Klopp: Napoli mund të shpallet kampion i Evropës

Periskopi.com Sporti

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se Napoli mund ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve, përderisa shtoi se lojtarët e tij mund të kthehen edhe më fuqishëm pasi e nisën edicionin e ri të kësaj gare me disfatë.

Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Liverpooli, u mposht me rezultat 2:0 nga nikoqiri Napoli në një ndeshje kontroverse të Grupit E, të martën, transmeton Gazeta Express.

Dries Mertens e shënoi një penallti në minutën e 82-të të ndeshjes, pasi Jose Callejon u duk se u rrëzua pas kontaktit minimal nga Andy Robertson në “Stadio San Paolo”. Vendimi i gjyqtarit u përkrah nga VAR dhe pastaj Fernando Llorente e vendosi fitoren në momentet e fundit të ndeshjes.

Klopp, skuadra e së cilit pësoi disfatë më rezultat 1:0 në Napoli në fazën e grupeve të edicionit të kaluar të Ligës së Kampionëve, ishte i zemëruar për vendimin për penalltinë, mirëpo e lavdëroi skuadrën e Carlo Ancelottit.

“Ata mund ta fitojnë trofeun e kësaj gare, kështu është e vërteta. Nëse e ke një plan të mirë, lojtarë të mirë – që ata i kanë – atëherë ti ke mundësi ta fitosh garën. Ne e kemi përjetuar se s’ke nevojë të jesh skuadra më e mirë në botë për ta fituar Ligën e Kampionëve”, tha Klopp.

“Ti duhet të jesh në momentin e duhur, duhet të kesh fat në disa situata dhe kur janë vetëm dy burra në dhomë që mendojnë se ajo ishte penallti, ti duhet ta pranosh që ishte penallti, por kjo është e gjitha. Natyrisht që ata mund ta fitojnë garën”.

“Shpresoj se rezultati të mos jetë vendimtar. Neve na duhen edhe disa ndeshje për ta ndryshuar tabelën e grupit. Për momentin duket se Napoli po kalon, por ne do të vazhdojmë të luajmë. Ne nuk do të ndalemi”.