Kërkohet më shumë drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në shënim të 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, ka organizuar konferencën rajonale me temë: “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”, raporton EO, transmeton Periskopi.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Kransiqi Goodman , tha se data 14 prill 1999 është një ditë që ia ndryshoi jetën.
Ajo shtoi se shpirti i saj do të ketë paqe vetëm atëherë kur drejtësia do të shkojë në vend.
“Sot është 14 prilli. Për shume juve është vetëm një ditë në kalendar, por për mua është një ditë që ma ndryshoi jetën, ma prishi fëmijërinë. Unë du me fol prej shpirti, unë e di çka do të thotë të ballafaqohesh me padrejtësi prej ndërkombëtarëve, edhe prej shtetit tonë. Isha vetëm 17 vjeçare kur kërkova drejtësi dhe kurrë nuk u ndala. Në vitin 2013 derisa mu ma mohuan drejtësinë ndërkombëtarët dhe shteti jonë. Por kur nisa të flas publikisht në 2018 filloi ndryshimi, edhe çka do të thotë një ndryshim i vogël për dikënd, çfarë ndryshimi të madh bën për të tjerët. Prej atëherë kemi katër raste që janë dënuar e që përpara kjo nuk ka ekzistuar as prej shtetit tonë e as prej ndërkombëtarëve kështu qe unë jam krenare për ndryshimet që po ndodhin në shtetin tonë. Ju bëj thirrje që të dilni publikisht dhe të kërkoni drejtësi…Shpirti jem ka me pas paqe kur drejtësia shkon në vend, jo vetëm për rastin tem por për 20 mijë viktima tjera”, u shpreh ajo.
Kurse, drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se edhe pas 27 vjetësh shumë raste kanë mbetur të pandëshkuara.
Sipas saj, drejtësia nuk është e plotë pa kompensimin e viktimave.
“Sot jemi mbledhur më 14 prill, në Ditën Memoriale të viktimave të luftës, dhe nderojmë të gjitha ato gra, vajza, burra e djem që viktima që përjetuan këtë krim gjatë rrethanave të luftës, i nderojmë edhe ata që nuk janë në mesin tonë. Kujtojmë guximin e Vasfije Krasniqi- Goodman, një vajze të re që padrejtësisht e përjetoi këtë krim, kujtojmë thirrjen e saj nga vendi i krimit që kjo ditë të jetë ditë memorialë për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës dhe i nderojmë të gjithë ata zëra, vajza e burra, që në heshtje kërkojnë shërim dhe drejtësi sepse kërkesa jonë kolektive nuk mund të ekzistojë pa thirrjen kolektive të tyre sepse trauma e tyre nuk ka afat dhe as njohja institucionale nuk mund të kufizohet me kohë….Kjo konferencë rajonale ka për qëllim avancimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës. Drejtësia nuk përfundon vetëm me përgjegjësi penale, por edhe me rikthim të dinjitetit, pranim të asaj që ka ndodhur dhe kompensim të dëmeve që janë përjetuar në rrethana lufte”, theksoi ajo.
Kurse, nënkryetari i parë i Kuvendit, Ardian Gola, tha sfida që kanë përballë qëndron te hendeku që vazhdon të ekzistojë ndërmjet njohjes së krimit dhe ndëshkimit të autorëve.
“Kjo pjesë e historisë sonë është dokumentuar, është rrëfyer dhe është vulosur në kujtesën e të mbijetuarave dhe në ndërgjegjen e të gjitha institucioneve që kanë zgjedhë për të marrë seriozisht përgjegjësinë për drejtësi. Pyetja që qëndron sot para nesh është se nëse ky krim ka ndodhur, pyetja është pse edhe pasi është njohur edhe pasi është dokumentuar edhe pasi është emërtuar si një nga format më të rënda të krimeve të luftës drejtësia mbetet fatkeqësisht ende e paarritur për shumë prej atyre që kanë përjetuar. Sfida që kemi përballë qëndron te hendeku që vazhdon të ekzistojë ndërmjet njohjes së krimit dhe ndëshkimit të autorëve, ndërmjet pranimit moral të së vërtetës dhe përkthimit të saj në drejtësi konkrete. Pikërisht këtu qëndron pesha e punës së institucioneve tona të drejtësisë”, ka thënë Gola.
E, ministrja e drejtësisë, Donika Gërvalla tha se ky dikaster të cilin ajo e udhëheq ka pasur në fokus të veçantë çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
“Ka pasur një fokus shumë të veçantë sa i përket çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale. Të dhunës që është përdorë si armë kundër qytetarëve civil të Republikës së Kosovës…..Njohja e së vërtetës së luftës në Kosovë nganjëherë ende mbetet sfidë në shoqërinë tonë, ka shumë të vërteta të mëdha por disa të vërteta të vogla po i harrojmë. Po harrojmë faktin që dhuna seksuale si armë lufte kundër grave, vajzave, fëmijëve dhe burrave tanë ka qenë një instrument i cili ka synuar të thyej shpirtin e kombit tonë, shpirtin e popullit tonë. Cilado grua, vajzë, fëmijë apo burrë ka mundur të jetë viktimës e dhunës seksuale në vitet 1998-1999, ka qenë thjesht rastësi kujt i kaq qëlluar të jetë në vendin jo të duhur në atë moment”, ka shtuar Gërvalla.



