Rama: Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke komentuar mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Spanja, ka thënë se pozicioni i këtij shteti ka të bëjë me historinë e me problemet e veta, por nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Rama në një intervistë Radio Televizionin e Spanjës, është pyetur edhe për zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, ku ka thënë se tensionet janë pjesë e atij procesi.

“Nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është që tensionet lindin po edhe treten pasi të dy palët sidoqoftë komunikojnë dhe tentojnë të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Pra nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe pasi tashmë kemi bashkëpunim rajonal, me takime e mbledhje të shumta, vajtje-ardhje, samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka thënë ai.

Rama është pyetur edhe për influencën e mundshme të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufinj evropianë, jemi një organ i trupit të Evropës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup, diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre. Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e lirë”, ka thënë Rama.

Intervista e plotë:

Prezantuesi: Nëse flasim për një vend si Shqipëria, flasim për Edi Ramën, kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ka qënë kryebashkiak i kryeqytetit, Tiranës, në periudhën 2000-2011 dhe që prej vitit 2013 është kryeministër i qeverisë së vendit, që do të thotë pra që për më shumë se 20 vjet ju keni qenë dëshmitar, por njëkohësisht pjesë e evoluimit të Shqipërisë. Përshëndetje, si jeni?

Kryeministri Edi Rama: Mirë, faleminderit. Dhe faleminderit për ftesën.

Prezantuesi: Ju sapo keni zhvilluar një takim me kryetarin e qeverisë spanjolle dhe keni nënshkruar disa marrëveshje.

Kryeministri Edi Rama: Po, është vizita e parë zyrtare e këtij niveli, dhe ndihem mirë sepse besoj se ka një potencial të madh në marrëdhëniet tona të ndërsjella. Kam një admirim të madh lidhur me çka Spanja ka arritur, si një model që duhet ndjekur, për mënyrën se si një ka mundur ta kapërcejë një të kaluar aq të errët dhe të shndërrohet në një shembull të shkëlqyer për vendet e tjera. Dhe, nga ana tjetër, do të doja të vija në dukje faktin se kryeministri Sanchez, në të shkuarën i ka njohur nga afër periudhën e tmerrshme të historisë konflikteve në rajonin tonë dhe e ka ndjeshmërinë e duhur për ta mbështetur ndryshimin. Në fakt ai kërkon që Spanja të jetë më e pranishme në zonën tonë dhe ky është një lajm shumë i mirë për ne.

Prezantuesi: Ashtu si dhe ju sapo theksuat, qeveria e Spanjës mbështet pa asnjë lloj dyshimi aderimin, proçesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por duhet të themi gjithashtu që presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen ka thënë se vendi juaj ka përmbushur detyrat e tij. Çfarë hapash po hedh Shqipëria për t’ju përshtatur kërkesave të Brukselit?

Kryeministri Edi Rama: Mund të them se tashmë nuk flitet më për çfarë duhet të bëjmë ne, por për mënyrën si kanë vendosur të punojnë ata me ne dhe në rajon.

Prezantuesi: Ndoshta duhet të zhvishemi nga disa perceptime negative që kemi lidhur me atë zonë të Evropës.

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që jemi vende të cilët do të duhet të bëjmë shumë më shumë për të përmbushur të gjitha kushtet për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian. Por e meritojmë të hedhim tashmë hapa të tjerë përpara dhe të fillojmë negociatat formale. Perceptimet kanë të bëjnë me të shkuarën, me nje informacion që ende nuk është fluid, i rrjedhshëm. Por mund t’ju them se tashmë po e thonë të gjithë, edhe një numër përherë e më i madh turistësh spanjollë që vijnë në Shqipëri, se ka një ndryshim të madh midis asaj që perceptohet nga larg për Shqipërinë dhe realitetit të saj. Sigurisht që duhet të përparojmë më tej me reformat tona për modernizim, me përmirësimin e qëndrueshëm të ekonomive dhe shoqërive tona, me fuqizimin institucional dhe, në fund të fundit, të shkojmë drejt një mjedisi më të mirë ekonomik dhe social rajonal por këto janë sfidat e vendeve që janë në rrugëtim e sipër.

Prezantuesi: Nëse tashmë hedhim sytë nga rajoni, shohim tensione që kanë rinisur midis Kosovës dhe Serbisë. Do të doja të kisha opinionin tuaj, analizën tuaj mbi këtë situatë.

Kryeministri Edi Rama: Tensionet janë pjesë e atij proçesi. Nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është që tensionet lindin po edhe treten pasi të dy palët sidoqoftë komunikojnë dhe tentojnë të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Pra nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe pasi tashmë kemi bashkëpunim rajonal, me takime e mbledhje të shumta, vajtje-ardhje, samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Prezantuesi: Pa dyshim, z. Rama, një nga çështjet kryesore është njohja e Kosovës si komb, i panjohur ende nga të 27 vendet, ndërmjet tyre dhe Spanja.

Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Dakort, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Prezantuesi: Në fakt, një nga shqetësimet e Bashkimit Evropian sa i përket Ballkanit Perëndimor është influenca si e Rusisë ashtu dhe e Kinës, në këtë rajon.

Kryeministri Edi Rams: Shiko, Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufinj evropianë, jemi një organ i trupit të Evropës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup, diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre. Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e lirë.

Prezantuesi: z. Rama, faleminderit shumë për pjesëmarrjen tuaj në televizionin spanjoll

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit

Folës rte: Shqipëria, nisur nga përmasat e vendit, është shteti evropian që po pret më shumë refugjatë afganë të ardhur nga kriza e fundit. Qeveria shqiptare, ashtu si dhe tha Edi Rama, është e përgatitur të presë 4000 afganë në mënyrë të natyrshme, ashtu si bënë dhe me çifutët në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Në Bruksel është mbajtur Forumi i nivelit të lartë mbi Afganistanin, në të cilin është përcaktuar qartë se duhet të vazhdohet më procesin e pritjes së organizuar të popullatës afgane që ndodhet në situatë rreziku.

Shpërndaje në: