Veteranët reagojnë pas shfuqizimit të nenit që kërkonte dëshmi të papunësisë për të përfituar pensionin
Gjykata Supreme e ka shfuqizuar një nen në Udhëzimin Administrativ i cili u kërkonte veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të dëshmonin me dokument të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) se nuk janë të punësuar si kusht për të përfituar pensionin e veteranit.
Lidhur me këtë vendim kanë reaguar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Periskopi.
Nga OVL e kanë mirëpritur këtë duke thënë se rikthehet në vend padrejtësia që iu është bërë veteranëve.
Njoftimi i plotë:
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përshëndet vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin diskriminues të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.
Ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve.
Gjykata Supreme ka konstatuar saktë se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit, duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat.
Ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore dhe se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës sonë çlirimtare.
OVL UÇK falënderon Gjykatën Supreme për vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, e cila kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Çka thotë Gjykata Supreme?
Gjykata Supreme shfuqizon kushtin “dëshmi nga ATK që nuk je në punë” për pensionin e veteranit-luftëtar
Gjykata Supreme e Kosovës, me aktgjykimin P.A.nr.14/2025, ka shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 14.A, par.1, nënpar.5 të Udhëzimit Administrativ që kërkonte “vërtetim nga ATK se aplikuesi nuk është në marrëdhënie pune” si kusht për realizimin e pensionit të veteranit-luftëtar.
Vendimi vjen pas padisë së paraqitur nga katër veteranë dhe e deturon MPMS/MFPT të paguajë 640 € shpenzime gjyqësore brenda 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit. Aktgjykimi merr formë të prerë menjëherë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Kundër tij nuk lejohet ankesë.
Pse u shfuqizua kushti? Ndryshimet në Ligjin nr.05/L-141 (14.04.2017) hoqën ndalesën e përgjithshme për veteranët që janë në punë dhe parashikuan që veteranët që punojnë jashtë institucioneve të financuara nga buxheti i shtetit dhe jashtë ndërmarrjeve publike mund të përfitojnë deri në 50% të pensionit, brenda kufirit 0.7% të BPV. Udhëzimi administrativ nuk ishte harmonizuar me ligjin dhe ngushtonte padrejtësisht rrethin e përfituesve. Çfarë do të thotë praktikisht? Nuk kërkohet më dëshmia e ATK-së që veterani “nuk është në marrëdhënie pune”. Veteranët që punojnë në sektorin privat mund të përfitojnë, sipas kufijve ligjorë. Nuk përfitojnë ata që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës ose punojnë në ndërmarrje publike. MPMS/MFPT duhet të harmonizojë udhëzimet administrative me ligjin në fuqi.
Supremja merr një vendim, ka të bëjë me financimin e veteranëve



