“Vendim në frymën e paqes dhe stabilitetit”, deklarata zyrtare e Sirisë për njohjen e shtetësisë së Kosovës
Siria është bërë shteti i 120-të që e ka njohur Kosovën si shtet. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se të mërkurën në Riad kanë arritur marrëveshje nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë e ka njohur Republikën e Kosovës, raporton Periskopi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Sirisë ka konfirmuar poashtu njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”, thuhet në njoftim.
Deklarata:
Në Rijad, kryeqyteti i Mbretërisë së Arabisë Saudite, u mbajt një takim trilateral në mes të Republikës Arabe të Sirisë, Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Kosovës. Diskutimet u përqendruan në mënyrat për të thelluar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, përfshirë çështjen e njohjes reciproke dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.
Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës thekson se kjo vendimarrje bëhet brenda kornizës së politikës së jashtme të Sirisë, e cila synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes me vendet mike në një mënyrë që i shërben interesave të përbashkëta dhe forcon marrëdhëniet e miqësisë mes popujve.
Republika Arabe e Sirisë shpreh gjithashtu mirënjohjen e thellë për përpjekjet e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe rolin e saj në afrimin e pikëpamjeve dhe mbështetjen e dialogut dhe mirëkuptimit, çka ka kontribuar në krijimin e kushteve të përshtatshme për marrjen e këtij vendimi.
Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në një mënyrë që shërben interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve miq.



