“Vendim politik prej qeverisë së tanishme” – krejt çka u tha sot pas aktgjykimit të Themelores në rastin “Veteranët”
Është shpallur verdikti për 12 të akuzuarit për keqpërdorim në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit. Vetëm Nuredin Lushtaku e Smajl Elezaj u liruan nga akuzat, e 10 të tjerët u shpallën fajtor dhe u dënuan me burgim efektiv.
Pas gjashtë vitesh nga ngritja e aktakuzës, të hënën ishte momenti final i njërit prej rasteve më të mëdha të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në rastin e njohur si “Veteranët”, në Gjykatën Themelore në Prishtinë u shpall aktgjykimi për 12 të akuzuarit, me në krye Agim Çekun, që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Luftës, Dëshmorit të Kombit, e Invalidit.
Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 1 vjet burgim efektiv.
Nuredin Lushtaku i cili u lirua nga akuza tha për Periskopin se vendimin e gjykatës e sheh si të drejtë.
“Mundem me falënderu gjykatën për mua se e ka marr vendimin e drejtë si herën e parë por edhe herën e dytë. E kam ditë vetën që jam i drejtë, cili ka qenë qëllimi i prokurorit ose i kujt ka qenë që me majt këtë aktgjykim deri tash, unë nuk e di”, u shpreh ai.
Lushtaku shtoi se prokurori i rastit nuk ka pasur asnjë bazë për ta akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
”Nuk ka pas asnjë bazë se s’kam qenë asnjëherë anëtar i komisionit, por vetëm kam qëlluar si asistent aty”.
Ai shtoi se do të konsultohet me avokatin e tij për procedurat e mëtejme.
“Mbetet me pa do të konsultohem me avokatin tim, dhe nëse kam ndonjë të drejtë ligjore sigurisht se do ta shfrytëzoj”, tha Lushtaku.
Kurse, i denuari tjetër Shkumbin Demalijaj në një përgjigje për Periskopin tha se vendimin e gjykatës e cilëson si politik.
‘’Për besë s’kam qenë në gjykatë, kam pas të drejtë mos me marr pjesë’’, shtoi ai.
E kam ditë që ka me qenë aktygjim lirues, por është marr vendim pa kontestu asnjë shkelje. Kam të drejtë ankese të shkallës së dytë”.
‘’Është vendim politik. Politik ka qenë prej fillimvit jemi anatomu prej politikës, kryesisht prej qeverisë së tanishme dhe vendim pa kontestu asnjë shkelje”, u shpreh Demalijaj.
Trupi gjykues obligoi edhe Qeverinë që ta formojë një komision të ri për verifikimin e veteranëve të Kosovës.
Sipas aktakuzës, 12-ja akuzoheshin se sa ishin pjesë e Komisionit, qëllimshëm nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror./Periskopi/
Agim Çeku e nëntë të tjerë fajtorë, Organizatat e Luftës: Vendim i papranueshëm



