U dënua me 1 vit e 6 muaj burg – Manxhuka i VV’së flet për “interesa të prishura”

U dënua me 1 vit e 6 muaj burg – Manxhuka i VV’së flet për “interesa të prishura”

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka reaguar pasi ai dhe deputeti i VV’së, Egzon Azemi, u shpallën fajtorë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, duke u dënuar secili veç e veç me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

Manxhuka ka dalur me reagim duke folur për “ndikim të Serbisë në veri, banda kriminale të shpartalluara atje” e për “interesa të prishura”.

“Ndikimi i Serbisë në veri, bandat kriminale atje janë shpartalluar. Ajo që jo që nuk u bë, por që u stimulua për mbi 20 vjet, u luftua dhe u çmontua për vetëm një mandat. Natyrisht, kemi qenë të bindur që do të prishen shumë interesa. Por, jemi ballhapur, pjesa që nisi të cilësohej ‘Dhuratë e Rankoviqit’ po merr jetë si kurrë më parë si mrekulli e bukuri e Republikës së Kosovës.
Pëpara. Vazhdojmë.”, ka shkruar Manxhuka.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”.  Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.

Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.

“I pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.

U dënua me 1 vit e 6 muaj burg, Egzon Azemi i lidh gjyqtarët me Serbinë

Shpërndaje në: