Prishtina ndriçohet për festat e fundvitit, sheshet plot me qytetarë

Periskopi.com Lajme

Ndonëse kishte dilema nëse kryeqyteti do të stolisej këtë vit për shkak të gjendjes me pandemi, tashmë kanë përfunduar përgatitjet për stolisjen e shesheve për festat e fund-vitit.

Një numër i madh i qytetarëve u panë në orët e mbrëmjes përgjatë sheshit “Nënë Tereza”, para se të fillojë ora policore e vendosur si pjesë e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

E vetë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se ky vit ishte një sfidë për të gjithë ne, por që si i tillë na bashkoi edhe më shumë dhe na bëri më solidarë, duke na mësuar të shikojmë nga njëri tjetri me zemër.

Ndryshe, më herët Ahmeti, kishte postuar në rrjetet e tij sociale një poll, përmes të cilit kërkonte nga qytetarët të votojnë për apo kundër dekorimit të qytetit për festat e fundvitit. Në sondazh morën pjesë plotë 3 mijë e 484 persona dhe 53.8% ishin që sheshet të dekorohen, kurse 40.6% votuan kundër kësaj.

Shumë komuna në Kosovë janë shprehur kundër zbukurimit të qyteteve për shkak të gjendjes me koronavirus, ku vetëm në 24 orët e fundit në nivel të vendit janë konfirmuar edhe 19 viktima dhe 468 raste të reja si rezultat i sëmundje infektuese.

Të tejngopur pas festave, këto supa ua lehtësojnë stomakun

Periskopi.com Shëndeti

Edhe pse kemi hyrë zyrtarisht në muajin e parë të vitit, e festat i lamë pas, nuk mund të mos ndjejmë atmosferën e këtyre të fundit. Mjafton t’i hedhim një sy frigoriferit dhe do vëmë re sasinë e ushqimeve të mbetura.

Mish, peshk, bakllava, sërish mish apo qofte, me pak fjalë ushqime që ju shtojnë ndjesinë e fryrjes. Për këtë arsye ka gjithmonë vend për supat e shëndetshme. Supat detoks janë shumë të thjeshta në përgatitje, të shëndetshme dhe mbi të gjitha ideale për të pastruar organizmin nga toksina.

Supë me mollë dhe selino 

Një mollë në ditë mban doktorin larg për një vit, por një supë me mollë dhe selino do t’ju ndihmojë të tresni yndyrën e gjithë vitit. Për të bërë këtë supë ju duhen 300 gr patate të ëmbla, 150 gr selino, lëng perimesh i parapërgatitur, dy mollë të kuqe, vaj ulliri, kripë dhe kos. Në një enë kaloni pak në skuqje patatet e ëmbla dhe selinon, më pas shtoni lëngun e perimeve dhe lërini të zihen. Merrni mollët dhe kalojini në furrë për disa minuta derisa të zbuten dhe më pas në frulator. Shtoni po ashtu edhe selinon dhe patatet derisa masa të lidhet. Rregulloni sasinë e kripës dhe vajit të ullirit dhe shtoni kos sipas dëshirës.

Supë me mollë, finok dhe panxhar

Mesa duket molla është një përbërës shumë i shëndetshëm në shumë receta supash. Para se të bëni këtë supë, duhet të zieni të panxharin, finokun dhe rrepat e kuqe veçmas. Më pas hidhini në një enë qelqi dhe vazhdoni shtypjen e tyre në formë pureje. Shtoni vaj ulliri, kripë, majdanoz dhe pure molle. Përveç shijes së mirë, do të kënaqeni edhe me aromën dhe ngjyrat e kësaj supe.

Supë me karrota dhe xhinxher

Supa me karrota dhe xhinxher është një ndër supat më të shëndetshme që mund të provoni. Këta dy përbërës ju ndihmojnë të forconi sistemin imunitar. Fillimisht lani karrotat dhe thajini me letër kuzhine. Grijini në rende dhe vendoseni të zihen në zjarr të avashtë me pak vaj ulliri . Hidhini masës kripën e mjaftueshme dhe një degëz trumzë. Sipër grini xhinxherin dhe pasi të jenë të zier plotësisht kalojini në frulator. Sipas dëshirës mund t’u shtoni bajame të pjekura dhe karafil.

Afërdita Dreshaj u duk me plot elegancë në natën e ndërrimit të viteve

Periskopi.com Showbiz

Afërdita Dreshaj nuk zhgënjeu as mbrëmë.

Afërdita Dreshaj ka ndarë me ndjekësit disa imazhe nga festa e mbrëmshme.

Ajo vendosi që natën e ndërrimit të viteve ta kalojë bashkë me bashkëshortin e saj, Jakub Kind.

Këngëtarja kishte zgjedhur që në këtë mbrëmje të vishej me një fustan të zi, të shkurtër, në të cilin dukej shumë elegante.

Kosovarët shpenzuan mbi 36 milionë euro për festat e fundvitit

Periskopi.com Lajme

Shpenzimet e pa kontrolluara të qytetarëve të Kosovës për festat e fundviti për shumë kë janë të pa kapshme. Madje këto shpenzime kapin shifra milionëshe. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve bëhet për pije dhe ushqim.

Me 18 për qind të popullsisë në varfëri të plotë dhe 5 për qind e tyre në varfëri ekstreme, megjithatë kosovarët dalin se janë mjaftë meraklinjtë në festa, sidomos për festat e fundvitit.

Në këtë periudhë kohore qytetarët me të varfër në Evropë shpenzojnë miliona euro, derisa mbi 80 për qind e familjeve në Kosovë e festojnë vitin e ri.

Sipas raportit “Shpenzimet e familjeve kosovare për festat e fundvitit, 2019” i realizuar nga Uboconsulting, çdo familje në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 150 euro për këto festa, ndërsa në total shpenzimet shkojnë në 36 milionë euro.

“81 për qind e familjeve në Kosovë i festojnë festat e fundvitit”, thekson raporti.

Sipas raportit, 74 për qind e parave për festat e fundvitit shkon në ushqime e pije, 12 për qind për dekorime, 7 për qind për dhurata dhe 7 për qind të tjera.

Në pyetjen se pse nuk festohet kjo festë, 70 për qind janë përgjigjur se nuk festojnë për arsye fetare.

“70 për qind janë për bindje fetare, 19 për qind për shkaqe ekonomike, ndërsa 11 për qind për arsye tjera”, vijon raporti.

Ndikimi i rrjeteve sociale tek kosovarët duket se është mjaftë i madh. Madje edhe kur janë në pyetje informatat për produkte të ndryshme. Si burim kryesor të informimit rreth produkteve për festat e fundvitit, ka dal së janë ato përmes televizionit dhe rrjeteve sociale.

“64 për qind e tyre kanë thënë se marrin informacione nga televizioni, ndërsa 59 për qind nga rrjetet sociale”, përfundon raporti.

Ndryshe në këtë anketë janë intervistuar 1 mijë e 69 respondentë nga 38 komunat e Kosovës. Prej tyre 815 janë shqiptarë, 150 serb dhe 104 nga komunitetet tjera. /Telegrafi/

 

​Me Notre Dame jashtë funksionit, mesha e Krishtlindjes mbahet nën tendën e cirkut

Periskopi.com Lajme

Tetë muaj pasi katedralja Notre Dame u përfshi nga flakët, kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit, mbajti meshën tradicionale të Krishtlindjes nën një tendë cirku për afro 2.500 adhurues.

Dioqeza e kryepeshkopit të Parisit deklaroi këtë javë se ishte hera e parë në 200 vjet që mesha e Krishtlindjes nuk do të zhvillohej në katedrale.

Sipas transmetuesit radiofonik francez “Franceinfo”, mesha u mbajt sot në mëngjes në cirkun Gruss, në parkun Bois de Boulogne i ndodhur në anën perëndimore të kryeqytetit francez.

Kisha historike e Parisit u përfshi nga zjarri në muajin prill, ku çatia u shkatërrua plotësisht. Rindërtimi ka të ngjarë të zgjasë me vite. Presidenti i Francës Emmanuel Macron, ka deklaruar se katedralja do të rindërtohet deri në vitin 2024./tch

Teologu Flugaj flet për dekorimet e shesheve: Gjërat e bukura muslimani nuk i urren

Periskopi.com Lajme

Në emisionin “#Hashtag” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, është diskutuar për festat e fund vitit.

Teologu Fitim Flugaj ka thënë se për besimtarët myslimanë nuk kanë ndonjë rëndësi festat tjera pos dy bajrameve.

Ai megjithatë ka thënë se “gjërat e bukura nuk i urrejmë”.

Zyrtari i Bashkësisë Islame të Kosovës thotë se përfituesit e mëdhenj të këtyre festave janë bizneset e mëdha pasi sipas tij qytetarët e thjeshtë më shumë shpenzojnë në gjëra të kota.

Flugaj thotë se feja islame nuk është kundër gjërave të bukura siç janë edhe dekorimet, por sipas tij ato duhet të bëhen gjatë tërë vitit.

Ai transmeton një thënie të Muhamedit e cila thotë: “Pjesët e besimit janë disa. Më e larta është të beson vetëm një Zot dhe se Muhamedi është i dërguar i tij, ndërsa më e ulëta është mirëmbajta e rrugës ose largimi i ndonjë pengese nga rruga”.

Teologu thotë se Viti i Ri do të ishte një rast i mirë për një “ri-startim” të mirë të vitit dhe një përmbyllje e mirë e vitit që po lëmë por jo të shndërrohet në një festë të shthurur ku ka shumë të lënduar.

Flugaj thotë se sistemi politik siç ishte Komunizmi shumë rëndësi i ka kushtuar vitit të ri e që sipas tij e ka lënë traditë.

I pyetur nëse dekorimet janë të ndaluara në pazë të parimeve islame, zyrtari i BIK-ut është përgjigjur.

“Jo nuk është “haram”. Ajo nuk ka të bëjë me fenë është çështje e mënyrës së të jetuarit. Po deshe dekoroje”.

Teologu thotë se kalendari gregorian nuk ka bazë fetare dhe sipas tij qytetet që kanë fonde mund të bëjnë dekorimin e qyteteve.

Gjashtë gjëra që ju largojnë stresin dhe ju sjellin më shumë lumturi në prag festash

Periskopi.com Shëndeti

Sezoni i festave nuk është gjithmonë ai i shumëprituri! Ka shumë stres, ankth!

Çështje organizimi, dhuratash, shtëpia, gatimet, miqtë, familjarët, gjithçka që kërkon angazhimin tuaj për t’u realizuar e që mund t’ju çojë papritur në gjendje stresi, edhe pse në prag festash kjo është gjëja e fundit që do donit të përjetonit!

Ndaj, ne ju sjellim gjashtë këshilla efikase që ju ndihmojnë për të mposhtur stresin gjatë festave, e jo vetëm!

Flini shtatë deri në nëntë orë gjatë natës

Kjo ndihmon në forcimin e vendosmërisë, përmirësimin e mendjes suaj dhe mirëmbajtjen e peshës suaj. Në fakt, disa studime tregojnë se kur ju bëni gjumë të mirë gjatë natës, ka më shumë gjasa që ju të bëni zgjedhje më të mira ushqimore. Shkenca tregon gjithashtu se kur bëni gjumë të kufizuar, keni tendencë të keni nivele më të larta të hormonit stimulues të oreksit, çka ju shtyn në sasi më të mëdha konsumi.

Merrni kohë për veten tuaj

Ndërsa është joshëse të shpërbleni veten me dhurata të bukura, mendoni ta trajtoni veten me disa gjëra krejt elementare, por që ju çuditërisht ju ndryshojnë gjendjen emocionale direkt. Keni nevojë për disa ide? Provoni një qiri me erë të këndshme, një manikyr të freskët ose të lexoni një revistë të bukur! Do t’ju vlejnë doemos!

Relaksohuni

Zhdukni dhe qetësoni veten nga stresi me një filxhan çaji, sidomos kamomil, i cili vepron si një qetësues i mesëm dhe mund të ndihmojë në lehtësimin e ankthit.

Nxirrni frymën

Shtypni butonin tuaj “pauzë” të brendshëm dhe merrni frymë thellë. Mendoni për tre gjëra për të cilat jeni mirënjohës dhe për të cilat krenoheni. Do të ndiheni menjëherë më pozitiv dhe më pak të ndikuar nga gjërat negative. Kthejeni këtë në një rutinë normale gjatë ditëve festive dhe do të ndiheni ndryshe, na besoni!

Dobësohuni

Konsiderojeni si sfidë! Para se të pyesni veten nëse jeni të uritur vërtetë apo jeni të stresuar, shpërqëndrohuni diku tjetër, në një aktivitet tjetër. Telefononi një mik, bëni një shëtitje të shpejtë, sistemoni çantën ose dollapin tuaj, e gjithë kjo taktikë do ju ndihmojë që të mos e mbani mendjen tek ushqimi, e kështu me kalimin e ditëve ju do të ndjeheni më të lehtësuar nga kilogramët tuaj.

Ecni

Bëjeni këtë çdo ditë të jetës suaj! Shëtisni rrotull shtëpisë apo në një lagje afër, merrni shkallët e pallatit dhe mos përdorni ashensorin, synoni 10 mijë hapa çdo ditë dhe do të ndiheni se keni bërë diçka me vlerë për veten tuaj!

Ushqimet që duhet t’i konsumoni pas festave

Periskopi.com Shëndeti

Pas festave të fundvitit, trupi ka nevojë për një moment detoksifikimi ose pastrimi: fruta, perime, por edhe erëza për t’u ndier menjëherë më mirë.

-Lëngu i portokallit sapo zgjoheni në mëngjes, jep një kontribut të pakrahasueshëm vitamine C. Ai ju ndihmon që të parandaloni ftohjen dhe të pastroni trupin. Pavarësisht llojit të portokajve, e rëndësishme është që lëngun e tyre ta pini sapo ta shtrydhni. Kjo është një mënyrë më efikase.

-Orizi integral, ndryshe nga orizi i bardhë, që është i pasur me karbohidrate, pra me sheqerna, përmban shumë fibra, përveçse selen, magnez dhe proteina, të përsosur për të pastruar trupin.

-E dimë se ai nuk është një përbërës më vete, por uji është i pazëvendësueshëm kur kemi nevojë për të pastruar fizikun, nga toksinat e marra pas festave që tashmë kaluan. Dy litra në ditë do t’ju ndihmojnë shumë për t’u ndier menjëherë shumë mirë.

-Përveç hekurit dhe kalciumit, spinaqi përmban edhe shumë vitamina, minerale, veti antioksiduese, pastruese etj. Mënyra më e mirë që spinaqi të ruajë këto veti kaq të mira të tij është ajo e përgatitjes me avull dhe e marinosjes me limon dhe vaj ulliri.

-Peshku krudo ose i papërpunuar, është shumë i pasur me Omega 3, ndërsa ai është shumë i lehtë. Pas festave është më mirë që të përdorni më shumë atë sesa mishin, i cili i bëhet “barrë” mëlçisë. Perfekt është edhe pjekja e tij në furrë ose në zgarë pa asnjë përbërës tjetër.

5 këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë pas “abuzimit me ushqime” gjatë festave

Periskopi.com Shëndeti

Organizata botërore e Shëndetit me rastin e ditëve të festave të vitit të Ri, kur përgjithësisht abuzohet me ushqimin, ka dhënë 5 këshilla: Të ndryshohet ushqimi herë pas here, të reduktohet sasia e konsumit të kripës, të yndyrnave, sheqerit dhe të alkoolit.

Këto këshilla vlejnë për ta përballuar Vitin e Ri me një dietë të shëndetshme, që të na ndihmojë të luftojmë infeksionet dhe probleme të tjera shëndetësore si obeziteti, diabeti, sëmundjet e zemrës etj…

Për të patur një dietë të balancuar është e rëndësishme të konsumohet një miks ushqimesh bazë, si: gruri, orizi, patatet, misri, fasulet, frutat, perimet e freskëta dhe ushqimi me origjinë shtazore (si mishi, peshku, vezët dhe qumështi).

Për të zvogëluar konsumin e yndyrnave, mbi të gjitha ato mikse, sugjerohet që të zëvendësohet gjalpi me vajin e sojës, të misrit dhe të lulediellit. Të konsumohet mishi i bardhë dhe peshku, dhe të përdoret gatimi me avull në vend të skuqjeve.

Ndërsa për të reduktuar sheqernat, shpesh të fshehur në ushqimet dhe pijet e konservuara, duhet kufizuar konsumi i pijeve me gaz dhe të sheqerosura, sidomos te fëmijët./Periskopi

Kolona në Merdare në prag të festave të fundvitit

Periskopi.com Lajme

Pak para festave të fundvitit kanë nisur të shtohen kolonat në pikën kufitare në Merdare.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritja për të hyrë në Kosovë nga kjo pikë kufitare me Serbinë është 1 deri 1 orë e gjysmë.

Për të dalë nga Kosova në këtë pikë kufitare pritja është pesë deri 10 minuta.

Nëpër pikat tjera kufitare pritjet janë pak minutëshe si për të hyrë në Kosovë, ashtu edhe për të dalë nga Kosova.

 

Mbi 100 mijë kg mjete piroteknike të importuara në prag të festave në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Edhe këtë vit sikurse viteve të tjera në muajin dhjetor fillon blerja dhe shitja e mjeteve piroteknike në Kosovë.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës të siguruara nga KALLXO.com ato kryesisht importohen nga Kina dhe këtë vit ka pasur dukshëm rritje të importit të tyre.

Por sipas këtyre të dhënave po del të jetë se interesi për fishekzjarrët ka rënë dhe se është rritur për mjete të tjera që janë piroteknike.

Që nga fillimi i vitit janar 2018 deri më 12 dhjetor të këtij viti janë importuar mbi 108 mijë kilogram mjete piroteknike të cilat kanë kushtuar rreth 111 mijë euro me vlerë doganore, ndërsa në vitin 2017 në total kanë qenë rreth 45 mijë kilogramë me vlerë doganore 62 mijë euro.

Sa i përket produkteve të cilat janë importuar në vitin 2018 del se numri i fishekzjarrëve është më i vogël se në vitin 2017 më rreth 39 mijë kilogramë, ndërsa mjetet e tjera janë mbi 69 mijë kilogramë.

Në vitin e kaluar importi i fishekzjarrëve ka qenë me rreth 44 mijë kilogramë dhe mjete të tjera me vetëm 735 kilogramë.

Mustafa: Shitja e mjeteve piroteknike do të bëhet vetëm me licencim

Kurse, Destan Mustafa nga Departameni për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme tha se shitja e këtyre mjeteve do të bëhet vetëm nga personat që do të licenohen dhe autorizohen për këtë tregti.

“Shitja do të bëhet vetëm nga personat e autorizuar dhe të licencuar për tregti ose për shitje me pakicë për fishekzjarrë. Dhe ne çdo vit kemi pasur bashkëpuni me inspektoratet lokale sa i përket shitjes së parregullt të mjeteve piroteknike, edhe këtë vit do të vazhdojmë të njejtin bashkëpunim”, tha Mustafa.

Ai po ashtu tregoi edhe kategoritë që do të lejohen për përdorim.

“ Fishekzjarrët e kategorisë 1 që paraqesin rrezik shumë të ulët dhe nivel të zërit të papërfillshëm, dhe të cilët kanë për qëllim të përdoren në vende të izoluara, duke përfshirë, fishekzjarrë që kanë për qëllim të përdoren brenda vendbanimeve. Fishekzjarrët e kategorisë 2 që paraqesin rrezik të ulët dhe nivel të ulët të zërit dhe që kanë për qëllim të përdoren në vende të hapura dhe të izoluara; Fishekzjarrët e kategorisë 3 që paraqesin rrezik të mesëm, të cilët kanë për qëllim të përdoren në vende të hapura dhe të mëdha, dhe që kanë nivel të zhurmës e cila nuk dëmton shëndetin e njeriut”, tha ai.

Mustafa shtoi se fishekzjarrët e kategorisë katër që paraqesin rrezik të lartë, që kanë për qëllim të përdoren vetëm nga personat me përgatitje të specializuar, zakonisht njihen si fishekzjarrë për përvojë 12 vjecare, 16 dhe 18.

Ditë më parë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala kishte marrë vendim që të kontrollohen Operatorët Ekonomik dhe të verifikohet nëse janë të licencuar dhe plotësojnë kriteret për tregtinë dhe furnizimin me produkte piroteknike/fishekzjarrë.

Po ashtu ai ka obliguar Inspektoratin e Tregut që këto produkte të mos shiten për fëmijët nën moshën 18 vjeçare si dhe në rast se udhëzuesi i përdorimit nuk është në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

Po ashtu tashmë edhe disa komuna kanë ndaluar një gjë të tillë.

 

Punë deri në 15 orë dhe pa asnjë ditë pushim – Trajtimi i tmerrshëm që po u bëhet punëtorëve të Viva Fresh’it për festa

Periskopi.com Lajme

Shpeshherë në media është raportuar për shkeljet e thella që ia bën punëtorëve të saj rrjeti i marketeve ‘Viva Fresh’ në Kosovë, dhe jo vetëm.

Çdo ditë thuajse, punëtorë të marketeve nëpër komunat e  Kosovës ankohen për orar të stërzgjatur, trajtim jo adekuat, shkelje të të drejtave të tyre themelore etj.

Periskopi nga burimet e veta ka mësuar se ‘Viva Fresh’ ka kaluar çdo normë të shkeljeve gjatë këtyre ditëve kur gjendemi edhe në prag të festave të fundvitit.

Mësohet  se këta punëtorë po punojnë me orare të stërgjatura deri në 15 orë dhe pa asnjë orë pauzë. Në gjitha pikat e ‘Vivës’ ka hyrë në fuqi edhe vendimi  për punë pa asnjë ditë pushim deri pas festave të fundvitit.  Përveç kësaj, orët shtesë nuk do u paguhen fare.

‘Para disa ditësh i kanë mbajte deri ne ora 5 te mengjesit ku atyre qe kane qene pasdite u eshte dashur te punojne 15 ore. Aty  shkelen te gjitha te drejtat e puntoreve. Gjithashtu, trajtimi nga ana e menaxhereve te Viva Fresh ndaj puntoreve eshte i tmerrshem’, ka thënë ky burim për Periskopin.

Po ashtu, mësohet se tash hapja e marketeve po bëhet prej orës 6, e jo sikurse më herët që rregull ka qenë të hapen në orën 7 të mëngjesit.

Periskopi disa herë kishte raportuar për shkeljet flagrante të të drejtave të punëtorëve nga marketet e mëdha, në prag të festave  të fundvitit. Asnjëherë nuk  e rrisin numrin e punëtorëve, por i keqtrajtojnë ata që i kanë.

Ndërsa, ankesa shpeshherë kanë parashtruar edhe qytetarët rreth produkteve nëpër markete. Ndonjëherë pa afat, e raste të tilla edhe kur kanë mashtruar me çmime./Periskopi/

 

 

Haradinaj kërkon liberalizimin e vizave si dhuratë për Vitin e Ri

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha sot se do të ishte lajm i mirë që edhe Kosova të marr liberalizimin e vizave para festave të fundvitit.

Haradinaj duke marr pjesë në promovimin e programit nacional për rininë tha se rinia e Kosovës nuk është më pak e zot sesa rinia e vendve tjera dhe se Qeveria sipas tij do t’i jap përkrahje.

“Qeveria i ka marrë përgjegjësitë e veta e kemi rritur 12 përqind buxhetin për arsim, njëkohësisht i kemi trajtuar me prioritet çështjet e arsimit. Ne i gëzohemi kësaj pune që po bëhet, vërtet na ka mobilizuar dhe do t’i japim çdo përkrahje në këtë proces. Ju siguroj që nuk jemi më pak të zot se rinia e vendeve tjera, rinia jonë duhet vetëm të ketë një nxitje. Është tepër me rëndësi që shtetet e BE-së ta vendosin në agjendë. Do të ishte një lajm i mirë që edhe Kosova të marrë liberalizimin e vizave para festave të fundvitit”, tha  Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se rinia e Kosovës është më e izoluara në Ballkan pasi që nuk ka liberalizim.

Veseli ka përsëritur se nëse nuk BE nuk vendos në favor të këtij procesi është racizëm.

“Rinia jonë aktualisht është duke u përballur me sfida që janë të fushave të ndryshme. Në të njëjtën kohë ballafaqohet me atë se është rinia më e izoluar në Ballkan.  Po presim si do të vendoset për këtë rini, nëse  nuk ka liberalizim është racizëm, presim të shohim a do t’i jap mundësi që kjo rini ta shoh botën si çdo rini tjetër, pasi që është rini evropiane. Ne duhet të bëjmë më shumë për përgatitjen e tyre për tregun e punës”, tha Veseli.

Koordinatori nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, ka thënë se me këtë program është formësuar ideja e pjesës praktike të sistemit të nxënies, q ë u garanton pjesëmarrje të gjithë nxënësve në tri fusha, si në dituri, në kreativitet kulturor dhe mëndim kritik dhe në sport.

Ai tha se ky projekt nuk do të ishte i plotë po të mos ishte edhe pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve.

“Nxënësit me këtë projekt do ta kenë hapësirën e vet për ta marrë nxënien në mënyrë normale dhe për të pasur mundësinë e një gare me bashkëmoshatarët. Pos dy dokumenteve bazë programin nacional për rininë dhe programi ndërshtetëror për rini, është edhe mundësia e bashkëpunimit”, tha ai.