Presidentja në Katar: Kosovës nuk i flet as për Kod Civil, as për QUINT, as për kurrgjë

Presidentja në Katar: Kosovës nuk i flet as për Kod Civil, as për QUINT, as për kurrgjë

Tri tema mbizotëruan tash e dy javë në Kosovë. Projekt-Kodi Civil (me nenin e veçantë për martesat mes gjinisë së njëjtë), mos-lejimi i zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë dhe komunikata me kritika të ashpra që erdhi nga shtetet e QUINT’it drejt Qeverisë së Kosovës pikërisht për këtë shkak. Për asnjërën nga këto çështje të rëndësishme, nuk dëgjuam zërin apo ndonjë të shkruar publike nga ana e presidentes Vjosa Osmani. Pse?

Bujë të madhe në opinion, debat i ashpër, pro e kontra mes deputetëve u zhvillua pikërisht në seancën kur po vihej në diskutim projekt-Kodi Civil, i cili rregullon edhe martesat e gjinisë së njëjtë. Me iniciativë të vet Qeverisë Kurti doli para Kuvendit, por në fund nuk e votuan as deputetët e Vetëvendosjes. Përveç asaj, nga ana e tyre pati deklarata me konotacion paragjykues e fyes ndaj komunitetit LGBTI, duke i etiketuar si ‘të sëmurë’ e të ‘pamoralshëm’.

Pasuan shumë reagime për mos-miratimin e këtij projekt-kodi. Pati protestë nga vet komuniteti në fjalë, reaguan si të zhgënjyer Bashkimi Evropian e ambasada të huaja që veprojnë në Kosovë. Por nuk dëgjuam një zë të vetëm. Atë të presidentes Vjosa Osmani. Nuk dihet pse presidentja për një çështje aq të rëndësishme nuk e ngriti dot zërin apo të shprehë qëndrimin e saj për të drejtat e komunitetit në fjalë.

Nejse, kaloi kjo temë dhe si nën hije atë e la çështja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit, të cilat Serbia pati synim t’i shtrijë direkt edhe në territorin e Kosovës. Kjo u kundërshtua me automatizëm nga Qeveria e Kosovës. Vet kryeministri Albin Kurti, ndonëse me një lojë fjalësh, deklaroi se serbëve nuk do u mohohet e drejta e votës, por në anën tjetër nuk do të shkelet as Kushtetuta e vendit e as rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës në janar të këtij viti.

Pak ditë më pas, Qeveria doli edhe me vendim të prerë. Në këtë debat, kësaj radhe nuk u përfshi presidentja Osmani, ndonëse para disa muajve,  përgjatë një interviste për RTK’në kishte theksuar se zgjedhjet serbe nuk duhet të lejohen , pasi cënojnë rëndë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit.

Debati për zgjedhjet e 3 prillit nuk mbeti i parëndësishëm për Bashkimin Evropian e shtetet e QUINT’it. Amerika, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia i dhanë një ‘flakareshë’ Qeverisë Kurti  përmes një komunikate me kritika të ashpra.

“Me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT’i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhe në reagimin e QUINT drejt kryeministrit Albin Kurti.

Ndonëse ishte një goditje drejt shtetit të Kosovës, as në këtë rast nuk pamë ndonjë reagim apo koment të paktën, nga presidentja Vjosa Osmani.

Periskopi për të tri këto tema, ka nisur pyetje drejt Presidencës, por deri në këto momente nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje. Sot në mëngjes, Presidenca ka lëshuar një njoftim për media se Vjosa Osmani është nisur në një vizitë zyrtare drejt Katarit, mirëpo Kosovën e kanë lënë pa përgjigje, në disa pyetje të rëndësishme.

Kujtojmë që lidhur me zgjedhjet serbe, të pa lejuara në shtetin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti nisi një letër sot drejt ambasadorit të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, duke i thënë se ‘BE e OSBE s’duhet të legjitimojnë tendenca të Serbisë që shkelin rëndë Kushtetutën e Republikës së Kosovës’./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: