, vend i mbetur i varfër dhe me krim, ka nervozizëm. Në veri të Kosovës, përtej lumit Ibër, disa mijëra serbë përkrahen nga Beogradi, janë etni dominuese. Hapësira funksionon si një shtet i ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës – me sistem të vetin të shkollave, nëpunës civilë e kompani telefonike.

Sa i përket Serbisë, Kosova nuk ekziston si shtet, kujton gazeta prestigjioze. Kjo gazetë ka shkruar po ashtu se 70 mijë deri 100 mijë serbë jetojnë në mesin e shumicës prej 1.8 milion banorësh.

Gazeta ka përmendur edhe manastiret të Kishës Ortodokse Serbe që ekzistojnë në hapësira të ndara në qytetet shqiptare. Një nga to është edhe shtëpi e Janjiqit, që thotë se ishte ide e Amerikës që bashkë me NATO-n intervenuan për të “sjellë në jetë Kosovën e pavarur”.

Që kur Marrëveshja e Dayton e vitit 1995 i dha fund luftës trevjeçare në Bosnje, ka qenë parim i Perëndimit që të mos vizatohen kufij në baza etnike në Ballkan. Këtë e përmend edhe Sava Janjiq që thotë se “Vlerat e Evropës dhe Perëndimit nuk bazohen në etnicitet”.

“NYT” ka shkruar po ashtu se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë duke biseduar për më shumë se një vit për ndarje dhe shkëmbim territoresh – me Serbinë që mund të marrë Veriun e Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës, sipas njerëzve që janë informuar nga Vuçiqi.

Gazeta ka përmendur edhe takimin e liderëve në një panel në Austri ku të dy e bënë të qartë se e konsiderojnë atë që e quajnë korrigjim kufijsh. Ajo ka shkruar edhe për reagimin e Gjermanisë dhe shteteve të Evropës që dolën kundër rivizatimit të kufijve në baza etnike, duke konsideruar se kjo sjell shkatërrim.

Edhe pse ideja, po diskutohet në nivelet më të larta, nuk shihet se një marrëveshje është afër.

“NYT” thotë se Serbia duket se e ka përkrahjen e heshtur të SHBA-së, që ka ndryshuar shumë politikën e jashtme, duke kujtuar deklaratën e John Boltonit, këshilltar të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, se “nëse merren vesh shtetet, ne nuk kundërshtojmë”.

Gazeta ka folur edhe me qytetarët që jetojnë në hapësirat që mund të ndikohen nga shkëmbimet. Një nga ta është Betim Hoxha, shqiptar që jeton në Graçanicë. Me të kanë folur në një kafene ku ai rrinte me miqtë serbë. “Nuk ka nevojë për ndarje të shtetit”, ka thënë ai.

Në një tavolinë tjetër të kësaj kafeje, një grup i të rinjve serbë, thonë se nëse ndryshojnë kufijtë, nuk do të duhej të kalonte kohë e gjatë që të gjithë serbët të largoheshin nga shtëpitë e tyre nga jugu i Ibrit.

“Erë baruti në ajër”, ka thënë se po vëren Sava Janjiq, që njihet si përkrahës i madh i etnicitetit si qendër e identitetit kombëtar.

Janjiqi po ashtu ka thënë se thelb i problemeve në Kosovë është se janë dy qeveri autokrate.

Gazeta ka shkruar edhe për vizitën e Vuçiqit në Kosovë dhe mos lejimin që të vizitonte një fshat me serbë në Drenicë.

“Vuçiqi ka kërkuar të portertizojë ndarjen e Kosovës si fitore – duke arritur në paqe të fitojë atë që serbët dështuan ta bëjnë në luftë”, shkruan “NYT”.

Foreign Policy: Ndarja dhe këmbimi i territoreve çojnë në katastrofë

Periskopi.com Lajme

Magazina amerikane, e cila është e njohur për shkrimet e saj rreth çështjeve të politikës ndërkombëtare, ka publikuar një artikull nëpërmjet të cilit kundërshton idenë e ndarjes së Kosovës dhe këmbimit të territoreve me Serbinë. Autori Michael Rossi, profesor universitar, shkruan se këshillat e këqija për këmbim territoresh dhe transfer të popullsisë nuk do të sjellin paqe. Sipas tij, më shumë ka gjasa të rikthehet gjakderdhja që e kishte pllakosur Ballkanin në vitet ’90.

Magazina e njohur “Foreign Policy” ka shkruar së fundmi një artikull nëpërmjet të cilit kundërshton idenë e ndarjes së Kosovës dhe këmbimit të territoreve me Serbinë.

Profesori universitar, autori i këtij shkrimi Michael Rossi, ka thënë se një shkëmbim i mundshëm i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, mund ta rikthejë gjakderdhjen e Ballkanit që ndodhi në vitet e ’90-ta.

Artikulli flet edhe për një transfer të popullsisë, për të cilën dukuri thotë se nëse ndodh kjo, nuk do të sjellë paqe.

“Ndarja është një mundësi e keqe dhe shumë e rrezikshme, dhe kjo ide prej shumë kohësh ka qenë e refuzuar zyrtarisht nga të gjitha palët, për arsye të shumta”, shkruan FP.

“Çdo thirrje për rikufizim kufijsh dhe për të shkëmbyer territorin pothuajse me siguri do të degjenerohej në llojin e dhunës dhe shkëmbimeve kaotike të popullsisë që rrënonte rajonin në vitet 1990. Do të ishte një abdikim i lidershipit për të ftuar kthimin e luftërave të tilla në tokën evropiane”, shkruan magazina e njohur.

Foreign Policy thotë se së fundmi, ndarja do të shkatërronte vitet e punës nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë kryesore të Evropës Perëndimore që kanë dhënë imazhin e hartuar me kujdes të Kosovës për një shoqëri multietnike, si dhe përpjekjet për të bindur bashkësitë serbe dhe shqiptare për të jetuar së bashku.

“Marrëveshjet e mbështetura ndërkombëtarisht midis Beogradit dhe Prishtinës për krijimin e autorizimeve të autonomisë për serbët e Kosovës do të digjeshin”.

“Kërcënimi që sjell korrigjimi i kufijve mund të hapë Kutinë e Pandorës në rajon dhe kjo do t’i inkurajonte serbët në Bosnjë dhe shqiptarët në Maqedoni të kërkonin aranzhime të ngjashme të shkëputjes territoriale dhe bashkimit me të afërmit e tyre etnikë”, shkruan në artikull, transmeton Express.

Po të ndodhte kjo, Foreign Policy thotë se bashkësia ndërkombëtare do të detyrohej të ndërhyjë në Ballkan për të ndalur një tokë të re etnonacionaliste.

The Economist: Projekti i Thaçit dhe Vuçiqit për ndryshim kufijsh ka dështuar

Periskopi.com Lajme

Revista prestigjioze britanike “The Economist” i ka kushtuar një artikull idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, temë kjo e përfolur shumë në Prishtinë e në Beograd.

Sipas “The Economist”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në gusht të këtij viti njoftuan në një konferencë në Alpbach të Austrisë, se do të shqyrtonin ndryshimin e kufijve, si pjesë të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që edhe është kusht për anëtarësimin e dy vendeve në BE.

 

 

Ideja për ndryshimin e kufijve për një kohë të gjatë është hedhur poshtë nga BE-ja dhe SHBA-të, si vijë e kuqe që rrezikon ringjalljen e konfliktit etnik, por komentet e zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-ve gjatë muajit gusht janë parë më shumë si ndryshim i qëndrimit.

Tutje sipas “The Economist”, ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndodh gjatë periudhës 2018-2022, pasi një propozim i tillë do të kundërshtohej si brenda qeverisë së Kosovës, por edhe nga vendet si Gjermania dhe Britania e Madhe që nuk pajtohen me idenë e kufijve të rinj.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, zyrtarisht nuk i kanë paraqitur detajet specifike për ndryshimin e mundshëm të kufijve, por sipas komenteve nga autoritetet kosovare dhe serbe, duket se ekzistojnë tri opsione.

E para i kushtohet plotësisht veriut të Kosovës, në të cilën përfshihen katër komunat me shumicë serbe, që synojnë të bëhen pjesë e Serbisë.

E dyta ka të bëjë me “transferimin” e pjesës veriore të Kosovës në Serbi, derisa komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës do t’i kalonin Kosovës.

E treta do të kthente kufijtë që kanë ekzistuar në vitin 1956, ku disa fshatra të Kosovës kryesisht të banuar me serbë do t’i kalonin Serbisë, në këmbim të disa fshatarëve të banuara kryesisht me shqiptarë që do t’i kalonin Kosovës. Me këtë, nuk do të “transferohej” pjesa veriore e Mitrovicës, që konsiderohet zona më e madhe urbane në Kosovë e banuar me popullsi serbe.

A është ky paralajmërimi më i frikshëm që jep një historian nëse Lugina i bashkohet Kosovës

Periskopi.com Lajme

Historiani Frashër Demaj është shprehur i shqetësuar për çështjen e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, raporton Periskopi.

Në emisionin “Click” ai ka thënë se nëse Kosova pretendon ta marrë Luginën e Preshevës, atëherë sipas tij do të hapet Kutia e Pandorës.

Demaj i druhet një lufte të mundshme botërore nëse realizohet ideja e shkëmbimit të territoreve.

“Nëse na e pretendojmë Luginën, pastaj do të hapet Kutia e Pandorës, mund të hapet çështja e Sanxhakut, Kroacia do të kërkojë të zgjidhet çështja e kroatëve, do të prodhohet një efekt domino dhe do të prodhohet një krizë e madhe ballkanike. Nëse Lufta e Parë Botërore ka nisur për shkak të vrasjes së Franc Ferdinandit, paramendojeni çka mund të ndodhë me veprime të tilla”, ka deklaruar ai tutje./Periskopi

Isufi: Territoret nuk ndërrohen me mirëkuptim, por me luftë

Periskopi.com Lajme

Ahmeti Isufi, nënkryetar i AAK-së, është i bindur se ndërrimi i territoreve nuk mund të bëhet me mirëkuptim dhe në tavolinë të bisedimeve, por vetëm me luftë. Prandaj insiston se partia e tij është kundër kësaj ideje.

Ndërrimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të bëhet me mirëkuptim dhe në tavolinë të bisedimeve, por vetëm me luftë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” nënkryetari i AAK-së Ahmeti Isufi, duke kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për negociim të kufijve me palën serbe.

Isufi, i cili njëherësh është edhe shef i deputetëve të AAK-së në Kuvendin e Kosovës, ka folur edhe për ekipin negociator të Qeverisë së Kosovës, të cilin e udhëheq zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, por që i njëjti gjatë kësaj jave nuk arriti ta marrë miratimin e Kuvendit. Sipas Isufit, ky ekip negociator i propozuar nga kryeministri Ramush Haradinaj është e vetmja mënyrë, siç thotë ai, për t’ia pamundësuar presidentit Hashim Thaçi diskutimin e kufijve të Kosovës në Bruksel.

Ndërsa refuzimin e opozitës për këtë ekip negociator Isufi e ka quajtur lojë për interesa politike, sepse sipas tij Qeveria ia ka ofruar të gjitha mundësitë opozitës së vendit për të qenë pjesë e dialogut dhe për ta miratuar platformën e propozuar nga ata.

Shefi i deputetëve të AAK-së ka folur edhe për protestat që pritet të organizohen gjatë ditëve në vijim nga opozita, duke thënë se organizimi i protestave është e drejtë qytetare, por duhet pasur kujdes për të mos e dëmtuar vendin.

 

Analiza e ‘Foreign Policy’: Si të rindezësh luftën në Ballkan

Periskopi.com Lajme

Ne nuk kemi ndonjë qen në atë betejë” – James Baker, Sekretar Amerikan i shtetit qershor 1991 duke folur për shpërbërjen e pritshme të Jugosllavisë.

“Ne nuk përjashtojmë rregullime territoriale… Ne mendojmë se ata duhet ta zgjidhin me njëri – tjetrin” – John Bolton, këshilltar për sigurinë, gusht 2018 duke folur mbi negociatat për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.

Kur historia e Ballkanit të shkruhet sërish, do të provohet se këto dy deklarata do të jenë më konsekuentet e bëra nga zyrtarë amerikanë. Ishte deklarata e James Baker që në atë kohë i dha “dritën jeshile” Sllobodan Millosheviçit të përdorë të gjithë arsenalin e armëve të ish-Jugosllavisë në luftën me Kroacinë dhe Bosnje Hercegovinën. Rezultati ishte një seri luftërash shkatërruese dhe disavjeçare në rajon, shumica e tyre të evitueshme.

Deklarata e John Bolton tashmë kërcënon që zhbëjë përpjekjet e dy dekadave për të gjetur paqen. Bazuar në zërat e takimeve private mes liderëve të Serbisë dhe Kosovës për shkëmbim territoresh, si mjet për t’i dhënë fund situatës pezull dhe marrjes së qëndrimi të politikës amerikane, Bolton i dha rrugë të lirë Serbisë dhe Kosovës për të bërë tregti me territorin e tyre si një mënyrë për t’i dhënë fund “status quo”-së së tyre.

Për të qenë korrekt me Bolton, shkëmbimi i territoreve ka një logjikë tërheqëse. Serbia dhe Kosova janë bllokuar te pavarësia e kësaj të fundit, me takimet për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmarra nga Bashkimi Europian që nuk shkojnë asgjëkund. Asnjë nga dy vendet nuk mund të avancojë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian pa i dhënë fund gjendjes pezull dhe secili vend ka pjesë të territoreve të tij të populluar nga banorë të tjetrit, pra serbë dhe shqiptarë që do të donin të jetonin mes popujve të tyre. Kështu, nëse të dyja palët mund të bien dakord për shkëmbim territoresh si një mënyrë për të zhbllokuar gjendjen e tyre, pse SHBA dhe BE do të futeshin në mes të tyre?

Përgjigjja është që logjika e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës – nëse do të realizohej (dhe pengesat janë më komplekse se realizimi) – nuk mund të ishte e kënaqshme. Të njëjtin apel do të bënin menjëherë edhe personat e palumtur që jetojnë në vende shumetnike të rajonit, me dëshirën për t’iu bashkuar shtetit amë, siç mund të jenë serbët në Bosnjë, shqiptarët në Maqedoni dhe praktikisht çdo minorancë në rajon do të merrte sëpatën në dorë për të ndarë territorin e tij.

Për fat të keq, në rastin e Bosnjës nuk ekziston një mënyrë e kënaqshme për të ndarë vendin pa nxitur një luftë. Pluraliteti i boshnjakëve përfshin e Srebrenicën, saktësisht vendin me mazhorancë myslimane që brutalisht “u pastrua” gjatë luftës. Në të njëjtën kohë, asnjë lider serb nuk do mund të merrte këtë territor që është në kufi me Serbinë dhe është tashmë, pas pastrimit etnik e populluar me serbë.

Edhe nëse do të ishte e mundur arritja e një marrëveshjeje për ndarjen e Bosnjës, rezultatet nuk janë interesante. Në ndryshim nga çdo grup etnik tjetër në rajon, është feja që ndan më së shumti boshnjakët nga fqinjët. E ndikuar fort nga Turqia dhe nga vende të tjera të Lindjes së Mesme, Bosnja e pas-ndarjes, mund ose nuk mund të mbetet laike. Do të ishte thuajse e sigurt pa dalje në det nga momenti që kroatët e këtij vendi do të insistonin që të ndiqnin shembullin e ndarjes së serbëve.

Duke parë përqindjen e madhe të rekrutimeve nga Shteti Islamik në këtë rajon, është e sigurt se shumë prej tyre do të ishin të gatshëm të ktheheshin. Bolton dhe mbështetësit e tjerë të shkëmbimit territorial duhet të konsideronin më së shumti skenarin e Kosovës se sa të Bosnjës. Krijimi me probleme dhe i dhunshëm i një shteti ekonomikisht të dobët në zemër të Europës, subjekt i ndikuar nga influenca islamike dhe i përshkruar nga braktisja dhe vuajtjet do të ishin karakteristikat e tij kryesore.

Reagimi zinxhir i këtyre ngjarjeve është tërësisht i besueshëm. Vetëm diskutimi i shkëmbimit të territoreve me njerëz të kalibrit të Boltonit dhe funksionarëve të tjerë europianë është i mjaftueshëm për liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për të cilin është folur gjatë, dhe që ka hedhur hapa paraprakë drejt shkëputjes. Realisht, Dodik ka cituar pavarësinë e Kosovës në 2008-ën si arsye për t’i dhënë rrugë ndarjes së Bosnjës. Nga ana tjetër, palaçollëqet e tij kanë inspiruar liderët kroatë për të ngritur zërin mbi një “etnitet të tretë”, një tjetër relike e luftës së çmendur të Bosnjës. Pakënaqësitë e kroatëve dhe serbëve mund të jenë reale. Diskutimi për zgjidhje territoriale është mbi të gjitha dhe thjeshtësisht një parapërgatitje për një luftë të re. Shkurt, logjika joshëse e shkëmbimit të territoreve të Kosovës do të transformohet pashmangshmërisht dhe logjikisht në një luftë në Bosnje.©marrë nga Foreign Policypërshtati LAPSI.al

Shkruan: EDWARD P. JOSEPH

Haradinaj sërish përmend luftën: I kom do vjet e do kilogramë, po më s’jam i zoti të luftoj

Periskopi.com Lajme

Qëndrimi i kryeministrit Ramush Haradinaj karshi çdo marrëveshje me Serbinë e cila përfshin ndryshim të kufijve mbetet e qartë dhe përkthehet në thirrje për luftë.

Haradinaj ka thënë se vetëm përmendja e termit luftë nuk është e thjeshtë veçmas kur vjen nga kreu i vendit.

“Kam treguar çka ndodh. Nuk është pak me thënë kryetari i vendit me thanë fjalën luftë, nuk po e thotë një njeri atje në qosh. Unë i kam bërë do vjet dhe i kam do kilogramë, ndoshta nuk jam i zoti më të luftoj, por thellë besoj se kur flitet për territore është thirrje për luftë e tragjedi. Sa herë që flitet për territore flitet për pozicione të ushtrive, cila ruan andej e cila këndej”, ka thënë Haradinaj.