I la jashtë kabinetit të ri qeveritar – A i hapi rrugë Albin Kurti Prokurorisë Speciale për veprime të mëtejshme ndaj tre ministrave të tij

I la jashtë kabinetit të ri qeveritar – A i hapi rrugë Albin Kurti Prokurorisë Speciale për veprime të mëtejshme ndaj tre ministrave të tij

Kreu i VV-së Albin Kurti, të dielën, në tentativë për krijimin e Qeverisë – propozoi emrat e kabinetit qeveritar e ku pati befasi në përzgjedhjen dhe mospërzgjedhjen e disave. Në emrat që ai prezantoi u pa se kishte disa ndryshime. Por, ajo që bie më shumë në sy është fakti se tre emra që kishin pozitën e ministrave, u lanë jashtë. Rozeta Hajdari, Faton Peci e Hysen Durmishi nuk ishin në mendjen e Kurtit për kabinetin e ri qeveritar. Të tre këta, gjatë mandatit të tyre patën punë me Prokurorinë Speciale si të dyshuar për skandale të mëdha.

Enis Rrustemi, Periskopi

 

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është e përfshirë në njërin nga skandalet më të mëdha në vend, atë të rezervave shtetërore.

Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Deri më tani, Hajdari është intervistuar dy herë nga Prokuroria Speciale, në prill të vitit 2024 dhe më 31 korrik të vitit 2025 në cilësinë e të pandehurës sa i përket dyshimeve për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Hajdari kishte thënë asokohe se dokumentet e konfiskuara si prova në Ministri ishin të klasifikuara si sekrete shtetërore dhe i kishte hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje.

Si dëshmitar për këtë rast është i ftuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani ai ka refuzuar të shkojë në Prokurorinë Speciale.

Hysen Durmishi dhe dallaveret në rrugën Prishtinë-Podujevë

Tenderët milionësh të lëshuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dikur të drejtuar nga Liburn Aliu, e disa të nënshkruar edhe nga zëvendësi i tij, Hysen Durmishi janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

Dyshimet që sollën hetimet e Prokurorisë, ku i përfshirë është edhe Hysen Durmishi kanë të bëjnë me tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Periskopi në vazhdimësi ka raportuar për këto dyshime për dallavere lidhur me këtë tenderë.

Qysh prej vlerësimit të kritereve të jashtëligjshme e deri te rekomandimi për kontratë te dostat e kafenesë së shefit të prokurimit dhe zv.ministrit Duslimi – janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

Vlera e tenderit që u nënshkrua nga Durmishi e për të cilin është marrë në pyetje, kap vlerën e 38 milionë eurove.

Këto janë shkrimet e publikuara nga Periskopi që e dërguan Durmishin në Prokurori

38 milionë për rrugën Prishtinë – Podujevë: Ministria e Liburn Aliut tenton ta vlerësojë me kritere të jashtëligjshme tenderin

Tenderi 38 milionësh: Mbi dhjetë ekspertë i japin të drejtë gjetjeve të Periskopit për shkelje nga Ministria e Liburn Aliut

 

Tenderi për Podujevë: Rekomandohen për kontratë dostat e kafenesë së shefit të prokurimit dhe zëvendësministrit të MMPHI-së

Prokurimi i Ministrisë së Infrastrukturës nuk pyet për ligjin, një tjetër shkelje në tenderin 38 milionësh

 

Ministria e Infrastrukturës e vulos kundërligjshëm tenderin Prishtinë – Podujevë

Ministria e Liburn Aliut shkel edhe një institucion, konfirmohet lidhja e kontratave të paligjshme për rrugën Prishtinë-Podujevë

E konfirmon edhe OSHP-ja skandalin për tenderin Prishtinë-Podujevë, lidhja e kontratave pa u trajtuar ankesat është shkelje e ligjit

S’kanë të ndalur dallaveret në Ministrinë e Liburn Aliut, dyshime për konflikt interesi për rrugën “Prishtinë-Podujevë”

Pas raportimeve të Periskopit, Prokuroria nis hetimet për tenderin Prishtinë-Podujeve që u realizua nga ministria e Liburn Aliut

Faton Peci, ministri i dyshuar për skandale të shumta

Një ndër ministrat që është përfolur më së shumti për skandale të ndryshme është Faton Peci.

Peci, i cili u la jashtë nga propozimi i Kurtit dje në Kuvend për kabinetin qeveritar, u përcoll me skandalet për grante, fabrikën për përpunimin e nënprodukteve shtazore, “Darkën e Lamës” e të tjera.

Më 27 maj të këtij viti, Peci u intervistua për disa orë nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës në cilësinë e të dyshuarit.

Nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në disa lokacione të ndryshme, përfshirë Ministrinë që drejton Faton Peci.

Një hulumtim i publikuar nga Periskopi, i përcjellur më pas edhe nga media tjera, lidhur me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore, çoi deri në intervistimin e Pecit si i dyshuar.

Çka raportoi Periskopi rreth skandalit me fabrikën për mbetje shatazore?

Më 18 shtator 2024, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, që funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë shpalli thirrje publike për dhënien nën menaxhim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore që taksapaguesve iu ka kushtuar mbi 8 milionë euro.

Në mënyrë skandaloze, vetëm 5 ditë më pas, më 23 shtator 2024, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve regjistrohet kompania që më vonë do të shpallej fituese e këtij tenderi: LIP KS & IT SH.P.K..

Një kompani e “sapolindur”, me kapital prej vetëm 10 mijë euro dhe vetëm 5 punëtorë, u zgjedh për të menaxhuar një investim prej miliona eurosh.

Nuk mbaron me kaq.

Nga të gjeturat dhe dokumentet që i ka siguruar Periskopi, rezulton se pronarët kryesorë të konsorciumit janë Naser Maloku dhe kompania italiane, LIPITALIA 2000 S.P.A, secili me nga 40% të aksioneve, ndërsa kompania e tretë është ARCHES BAU, me 20% të aksioneve.

Kapitali total i dy aksionarëve kryesorë është vetëm 8 mijë euro.

Ndërsa kompania ARCHES BAU ishte regjistruar vetëm një muaj para shpalljes së tenderit, më 8 gusht 2024, dhe aktiviteti i saj kryesor është ndërtimi i objekteve banesore, që nuk ka asnjë lidhje me përpunimin e mbetjeve shtazore.

Ndërkohë, kompania LIPITALIA 2000 S.P.A nuk figuron e regjistruar në Kosovë, të paktën sipas kërkimeve në ARBK, gjë që hedh dyshime serioze mbi fituesit e këtij projekti.

Periskopi e ka kontaktuar njërin nga pronarët Naser Malokun për ta pyetur për këtë kontratë që e kanë fituar , por ai është përgjigjur shkurt: “Ani shkoni atje i keni të gjitha”.

Tenderi i fituar me shpejtësinë e dritës, kriteret e dyshimta dhe fshehja e marrëveshjes

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka publikuar shpalljen në ueb-faqe për të gjithë operatorët ekonomik më datën më 18 shtator 2024, mirëpo emrin e fitues nuk e ka publikuar. Kjo agjenci nuk i ka përdorur kriteret e njëjta të transparencës edhe me fituesin, duke e mbajtur të fshehur nga opinioni.

Periskopi merr vesh nga burime brenda Ministrisë së Bujqësisë se kontrata është duke u mbajtur fshehur qëllimisht nga mediat dhe publiku, duke lindur dyshime për favorizime të një operatori ekonomik që është regjistruar në ARBK, 5 ditë pasi ka dal shpallja publike.

Përkundër që në përshkrim është kontratë publike, ajo nuk gjendet në ëebfaqen e Agjencisë e as të Ministrisë së Bujqësisë.

Madje, as nuk dihet për sa vite është dhënë në shfrytëzim kjo fabrikë që i ka kushtuar shtetit mbi 8 milionë euro.

Në specifikat thuhet se fillimi do të jetë ditën e nënshkrimit të kontratës “dhe do të përfundoj varësisht prej viteve të cilat caktohen gjatë negocimit mes OE dhe AK”.

Një shpallje që kërkon një operator që ka punuar në këtë drejtim, por njëri nga aksionarët është kompani ndërtuese, duke rënë në kundërshtim me kriteret publike që i ka shpallur Agjencia e Ushqimit.

13-15 milionë euro kërkohet të kenë qarkullim në një vit fiskal për fituesin në fushën përkatëse, mirëpo është i themeluar vetëm 5 ditë pas shpalljes së thirrjes publike.

Sipas njoftimit, më 2 tetor të 2024 mbyllet afati për pranimit e ofertave dhe takimi për hapjen e tenderëve nuk do të jetë publik.

Me këtë jo transparencë përfundon thirrja publike, për t’u dhënë në shfrytëzim një aset i Kosovës që ka kushtuar më shumë se 8 milionë euro dhe i është dhënë një operatori ekonomik që u regjistrua në ARBK, 5 ditë pasi shteti shpalli tenderin.

Albin Kurti i përfshirë në skandalin e AUV’it: Përmes një vendimi i parapriu fabrikës 8 milionëshe për përpunimin e mbetjeve shtazore

 

Shpërndaje në: