Tregu i ri do të ndërtohet në hapësirat e AKP-së

Tregu i ri do të ndërtohet në hapësirat e AKP-së

Tregu i Gjelbër i Prishtinës nuk dihet as ku fillon e as ku mbaron. Tezgat brenda këtij tregu shumica janë të zbrazëta pasi nuk po shfrytëzohen nga shitësit.

Këta të fundit kanë zgjedhur që produktet e tyre t’i shesin në rrugë, ku nuk ka kushte elementare për tregti, ndërkohë që as produktet nuk janë të sigurta për nga higjiena për shkak të ambientit të ndotur.

Tregtarët, me një vendim komunal, ose do të futen në tezga ose do të largohen nga rruga, pas vendimit që ka marrë komuna e që do të zbatohet nga data 24 korrik. Tregu i ri, sipas Komunës së Prishtinës, do të jetë në hapësirat e AKP-së.

Qeverisjet e fundit të Prishtinës, përfshirë edhe të tanishmen, premtuan se tregu i gjelbër do të zhvendoset në një hapësirë të përshtatshme, por për planin konkret tregtarët ankohen se nuk janë njoftuar nga komuna.

Sheqhajdin Mejdani është njëri nga tregtarët më të vjetër, i cili thotë për RTK se nuk ka informata zyrtare se çka do të ndodhë me dyqanin e tij.

“Kjo është dilema se neve nëse na largojnë kish qenë mirë me na bo një zgjidhje, por nu keni informata se çfarë zgjidhje do të bahet për ne, ose të na bëhët ndonjë kompenzim sepse ne s’kemi ku shkojmë, ky është problemi”, tha Sheqhajdin Mejdani.

E për shitësit ambulantë, inspektorati komunal u ka dhënë kohë deri më 24 korrik që të zhvendosen në tezgat brenda pazarit.
“Këto sipas disa fjalëve na duhet me shku te tregu i bylmetit, po atje vendi osht shumë i ngusht nuk i plotëson kushtet, na jemi ktu rreth 50 tregtar dhe 50 familje me i lon pa të ardhura dhe duhet me dit edhe ata mirë se qysh don me largu dikënd, kur nuk I bon zgjidhje, le të bon zgjidhje na vet largohemi se as për neve nuk osht e lehtë, na jemi në rrugë, por duhet me bo zgjidhje”, tha tregtari Beqir Avdiu.

Kurse nënkryetari i komunës së Prishtinës Alban Zogaj, thotë për RTK se tashmë është themeluar ndërmarrja publike për tregun e gjelbër dhe së shpejti do të fillojnë punimet e ndërtimit të tregut të ri në hapësirat ku ka qenë Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Nënkryetar i komunës së Prishtinës Edhe tregu i Ulpianës do të rindërtohet, dhe deri sa të përfundojë projekti, tregtarët do të zhvendosen në tregun e ri.

Shpërndaje në: