Hysi: Ligji i për turizmin, mundësi për investime në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

“Ligji për turizmin, i cili është miratuar pak kohë më parë, jep një mundësi të mirë për të investuar për turizmin në Shqipëri”, tha nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, e cila mori pjesë sot në konferencën “Media & Tourism – Ideas & Solutions”, e organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në Tiranë.

Hysi tha se jam e nderuar që marr pjesë në një auditor ku ka profesionistë të medias dhe e dyta, se keni përzgjedhur një temë shumë interesante, promovimin e turizmit dhe rolin e agjencive të lajmeve.

Në vijim, Hysi vlerësoi rolin e medieve në promovimin e turizmit.

“Agjencitë e huaja kanë qenë ambasadorë shumë të mirë për Shqipërinë duke promovuar artin, kulturën, historinë, traditën, mikpritjen shqiptare dhe unë jam ndier shpesh krenare. Në reportazhe mediet kanë publikuar pjesët më të shëmtuara që nuk është realiteti në vend, dhe këtë e kanë bërë jo vetëm media të huaja, por edhe shqiptare dhe kanë lënë në një anë atë çfarë është e mirë dhe e bukur në këtë vend. Unë e kuptoj mirë se sa i rëndësishëm është roli i medias, por dhe sa gabime bëjmë ne në politikë që ju japim shpesh informacion medieve me gabimet tona për të bërë të kundërtën e promovimit të një vendi”, tha ajo.

Po ashtu Hysi tha se do të donte të theksonte atë çfarë ka bërë Kuvendi në lidhje me turizmin, jo vetëm në vend, por dhe në rajon.

“E para, ligji për Turizmin i cili është miratuar pak kohë më parë i jep një mundi të mirë për të investuar në turizëm në Shqipëri. Klima është liberale dhe e favorshme, çfarë do të thotë se ka një treg atraktiv në rritje dhe njerëzit kërkojnë të eksplorojnë dhe ta vizitojnë Shqipërinë. E dyta, janë kostot konkurruese të punës në Shqipëri. Paga mesatare në Shqipëri është favorizuese për të investuar në turizëm në Shqipëri, por njëkohësisht dhe për të regjistruar një biznes i cili është ‘One Stop Shop’, më pak se një euro, brenda 24 orëve. Kjo është një lehtësi që e kemi krijuar fal një pakete ligjore që e kemi miratuar në Kuvend disa vite më parë. Një element tjetër është popullsia, pasi kemi një popullsi të re pas 57% e popullsisë janë nën 37 vjeç, gati 100 mijë të rinj e të reja regjistrohen në fakultetet e universitetet shqiptare”, tha ajo.

Në vijim Hysi theksoi se “unë jam vetë pedagoge ku shumë studentë zotërojnë gjuhë të huaja, anglisht, greqisht, italisht, por dhe frëngjisht dhe gjermanisht. Investimet në turizëm kanë dhe burimet njerëzore të mjaftueshme dhe të përgatitura dhe besoj se nëpërmjet misionit tuaj fisnik do të arrini të përcillni këtë mesazh për të inkurajuar të rinjtë e rajonit të Ballkanit dhe në Shqipëri që të qëndrojnë në Shqipëri dhe të kontribuojnë, pasi kanë mundësi nëse do të kemi investime më të madhe jo vetëm vendase, por dhe të huaja. Gjithashtu për turizmin kanë rëndësi dhe taksat dhe ligji, paketa fiskale që kemi kaluar në Kuvend vjet ka mundësuar taksa konkurruese. Ne nuk kemi diferencime mes investitorëve të huaj dhe shqiptarë. Ne këtë pabarazi nuk e kemi, madje atë që themi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH në hoteleri turizëm e kemi 6% ndërkohë që TVSH për shërbime të tjera e kemi 20%”.

Hysi tha se pozicioni gjeografik e favorizon Shqipërinë për sa i përket turizmit.

“Po ashtu një arsye tjetër që e favorizon turizmin në Shqipëri është pozita gjeografike. Kemi një pozitë gjeografike shumë të favorshme. Lidhemi me Italinë nëpërmjet porteve të Adriatikut dhe Jonit, lidhemi me fqinjët siç është Greqia nëpërmjet kufirit të gjelbër me shumë pika kalimi dhe së fundi ne investojmë dhe një pikë tjetër kalimi në Qafë- Botë, por njëkohësisht kemi dhe shumë mundësi të tjera komunikimi me Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi dhe nëpërmjet investimeve nëpërmjet rrjetit hekurudhor dhe transportin me Serbinë, Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën”, tha ajo.

Po ashtu Hysi tha se Shqipëria është vendi i dytë në Mesdhe për nga veprat historike kulturore.

“Por ajo që është më e bukura është se Shqipëria është vendi i dytë në Mesdhe për nga veprat historike kulturore. 4000 vepra, 10% e tyre vizitohen dhe shumë i kam mësuar nga reportazhet tuaja dhe ne shqiptarët nuk i njohim ato dhe më shumë i bëjnë promovim turistët e huaj Shqipërisë sesa flasim vetë ne, sidomos në politikë, ne që shpeshherë me pamjet dhe zhvillimet e seancave plenare krijojmë një imazh që u japim shumë ushqim agjencive të huaja për të thënë se kush është Shqipëria. Në fakt nuk është e vërtetë, ne jemi një pakicë para të gjitha këtyre bukurive që ka ky vend, por dhe të potencialeve që ka”, tha ajo.

Në fund Hysi tha se “do të doja të besoja se si parlamentarë të japim një kontribut të rëndësishëm, pasi ne kemi grupet e miqësisë me vendet tuaja dhe mund të  bashkëpunojmë me njëri-tjetri për të krijuar paketa dhe lehtësi fiskale. Shpresojë se kur të largoheni nga ky takim të kemi reportazhe të bukura dhe promovuese për ne”./ATSH/