Ndryshe nga Kurti, zv.ministri i tij thotë se Presidenti ka kërcënuar VV-në përmes ‘Gardës Kombëtare’

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Enver Dugolli ka komentuar shkrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për organizatën e ashtuquajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Përmes një shkrimi në Facebook, zv/ministri kërcënimin ndaj shefit të ekzekutivit e lidhë me qëndrimet e presidentit të Republikës, Hashim Thaçi.

“Gjuha e përdorur në këtë komunikatë ogurzeze, qenka në sinkron me nervozet e Presidentit dhe regjimit të vjetër”, ka deklaruar ai.

Më tej, Dugolli nënvizoi se fitorja e LVV-së është e mira ndaj të keqes e cila ka marr rrugë. “Asnjë kërcënim, nga kushdo qoftë, nuk na frikëson e nuk na dobëson! Ne jemi me popullin dhe për popullin, ndërsa atyre (regjimi të vjetër), nuk u ka mbetur tjetër.#MeKryeministrin”, ka shkruar ai.

Organizata “Garda Vullnetare Shqiptare”, sipas Albin Kurtit, e ka kërcënuar atë dhe kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi.

“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, shkruhet në statusin e kryeministrit Kurti.