Loja politike me tezga

Periskopi.com Lajme

Loja politike mes Kosovës dhe Serbisë ka zbritur në nivel tezgash. Veriorët, të nxitur nga Beogradi, i kanë mbyllur dyqanet në veri me pretendimin se kanë vështirësi në furnizim, për shkak të taksës prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.

Si kundërpërgjigje, Qeveria ka hapur pika “të përkohshme” shitëse në veri. Dialogu shumëvjeçar i Brukselit dhe përpjekjet e fundit për ta çuar atë në nivelin që mundëson normalizimin gjithëpërfshirës nuk kanë prodhuar rezultatet e synuara, shkruan sot “Koha Ditore”.

Taksa, e cila u vendos nëntorin e vitit të kaluar, ndali dialogun. Serbia refuzon të kthehet në tryezën e negociatave derisa nuk hiqet kjo masë. Pas rezistencës së Haradinajt edhe karshi presionit ndërkombëtar, në veri ka nisur të aplikohet ajo që u paralajmërua prej javësh – skenari i “katastrofës humanitare”.

Veriorët kanë alarmuar për mungesë të barnave dhe të produkteve elementare për konsum të përditshëm. Vendimi për mbylljen e të gjitha dyqaneve, objekteve hoteliere dhe barnatoreve u mor nga e ashtuquajtura, “Shoqata e biznesmenëve në veri të Kosovës dhe Metohisë”, pas konsultave me përfaqësuesit politikë serbë.