Ferid Agani konfirmon se iu bashkua koalicionit NISMA-AKR

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani përmes një komunikate për medie ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me AKR-në për koalicion parazgjedhor, raporton Periskopi.

Në këtë komunikatë thuhet se kjo marrëveshje u bë në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm politik shumë vjeçar të Partisë së Drejtësisë me Aleancën Kosova e Re.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Pas bisedimeve gjithëpërfshirëse me presidentin e AKR-së z. Behgjet Pacolli dhe në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm politik shumë vjeçar të Partisë së Drejtësisë me Aleancën Kosova e Re, sonte u arrit marrëveshja për koalicion parazgjedhor ndërmjet PD dhe AKR që në radhë të parë është në funksion të pasurimit të ofertës politike për qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Ky koalicion parazgjedhor do të fuqizojë në mënyrë përmbajtjesore koalicionin tani më të arritur ndërmjet subjekteve politike AKR dhe NISMA dhe do të paraqet alternativë të besueshme dhe vizionare për qytetarët e Republikës së Kosovës në periudhën tejet të ndjeshme për të ardhmen e vendit.

Partia e Drejtësisë fton gjithë elektoratin e saj që të mbështet ketë koalicion parazgjedhor në funksion të promovimit dhe institucionalizimit të vlerave të dëshmuara të traditës sonë kombëtare dhe qytetare euroatlantike në politikat e qeverise se re të vendit.

Ismet Beqiri përkujton Fehmi Aganin: Nuk është zbardhur kurrë vrasja e Aganit

Periskopi.com Lajme

Kryesia e LDK-së ka bërë homazhe pranë varrit të akademik, Ferid Aganit, në lagjen “Arbëria” me rastin e 20-vjetorin e vrasjes së tij.

Ismet Beqiri nga LDK tha se Fehmi Agani ishte njeri i qetë, vizionar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish- presidentit Rugova.

“Edhe sot pas 20 viteve përpos që dihet që e kanë vrarë kriminelët serbë nuk është zbardhur rasti dhe nuk janë vënë para drejtësisë gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë krim makabër. Mungesa e tij vërehet kudo në institucione, në jetën akademike institucionale. Sepse mençuria e tij është një resurs i veçantë”, tha ai.

E djali i Fehmi Aganit, Mentori, tha se shpreson që babai i tij te jetë shembull për gjithë kosovarët dhe gjeneratat e reja.

U dënua me 2 vjet e gjysmë burg, Ferid Agani reagon me një letër të gjatë për procesin ndaj tij

Periskopi.com Lajme

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pas shpalljes fajtor dhe dënimit me 2 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, i është drejtuar qytetarëve me një letër të gjatë.

Ndër të tjera ka thënë se është shumë e rëndë shkalla e mospërfilljes së dispozitave ligjore në fuqi të cilën sot me Vendimin e saj e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Shkelja e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë e bërë sot me këtë Vendim ishte e rëndë dhe eklatante”, ka thënë Agani.

Ka shprehur në disa pika ato që i ka quajtur anomali gjatë procesit gjyqësor ndaj tij, të cilat i ka quajtur “fakte të cilat sqarojnë padrejtësinë e bërë ndaj tij me vendimin e sotëm gjyqësor”.

Lexojeni të plotë letrën e Aganit:

Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës,

Ju drejtohem në këto momente të vështira për mua, familjen time, anëtarët dhe simpatizantët e Partisë së Drejtësisë si dhe miqtë e shumtë në vend dhe jashtë tij me ndjenjën e detyrimit që të ndajë me Ju të vërtetën përkitazi me këtë proces gjyqësor që tash po shihet qartë se ka pasur që nga fillimi prapavijë të rëndë politike. Momente të vështira, jo për shkak të llojit dhe përmasave të dënimit të shqiptuar sot ndaj meje në Gjykatën Themelore të Prishtinës sepse nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, por për shkak të zhgënjimit të rëndë që përjetova sot në këtë Gjykatë e cila pa fije turpi me Vendimin e saj mohoi në tërësi të gjitha deklaratat e dëshmitarëve, ekspertëve dhe të gjitha provat materiale të paraqitura gjatë këtij procesi tre vjeçar gjyqësor.

Konsideroj se jam ballafaquar në mënyrë dinjitoze me akuzat plotësisht të pabazuara të Prokurorisë që nga dita e parë e ngritjes së tyre zyrtare duke dhënë dorëheqje nga posti i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të mundësuar proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor, si dhe duke u përmbajt nga çfarëdo intervenimi dhe interpretimi politik si kryetar i Partisë së Drejtësisë gjatë gjithë këtij procesi të stërzgjatur juridik. Besoj se me këtë kam vendos standard politik i cili po shihet qartë është vështirë i arritshëm për shumicën e zyrtarëve të lartë politik të shtetit. Mirëpo, sot u dëshmua se për ngritjen cilësore të sistemit juridik të vendit nuk mjaftojnë në këtë fazë të tranzicionit vetëm shembujt personalë.

Është shumë e rëndë shkalla e mospërfilljes së dispozitave ligjore në fuqi të cilën sot me Vendimin e saj e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës. Shkelja e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë e bërë sot me këtë Vendim ishte e rëndë dhe eklatante. Shkurtimisht dëshiroj të theksoj se jam shpallur fajtor për:

  • Mos ndalim të nënshkrimit të marrëveshjes me spitalet private përderisa me dispozitë konkrete ligjore ka qenë obligim nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla.
  • Mos shpallje të tenderit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore përderisa Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Rregulla financiare e nxjerrë nga Ministria e Financave përcakton se për mjetet nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve nuk zbatohet prokurimi publik dhe nuk shpallet tender. Pra për çështje e cila është rregulluar me Ligj si e tillë, unë shpallem fajtor për zbatim të ligjit.
  • Jam shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare për periudhën deri në dhjetor të vitit 2015 në të cilën nuk kam qenë fare Ministër i Shëndetësisë. Si mund të kuptohet kjo të nderuar qytetarë, si mund të jem fajtor kur në periudhën pas dhjetorit të vitit 2014 nuk kam qenë Ministër i Shëndetësisë?
  • Jam dënuar për mos ndalim të marrëveshjes e cila ka qenë në fuqi edhe para se të emërohem Ministër i Shëndetësisë dhe për procedurë e cila vazhdon të zbatohet edhe sot e kësaj dite përkundër se janë ndërruar disa Ministra të Shëndetësisë. Procedura vazhdon në mënyrë identike, ndërsa në krejt këtë proces unë shpallem fajtor. Si mund të ketë arsyeshmëri ligjore e gjithë kjo?
  • Jam dënuar për shkaktim të dëmit buxhetit të shtetit në vlerë prej 4.5 milionë euro, ndërsa vetë Avokatura Shtetërore si përfaqësuese e Republikës së Kosovës për asnjë moment nuk ka prezantuar në proces gjyqësor dhe nuk ka dhënë asnjë argument për dëmin gjoja të shkaktuar. Pra si ka dënim për dëmtim të buxhetit të shtetit ndërsa nuk ka dëm të shkaktuar.
  • Jam dënuar gjoja për dëmin e shkaktuar në vlerë prej 4.5 milion euro, ndërsa për dëmin e njëjtë në vlerë të njëjtë janë duke vazhduar edhe 2 procese të ndara gjyqësore të njohura si STENTA 2 dhe STENTA 3. Pra si ka mundësi që për dëmin prej 4.5 milionë euro i cili fillimisht pretendohej se është shkaktuar nga të gjithë të akuzuarit, jemi dënuar unë dhe z. Gani Shabani ndërsa dy proceset tjera ende nuk kanë përfunduar dhe në ato procese Prokuroria pretendon se në secilin proces ka dëm nga 4.5 milion euro. Pra dëmi gjatë procedurës është trefishuar nga Prokuroria dhe Gjykata respektivisht.

Këto janë vetëm disa nga anomalitë e shumta të gjithë këtij procesi gjyqësor dhe fakte të cilat sqarojnë padrejtësinë e bërë ndaj meje me vendimin e sotëm gjyqësor.

Si të shpjegohet fakti se jam dënuar në bazë të një Aktakuze e cila është ngritë në mënyrë të kundërligjshme nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kur e njëjta nuk kishte kompetencë për një gjë të tillë. Lënda i ishte marrë në mënyrë arbitrare Prokurorisë Speciale për të kaluar në zyrën e Kryeprokurorit, ndërsa pas ngritjes së aktakuzës lënda është përfaqësuar nga Prokuroria Speciale e cila më sipas vendimit të parë nuk ishte kompetente.

Unë do të ndërmarr të gjitha masat e duhura ligjore në të gjitha instancat juridike të vendit që vendimi i tillë assesi të mos kaloj në Gjykatën e Apelit. Kam shpresën se së paku Gjykata e Apelit do të trajtoj në mënyrë profesionale të gjitha argumentet e prezantuara gjatë këtij procesi gjyqësor nga ana ime dhe se këto gabime të palejueshme do të sanksionohen dhe eliminohen nga ana e saj.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dëshiroj tu siguroj se vendimi i sotëm jo që nuk do të më luhat në përkushtimin tim politik dhe shtetëror për ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit prosperues të Kosovës i cili nuk do të zbrazet çdo ditë nga të rinjtë dhe qytetarët e tjerë ashtu siç po ndodhë këto ditë, por përkundrazi do të më forcojë edhe më shumë në betejën historike të cilën të gjithë së bashku duhet domosdo ta fitojmë kundër paditurisë, diletantizmit profesional, padrejtësisë, intrigave dhe shantazhimeve në politikë dhe në shtet, që janë bërë përditshmëri e vrazhdë dhe e rëndë, sot e konkretizuar edhe një herë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

 

Ferid Agani dënohet me dy vite e gjysmë burg

Periskopi.com Lajme

Ish ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, është dënuar me 2 vjet e gjashtë muaj burg ndërsa ish sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Gani Shabani, me 2 vjet burg pasi janë gjetur fajtorë sot për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stentat’.

Ish ministri Ferid Agani dhe ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzoheshin në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të akuzuar për ketë rast janë mbi 50 persona mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish ministrit dhe ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ish ministri Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë,  duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

 

Flet Ferid Agani, tregon a do të jetë në listë për deputetë ose jo

Periskopi.com Lajme

Akuzat e rënduara mbi ish Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Aganin, për keqpërdorimet në rastin “Stenta”, kanë detyruar Aganin të tërhiqet nga gara për deputetë.

Lajmi është bërë i ditur nga vet Agani, përmes një postimi në llogarinë personale.

Agani ka shkruar se ka vendosur që të mos i shfrytëzoj të drejtat për të kandiduar për deputetë, me kandidatët tjerë, në situatën ku sipas tij me akuza të pabazuara është hedhur hije mbi figurën e tij publike.

Ish ministri ka përmendur edhe kohën kur është larguar nga post që mbante përshkak të njejtave akuza.

Postimi i plotë i Aganit:

Zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 11 Qershorit janë njëlloj me rëndësi të jashtëzakonshme për Republikën tonë të re dhe të ardhmen e çdo qytetari të vendit. Pas më shumë se një viti të stagnimit në rrugën e shtëndërtimit sipas agjendës Europiane dhe Euro-atlantike është e domosdoshme që të gjitha subjektet politike tu’a dëshmojnë qytetarëve dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare e në veçanti miqëve tanë të dëshmuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkësisë Europiane se kanë vendosmëri dhe përkushtim të paluhatur që angazhimin e mëtutjeshëm në arritjen e objektivave strategjike shtetërore ta mbështesin mbi standardet më të larta politike ndërkombëtare.

Mbështetur mbi këto parime kam vendosur që të mos i shfrytëzojë të drejtat e mia kushtetuese dhe ligjore për të garuar i barabartë me kandidatët e tjerë për postin më të nderuar të përfaqësuesit të popullit në situatën kur me akuzë plotësisht të pabazuar dhe të padrejtë është qitur hije mbi figurën time publike politike. Janë këto të njejtat parime që më kanë shtyrë që vitin e kaluar, menjëherë pas ngritjes së kësaj akuze, si shprehje e përgjegjësisë sime publike ndaj qytetarëve të vendit e me qëllim të lirimit të plotë të hapësirës për proces të drejtë gjyqësor pa asnjë presion të kërkojë lirimin nga detyra e Ministrit në Qeverinë e Kosovës, duke e rikonfirmuar me këtë përkushtimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës si dhe të vërtetën shumë herë të provuar se anëtari i Partisë së Drejtësisë me asnjë çmim nuk bënë tregëti me vlerat etike dhe morale që janë të domosdoshme për ushtrimin e postit shtetëror.

Të dashur bashkpartiak dhe mbështetës të Partisë së Drejtësisë, Kërkojë mirëkuptim që me këtë ju kam privuar nga e drejta që duke votuar për Kryetarin e Partisë së Drejtësisë në garën për deputet në Kuvendin e Kosovës të votoni vlerat e programit politik të PD-së, dhe njëkohësisht Ju lus që ta bëni këtë duke mbështetur në mënyrë masovike dhe pa asnjë kursim dy zyrtarët e lartë të Partisë sonë Merjeme Uka dhe Ardian Sejdiun që jam i sigurtë se si përfaqësues të gjeneratës së re të PD do të shkëlqejnë në arenën politike të vendit me gjithë pasurinë që ua ofrojnë personalitetet e tyre dhe programi politik i PD-së. Jam i bindur se ky veprim paraqet ngritje të standardeve politike të Partisë dhe vlerë të re në funksionimin e sajë demokratik.

Të respektuar anëtarë dhe mbështetës të Partisë së Drejtësisë,

Vitin e fundit ishim dëshmitarë të veprimeve agresive dhe të pamatura të shumë zyrtarëve të lartë të Partisë në qendër dhe në degë, që me pretekste prej më të ndryshmeve tentuan që me veprime kundër-statutore të uzurpojnë udhëheqjen e Partisë. Se cilët kanë qenë motivet e tyre të vërteta më së miri flet e vërteta e ditës së sotme, mjafton të shihni listat zgjedhore të subjekteve të tjera politike dhe të shihni se cilat kanë qenë motivet e vërteta, u shpërndan në së paku tri lista zgjedhore të subjekteve të tjera politike; por le të jetë e qartë ata që kanë vendosur që karierën politike ta ngrisin duke shkelur mbi dinjitetin e Partisë e cila i solli në skenën politike dhe i bëri figura publike nuk i pret asgjë tjetër veçse se fundi i turpshëm politik.

Të nderuara motra dhe vëllezër, Zgjedhjet e 11 Qershorit janë me rëndësi të veçantë për vendin dhe për Partinë e Drejtësisë. Të mobilizohemi si asnjëherë më parë, të jemi të bashkuar rreth vlerave programore të Partisë sonë të shtrenjtë, të dëshmojmë vlerat tona të larta etike dhe morale gjatë fushatës zgjedhore dhe të votojmë në mënyrë masovike Ardianin dhe Merjemen, dhe me këtë të sigurojmë zërin e fuqishëm, vizionar dhe të vendosur politik të PD-së në Kuvendin e Kosovës.

Me fat zgjedhjet. Zoti i Madhërishëm na ndihmoftë.

Aganin e hoqën nga ministria, por karrigen e PD-së se ka ndërmend ta lirojë

Partia e Drejtësisë ka vetëm një kryetar dhe ai është Ferid Agani. Kështu ka deklaruar vetë Agani, që mohon zgjedhjen e Sylejman Çerkezit për kryetar të kësaj partie.

Periskopi.com Lajme

Në shtator, Çerkezi kishte marrë shumicën absolute të votave apo pëlqimin e 110 delegatëve nga 112, që u tha të ishin në një Kuvend të jashtëzakonshëm të Partisë së Drejtësisë.

Megjithatë, ky votim nuk ishte pranuar as atë kohë nga Agani që ka përsëritur qëndrimin e tij.

“Partia e Drejtësisë është një dhe e ka vetëm një kryetar legal dhe legjitim. Për këtë mund të kërkoni informatat e duhura në Komisionin Qendror Zgjedhor ku janë të deponuara informatat zyrtare për çdo subjekt politik. Mandati im si kryetar i PD-së zgjat deri në qershor të vitit 2019 dhe në këtë aspekt nuk ekziston ndonjë paqartësi. Çdo informatë tjetër paraqet përpjekje meskine për të dëmtuar Partine e Drejtësisë dhe për të dezinformuar opinionin publik”, ka thënë ai.

Agani po ashtu është deklaruar edhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe për ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor.

“Sa u përket zgjedhjeve dhe koalicioneve të mundshme politike vendimet meritore u takojnë organeve kompetente të partisë që do t’i marrin ato në kohën e duhur”, ka shtuar ai.

Agani po ashtu ka theksuar se koalicioni PD-PDK ka qenë “konstruktiv dhe parimor me shumë aspekte pozitive të bashkëpunimit të ndërsjellë”.

Agani: Rrahmani po përdorë procedura për të cilat mua më ngritën aktakuzë (Video)

Ish-ministrit të shëndetësisë Ferid Agani i kushtoi shumë ngritja e aktakuzës në rastin “Stenta” kur u desh të lirojë edhe postin e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Periskopi.com Lajme

Pas krejt kësaj kohe sa është i liruar nga të gjitha pozitat qeveritare, Agani shpreh habinë se si është duke vazhduar të aplikohen të njëjtat procedura edhe nga pasardhësi i tij ministri Imet Rrahmani e nuk ka reagime.

Ky i fundit këshillon Aganin të merret me veten. Megjithatë Rrahmani ka filluar të ndryshojë udhëzimin administrativ për referime jashtë institucioneve publike i cili pretendohet se u keqpërdor nga dhjetëra mjekë për të cilët rëndon aktakuzë.

Thotë se bashkë me kardiologët janë në fazën finale të përpilimit të një udhëzimi administrativ me ndryshime në disa pika që i kërkuan vetë ata.

Shtyhet seanca për mjekët e stentave

Është shtyrë seanca e mjekëve të akuzuar për keqpërdorim detyre në rastin 'Stenta'.

Periskopi.com Lajme

Seanca fillestare në Rastin Stenta ku të akuzuar janë 64 persona kryesisht punëtorë shëndetësorë të institucioneve publike e private është shtyrë për mungesë të njërit nga të akuzuarit-Agron Besimit.

Para se gjykata të vendosë për shtyrjen, me mosmbajtjen e seancës sot u pajtua edhe prokurori Agron Bajrami që ditën e sotme e përfaqësoi aktakuzën.

Bajrami tha se nuk janë plotësuar kushtet për zhvillimin e seancës, ndërsa i kërkoi gjykatës që në seancën e radhës ta sigurojë praninë e të akuzuarve.

Prokurori e pranoi se ende nuk u janë dorëzuar provat të akuzuarve që nuk e kanë gjuhë amtare shqipen.

“Për sa i përket çështjes së provave u janë dorëzuar të gjithëve, ndërsa sa u përket atyre në gjuhën turke pjesa e mbetur e materialeve do t’u dorëzohet shumë shpejt,” tha prokurori Bajrami.

Prokurori kundërshtoi veçimin e procedurës për Aganin e Shabanin.

“Nuk plotësohen asnjë nga kushtet ligjore për veçimin e procedurës dhe se provat janë të  ndërlidhura dhe veçimi do të ishte në kundërshtim me parimet e procedurës penale,” tha prokurori Bajrami.

Seanca e shtyrë u caktua të zhvillohet më 30 nëntor.

10:25

Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani kërkoi gjykim veçmas nga të tjerët të të mbrojturit të tij dhe sekretarit të përhershëm Gani Shabani, duke e arsyetuar këtë me fjalët se veprat për të cilat ngarkohen Agani e Shabani nuk lidhen me të akuzuarit tjerë.

“Pasi që i mbrojturi im akuzohet për bashkëkryerje me të akuzuarin Gani Shabani të detyrës zyrtare dhe duke marrë parasysh rrethanat që na u shfaqën në shqyrtimin e sotëm dhe që këta nuk kanë të bëjnë me te akuzuarit tjerë dhe do të procedohen me shumë se 200 dëshmitarë dhe asnjëri nga ta nuk kanë të bëjnë me këta të dy, kërkoj veçimin e procedurës penale ndaj këtyre dy të akuzuarve për hir të efikasitetit të procedurës,” tha avokati Adem Vokshi.

Avokati tjetër Kujtim Kërveshi kërkoi mbylljen e seancës me arsyetimin e ruajtjes së sigurisë së disave nga të arrestuarit.

Në gjykimin për stentat është duke munguar i akuzuari Agron Besimi.

10:12

Sender Musa, njëri nga avokatët në rastin e stentave po ankohet se nuk ka kushte për t’u zhvilluar seanca ngase sipas tij mbrojtja disa prova i ka marrë në CD, ndërsa për t’i hapur duhet pasur laptop, ndërsa nuk ka hapësirë për të.

Musa po tregon në seancë se edhe disa nga të akuzuarit që nuk e kanë gjuhën shqipe gjuhë amtare nuk i kanë marrë me kohë materialet në gjuhën e tyre.

Musa po kërkon shtyrjen e seancës për përgatitje të mbrojtjes./ KALLXO

Ish-këshilltari i Ferid Aganit, thotë se Agani ishte kupola e krimit në shëndetësinë kosovare

Ish-këshilltari i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe eksperti i shëndetësisë nga Harvardi, Gani Abazi, ka folur për shëndetësinë në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Abazi, që nga ish-këshilltar i Aganit tani është bërë kritikuesi më i madh i tij, ka akuzuar ish-ministrin e Shëndetësisë për sabotimin e shumë projekteve investuese nga jashtë në shëndetësinë kosovare, dhe e ka fajësuar atë për shumë vdekje të pacientëve në spitale private.

“Ish-ministri Agani ka sabotuar mbi dhjetë iniciativa multimilionëshe, me të cilat unë me kolegët e mi në kuadër të Harvardit synonim reforma specifike në teknologjinë mjekësore dhe furnizimin me barëra”, ka thënë Abazi në “Komiteti”.

“Kam menduar që është për shkak të mungesës se vetëdijes se sa rëndësishme është një reformë mjekësore, por pasi prokuroria solli aktakuzat ndaj ministrit, kuptova se nuk ka qenë punë naiviteti apo mungesë e ekspertizës por mendjet kriminale, të qëllimshme”, është shprehur Abazi.