Akull në publik, por Kurti dhe Vuçiq zhvilluan takimin më të mirë mes tyre prapa dyerve të mbyllura

Gazetari i njohur kosovar, Augustin Palokaj i cili raporton nga Brukseli që prej më shumë se 20 vite, ka treguar detaje interesante lidhur me takimin Kurti – Vuçiq. Ai thotë se ky takim, nga zyrtarë të BE-së, është vlerësuar si ‘ndër më i miri’…
Sipas fotografive dhe pamjeve me video, dje kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dukeshin të akullt në raport me njëri-tjetrin, e madje në dhomën e takimeve me Lajçakun dhe Borrellin, as nuk ia zgjatën dorën njëri-tjetrit.
Por, sipas raportimeve të gazetarëve të njohur kosovarë në Bruksel, burime prej atje, kanë thënë se – në fakt – ky ishte takimi më i mirë mes Kurtit dhe Vuçiqit deri tani.
“Ajo çka është thënë nga BE-ja është se takimi ka qenë shumë i vështirë, që më shumë ka pasur mospajtime sesa pajtime, por se një burim i BE-së ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur takim më të mirë midis Kurtit dhe Vuçiqi, sepse për herë të parë kanë shfaqur pikëpamjet e tyre se si e shohin normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe ndonëse nuk është arritur një rezultat konkret, thuhet se vetë fakti se e kanë kuptuar se duhet të punojnë se bashku për t’i ulur tensionet konsiderohet një lajm i mirë për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Palokaj.
Ngjashëm si Palokaj, gati u deklarua mbrëmë edhe gazetari Xhemajl Rexha, duke u thirrur poashtu në burime të larta në Bruksel.
Madje ky i fundit tha se megjithëse ‘nuk kanë arritur të kenë kontakte kurrë me delegacionin kosovarë’, gazetarët e dinë se Kurti dhe Vuçiq kanë hyrë nga garazha e ndërtesës në takim”.
Lidhur me takimin, qeveria e Kosovës ka lëshuar vetëm një njoftim të vogël dje. Përveç deklaratave nga konferenca e Borrell, i cili tregoi se ‘dje nuk kishte marrëveshje’, diçka tjetër nuk dihet.