Si u ekzekutua ish-polici në atentatin që tronditi Tiranën?

Periskopi.com Lajme

Policia e shtetit ka arritur të identifikojë një nga autorët e atentatit ndaj ish-policit 26-vjeçar Santiago Malko në rrugën Xhanfize Keko në Tiranë.

Sipas asaj që raporton News24 ai është me iniciale D.A. dhe është shpallur në kërkim nga uniformat blu. Të tjera burime thanë se autorët kanë përdorur dy automjete për të realizuar atentatin.

Në fillim ata i kanë prerë rrugën makinës tip BMW X5 ku udhëtonte viktima me anë të një furgoni. Makina e 26-vjeçarit ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një mur. 2 persona kanë dalë nga furgoni dhe kanë hapur zjarr me breshëri ndaj të riut duke e lënë të vdekur në vend. Më pas autorët janë larguar në drejtim të zonës së Freskut duke djegur furgonin tip Mercedes Benz në fshatin Ferraj.

Më pas autorët janë larguar me një makinë tjetër. Shërbime të shumta policore kane ngritur disa pika kontrolli në kryeqytet dhe janë vënë në ndjekje të autorëve. Ekspertët e kriminalistikës po mbledhin prova në vendngjarje, që do të ndihmojnë hetimin. Policia ka nisur të shoqërojë persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit. Santiago Malko ishte një person i njohur për policinë e Tiranës.

Ai ka qenë efektiv i patrullave gjatë vitit 2015-2016. Në fillim të 2016-ës ai është larguar nga policia për tu marrë me biznes. Në prill të atij viti ai pati një përplasje me vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi për shkak të konflikteve për bastet sportive që kontrollonin në zonë.

Ish-polici u arrestua pasi gjatë sherrit ka nxjerrë armën duke tentuar të qëllojë në drejtim të vëllezërve. Malko dyshohet se ka qenë i pranishëm kur ndodhi masakra në lokalin “Monopol” në Bllok në 4 tetor 2018. Prej asaj dite polica ka qenë në kërkim të Malkos.

Sipas një videoje të publikuar nga report.tv dyshohet se Malko hyri dhe doli qetësisht nga lokali “Monopol” dhe në kokë mbante një kapele. Ai konsiderohej si mik i Ervis Martinajt i cili mbeti i plagosur në atë ngjarje.