Institucionet, jo transparente me mediat e shoqërinë civile

Periskopi.com Lajme

Gazetarët, shoqëria civile dhe Avokati i Popullit deklaruan se institucionet publike po vazhdojnë të jenë jo transparente në ofrimin e informacioneve të cilat kërkohen nga gazetarët. Marrja e një reagimi për një çështje të caktuar nga institucionet publike në vend po vazhdon të jetë sfidë ku pritja me javë për një përgjigje po e vështirëson punën e gazetarëve në informimin e publikut për çështje të caktuara.

Punën e gazetarëve nuk e ka lehtësuar as Ligji për Qasje në Dokumente Publike, i cili nuk po gjen zbatim. Përkundër që ligji e parasheh që institucionet duhet t’i përgjigjen kërkesës për qasje në dokumente publike brenda 7  ditëve prej kur parashtrohet kërkesa, shpeshherë nuk ka fare përgjigje nga institucionet.

Problematike mbetet edhe fakti që edhe në rastet kur ofrohet qasje në këto dokumente publike nuk jepen të gjitha informacionet e kërkuara.

Se gazetarët përballen me vështirësi për marrjen e informacioneve nga institucionet e vendit e thotë për KP edhe kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina.

Ajo deklaroi sesa i përket transparencës së institucioneve karshi mediave gjendja është larg asaj se çfarë do të duhej të ishte.

Begolli thotë se pushtetarët janë të gatshëm të japin intervista dhe të flasin për tema të caktuara, por që sipas saj kur kërkohet përgjigje për kontrata me shuma të mëdha ata gjithmonë hezitojnë t’i përgjigjen interesimit të gazetarëve.

“Gazetarët nuk e kanë problem të qasen apo t’i kenë ato informacione të cilat janë publike në përgjithësi, mirëpo kemi vështirësi të mëdha në marrjen e atyre informacioneve që kemi të bëjmë sidomos me kontratat. Ne e dimë se për dhënien e këtyre informacioneve më së paku janë apo u lejohet të kenë qasje me gazetarët zyrtarëve për media qoftë në institucione lokale apo qeveritare. Kështu që, është mirë që realisht gazetarët tanë po e bëjnë një punë jashtëzakonisht të mirë në informim të publikut dhe aspak nuk bazohen në zyrat për media, sepse e dinë me saktësi që shumica prej tyre funksionojnë që të thonë atë që dëshirojnë ta thonë vet shefat e tyre, rrjedhimisht qoftë ministrat apo kryetarët e komunave. Kështu që, fatmirësisht po gjejnë kanale të tjera dhe po kanë mundësi të informojnë, të bëjnë tema shumë të mira, të informojnë publikun mbi atë se çka është duke ndodhur tek ne”, thotë ajo.

Ajo thotë se edhe ligji për qasje në dokumente publike nuk po respektohet nga institucionet e vendit, ku përmend faktin se mediat për vite me radhë nuk kishin arritur t’i marrin faturat e shpenzimeve të kryeministrave të vendit.

Një ndihmesë për gazetarët, Begolli thotë se është ligji për sinjalizuesit, i cili po u ndihmon mediave që të nxjerrin në pah keqpërdorime të shumta që fshihen nga institucionet.

AGK në muajin prill të këtij viti do të publikojë raportin ku do të bëhen publike të gjitha vështirësitë me të cilat përballen gazetarët.

Përveç mediave edhe organizatat e shoqërisë civile deklarojnë se institucionet e vendit vazhdojnë të mos jenë transparente, megjithatë thonë se ka një përmirësim krahasuar me vitet e mëhershme.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se institucionet vazhdojnë të mos jenë transparente kur kërkohet qasje në tenderë të ndryshëm.

Ai thotë se ka raste kur kërkesat e KDI-së për qasje në dokumente publike janë refuzuar, ndërsa potencon se ka pasur raste kur ani pse është lejuar qasja dokumentet e ofruara kanë qenë gjysmake.

“Institucionet tona krahasim me vitet e mëhershme janë më transparente, në kuptimin e dorëzimit të dokumenteve, por jo transparente për dorëzimin e dokumenteve në të cilat potencialisht fshihen afera korruptive. Ka pasur raste kur kemi kërkuar qasje në dokumente publike të cilat nuk na janë ofruar dhe ka pasur raste kur kemi kërkuar qasje dhe na është ofruar, pra kemi dy të ndryshme. Rastet kur nuk na është ofruar gjithmonë e kemi pasur parasysh se mund të fshihet diçka dhe kemi shkuar më tutje, pra i kemi dërguar tek Avokati i Popullit dhe disa raste edhe në gjykatë. Por, në rastet kur na është ofruar atëherë e kemi pa që dokumentet që na janë ofruar kanë qenë ndonjëherë të plota, ndonjëherë kanë qenë edhe të paplota, pra kanë ofruar qasje gjysmake duke mos ofruar të gjitha informatat të cilat janë kërkuar. Tash ballafaqimi me të cilat jemi marrë ne besoj që edhe mediat çdo d itë ballafaqohen, sidomos në rastet kur kanë hulumtime për çështje të caktuara dhe ne për hulumtime për çështje të caktuara sidomos në tenderët publik sfidë më të madhe e kemi qasjen në dokumentet apo në vendosje të tenderëve”, thotë Spahija.

Ai përmendi tenderin për autostradën “Arbën Xhaferi” ku dosja iu është ofruar vetëm për ta parë por jo edhe fizikisht. Një rast tjetër Spahija përmend kur kanë kërkuar për dy vite me radhë nga Komisioni Qendror Zgjedhor qasje në raportet financiare të pa audituara të subjekteve politike, por që asnjëherë nuk kishin arritur t’i marrin informacionet e kërkuara.

Sa i përket rolit të zyrave për media në institucionet publike, Spahija thotë se nga këto zyre mund të marrësh informacione që nuk kanë ndikim politik, ndërsa sipas tij nëse kërkesa ka implikime politike marrja e përgjigjes është shumë e vështirë.

Ndërkaq, Artan Demhasaj nga organizata Çohu, thotë se ka përmirësime sa i përket qasjes në dokumente publike, por potencon se ka institucione që vazhdojnë të mos lejojnë qasje në dokumentet që kërkojnë të kenë qasje.

Në rastet kur institucionet nuk janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të tyre, Demhasaj thotë se i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit.

“Situata mundet me qenë pak më mirë sesa viteve të kaluara sa i përket qasjes në dokumente publike sepse në shumicën e rasteve ki përgjigje pozitive dhe institucionet të japin informacione apo dokumentet që i kërkon. Por, kjo varet varësisht nga dokumentet që i kërkojmë, janë një kategori e dokumenteve që është më lehtë me qenë të qasshme për shkak se nuk janë shumë të ndjeshme, por janë pastaj një kategori e dokumenteve dhe informacioneve që kërkohen e që janë më të ndjeshme dhe ka hezitim më të madh brenda institucioneve për me të dhënë qasje. Por, situata është më e mirë, por ka institucione dhe ka informacione që kërkohen që vazhdimisht ka një lloj rezistence nga ana e institucioneve për mos me na dhënë qasje. Së fundi kemi kërkesë të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit që po kërkojmë disa informacione që lidhen me universitetet private në Kosovë, e që vazhdimi sht jemi duke pasur të themi shkelje të afateve ligjore dhe njëkohësisht edhe rezistencë nga ana e Ministrisë së Arsimit për me na dhënë qasje në këto informacione”, thotë ai.

E ndonëse zyrat për media në institucionet publike do të duhej të ndihmonin punën e mediave dhe të organizatave për t’iu ofruar qasje në informacionet që kërkojnë, Demhasaj thotë se këto zyre luajnë rolin vetëm të ndërmjetësuesit mes mediave dhe departamenteve në të cilat kërkohet informacioni.

“Zyra për informim, të paktën në bazë të përvojës tonë që e kemi, është më tepër vetëm si një mjet komunikimi apo ndërmjetësimi mes nesh dhe të themi departamenteve apo kujtdo që i ka ato dokumente që ne i kërkojmë. Tash, zyra për informim është vetëm një mekanizëm që e pranon kërkesën tonë, pastaj zyra e dërgon tek një mekanizëm më i lartë në hierarki që ka dokumentin. Pastaj, zyra për informim varet nga udhëheqësi i atij departamenti se a donë apo nuk dëshiron të lejojë qasjen në ato dokumente që ne i kërkojmë. Pra, janë efektive në aspektin e pranimit të kërkesave dhe dërgimit të kërkesës aty ku duhet, po pastaj çështjet tjera nuk varen nga zyra për informim”, shprehet ai.

Gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, po edhe persona të tjerë, në rastet kur nuk iu lejohet qasja në dokumentet zyrtare i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit.

Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari deklaron se janë më shumë se 100 ankesa që i janë drejtuar këtij institucioni sa i përket mos lejimit të qasjes në dokumente zyrtare, e në 80 përqind të rasteve ai tha se është vendosur në të mirë të gazetarëve.

“Ligji nuk është zbatuar sa duhet për qasje në dokumentet zyrtare, mirëpo gjithashtu është fenomen që nuk është shfrytëzuar sa duhet. Ne këtë vit kemi një dyfishim të madh të ankesave që i referohen pikërisht qasjes në dokumente zyrtare dhe pikërisht në pjesën dërrmuese vijnë nga gazetarët. Nëse nuk gaboj janë diku mbi 100 ankesa që janë të regjistruara në Institucionin e Avokatit të Popullit për qasje në dokumentet zyrtare dhe nëse nuk gaboj këto statistika flasin për 70 përqind ose 80 përqind e tyre veç janë zgjedhur pozitivisht deri më tani. Kështu që, kemi qenë bukur të suksesshëm në zgjedhjen e këtyre rasteve në dobi të kuptohet gjithmonë gazetarëve”, thotë ai.

Ligji për Qasje në Dokumente Publike u garanton të drejtën secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Mbahet konferencë për rritjen e transparencës së gjyqësorit në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Zyrtarja për Demokraci dhe Qeverisje e USAID-it në Kosovë, Christina Davies, do të flasë në hapjen e konferencës së titulluar ‘Rritja e Transparencës së Gjyqësorit’.

Konferenca mbi rritjen e transparencës së gjyqësorit ofron mundësi të hedhjes së një vështrimi më të thelluar në çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në Kosovë, konkretisht pasojat e drejtpërdrejta të transparencës dhe llogaridhënies së pamjaftueshme të gjyqësorit të manifestuara në formë të rrënimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Ngjarja ka për qëllim të ofrojë informata nga gjetjet e monitorimit nga ana e organizatave të shoqërisë civile të gjyqësorit për ta mbajtur atë llogaridhënës ndaj publikut, si dhe përmes paneleve të diskutimit mbi masat disiplinore.

Programi i USAID-it për forcimin e sistemit të drejtësisë hyri në partneritet me organizatat BIRN dhe FOL për të matur dhe promovuar përputhshmërinë e gjyqësorit me obligimet e marra përsipër nga aspekti i transparencës dhe llogaridhënies.

Konferenca është njëri nga aktivitetet e koncipuara për të matur dhe promovuar përputhshmërinë e gjyqësorit me detyrimet për të publikuar vendime gjyqësore dhe statistikat përkatëse; publikuar vendime disiplinore dhe statistika përkatëse në lidhje me ankesat dhe vendimet; si dhe me rregullat dhe procedurat gjatë trajtimit të lëndëve të korrupsionit dhe dhunës me bazë gjinore.

Konferenca mbahet sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare me fillim prej orës 9:30.

Morena shfaqet me një fustan krejt transparent, ja çka paralajmëron (Foto)

Periskopi.com Showbiz

Morena Taraku ka njoftuar fansat se së shpejti publikohet projekti i ri.

Morena Taraku ka dhënë një lajm shumë të mirë për fansat e saj me postimin e fundit të bërë.

Është bërë një kohë bukur e gjatë që kur këngëtarja ka sjell diçka të re në muzikë.

Minuta më parë me një fotografi të publikuar në rrjetin social Instagram bukuroshja ka njoftuar se javën që vie publikohet kënga e re.

Ajo deshi të lë enigmë titullin e këngës së re duke mos e treguar atë foton e publikuar.

Ambasadori amerikan kritikon gjykatat e Kosovës për mos transparencë

Periskopi.com Lajme

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka reaguar në lidhje me transparencën në Gjykata për sa i përket vendimeve të publikuara. Kosnett vazhdimisht është duke bërë thirrje për rëndësinë e sundimit të ligjit në të gjitha institucionet e Kosovës.

Kosnett në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter, ka shkruar se Gjykatat Themelore në Pejë dhe Prishtinë janë larg nga arritjet e Gjykatës Themelore në Ferizaj. Kjo sepse Gjykata Themelore në Pejë ka publikuar vetëm 6 për qind të vendimeve e Gjykata Themelore në Prishtinë vetëm 11 për qind. Kjo sipas ambasadorit është dëshpëruese. Ai ka shkruar se të dy gjykatat mund të bëjnë më shumë për të rritur transparencën.

Ambasadori ka lavdëruar Gjykatën Themelore të Ferizajit që ka ngritur transparencën gjyqësore duke publikuar 70 për qind të vendimeve.

 

Këto tri komuna të Kosovës ishin më transparentet gjatë vitit 2018

Periskopi.com Lajme

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe OJQ Aktiv përmes një konference, sot ka bërë publikimin e raportit “Transparometri 2018”, që vë në pah gjetjet dhe rekomandimet nga matja e transparencës në 15 komuna të Kosovës. Bazuar në matjet e 58 indikatorëve në katër shtylla, komuna më transparente doli ajo e Drenasit (duke përmbushur 82.22% të indikatorëve), ndërsa më pak transparente ishte ajo e Mamushës (duke përmbushur 27.12% të indikatorëve). Subjekt i këtij indeksi të transparencës ishin komunat: Drenas, Mitrovicë e Jugut, Viti, Malishevë, Klinë, Dragash, Kamenicë, Graçanicë, Obiliq, Shtërpcë, Mamushë, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa rezultatet e tyre janë si vijon: 1. Drenasi (82.22%), 2. Mitrovica e Jugut (77.97%), 3. Vitia (72.88%), 4. Malisheva (72.88%), 5.Klina (68.66 %), 6.Dragashi (64.41%), 7. Kamenica (62.71%), 8. Shtërpca (56.78%), 9, Graçanicë (54.24%).10. Obiliqi (53.39%), 11. Mamusha (27.12%).

Në hapje të kësaj konference Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së ka theksuar se mungesa e transparencës, pjesëmarrja e mangët e publikut të vendimmarrje dhe etika jo e mjaftueshme në qeverisje, nuk janë sfidë vetëm për institucionet lokale por edhe për qeverisjen në nivel qendror. Prandaj KDI dhe projekti të cilin ajo po e zbaton në këto komuna synon të ulë riskun e keq-qeverisjes, të rrisë besimin qytetar në institucione dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.

Ambasadori Britanik në Prishtinë Ruairi O’Connell, ka theksuar se ky projekt ka të bëjë me pushtetin që qytetarët e mbajnë. Ai ka thënë se thelbi i demokracisë është sundimi nga populli.“Ne kemi një shprehje në Britani që ‘dituria është fuqi’. Nëse qytetarët janë të angazhuar në procesin demokratik, fuqia e tyre rritet. Sa më shumë informacion që qytetarët kanë për mënyrën se si përfaqësuesit e tyre po qeverisin, aq më shumë ata mund t’u kërkojnë atyre llogari. Sa më shumë që bëjnë pyetje, aq më të përgjegjshëm bëhen politikanët e tyre. Dituria është fuqi. Dhe dituria e vënë në duart e njerëzve është një gjë e fuqishme. Por gjithashtu kjo fuqi nuk ka domethënie nëse nuk përdoret nga njerëzit. Qytetaria aktive është çelësi i demokracisë.”, ka thënë O’Connell.

Në adresimin e saj, Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), ka potencuar se pavarësisht progresit në disa fusha, transparenca komunale mbetet një nga sfidat e mëdha.”Një numër i vogël i komunave ofron qasje në dokumentet zyrtare dhe kjo është shqetësuese, ndërsa vetëm një numër i vogël i komunave përmbushin transparencën buxhetore”, ka shtuar Ukimeraj.

Ndërsa, Ahmet Rushiti nga KDI pas prezantimit të rezultateve për secilën komunë, ka inkurajuar komunat që të mënjanojnë procedurat burokratike lidhur më kërkesat e qytetarëve dhe të punojnë në krijimin e mekanizmave efikas për menaxhimin e tyre. Ai ka kërkuar nga komunat t’a zbatojnë ligjin për gjuhët zyrtare dhe të bëjnë hapjen e të dhënave.

Miodrag Miliqeviq nga “NGO AKTIV”, ka thënë se zbatimi i këtij projekti në komunat veriore hap mundësi dhe rrugë për transparencë dhe llogaridhënie sa më të madhe të nivelit lokal.

Përfaqësuesit e komunave të përfshira në këtë publikim, janë pajtuar me të gjeturat e raportit dhe kanë shprehur përkushtimin e tyre për ngritjen e mëtejme të transparencës së institucioneve.

Raportin me gjetjet e plota dhe rekomandimet mund ta shkarkoni këtu: http://kdi-kosova.org/publikimet/transparometri-komunal-2018-2/
Projekti “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”, është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë. /Periksopi

Ramiz Lladrovci është kryetari më transparent, sipas KDI’së

Periskopi.com Lajme

Komuna e Drenasit për vitin 2018 ka marrë epitetin si komuna më transparente në Kosovë.

Ky vlerësim iu dha nga një hulumtim njëvjeçar i realizuar nga KDI [Instituti Demokratik i Kosovës] në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë.

Drenasi prej 118 pikëve sa është maksimumi ka marrë gjithsej 97 pikë apo 97 %. Ndërkaq si komuna më pak transparente në këtë hulumtim doli komuna e Mamushës me vetëm 32 pikë nga 118 sa ka qenë maksimumi i vlerësimit me pikë.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, tha se puna në 11 komuna ka qenë sfidë në vete, njofton Klan Kosova.

Prej këtij hulumtimi tha se mungesa e transparencës nga disa prej komunave vë në pah që një gjë e tillë ekziston edhe në nivelin qendror.

Ndërkaq shtoi se prej 150 takime me qytetarë kanë qenë shumë të frytshme në përfshirjen e qytetarëve të këtyre komunave që ishin pjesë e hulumtimit për t’u dhënë mundësinë këtyre të fundit në vendimmarrje në qytetet në të cilat jetojnë.

Ndërkaq ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se ky projekt ka për qëllim që qytetarët të kërkojnë më shumë përgjegjësi nga udhëheqësit e tyre.

Ky kërkoi që kosovarët të jenë më kërkues ndaj politikanëve ndaj atyre që i udhëheqin dhe të shohin se këta të fundit po i mbajnë premtimet e saj po i realizojnë ato që i premtuar në kohë fushate.

 

Këto parti politike vazhdojnë të mos jenë transparente në uebfaqet e tyre

Periskopi.com Lajme

Partitë politike garojnë për besim të votuesve në zgjedhje dhe marrin fonde nga buxheti i Kosovës. Andaj, pritet që në ueb-faqet e tyre ato së paku të ofrojnë informata dhe dokumente themelore, që janë lehtë të qasshme për publikun dhe simpatizantët. Mirëpo, shumë parti politike ende po vazhdojnë të injorojnë mirëmbajtjen e ueb-faqeve jashtë procesit zgjedhor.

Demokraci Plus ka vazhduar të përcjell ueb faqet e subjekteve kryesore politike dhe nëse krahasohet gjendja aktuale me atë të tetorit të vitit 2017 kur ishte publikuar infografika e fundit vërehet që pothuajse tek të gjitha subjektet ka përkeqësim në aspekt të mirëmbajtjes së uebfaqeve. I vetmi subjekt politik që ka mbajtur situatën e njëjtë, por që nuk ka shënuar as përmirësim duke i munguar edhe disa informata bazike, është Partia Demokratike e Kosovës.

Subjektet politike vazhdojnë të mos kenë transparencë të plotë sa i përket publikimit të raporteve financiare. Asnjëra nga subjeketet politike nuk kanë publikuar raportet vjetore financiare të vitit 2017, ndërsa vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar raportin financiar të fushatës zgjedhore të vitit 2017.

Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të shkurtër të gjendjes së ueb faqeve për secilin subjekt politik kryesor në vend.

Lëvizja Vetëvendosje – Edhe pse ka një përkeqësim nga periudha paraprake, vazhdon të mbetet subjekti me uebfaqen më të mirëmbajtur nga të gjitha subjektet politike. Ky subjekt politik ka publikuar raportin financiar për fushatën e vitit 2017, por nuk të publikuar raportin e rregullt financiar për këtë vit. Lajmi i fundit i publikuar në uebfaqen e kësaj Lëvizje është i 2 qershorit 2018. Po ashtu, ky subjekt politik nuk ka përditësuar as të dhëna tjera më rëndësi siç janë grupi parlamentar, ku akoma figurojnë edhe individët që tashmë kanë kaluar në një subjekt tjetër politik.

Partia Demokratike e Kosovës – Është i vetmi subjekt që nuk ka as përmirësim e as përkeqësim të gjendjes. Ky subjekt vazhdon të mos i publikoj raportet e veta financiare përderisa e përditëson atë me lajme të ndryshme nga aktivitete të ndryshme partiake.

Nisma Social Demokrate – Të vetmin përmirësim që e ka ky subjekt politik është përditësimi më i shpeshtë. Në anën tjetër vazhdon të mos ketë të publikuara të gjitha raportet e shpenzimeve financiare, si dhe nuk ka të dhëna të plota për udhëheqësinë e këtij subjekti.

Lidhja Demokratike e Kosovës – Nuk ka asnjë përmirësim nga periudha paraprake e krahasimit. Përkundrazi, nuk publikuar të gjitha raportet financiare, duke përfshirë edhe atë fushatës zgjedhore 2017. Po ashtu edhe përditësimi me lajme të reja nuk bëhet në baza të rregullta.

Aleanca për Ardhmërine e Kosovës – Si duket të qenurit në pushtet i mjafton këtij subjekti politik dhe e ka deaktivizuar në tërësi uebfaqen e vetë.

 

Qeveria e Kosovës, e fundit në rajon për transparencë

Periskopi.com Lajme

Pushteti ekzekutiv i Kosovës renditet i fundit në rajon për transparencë. Kjo pasi Zyra e Kryeministrit ka rezultatin të ulët të hapjes institucionale me vetëm 41 përqind, 19 përqind më ulët se vitin paraprak. Ndërsa, hapja zvogëlohet edhe më tej drejt organeve më të ulëta në hierarki, ku ministritë kanë shënuar 37 përqind dhe agjencitë ekzekutive 15 përqind.

Kështu u tha me rastin e lansimit të analizës “Qeverisja e Hapur e Pushtetit Ekzekutiv në rajon dhe në Kosovë”, e cila analizon nivelin e transparencës, hapjes dhe llogaridhënies së pushtetit ekzekutiv në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe përfshinë propozime për përmirësimin e gjendjes aktuale.

E nëse krahasohet me matjet e vitit të kaluar, ku Zyra e Kryeministrit kishte shënuar 60 për qind dhe renditej e dyta, shihet një rënie e konsiderueshme këtë vit.

Libor Chlad, zëvendësshef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se transparenca është shumë me rëndësi, pasi njëherit monitoron edhe procesin e vendimmarrjes.

Ai u shpreh se krahas llogaridhënies, po aq i rëndësishëm është mënjanimi i konfliktit të interesit. Ndërsa, tha se ka një rezistencë ndaj ndryshimeve.

Tutje, Chlad apeloi që qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet qasja në dokumentet zyrtare. Teksa shtoi se pavarësia e gjyqësorit, ka një rëndësi shumë të madhe.

“Është bërë shumë por ka ende për t’u bërë. Tani kemi një ligj që siguron qasjen në dokumente publike, dhe është i zbatueshëm, por nganjëherë është lehtë të vendosim në letër e më vështirë të aplikohet. Tani do të themelojmë një mekanizëm, i cili do të kontrollojë se si funksionon administrata publike. Kemi tri projektligje të cilat janë në Parlament dhe shpresojmë se këto do të na ndihmojmë të marrim një hap në drejtimin e duhur, në mënyrë që ta paraqesim një natyrë të administratës publike në Kosovë”, tha ai.

Chlad shtoi se bashkë me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kanë punuar për të rritur kapacitetin e Administratës Publike, për ta analizuar fushëveprimin e kësaj administrate.

Sipas tij, në Kosovë ka shumë agjenci ekzekutive, për të cilat tha se shumë nga ato janë të pavarura, por duhet të bëhet e ditur nëse ekziston koncepti ‘i pavarur’, si dhe të dihet nëse Kuvendi ka kapacitet që të monitorojë 79 agjencione apo jo.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, bëri të ditur se përkundër sfidave që kanë hasur me hapjen e të dhënave, tanimë kanë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, si raportin që ofron një plan konkret veprimi për iniciativën për hapjen e të dhënave dhe lanisimin e portalit të ridizajnuar për të dhëna të hapura.

Ndërsa adresoi disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen.

“Aktualisht jemi duke punuar në krijimin e mekanizmave për vendosjen e një politike të qartë për hapjen e të dhënave të ekzekutivit për të siguruar se hapja e të dhënave do të bëhet në mënyrë të rregullt dhe në bazë të interesit publik. Sfidë serioze do të jetë niveli i ulët i vetëdijes për rëndësinë e hapjes së të dhënave dhe faktit që të dhënat që prodhojnë institucionet duhet të vihen në dispozicion të publikut për të ndihmuar inovacionin, hulumtimin, politikë-bërjen dhe transparencën. Së dyti, sfidë do të jetë mungesa e kapaciteteve e zyrtarëve për të inventarizuar dhe përgatitur sipas standardeve adekuate publikimin e të dhënave. Në këtë drejtim ne si ministri po planifikojmë një cikël trajnimesh për vitin e ardhshëm për zyrtarët që pritet të emërohet si pika kontakti për të dhëna të hapura”, u shpreh Yagcilar.

Hapja e të dhënave, sipas tij, përveç që forcon transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë, sjellë shumë përfitime pozitive për qytetarët, bizneset dhe sektorin publik.

Kurse, Blerina Ramaj, koordinatorja e projektit të ActionSEE, tha se në matjet e këtij viti, të bazuara në indikatorët për pushtetin ekzekutiv, Kosova është renditur e treta në rajon duke shënuar 33 përqind të indikatorëve.

Në vend të progresit që është pritur, sipas saj, institucionet e ekzekutivit në rajon kishin rezultate edhe më të këqija në krahasim me vitin e kaluar.

Ramaj bëri të ditur se hapja institucionale arrinë vetëm 38 për qind të treguesve të përmbushur, ndërsa theksoi se vitin e kaluar ishte 41 për qind.

“I kemi zyrat e kryeministrave në vendet e Ballkanit. Më e hapura ka qenë ajo e Maqedonisë në këtë rast, që ka shënuar 75.64, që është përqindja më e lartë që është arritur. Pastaj, kemi vazhdu me Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe të fundit e kemi Kosovën, në krahasim pra me shtetet e tjera. Zyra e Kryeministrit në Kosovë, në bazë të komponentëve të cilat ekzistojnë, të parën e ka integritetin në bazë të mekanizmave të kod-etikës dhe parandalimit të interesit. Të qasshme janë 37.58, transparencën e kanë 29.51, dhe efikasitetin e kanë 25 përqind”, u shpreh ajo.

Ndryshe, ky raport, ka gjetur se pushteti ekzekutiv në Kosovë (Zyra e Kryeministrit, Ministritë dhe Agjencitë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit) nuk ka punuar në rritjen e hapjes së fuqisë ekzekutive në Kosovë, por vetëm e ka neglizhuar atë.

Matja është bërë nga muaji dhjetor 2017 deri në shkurt 2018, ndërsa bëhet e ditur se një sërë rekomandishmesh dhe udhëzimesh drejt institucioneve publike janë zhvilluar duke u bazuar në rezultatet e hulumtimit. /kp

Mungesa e transparencës për dokumentet publike ndikon keq në luftimin e korrupsionit

Periskopi.com Lajme

Kosova thuhet se ka infrastrukturë të mirë ligjore për qasjen tek dokumentet publike, por shoqëria civile dhe gazetarët thonë se janë përballur shpesh me mos përgjigje për informatat e kërkuara nga institucionet e vendit.

Vëzhguesit thonë se problemi më i madh është qasja tek kontratat për projektet infrastrukturore dhe kontratat për kryerjen e shërbimeve për qeverinë të cilat sipas tyre, përfshijnë interesa biznesi dhe politike, raporton VOA.

Kjo sipas tyre, jep një mesazh për mungesë transparence, që shihet si një faktor i rëndësishëm për luftuar korrupsionin në vend.

KDI: Mungesë e transparencës për politika sociale në rajonin e Prizrenit

Periskopi.com Lajme

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar analizën hulumtuese “Politikat sociale në nivel lokal” ku përfshihen komuna e Prizrenit, Rahovecit dhe Dragashit, ku nxirren në pah ngecja e hartimit të planeve vjetore dhe mirëmbajtja e shërbimeve sociale dhe familjare në këto komuna.

Naim Cahani nga KDI, në një konferencë për media tha se përkundër obligimeve ligjore të komunave në hartimin e Planeve vjetore në mirëmbajtjen e shërbimeve sociale dhe familjare, asnjë nga komunat që përfshihen në kuadër të këtij hulumtimi nuk kanë dokumente të tilla.

“Një gjë e tillë ka reflektuar në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së komunave në përfshirjen e qytetarëve në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale”, tha ai.

Cahani potencoi mungesën e respektimit të procedurave dhe mungesën e kritereve të qarta për dhënien e subvencioneve në nivel lokal, ndërsa  Elmedina Dorambari nga KDI, ka folur për politikat e financimit të Organizatave të Shoqërisë Civile që ofrojnë shërbime të caktuara  sociale.

“Gjatë hulumtimit, është vërejtur mungesë kriteresh dhe uniformiteti, duke mos specifikuar në detaje se cilat nga kriteret duhet të përmbushen me qëllim të qasjes në subvencione nga ana e Organizatave të Shoqërisë Civile. Mungesa e politika të brendshme, mund të reflektojë në mungesë të transparencës dhe përjashtimin e shumë organizatave që ofrojnë shërbime sociale në territorin e komunave përkatëse”, ka thënë Dorambari. Ky hulumtim, e nxjerr komunën e Prizrenit si komunë të vetme, e cila në kuadër të politikave të saja sociale ka investuar në financimin e programeve të veçanta të banimit, por Komuna e Prizrenit, duhet të krijojë një mekanizëm shumë-palësh në monitorimin e zbatimit të kontratave me përfituesit aktualë.

Dorambari, po ashtu prezantoi edhe rekomandimet e dala nga ky hulumtim për këto komuna si ndryshimi i rregulloreve komunale për ndarjen e subvencioneve Komuna e Prizrenit dhe e Dragashit, implementimi dhe respektimi i rregullores komunale për ndarjen e subvencioneve nga komuna e Rahovecit.

Po ashtu ndër rekomandimet është edhe përfshirja e komunitetit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile në hartimin e planit vjetor të shërbimeve sociale, rritja e transparencës dhe publikimi i planit vjetor në ueb faqen zyrtare të komunës, hartimi i planeve strategjike në nivel lokal për adresimin e nevojave sociale dhe familjare në periudha afatgjata.

KDI rekomandon rritjen e buxhetit komunal për investime kapitale për politikat sociale të banimit  në nivel lokal komuna e Dragashit dhe Rahovecit, vendosja e standardeve dhe respektimi i kritereve në politikat e programeve të banimit social nga Komuna e Prizrenit.

Gjithashtu, krijimi i një komisioni shumë palësh në monitorimin e zbatimit të kontratave me shfrytëzuesit aktualë të banesave sociale në Komunën e Prizrenit dhe rritja e mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit ndërmjet MPMS dhe komunave në hartimin e planeve strategjike për banimet sociale dhe ndarjen e banimeve sociale nga komuna, janë ndër rekomandimet e KDI-së.