Uk Lushi pas vizitës në Hagë: Burrat tanë kanë nevojë për mbështetjen tonë

Uk Lushi pas vizitës në Hagë: Burrat tanë kanë nevojë për mbështetjen tonë

Të rralla janë vizitat e personave jashtë rrethit familjar, që u bëjnë Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, në Dhomat e  Specializuara në Hagë, ku ata po mbahen në paraburgim.

Për më tepër, edhe ata që i vizitojnë, nuk është  se flasin shumë. Kjo për shkak te rregullave strikte që ka gjykata, që ndalon bartjen e  informacioneve nga jashtë brenda dhe anasjelltas. Sidoqoftë, Dhomat e Specializuara nuk kufizojnë dhënien  e mendimeve  që mund të kenë personat e ndryshëm për procesin në tërësi. Një prej atyre që i ka vizituar ish krerët e UÇK-së është edhe shqiptaro-amerikani Uk Lushi, ish pjesëtar i batalionit “Atlantiku”, tani aktivist,  ekonomist i diplomuar në ‘Columbia University’ të Nju Jorkut dhe autor që botuar librin “Shqiptaro-amerikanët e UÇK-së – Kronikë e Batalionit Atlantiku”. Në një intervistë të shkurtër për RTKlive, ai rrëfen për vizitën e tij në Hagë.

RTKlive: Pse vendosët t’i vizitoni pjesëtarët e UÇK-së, momentalisht në paraburgim nga Gjykata Speciale?

Uk Lushi: Sepse Gjykata është duke bërë shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe ka filluar të largohet shumë nga mandati që ia ka dhënë dhe duhet t’ia kontrollojë legaliteti dhe legjitimiteti i Kuvendit të Kosovës. Vonesat dhe pengesat procedurale dhe trajtimi i pabarabartë i prokurorisë dhe mbrojtjes ishin një arsye tjetër me rëndësi.

RTKlive: Nga këndvështrimi juaj, a na përshkruani (aq sa keni mundësi), atmosferën brenda qendrës së paraburgimit?

Uk Lushi: Ambientet e një burgu kurrë nuk janë të mira. Të paraburgosurit janë në izolim dhe mundësinë e vetme për të komunikuar (pasivisht) e kishin televizorin. Mirëpo afërsia dhe harmonia mes të paraburgosurve ishte shumë impresive. Me shëndet shumica ishin mirë. Me moral të gjithë ishin të fortë dhe me bindje se po jepnin një kontribut të ri për Kosovën dhe shqiptarët. Shqetësimet e tyre ishin me vonesat e paarsyeshme me procedura të stërzgjatuara që shkelin ligjin dhe të drejtat e njeriut.

RTKlive: Më parë keni qenë goxha kritik ndaj Thaçit, Veselit e të tjerëve. Keni ndryshuar opinion?

 Uk Lushi: Unë kam qenë kritik lidhur me çështje, jo me personalitete. Jam edhe sot, edhe kritik edhe mbështetës, kundrejt çdo politikani dhe udhëheqëse. Është obligim qytetar dhe intelektual të marrim pjesë në diskursin publik, por edhe të përkrahim përfaqësuesit tonë. Burrat tonë në Hagë tash kanë nevojë për mbështetjen tonë sepse atje janë në pyetje Kosova dhe interesi i popullit tonë.

RTKlive: Është paralajmëruar se z. Konjufca, kryetar i Kuvendit, do të vizitojë Thaçin e të tjerët. Si e cilësoni ju këtë veprim të tij?

Uk Lushi: E cilësoj si veprim shumë të mirë dhe obligim. Në Hagë janë dy kryekuvendarë, z. Veseli dhe z. Krasniqi. Kryekuvendari Konjufca po sillet me përgjegjësi. Shpresoj që pasi Konjufca të shohë me sytë e tij problemet e Gjykatës dhe sidomos Prokurorisë Speciale në Hagë, ai dhe Kuvendi do të dalin me një rezolutë ku do të kërkojnë qartësisht nga Gjykata që të mos harrojë se ajo është e Kosovës dhe duhet t’i përgjigjet vetëm Kosovës.

Shpërndaje në: