Haradinaj e bën copy lajmin nga mediat për ‘katastrofën humanitare’ që Beogradi po inskenon në Veri: Nuk do të rrimë duarkryq

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar.

“Përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme. Boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar. Në bazë të këtyre informatave, mësohet se pjesë e organizimit të këtij plani janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq. Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve.”, ka shkruar ai në Facebook.

Dyqane të boshatisura ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, që për qëllim kanë pasqyrimin e një gjendje të rëndë të ashtuquajtur ‘katastrofë humanitare’ për qytetarët e veriut, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, të dirigjuar nga Beogradi.

Kështu Beogradi zyrtar po vazhdon përpjekjet e vazhdueshme të sulmeve ndaj Kosovës, që për synim kanë destabilizimin e veriut të saj.

Burime të sigurta bëjnë të ditur se një takim urgjent është mbajtur të mërkurën mbrëma në hotelin ‘Gray’ në veri të Mitrovicës, ku kanë marrë pjesë kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore, disa afaristë të shquar të asaj pjese, përfaqësues ilegal të institucioneve, si dhe një zyrtar i lartë i qeverisë nga Beogradi, me ç’rast veç tjerash, është hartuar plani për ‘katastrofën humanitare’ në veri.