​24 vjet nga masakra e Srebrenicës

Periskopi.com Lajme

Bosnja e Hercegovina sot shënon 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Reth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.

BE kushte të reja për Serbinë – Beogradi të njohë gjenocidin në Srebrenicë

Periskopi.com Lajme

Brukseli propozon një kusht të ri për pranimin e Serbisë në BE – njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, shkruan “Veçernje novosti”.

Këto kërkesa janë gjithnjë e më të forta në disa qarqe në Bruksel, megjithëse Serbia gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ligjërisht, politikisht dhe moralisht, bën gjithçka për të dënuar këtë dhe të gjitha krimet e tjera të luftës.

“Novosti” shkruan se parlamenti serb miratoi një rezolutë mbi dënimin e krimeve në Srebrenicë në mars 2010, ndërsa ish-presidenti Boris Tadiq publikisht kërkoi falje për “një prej kapitujve më tragjikë të luftës civile jugosllave të viteve 1990” dhe më 11 korrik 2015.

Megjithatë, komisionari evropian për Zgjerimin Johannes Hahn paralajmëroi të hënën se “nuk ka vend të BE-së për ata që mohojnë gjenocidin dhe të gjitha aktgjykimet e tjera të gjykatave ndërkombëtare”.

Kërkesa që Serbia të njohë gjenocidin në Potoçare është përfshirë në raportin e fundit të Parlamentit Evropian mbi Serbinë dhe është e qartë se kjo temë është e përshtatshme për politikën e “lëvizjes së objektivave”, transmeton KosovaPress.

Sekretarja e Përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, Suzana Grubjeshiq beson se qëndrimi zyrtar i Serbisë ndaj gjenocidit në Srebrenicë nuk është kontestues dhe se kjo çështje nuk duhet të përdoret si një tjetër frenim në rrugën drejt BE-së.

“Nuk ka as heshtje, as mohim të fakteve të vërtetuara rreth Potoçare. Asnjë nga zyrtarët tanë nuk mohon se ka ndodhur krimi, “tha ajo.

Kurti në 23-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës: Millosheviqi vdiq në burg, Stanishiqi i iku drejtësisë

Periskopi.com Lajme

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kurti, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka thënë se Serbia nuk e mori asnjëherë dënimin për krimet e kryera.

Kurti, në shkrimin e tij ka theksuar se njësiti paramilitar “Skorpion” që kishte marrë pjesë në këtë masakër, ishte themeluar nga Jovica Stanishiq, ish-shef i shërbimeve sekrete të Slobodan Millosheviqit.

Kurti ka thënë se Millosheviqi nuk u dënua asnjëherë nga drejtësia ndërkombëtare, sepse kishte vdekur në burg, ndërsa Stanishiqi i ka ikur vazhdimisht drejtësisë, përkundër rolit të rëndësishëm që e ka pasur në Serbi gjatë mësymjeve të saj kriminale në Ballkan.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Njëzet e tre vite më parë, në 11 korrik të vitit 1995 në një qytezë në lindje të Bosnjës filloi të ndodhë krimi më i rëndë gjenocidal që prej luftës së dytë botërore. Masakra e Srebrenicës ishte gjenocidi që u ushtrua mbi boshnjakët nga ana e ushtrisë të së ashtuquajturës Republikë Serbe e Bosnjës, me komandant gjeneralin e Serbisë Ratko Mlladiq. Po ashtu në masakër morën pjesë edhe njësitet paramilitare “Skorpion”, të themeluar nga Jovica Stanishiqi, shefi i shërbimeve sekrete të Millosheviqit, të cilat fillimisht ishin pjesë e ushtrisë serbe, e më vonë të lidhura drejtpërdrejt me ministrinë e punëve të brendshme të Serbisë. “Skorpionët” ishin ndër njësitet më mizore, me ideologji çetnike, që u përdorën nga Serbia edhe më vonë në Kosovë.

Si pasojë e masakrës, 8373 meshkuj boshnjakë të të gjitha moshave u vranë gjatë 11 ditëve rrethim të Srebrenicës. Përveç kësaj, 25.000 deri në 30.000 gra, fëmijë e pleq u abuzuan, u dhunuan dhe u detyruan të shpërngulen prej aty. E megjithatë, para drejtësisë ndërkombëtare Serbia kurrë nuk u mbajt përgjegjëse direkte për një masakër të tillë. Ajo ia la përgjegjësinë krijesës së saj, të ashtuquajturës Republikë Serbe e Bosnjës, si dhe forcave të saj.

Punën e vet gati çerekshekullore, Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish Jugosllavi, e mbylli me 31 dhjetor 2017. Ky tribunal dënoi 72 serbë me gjithsej 1140 vjet burg (6 serbë të Bosnjes janë dënuar me burgim të përjetshëm), 20 kroatë me 284 vjet burg, 5 boshnjakë janë dënuar me gjithsej 42 vjet burgim, një shqiptar është dënuar me 13 vjet burg dhe një maqedonas me 12 vjet burg.

Mirëpo, në njërën anë nuk janë dënuar ata dhjetëra mijëra ekzekutorë të drejtpërdrejtë të qindra mijëra krimeve (jo vetëm vrasjeve), kurse në anën tjetër nuk u dënuan kurrë Milosheviqi dhe Stanishiqi. Ky i pari vdiq në burg, kurse ky i dyti përherë evitoi dënimin paçka se ishte krijuesi i eskadroneve paramilitare dhe i Partisë së Sheshelit ku u ngrit Vuçiqi.

Sot kujtojmë me dhimbje viktimat, dhe vazhdojmë të këmbëngulim se pa drejtësi nuk ndërtohet dot paqja e qëndrueshme