Snajperët kujdesën për sigurinë e Clinton e Albright

Periskopi.com Lajme

Forcat të shumta të policisë janë angazhuar për të siguruar që vizita e presidentit amerikan Bill Clinton, ish-sekretares Madeleine Albright dhe gjeneralit Wesley Clark, të kalojë pa asnjë incident të mundshëm.

Derisa është përgatitur sot organizimi kryesor në qendër të sheshit të Prishtinës, për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATO-së dhe çlirimit të Kosovës, në të cilin do të marrin pjesë Clinton, Albright e Clarck, janë angazhuar edhe forca speciale të Policisë së Kosovës të cilët me snajper do të kujdesen për sigurinë.

Clinton do të parakalojë nëpër sheshin qendror të Prishtinës, e qytetar të shumtë do të kenë rastin që ta shohin e përshëndesin.

NATO, forca e shpresës

Periskopi.com Lajme

Para dy dekadave në Kosovë patën hyrë trupat e NATO-s, të cilat ua rikthyen kosovarëve shpresën e humbur për jetë.

Kosova po i bën përgatitjet e fundit për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në vend pas dëbimit të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, të cilat kryen krime makabre ndaj popullatës civile.

Më 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë patën hyrë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, numër ky që pas dy dekadave është reduktuar në 3500 sosh si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në vend. Zyrtarë të KFOR-it tregojnë për “Zërin” se në qershor të vitit 1999 në Kosovë kishin arritur ushtarë nga 39 kombe të ndryshme të botës.

“Nuk është e lehtë të tregohet numri i saktë i ushtarëve që patën hyrë në Kosovë më 12 qershor 1999, por e dimë se gjatë muajve të parë ishin rreth 50.000 ushtarë nga rreth 39 kombe. Gjatë 20 vjetëve të fundit numri i tyre ka ndryshuar vazhdimisht në përputhje me zhvillimet. Sot janë rreth 3500 trupa, me kontributin e 28 kombeve, 20 prej të cilave janë pjesë e NATO-s dhe e 8 vendeve partnere”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it dhënë gazetës “Zëri”.