Zizek: Kurti më ka treguar se ishte në burg me 200 serbë dhe 8 shqiptarë, ai nuk ka pasur kurrë konflikt me të burgosurit serbë

Zizek: Kurti më ka treguar se ishte në burg me 200 serbë dhe 8 shqiptarë, ai nuk ka pasur kurrë konflikt me të burgosurit serbë

Filozofi slloven Slavoj Zizek, me të cilin Kurti ka kontakte edhe personale dhe ka biseduar me të disa herë lidhur me çështje politike të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor ka dhënë një intervistë për median serbe N1, ku ka folur rreth Kurtit si politikan dhe rreth qasjes së tij ndaj Serbisë dhe serbëve.

Ai në intervistën e tij për N1 është shprehur se Kosova mund të jetë model, por gjithashtu ka zbuluar një histori të cilën thotë se Kurti ia ka treguar atij për kohën sa ai ishte në burg.

Zizek shprehet se Kurti i ka treguar që në burg me të ishin 200 të burgosur serbë dhe tetë shqiptarë dhe se ai kurrë nuk ka pasur asnjë konflikt me të burgosurit serbë.

“Kosova mund të jetë një model, jo që modernizimi të pranohet si rezultat i një presioni. E pyeta Kurtin si i shikonte ai serbët, dhe ai më tregoi një histori të mrekullueshme – kur ai ishte në një burg me dyqind të burgosur serbë dhe tetë shqiptarë, ai kurrë nuk kishte asnjë konflikt me të burgosurit serbë. Të gjithë e mbrojtën njëri -tjetrin. Kurti nuk ka asnjë problem me Serbinë si e tillë, por me një vizion të caktuar politik”, beson Zhizhek, dhe shton se në atë vizion politik nuk është vetëm Aleksandër Vuçiq, por edhe Edi Rama, si dhe disa të tjerë për të cilët thotë se Albin Kurti arriti t’i ‘largojë nga skena politike.

Intervistën për N1 mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Se Kurti gëzon një raport të mirë me filozofin Zizek dhe se Zizek e përkrah Lëvizjen Vetëvendosje e dëshmon një postim në Facebookun e Kurtit në vitin 2020 pas një bashkëbisedimi virtual me Zizek.

“Me filozofin slloven Slavoj Žižek për një orë e gjysmë bëmë zoom në çështje të ndryshme. Diskutimi ynë lëkundej porsi lavjerrës midis praktikimit të teorive politike dhe teoretizimit të praktikave qeveritare. Žižek është njohës i mirë edhe i historisë e politikës në rajon, si dhe i dinamikave të brendshme të shteteve të Ballkanit. Përvoja nga qeverisja jonë katërmujore dhe perspektiva e rikthimit të afërt, ndryshimet në ShBA dhe sfidat e BE-së, e deri te strategjitë e navigimit dhe ndërhyrjes të së majtës në botë, ishin tema të këtij bashkëbisedimi virtuel. Orientimin, programin dhe qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përveçse i përkrahë pa rezervë, Žižek njëkohësisht i sheh edhe si modelin adekuat politik e shoqëror për t’u ballafaquar me popullizmin e ekstremit të djathtë që vazhdon të jetë në rritje në kohën tonë. Žižek u zotua për mbështetjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të gjitha format që ai mund të kontribojë.”, shkruante Kurti.

Ndër të tjera, në intervisten e dhënë për N1, Zizek ka folur edhe per gjendjen politike në Bosnje dhe Hercegovinë e gjithashtu ka paraqitur vizionin e tij për Ballkanin Perëndimor në pika të shkurta.

“Nëse do të besoja në Zot, do të lutesha ditë e natë që diçka e ngjashme të realizohej në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nuk funksionon në atë mënyrë që Evropa t’ju dërgojë një kontrollues që ndan mësime me ju – nuk ka asgjë që Evropa liberale të na mësojë këtu. Unë tashmë kam shkruar për të në fillim të viteve 90′ kur kishte një luftë në Bosnje, njerëzit më thoshin ‘hajde, ti je një psikoanalist, kështu që nuk ishte mirë për ty të shkruar një analizë të kësaj patologjie ballkanike’. Dhe unë u thashë atyre: “Më falni – nga pikëpamja e tyre patologjike, ajo që ata po bënin ishte racionale, dhe e vetmja patologji ishte patologjia e Evropës. Miku im Mladen Dolar 25 vjet më parë se Ballkani, mbi të gjitha Bosnja, funksionon si një Evropë liberale ‘e pavetëdijshme’. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ky është një rajon primitiv ku realizohen pasionet e Evropës, por është një rajon në të cilin Evropa projekton traumat e saj nacionaliste”, thotë Zizek, në një intervistë në emisionin ‘Izvan okvira’ ku ai gjithashtu ka përmendur regjisorin Emir Kusturica, ndaj të cilit, siç thotë ai është kritik sepse sheh në filmat e tij imazhin e Ballkanit që doli si një konstrukt ideologjik i Evropës.

Slavoj Zizek përndryshe është filozof slloven, autor i shumë librave ku trajton tema të ndryshme. Ai është kryesisht i njohur si filozof marksist i cili tenton që ende në shekullin 21, të mbrojë idetë e komunizmit.

Shpërndaje në: