Ky është amerikani që pretendon se është Papa i vërtetë i Kishës Katolike

Periskopi.com Lajme

Nga Kara Goldfarb

Për Dejvid Bouden, Kansasi nuk është vetëm Shteti i Lulediellit; ai është Selia e Shenjtë. Bouden është i bindur se që kur Papa Piu XII vdiq në vitin 1958, kisha është udhëhequr nga një sërë papësh mashtrues. Ai beson se kreu i vërtetë i kishës është Papa Mikaeli – emri që ai i dha vetes në një konklave papale të improvizuar.

Më 16 korrik 1990, duke vepruar nën supozimin se nuk kishte asnjë papa në drejtimin e kishës, Dejvid Bouden mbajti një konklavë papnore në Belvu të Kansasit në SHBA, dhe u zgjodh nga 6 persona (duke përfshirë veten dhe prindërit e tij), për të qenë Papa i Ri.

Bouden, i lindur më 22 shtator 1959 në Oklahoma, u rrit nga prindër të devotshëm katolikë. Që në moshë të re, ai ndjeu thirrjen për t’u bërë prift. Por në të njëjtën kohë, u zhgënjye me Këshillin e Dytë të Vatikanit. Këshillat ekumenikë të Kishës Katolike, kanë ekzistuar prej 2000 vjetësh.

Ato janë kuvende të zyrtarëve të kishës të emëruar nga Papa, për të përcaktuar doktrinën dhe të vërtetat e besimit.

Këshilli II i Vatikanit, i quajtur edhe Vatikani II, çeli punimet e tij në Romë më 11 tetor 1962 nën Papa Gjonin XXIII. Rezultati i atij këshilli, rezultoi të ishte një ndryshim i rëndësishëm dhe radikal në Kishën Katolike, pasi synoi të riformësonte institucionin për epokën moderne.

Ai vendosi heqjen e detyrimit për të mbajtur meshat në gjuhën latine, duke i lejuar priftërinjtë të meshonin në gjuhët amtare të vendeve të tyre, si dhe lejoi një tolerancë më të madhe për lirinë fetare. Sikurse u shpeh profesori i teologjisë, Kristofer Beglou:”Kisha filloi të shikonte nga afër mënyrat me të cilat mendimtarët modernë tentonin të promovonin dinjitetin njerëzor, dhe treguan se si ata dhe ungjijtë janë komplementarë”.

Por kjo nuk u prit mirë nga Dejvid Bouden dhe familja e tij. Si reagim ndaj asaj që e cilësuan si një tradhëti të kishës, në vitet 1970 familja Boden filloi ndjekjen e një lëvizje tradicionale të themeluar nga kryepeshkopi francez Marsel Lëfebvre, e quajtur Shoqëria e Shën Piut X.

Dejvid Bouden mori pjesë në vitin 1978 një seminar të drejtuar nga shoqëria në Armada në Miçigan.

Për shkak të asaj që ai e ka përshkruar vetëm si një “luftë”, Bouden u dëbua nga shoqëria. Ky është momenti, kur ai vendosi që nëse do të rikthehej kisha e vërtetë katolike, këtë do të duhej ta bënte ai vetë. “Unë fillova të bleja libra, të vendosja veten në duart e Frymës së Shenjtë, dhe fillova të studioja”- tha ai. Ai bashkë-shkroi një libër me një grua të quajtur Tereza Stenfill-Bens, me titull “A do t’i mbijetojë Kisha Katolike shekullin XX?”.

Autorët argumentojnë se me vdekjen e Papa Piut XII, “vdiq” edhe Kisha Katolike, pasi papët pasues i braktisën mësimet tradicionale të kishës. Prandaj, Bouden arriti në përfundimin se kisha kishte nevojë për një papë të ri. Kjo çoi në një “konklavë papale” më 16 korrik 1990. Familja Bouden – Dejvid dhe prindërit e tij – dhe tre ithtarë u mblodhën në një dyqan të modifikuar si kishë, dhe e zgjodhën atë në krye të “papatit”.

Grupi i vogël në Belvu të Kansasit, shpalli mesazhin tradicional të “Habemus papam”, ose “E kemi një Papë”. Emri Papa Mikael, ishte një homazh për Arkëngjëllin Mikael, heroin fetar të Boudenit. Fuqia e të qenit “papë” nuk u kufizua vetëm tek komuniteti përreth. “Unë kuptova se tani jam përgjegjës për 6 miliardë shpirtra në Tokë”- tha ai.

Por që atëherë, Papa Mikael e ka mbështetur përgjegjësinë e tij si “Papë”. Duke jetuar me nënën e tij në Delia të Kansasit, Kisha e Bodenit mbahet më këmbë kryesisht me paratë e familjes dhe donacionet. Ai mban mesha lutjesh, kryen rrugëtimin e Kryqit, mirëmban faqen e tij të internetit, si dhe korrespodencën me ndjekësit e rinj të kishës.

Aty Papa Mikael poston video dhe një buletin. Ai gjithashtu mban faqet aktive të mediave sociale për të angazhuar njerëzit me kishën, dhe për të tërhequr pasuesit e rinj. Faqja e internetit e faqes shpall, “Mirësevini në faqen e Vatikanit në Mërgim”. Kjo faqe është nën autoritetin e Papës Mikael, i cili është Papa i Kishës Katolike.

Ai thotë se ka rreth 30 ndjekës “të qëndrueshëm”, me të tjerët që kanë ardhur dhe ikur gjatë gjithë këtyre viteve. Në vitin 2010, një dokumentar i gjatë me titull ”Papa Mikael”, foli për jetën e Bouden dhe seminaristit të tij, Fil Fridëll, i cili ishte ende një foshnje kur Bouden u bë “Papë”. Për Dejvid Bouden, gjëja më e mirë e të qenit “papë” është “se unë s’mund të jem kurrë jashtë kishës”, tha ai. ”Mësimet thonë se Papa nuk mund të dënohet kurrë nga Perëndia”. / Në shqip nga bota.al

Rrëfimi i hoxhës dhe priftit që ndajnë oborrin e njëjtë për xhami e kishë (Video)

Periskopi.com Lajme

Imami Naser Kosumi dhe prifti ortodoks Trajko Vllajkoviq, edhe pse i shërbejnë feve të  ndryshme, janë vetëm disa metra larg njëri-tjetrit.

Ferizaj është një prej qyteteve të rralla në botë ku në të njëjtën hapësirë qëndrojnë së bashku xhamia dhe kisha ortodokse.

Pas shumë dekadave të ndarjes tashmë ky imam dhe prift janë bashkuar për të zgjidhur problemet që ata kanë.

Një mur i ndërtuar para disa vitesh për të dy është një shqetësim i madh. Ata duan që ky mur të shembet dhe xhamia e kisha të jenë edhe më afër.

Imami Naser Kosumi tha se muri, i cili gjendet mes kishës dhe xhamisë, duhet të hiqet.

“Si ky monument pak në botë ka. Për shembull ka xhami dhe kishën në një oborr. Nuk e di kur është ndërtuar, a është periudhë e gjatë, a është ndërtuar xhamia qysh më herët por meqenëse është ndërtuar në një oborr, për mendim timin kisha thënë që të jenë dy simbole pa ndërprerje, pa mur ndarës. Kështu kishë me qenë më mirë për opinion që mos të ketë pengesa”, ka thënë Kosumi.

Vllajkoviq, i cili ka ardhur të shërbejë si prift në këtë kishë para tri vitesh ka filluar të ketë komunikim ditor me imamin.

Ai tha se ka komunikim shumë të mirë me imamin e xhamisë.

“Këto dy vende të lutjes janë krenare me njëra tjetrën dhe nuk ka rivalitet se cila është ndërtuar më parë, cila është më e madhe, cila është më e mirë, cila është më e bukur. Kjo gjë nuk qëndron para zotit. Para Zotit qëndron vetëm a je i mirë apo i keq, në fakt pak i mirë sepse nuk ekziston i keqi. Ai mur të cilin jeni duke e parë nuk është ndërtuar as nga unë e as nga Naseri “, tha prifti Vllajkoviq.

Hoxha dhe prifti thonë se kalojnë mirë me të gjithë banorët e Ferizajt dhe se nuk ka pasur ndonjë koment të keq në lidhje me shoqërimin e tyre.

Ndërsa Vllajkoviq theksoi se s’duhet të ekzistojë asnjë ndarje në mes kishës dhe xhamisë.

 

Prifti katolik: Ndërkombëtarët na njoftuam se ka rrezik për një sulm gjatë Pashkëve

Periskopi.com Lajme

​Don Mikel Sopi, famullitar i një Kishe Katolike në Kosovë ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se janë lajmëruar nga institucionet vendore e ndërkombëtare se ka një rrezik për ndonjë sulm terrorist dhe se shënjestër mund të jenë objektet fetare.

Sipas organeve të sigurisë sulmi dyshohet se mund të ndodhte për festën katolike të Pashkëve.

“Jemi shqetësuar nga ky lajm në prag të festave. Ne na ka ardhur lajmi nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore se duhet të kemi kujdes, sepse jemi shënjestër e njerëzve që tentojnë dhunë”, pohoi Sopi.

“Është shqetësim si qytetarë të Kosovës, që po na ndodh kjo. Sigurinë nuk mund ta krijojë vetëm faktori ushtarak, vetëm ushtria, por edhe ne qytetarët”.

“Për pashkë është mesazhi që duaje edhe armikun, por nuk është e thënë të ia duam të këqijat armikut”.

Sopi ka treguar se përpos paralajmërimeve, ata në ambientet kishtare kanë vërejtur persona të panjohur ditë më parë, ndaj edhe e kanë lajmëruar policinë, që më pas ka ndaluar këta persona.

“Kemi vërejtur edhe ne gjëra jo të zakonshme, edhe brenda kishës, por kemi thirrur organet e rendit. Nuk e kemi bërë publik këtë lajm”.

“Ka pasur persona të panjohur në ambiente të kishave, dhe janë ndaluar nga organet e rendit. Nuk kanë dëmtuar ambientet e kishave, por policia e ka parë të arsyeshme t’i ndalojë”.

Nga ana tjetër, Kryetari i LISBA, Fuad Ramiqi, ka thënë se nuk ka gjasa që vendi të jetë arenë e ndonjë sulmi terrorist, duke e adresuar alarmin për mundësinë e një të tilli këtë fundjavë diku tjetër.

Katër fëmijë plagosen gjatë shpërthimit para një kishe në Idonezi

Katër fëmijë janë plagosur gjatë shpërthimit që ndodhi para një kishe në ishullin Borneo të Indonezisë.

Periskopi.com Lajme

Nëpunësi policor gjeneral Agus Riyanto deklaroi se shpërthimi ndodhi në një parking para kishës Oikumen në qytetin Samarinda.

Për t’u dukur perëndimor Kadri Veseli rrasë duart edhe në përurime të kishave

Fshati Llapushnik i Drenasit nesër bëhet me Kishë.

Periskopi.com Lajme

Në vendin, ku shumë kohë më parë filloi ndërtimi i varrezave të besimtarëve katolik të këtij fshati, e më pas edhe ndërtimi i Kishës, tashmë do bëhet shugurimi i kësaj të fundit.

“Shën Abrahami” si e mban emrin kjo Kishë, pati ngjallur shumë reagime dhe debate një kohë të gjatë në Kosovë.

Por, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli nuk e ka lëshuar këtë rast. Ai nesër do të jetë pjesëmarrës në shugurimin e saj, raporton Periskopi

Këtu, besohet për të deklaruar se Kosova ka tolerancë fetare, aq më shumë kur vetëm një ditë më parë, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka deklaruar se në Kosovë liderët politikë më shumë janë të fokusuar te kundërshtarët e tyre, se sa te ajo çka ata mbështesin.

Sipas Delawie, në Kosovë, edhe në media e edhe në rrugë, shohim një rritje të tensionit religjioz dhe etnik.

Por, punimet për këtë kishë dhe varrezat katolike shqiptare në fshatin Llapushnik kanë filluar që rreth dy vite.

Me disa ndërprerje nga banorët myslimanë të këtij vendi, një kohë punimet janë zhvilluar në praninë e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, raporton Periskopi

Fshatarët e Llapushnikut të komunitetit mysliman, patën protestuar për ditë të tëra, duke thënë se vendi ku po ndërtohet kisha dhe varrezat katolike është vend i ndarë për varrezat e dëshmorëve.

Ata nuk patën kundërshtuar Kishën, por vendin ku ajo është ndërtuar./ Periskopi

Problem i UP-së nuk asht kisha por analfabetizmi

Jetlir Buja Op-Ed

 

Këto ditë asht riaktualizu çashtja e kishës në oborrin e UP-së. Në nji anë kërkohet funksionalizimi i saj ndërsa në tjetrën, rrënimi. Të parët janë disa serbë ndërsa të dytët disa kosovarë. Në mes asht nji kontest pronësor i cili vazhdon me u zhvillu. Pra, asht e pakjartë se kujt i takon “me letra” ajo tokë.

Argumenti i kosovarëve asht që kisha në fjalë, nisi me u ndërtu në kohën e luftës, kur regjimi i Millosheviçit po na ndjekte, rrihte e vriste. Poashtu, përmendet “cënimi i karakterit laik” të Universitetit publik – tu qenë se toka ku asht kisha, pretendohet se i takon Universitetit. Shpend Ahmeti tregoi se çashtja asht në gjykatë. Prandaj, edhe argumenti i dytë nuk asht valid derisa të merret vendimi nga Gjykata.

Por çashtja shkon përtej këtij kontesti pronësor. Çashtja asht politike dhe meriton zgjidhje politike. Asht e kjartë: edhe në rast se merret vendim që prona i takon kishës, kjo nuk ka me u pranu prej kosovarëve. Kanë me e ripërmend “kohën” e ndërtimit të saj.

Por në atë rast kisha duhet me u funksionalizu. Pikë. Kushdo që e don vendin e tij, nuk mun me qenë indiferent ndaj imazhit që reflektohet jashtë. Jemi në demokraci, në kohën e kinemasë, dukjes, imazhit, hijeve të shpellës së Platonit – prandaj diskurset platonike anti-imazh që i ravijëzojnë do idealitete të kullueme, që na thotë, na lodhët me imazhin, qëndrojnë thellë në gabim. Qysh qëndronte dikur Sokrati bashkë me Platonin. Nuk ka botë jashtë imazhit. Harrojini botët e pasme – bërtet Niçe. Ajo që nuk duket, derisa të duket, nuk ekziston. Politika në demokraci asht lojë imazhesh, terren sofistësh.

Dhe – qysh shpjegon Sead Zimeri – imazhi i Kosovës damtohet tepër shumë nëse vendosim me e rrënu kishën. Kjo reflektohet kështu: nji vend me shumicë myslimane e rrënoi nji kishë. A kanë randësi arsyet? Zimeri thotë që jo por unë them që po. Imazhi i keq përcillet nëse e pamundësojmë funksionalizimin e kishës edhe në rast se i takojnë ato katër hektarë kishës. Jo në rast se nuk i takojnë. Por gjithsesi imazhi damtohet tepër keq nga rrënimi – në cilindo rast.

***

Pardje, redaksia e Sportit në Periskop e montoi nji video nga arkiva, në të cilën, Prishtina e kishte mposhtur Partizanin e Beogradit me rezultat 1 me 0 në vitin 1986. Kishte aq shumë tifozë sa stadiumi i Prishtinës nuk njihen. Ata vluan si mizat kur Muriqi e shënoi golin. Ndoshta ishin 40 mijë tifozë në nji stadium që nuk i zinte as 20. Pse? Sepse po përballeshim me nji ekip të madh sërb.

Prishtina e sivjetme duket mjaft e mirë. Luan bukur e fiton. Ka në radhët e saj lojtarë që ishin pjesë e Kategorisë e Parë të Ukrainës, si Dallku, Curri e Jonuzi. Ka nji akademi e cila mun me prodhu shumë talentë. Por askush nuk i shikon ndeshjet e saj. Pse? Sepse jemi të kompleksuem. Sepse kemi dëshirë me u tregu në relacion me të tjerët. Sidomos me ata që na shtypën dhe na urryen. Duhet urrejtje dhe komplekse që me u ngrohë zemra.

Sot, për shembull, studentë të UP-së, po e organizojnë nji “lexim” në atë kishë si formë demonstrimi se kisha nuk ka vend brenda hapsinave universitare. Përnjiherë, kur erdhën në pyetje serbët, u shndërruem edhe në lexues e studentë. Përnjiherë, harruem se çfarë fakultetesh i kemi ndërtu në ato hapsina. Duhet me u përmend Sërbia që studentët që sorollaten tanë ditën nëpër kafene, me i kapë librat.

Ne kemi fakultete e biblioteka e hapsina tjera universitare, por nuk lexojmë e nuk studiojmë. Profesorët tanë kanë rroga të mira por janë tepër të papërgjegjshëm dhe të paaftë. Poashtu edhe studentët. Dyert e UP-së u hapën për të gjithë, papërjashtimisht, dijnë a s’dijnë, kanë mundësi studimi apo s’kanë. Dhe nji universitet serioz nuk asht për secilin – kjo dihet. Sidomos jo, për nji shoqni të sapodalun nga analfabetizmi.

Pa pritë u harru që UP-ja asht thjesht vend që i rritë privilegjet për njerëzit e politikës. U harru Dugolli, Et’hem Çeku, Ibrahim Gashi, Argjent Softolli e të tillë.

UP-ja asht strehë analfabetësh. Mos t’i ngurtësojmë këto punë. Problemi i UP-së nuk ishte kisha për gati njizet vjet. Problem ishte shoqnia jonë dhe zgjedhjet e saj. Paditunia e saj.