Vdes ish-Senatori Amerikan Joseph Lieberman, mbështetës i UÇK-së dhe i pavarësisë së Kosovës

Vdes ish-Senatori Amerikan Joseph Lieberman, mbështetës i UÇK-së dhe i pavarësisë së Kosovës

Ka vdekur në moshën 82-vjeçare ish-Senatori i Amerikës, Joseph Lieberman.

Në vitin 2000 ishte kandidat për Zv-President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Partisë Demokrate. Ishte hera e parë që një hebreo-amerikan ngjitej në nivel kaq të lartë të politikës amerikane.

Si Senator nga shteti Connecticut, Lieberman bëri shumë miq në komunitetin shqiptaro-amerikan sidomos për shkak të qendrimeve të tij në mbështetje të Kosovës.

Në vitin 1999, kur e panë që bombardimet e NATO-s nuk po jepnin rezultatin e duhur, bashkë me republikanin John McCain kërkuan publikisht armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të vepruar si krah i NATO-s nga toka.

Në të kundërt, ata argumentonin se NATO duhej të merrte vetë në konsideratë ndërhyrjen nga toka në Serbi. Lieberman dhe McCain paraqitën një rezolutë në Senatin Amerikan që caktonte një buxhet prej 25 milionë dollarësh për të armatosur dhe transformuar UÇK-në që të çlironte vetë Kosovën nga toka, me ndihmën ajorore të NATO-s.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës qendron për të njëjtat parime dhe vlera njerëzore, dhe të luftosh për UÇK-në është të luftosh për të drejtat e njeriut për të drejtat amerikane”, ka deklaruar ai në atë kohë.

Lieberman u zgjodh për herë të parë në Senatin Amerikan në vitin 1988 dhe pastaj u rizgjodh dy herë të tjera si Demokrat në vitet 1994 dhe 2000.

Mirëpo, nuk ishte asnjëherë mjaftueshëm i majtë për Partinë Demokrate. Në zgjedhjet paraprake në vitin 2006, Demokratët preferuan biznesmenin Ned Lamont, në vend të tij për të kandiduar për në Senatin Amerikan. Në një garë të ngushtë që u mbyll me Lampnt 52% – Lieberman 48%.

Por Lieberman nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga posti i tij në Senat. Ai rikandidoi në nëntor si i pavarur. Shumë shqiptarë, demokratë dhe republikanë i qendruan besnikë, bënë fushatë, mblodhën fonde e votuan për të.

Ata nuk ishin të vetmit. Shumë demokratë e republikanë vendosën të votojnë për të në vend të kandidatëve të partive të tyre. Në fakt, një e treta e demokratëve të shtetit dhe dy të tretat e republikanëve votuan për të.

Në fund, Lieberman u rizgjodh me 50% të votave, demokrati Ned Lamont mori 40%, kurse republikani Alan Schlesinger.

Ndonëse I Pavarur, Lieberman shpesh votonte me demokratë gjatë mandatit të tij të fundit në Senat.

Në vitin 2008, Lieberman mbështeti mikun e tij të vjetër kandidatin republikan për President, Senatorin John McCain. U fol shpesh në atë kohë se McCain do ta zgjidhte si kandidat për Zv-President, për të krijuar një dyshe që do të bashkonte republikanë e demokratë nga e gjithë Amerika. Në fund, McCain zgjodhi guvernatoren e Alaskas, Sarah Palin.

Lieberman njihej sidomos për mbështetjen e tij të palëkundër për Izraelin dhe favorizonte një Amerikë të angazhuar që luan rol udhëheqës në çështjet ndërkombëtare.

Vdekja e tij ishte e papritur dhe erdhi si pasojë e dëmtimeve që pati nga një rrëzim aksidental.

Shumë shqiptarë do ta mbajnë mend për mbështetjen që i dha Kosovës, të cilën e vizitoi edhe pas luftës, kur ende nuk ishte shpallur pavarësia dhe bëri thirrje që të mbështetet shkëputja e saj nga Serbia.

“Vendi duhet të ecë përpara drejt statusit të merituar si një vend i pavarur”, tha ai gjatë asaj vizite.

Shpërndaje në: