Greva vazhdon deri sa të nënshkruhet një marrëveshje mes Jasharajt e Kurtit

Greva vazhdon deri sa të nënshkruhet një marrëveshje mes Jasharajt e Kurtit

Skënder Gashi nga SBAShK-u, ka thënë se nëse nesër nuk do të arrihet një mirëkuptim mes palëve, atëherë do të vazhdojë greva. 

“Greva vazhdon, derisa të ulen dhe të nënshkruajnë një marrëveshje mes Kryetarit të Këshillit Grevist, Rrahman Jasharajt dhe Kryeministrit Albin Kurti dhe të dalin para medieve që thonë se kjo marrëveshje e përfundon grevën”, ka thënë Gashi për kanal 10.

Ndersa, Ali Sefaj nga BSPK-ja ka thënë se nuk janë barrikaduar, por presin që të ketë reflektim nga Qeveria e Kosovës.

“Ne nuk jemi barrikaduar, e kemi hapë derën. Nesër po presim të ketë reflektim”, ka thënë fillimisht Sefaj.

Ai më tej ka thënë se kanë reflektuar edhe vet si sindikatë, dhe të njëjtën e presin nga qeveria.

“Nëse ka vullnet Qeveria, nesër mbyllet greva edhe ne kemi reflektu. Nuk kemi kërku që të plotësohen të gjitha kërkesat, por kemi kërkuar që të ketë dialog social”, ka thënë Sefaj.

Nexhmi Hoxha nga Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se SBAShK-u, në nëntor të vitit të kaluar u kishte premtuar atyre se nuk do të hyjnë në grevë.

“Në takimet që i kemi pasë në nëntor me SBAShK-un, i kemi premtuar që do të jemi së bashku me ta, dhe do të i përkrahim në çdo formë tjetër, por jo përmes grevës. Këtë e kemi kërkuar nga SBAShK-u, dhe kjo në njëfarë forme është garantuar nga ta”, ka thënë Hoxha.

Më tej, ai ka thënë se janë zhgënjyer që të dielen nuk kanë arritur një mirëkuptim për ndalimin e grevës, teksa ka thënë se ata kanë qenë të gatshëm të hyjnë edhe në grevë urie bashkë me SBAShK-un.

“Jemi të zhgënjyer edhe nga Qeveria edhe nga SBAShK-u, kemi qenë ata që i kemi thënë SBAShK-ut, se në çfarëdo forme protestojmë, qëndrojmë në grevë urie, dhe protestojmë, bashkë me mësuesit, vetëm fëmijët mos të humbin orë mësimi”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: