Kush ia vodhi 500 euro deputetit për Bajram, çka bëri Ramushi me Merkelin, si doli e vërtetë se krejt i kishin kah 2-3 milionë

Periskopi.com Lajme

Java nisi më 3 qershor dhe e gjeti vendin nën ethet e Bajramit të Madh që do të festohej të nesërmen. Sidoqoftë, urimet e përhajret nisën qysh të hënën, filluar nga myftiu i Bashkësisë Islame e teposhtë.

Kjo festë disi i risolli terezinë vendit pas poteres së madhe të javëve të kaluara, kur kishim parë pornografinë e Flora Brovinës, dhunën ndaj gruas rome, sharjet mes Thaçit e Berishës dhe shumëçka tjetër.

Për Bajram nuk ndodhi asgjë që të mbahej në mend. Njerëzit hëngrën bakllavë e u kursyen nga të bëmat në jetën publike.

Por, kur është fjala te konsumi i shfrenueshëm, menjëherë në ditën e dytë ose të tretë të Bajramit, pronarët e disa kafeneve të Prishtinës u tubuan dhe e morën një vendim të kobshëm: kafenetë do të shtrenjtoheshin për afërsisht 40 për qind. Nga 70 cent sa shitej dikur një espreso e vogël, tash do të shitej plot një euro.

Ai që do ta pësojë më së rëndi nga ky vendim është deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i cili javë më parë i kallëzoi opinionit shkathtësinë e tij të mosvetshme: i pinte 50 kafe në ditë. Nga 35 euro sa harxhonte në kafe dikur për një ditë, atij do t’i duhet që t’i harxhojë 50. Nga 1050 euro në muaj për kafe, tash deputeti Berisha do t’i harxhojë 1500 euro.

Të enjten, më datën 6 prill, kryeministri Ramush Haradinaj shkoi në Berlin për t’u takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel. Festë në Gllogjan! Kryeministri e shpërndau një fotografi me Merkelin në profilin e tij në Facebook e që u pëlqye nga mbi 10 mijë vetë. Haradinaj në këtë takim mori qëndrimin pozitiv të Gjermanisë për liberalizimin e vizave, ndërkohë që tha se nuk iu kërkua ta hiqte tarifën ndaj produkteve të importuara nga vendi armiqësor, Serbia. A ka mundësi që një takim të jetë më pozitiv se kaq? Zor.

Edhe Thaçi e kishte një takim në Bratisllavë, një vend që ende s’e ka njohur pavarësinë tonë, me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq dhe atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Në fakt, nuk ishte një takim me rëndësi, thjesht forum – ku u përsërit për të miliontën herë se Kosova dhe Serbia duhej të arrinin një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Pjesëmarrësit në forum nuk kishin mbetur të shokuar nga kjo deklaratë.

Por, kësaj here Shqipëria shkaktoi skandalin më të madh. Paraprakisht, VICE bëri një shkrim për rrëfimin mbi Shqipërinë si të parin ‘narko-shtet’ në Evropë, dhe më pas gazeta BILD i publikoi disa përgjime ku kryetari i Durrësit i zgjedhur nga diktati i Edi Ramës, dëgjohej duke iu bindur bandave kriminale, e ku bliheshin vota ashtu siç edhe akuzonte opozita shqiptare. Kjo vetëm sa e shtoi presionin mbi regjimin e Edi Ramës dhe vetëm sa i acaroi protestat. Se çfarë do të ndodh mbetet e paqartë me zgjedhjet e 30 qershorit që janë anuluar nga presidenti Meta.

Pikërisht gjatë kësaj jave u mësua për vdekjen e Albert Rohanit, i cili bashkë me Marti Ahtisaarin, kishte hartuar planin për pavarësinë e Kosovës. Rohan kishte qenë kundër asociacionit që i jep të drejta ekzekutive komunitetit serb dhe po ashtu kundër korrigjimit të kufijve.

Të premten, Kombëtarja e Kosovës në futboll shkoi në Podgoricë për t’u ndeshur kundër Malit të Zi. Një mori gjërash ndodhën paraprakisht, e të gjitha në favor të kombëtares sonë të dashur. Mali i Zi luante pa dy lojtarët kryesorë, Stevan Jovetiq e Stevan Saviq. Mali i Zi ishte penalizuar që të luante pa tifozë. Dhe Mali i Zi për shkaqe politike e pseudo-patriotike mbeti pa trajner dhe pa dy futbollistë. E megjithatë, Kosova dështoi të fitonte pavarësisht epërsisë së dukshme në nivel teknik. Kjo ishte ndeshja më e dobët e kombëtares sonë nën urdhërat e Bernard Challandes.

Gjatë javës kishim edhe publikimin e deklarimit të pasurive nga politikanët kosovarë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Sa i përket pasurisë doli se nuk kishte dallime mes pozitës dhe opozitës, që të gjithë, tok së bashku, i kishin ikur larg fatit të qytetarit të rëndomtë të vendit, që të gjithë ishin mosvet të pasur duke e dëshmuar si të vërtetë deklaratë ne famshme të Xhavit Halitit që ia tha në fytyrë moderatorit Adriatik Kelmendi: “Krejt i kemi kah dy-tre milionë!”